Lajme nga vendi
Gir: Maqedonisë e Veriut i nevojitet një administratë eksperte, e pavarur dhe profesionale
Ambasadori evropian Dejvid Gir sot porositi se vendi ka nevojë për një administratë publike eksperte, të pavarur dhe profesionale. Pa këtë, siç theksoi, nuk ka rritje dhe zhvillim.
Nuk mund të thuhet, tha Gir, se nuk ka rezultate në drejtim të riorganizimit, por sistemi ka edhe dobësi që sigurisht vërehen dhe është i dukshëm edhe ndikimi shumë i fortë partiak në pjesë të caktuara të administratës.
“Ajo që duam të shohim është forcimi i administratës, për të siguruar që ajo të ketë ekspertizë, pavarësi dhe profesionalizëm. Është gjithmonë e vështirë, ka presione fiskale, nuk ka vetëm një krizë, por një sërë krizash. Ne gjithmonë theksojmë rëndësinë e asaj që të sigurohet që administrata mund të angazhojë, mbajë, promovojë dhe avancojë njerëz që kanë ekspertizën e nevojshme për të kryer punën. Këtu përfshihen shtesat, pagat dhe ky është një element i rëndësishëm. Nuk do të komentoj vendimet e ndryshme në lidhje me politikat që do të marrë qeveria në fusha të veçanta, por si parim i përgjithshëm, pra parimi ynë është që të keni një shërbim publik ekspert të aftë për të zbatuar reformat, me ndihmë. Pa të, vendi nuk mund të zhvillohet dhe të rritet. Këtu ka disa aspekte – financimi, ndikimi partiak që është shumë i fortë në pjesë të caktuara të administratës, por ju duhet të keni një shërbim publik, shtetëror që mund të japë atë që nevojitet. Ka shumë punë për të bërë për të forcuar shërbimin publik”, theksoi Gir, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas nënshkrimit të kontratave për projektin për ndërtimin e institucioneve llogaridhënëse për menaxhimin e financave publike.
Sipas tij, administrata duhet të përshtatet me nevojat aktuale dhe të ndjekë ndryshimet në korniza botërore.
“Ka dobësi të mëdha në sistem, ato janë evidentuar në Raportin tonë për vendin, por ne bashkëpunojmë ngushtë me shërbimin civil në drejtim të ngritjes së kapaciteteve të tij, sepse pa një shërbim civil efektiv nuk do të arrijmë askund. Prandaj, është gjithashtu një prioritet. Prandaj, në anëtarësim ka ato që quhen baza – çështje që janë shumë të rëndësishme dhe duhet të vlerësohen në çdo moment të procesit, nga fillimi deri në momentin e anëtarësimit në BE. Nuk do të thosha se nuk ka rezultate. Ajo që keni është një sistem që duhet t’u përshtatet nevojave aktuale, botës që po ndryshon dhe procesit të anëtarësimit në BE, në mënyrë që të mund të gëzojë përfitimet e anëtarësimit në BE dhe të jetë në këtë kuptim. Ne jemi të angazhuar në një proces afatgjatë të mbështetjes në përmirësimin e shërbimit civil, dhe kjo përfshin një diskutim afatgjatë. Ne kemi ofruar ekspertizë për çështjen e riorganizimit për të siguruar që administrata të jetë sa më e mirë, duke përfshirë praktikat e BE-së. Ne i ndjekim me shumë vëmendje reformat në administratën publike. Kjo është thelbësore sepse ka të bëjë me zbatimin e reformave, ndihmën e konsiderueshme që po japim dhe përgatitjen e vendit për të menaxhuar me gjëra siç janë fondet strukturore”, nënvizoi Gir.
Ministri i Financave Fatmir Besimi shtoi se numri i administratës, sidomos në dy vitet e fundit është në rënie.
Lajme nga vendi
“BETEJA” KUNDËR NDOTJES: MINISTRI HOXHA PARALAJMËROI PESË PLATFORMA DIGJITALE
Ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha, ka prezantuar pesë modulet e iniciativës për transformimin e gjelbër përmes digjitalizimit, të cilat sipas tij, synojnë rritjen e transparencës, thjeshtimin e procedurave administrative dhe përmirësimin e menaxhimit të të dhënave dhe proceseve që lidhen me mjedisin jetësor.
“E ardhmja nuk pritet. E ardhmja ndërtