Lajme nga vendi
Zgjedhjet janë zgjidhje për VMRO DPMNE-në, Mickoski: Të vendosë populli se kujt i beson
Qytetarët mezi kalojnë muajin, të shqetësuar se si do ta kalojë dimrin, kurse krimi dhe korrupsioni janë në nivelin më të lartë, vlerëson kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski. Ai thotë se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Deri sa Maqedonia ka shumë probleme, ai ashtu, guximshëm vendos si komedian të më ofendojë mua dhe VMRO-DPMNE-në në paraqitjet publike.
Nëse është aq i guximshëm si prezantohet, ka mënyra se si ta manifestojë atë guxim, të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe populli të vendosë a do t’u besojë shfaqjeve të tij si komedian ose realitetit të vështirë dhe të ashpër në Maqedoni”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
LSDM-ja beson se opozita maqedonase, gjegjësisht Mickoski në bashkëpunim me Apasievin, dëshirojnë të bllokojnë eurointegrimin.
“Mickoski një ditë thotë se përkrah integrimin në BE, të nesërmen në Kuvend i bllokon të gjitha legjislacionet që kanë të bëjnë me BE-në. Mickoski është një njeri pa vizion, i cili së bashku me Apasiev dëshiron ta kthejë vendin në të kaluarën e errët të frikës, izolimit dhe ndarjeve të brendshme, por LSDM-ja dhe qytetarët nuk do ta lejojnë këtë”, thonë nga LSDM.
Pushteti nuk pranon assesi zgjedhje të parakohshme dhe vlerëson se është momenti kur fokusi duhet të jetë te procesi i negociatave. /Alsat.mk Gazetare: Fatlume Dervishi
Lajme nga vendi
Mali Sharr është kapital strategjik ujor, por menaxhimi mbetet sfida kryesore, tregon analiza e IDSCS-së
Sipas analizës, ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore të Malit Sharr janë baza e furnizimit me ujë për Tetovën dhe Gostivarin, kontribuojnë në mbushjen e burimit Rashçe, prej nga furnizohet me ujë të pijshëm pjesa më e madhe e Shkupit, si dhe sigurojnë ujë për funksionimin e sistemit hidroenergjetik të Mavrovës.
Megjithatë, autorët theksojnë se problemet e vazhdueshme me furnizimin me ujë në Tetovë dhe ndotja e fundit e sistemit të ujësjellësit në Gostivar dëshmojnë se burimet natyrore, sado të pasura të jenë, nuk mjaftojnë për të garantuar ujë të sigurt për konsum.
Në analizë thuhet se siguria ujore nuk varet vetëm nga sasia e ujit në dispozicion, por nga mënyra se si menaxhohet i gjithë sistemi ujor. Për këtë arsye, Mali Sharr cilësohet si një infrastrukturë natyrore strategjike, nga e cila varen furnizimi me ujë, siguria energjetike, shëndeti publik dhe aftësia e vendit për t’u përballur me ndryshimet klimatike.
IDSCS vlerëson se nevojiten investime në infrastrukturë të besueshme, monitorim të vazhdueshëm të cilësisë së ujit, mbrojtje të burimeve dhe zonave mbrojtëse ujore, si dhe një menaxhim më efikas institucional. Analiza rekomandon që menaxhimi i ardhshëm i burimeve ujore të bazohet në një qasje të integruar, në përputhje me Direktivën Kuadër për Ujërat të Bashkimit Evropian, e cila e organizon menaxhimin sipas pellgjeve lumore dhe kërkon koordinim ndërmjet të gjithë përdoruesve të burimeve ujore.
Sipas institutit, në shekullin XXI uji nuk mund të trajtohet më vetëm si burim për zhvillim ekonomik ose prodhim energjie. Ai përfaqëson një të drejtë themelore të njeriut, infrastrukturë kritike, garanci për shëndetin publik, kapital natyror dhe një nga burimet kryesore për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.
Analiza përfundon se sfida kryesore nuk është nëse Mali Sharr ka ujë të mjaftueshëm, por nëse institucionet do të arrijnë ta menaxhojnë këtë kapital ujor në mënyrë të qëndrueshme dhe ta ruajnë atë për brezat e ardhshëm.
Kujtojmë se Gostivari prej disa ditësh po përballet me një nga incidentet më të rënda të ndotjes së ujit të pijshëm në vend. Mbi 3.150 persona kërkuan ndihmë mjekësore me simptoma të gastroenteritit, ndërsa më 19 korrik u shpall epidemi. Hetimet e Prokurorisë tregojnë se për rreth 22 ditë në rrjetin e ujësjellësit ishte futur ujë i ndotur me fekale përmes pompave të vendosura pranë sistemit të furnizimit me ujë, çka çoi në ndotjen e ujit të pijshëm. Për rastin janë nën hetim drejtoresha e NP “Komunalec” dhe dy drejtues të tjerë të ndërmarrjes, të dyshuar për vepra të rënda kundër mjedisit dhe natyrës.transmeton Portalb.mk
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe periudha me diell. Do të ketë jostabilitet lokal me shira të rrëmbyeshëm, bubullima, erëra të forta dhe kushte për stuhi të izoluara me breshër. Do të ketë erëra të dobëta deri në mesatare, dhe përgjatë lumit Vardar herë pas here të forta nga veriu.
Në pjesët perëndimore do të fryjë erë e dobët deri në mesatare, herë pas here e fortë perëndimore. Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 12 deri në 21 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë 27 deri në 33 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe periudha me diell. Në pjesë të luginës do të ketë jostabilitet me shira të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erëra të forta. Temperatura minimale do të bjerë në 17, ndërsa maksimale do të arrijë 30 gradë.
Lajme nga vendi
Dogana kap bizhuteri “Swarovski” me vlerë rreth 5.400 euro
Dogana e Maqedonisë së Veriut ka sekuestruar bizhuteri të markës “Swarovski” me vlerë prej 333 mijë denarësh në Pikën Kufitare të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit, pasi ato u zbuluan gjatë kontrollit të detajuar të një udhëtareje që po hynte në vend.
“Bëhet fjalë për një shtetase të Maqedonisë së Veriut, e cila mbërriti me një fluturim nga Zagrebi. Me qëllim që të shmangte pagesën e detyrimeve doganore, ajo u drejtua në korridorin e gjelbër në vend të atij të kuq. Gjatë kontrollit, udhëtarja deklaroi se nuk kishte asgjë për të paraqitur. Pas skanimit me rreze X dhe kontrollit të bagazhit, u zbuluan 23 copë bizhuteri të markës ‘Swarovski’”, njoftojnë nga Dogana.
Sipas autoriteteve doganore, rasti i është dorëzuar Departamentit të Hetimeve pranë Sektorit për Kontroll dhe Hetime, i cili ka ngritur kallëzim penal për veprën penale “kontrabandë”, e dënueshme sipas Kodit Penal.

