Lajme nga rajoni
Tensionet Serbi-Kroaci, analiza e DW: Marrëdhëniet janë ndërlikuar, shkak deklaratat thumbuese mes dy palëve
Krerët e shtetit të Serbisë, vendosën papritur se ka ardhur koha për përmirësimin e marrëdhënieve me Kroacinë. Urdhri që presidenti Aleksandar Vuçiç u dha bashkëpunëtorëve të tij ishte që të nisin aksionin, siç u tha, për rikuperimin e marrëdhënieve të tensionuara me Kroacinë. Kjo detyrë iu besua ministrit të Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç. Vizita e tij në kohën e Krishtlindjes ortodokse në Zagreb më 6 janar ishte hapi i parë në këtë drejtim.
Marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë kanë qenë në nivel të ulët prej vitesh dhe janë karakterizuar kryesisht nga deklarata thumbuese të politikanëve të të dyja palëve. Komunikimi klasik diplomatik u zëvendësua me konfrontime përmes mediave. Në të njëjtën kohë, Kroacia është pothuajse një temë obsesive e presidentit të Serbisë dhe votuesve të tij: krahasimi i sukseseve dhe dështimeve ekonomike, matja se kush ia doli më mirë në epideminë e Covid-it, vlerësimi i sasisë së të keqes që dy kombet i kanë shkaktuar njeri-tjetrit, vlerësimi se kush ka muzikë e muzikantë më të mirë/më të keqe, krahasime të vazhdueshme në sporte… Një rivalitet disi i pashëndetshëm mes dy vendeve shënoi vitet e qeverisjes së Partisë Progresive Serbe dhe Aleksandar Vuçiçit.
Vardisja ndaj Bashkimit Evropian
Siç thekson për DW Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, “është shumë herët për të vlerësuar nëse ky synim për të përmirësuar marrëdhëniet është i sinqertë apo jo”. Mirëpo, në të njëjtën kohë kur Ivica Daçiç ishte për vizitë në Kroaci, shefi i BIA Aleksandar Vulin dhe kryeministrja Ana Brnabiç folën për Kroacinë si “vend i ustashëve”, kujton bashkëbiseduesja jonë.
Mund të thuhet se synimi për të përmirësuar marrëdhëniet është pjesërisht pjesë e politikës dhe dëshirës për të lëvizur drejt Bashkimit Evropian, shton Biserko. “Nuk duhet të harrojmë se nuk po flasim vetëm për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë, por kemi edhe pika të tjera nevralgjike në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë. Ndoshta tani konsiderohet se duhet treguar një vullnet i mirë në lidhje me rajonin, duke pasur parasysh presionet që vijnë nga Moska dhe idenë e një ‘bote serbe’ që nuk është braktisur”.
“Mendoj se megjithatë ky është një moment i mirë për një hap të tillë”, tha për DW Zoran Stojiljkoviq nga Fakulteti i Shkencave Politike. “Lipset që Serbia të mos hyjë në një lloj izolimi evropian. Marrëdhëniet në rajon janë të rëndësishme për procesin e integrimit evropian, por mendoj se ky lloj politizimi i marrëdhënieve reciproke e ka humbur fuqinë e grumbullimit dhe mobilizimit të forcave të djathta në të dyja vendet”, vlerëson Stojiljkoviç.
Daçiçi si faktor pajtimi
Është e vështirë të anashkalohet simbolika e faktit se Ivica Daçiç po merret me shtensionimin e marrëdhënieve, gjë që sigurisht u vërejt edhe në fjalët e kryeministrit kroat Andrej Plenkoviç, i cili theksoi se “Kroacia ishte viktimë e agresionit të regjimit të Millosheviçit”.
“Trashëgimia e luftës dhe politikat e luftës janë ende një problem për të gjitha marrëdhëniet në rajon”, thotë Sonja Biserko. “Serbia në këtë kuptim nuk është e gatshme të pranojë asnjë përgjegjësi dhe kjo është qartësisht vazhdim i politikës së Millosheviqit, sepse të gjithë bartësit e asaj politike tani janë në pozita të rëndësishme dhe e interpretojnë atë që ka ndodhur në mënyrën e tyre”, thekson kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.
Përfaqësuesit autentikë të asaj politike gjithmonë e kanë kuptuar më mirë njeri-tjetrin, vlerëson Zoran Stojiljkoviq. “Në situata të tilla nuk keni kush të protestojë kundër jush nga krahu i djathtë politik. Një marrëveshje e tillë midis Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) dhe partive të ngjashme në Serbi ishte disi më e përhershme dhe më e suksesshme. E gjithë kjo u vu në dyshim më pak se kur ishte në pushtet Partia Socialdemokrate e Kroacisë (SDP) dhe Partia Demokratike (DS) në Serbi”, vëren Stojiljkoviç.
“Republika Serpska si plaçkë lufte”
Në kohën kur i zgjatet dora Kroacisë, marrëdhëniet midis Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinësjanë në fazën e përkeqësimit. Beogradi i shpërfilli ftesat e ardhura nga Sarajeva që të mos marrë pjesë në festimin e Ditës së Republikës Serpska më 9 janar, që sigurisht i ka ndërlikuar edhe më shumë raportet mes tyre.
Arsyeja për këtë është se Kroacia, si anëtare e BE-së dhe NATO-s, doli nga “bota serbe”, vëren Sonja Biserko. “Ndërsa Republika Srpska mbeti si një plaçkë lufte që nuk do të dorëzohet”. Zhvendosja e përkujtimit të 9 janarit nga Banja Luka në Sarajevën Lindore është gjithashtu një provokim shtesë, sepse nuk e di se çfarë tjetër duhet të manifestohet përveç gatishmërisë për konflikte”, thekson Biserko.
Zoran Stojiljkoviç thotë, se “në Sarajevë ka një rezervë ndaj politikës së Zagrebit dhe Beogradit, të cilat ndonjëherë ngrenë zërin për të shprehur frikën për pozicionin e anëtarëve të popujve të tyre në Bosnjë-Hercegovinë”. Prandaj edhe nëse kemi ndonjë lloj normalizimi të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë, në anën tjetër kemi një reagim nervoz në disa qarqe në Bosnjë-Hercegovinë. “Mund të shihet pra njëfarë frike nga kërcënimi i tutelës së përbashkët të Serbisë dhe Kroacisë mbi Bosnje-Hercegovinën”, përfundon Stojiljkoviç./DW
Lajme nga rajoni
Ky do të jetë propozimi i Kurtit për President?!
Në disa portale të afërta me partitë e koalicionit me VV bëjnë të ditur se brenda rrethit të ngushtë të Lëvizja Vetëvendosje po finalizohet një nga vendimet më të rëndësishme politike të momentit, pasi kryeministri në detyrë Albin Kurti raportohet se tashmë e ka përcaktuar emrin që synon ta propozojë për postin e presidentit të vendit.
Sipas informacioneve që ka siguruar portali ‘Gazeta Minuti’, bëhet fjalë për një figurë që nuk vjen drejtpërdrejt nga politika aktive, por për një profesor universitar me reputacion të lartë publik, i cili shihet si emër konsensual, i pranueshëm jo vetëm brenda kampit të pushtetit, por potencialisht edhe për spektrin më të gjerë politik.
Burimet thonë se strategjia e Lëvizja Vetëvendosje është që kësaj radhe të shmanget një kandidat i profilizuar partiak, duke u orientuar drejt një personaliteti akademik e institucional, me synimin për të siguruar mbështetje më të gjerë në procesin e votimit.
Zhvillimi pritet të trazojë skenën politike në ditët në vijim, ndërsa mbetet të shihet nëse ky kandidat do të arrijë të marrë mbështetjen e nevojshme për t’u ulur në postin më të lartë shtetëror.
Lajme nga rajoni
Lëvizja Vetëvendosje ka arritur në 53 ulëse të siguruara në Kuvendin e Kosovës
KQZ në përditësimin e fundit, ka bërë të ditur se janë numëruar 94,62% e votave me postë.
Nga rezultatet shihet qartë një diferencë e thellë në rezultat mes partive politike, përcjell “Bota sot”.
Lëvizja Vetëvendosje – 72,99%
Lidhja Demokratike e Kosovës – 12,12%
Partia Demokratike e Kosovës – 8,04%
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – 4.19%
Sipas këtij rezultati, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur në 53 ulëse të siguruara në Kuvendin e Kosovës, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës e ka humbur një ulëse.
LDK kishte më herët 19 deputetë, ndërsa tani ka 18. Partia Demokratike ka ruajtur 22 ulëset të cilat i kishte më parë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka 7 ulëse.(INA)
Lajme nga rajoni
LVV nënshkruan koalicionin parazgjedhor me tri parti
Lëvizja Vetëvendosje, Partia Guxo, Partia Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane kanë nënshkruar marrëveshjen e koalicionit parazgjedhor, duke e cilësuar atë si vazhdim të një rruge të përbashkët politike dhe angazhim të qartë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Sipas Partisë Guxo, ky koalicion nuk paraqet një bashkim të përkohshëm, por një qëndrim politik të vendosur për të qeverisur me përgjegjësi, për të mbrojtur interesin shtetëror dhe për ta vendosur qytetarin në qendër të çdo vendimi.
“Ne hyjmë në këtë marrëveshje me bindjen se shteti forcohet vetëm përmes drejtësisë që vepron, institucioneve që funksionojnë dhe një qeverisjeje që nuk i shmanget llogaridhënies”, thuhet në postimin e publikuar në Facebook, transmeton INA.
Në reagim thuhet se lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia qytetare nuk janë vetëm premtime politike, por detyrime që burojnë nga besimi i qytetarëve.
Po ashtu, partitë vlerësojnë se ky koalicion përfaqëson stabilitet, drejtim dhe qartësi politike, me synim një Republikë më të fortë brenda vendit dhe më të sigurt në arenën ndërkombëtare, me orientim të palëkundur euroatlantik dhe partneritete strategjike të konsoliduara.
“Partia GUXO qëndron në këtë bashkim me përgjegjësi të plotë, për të garantuar se politika nuk mbetet fjalë, por kthehet në veprim që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

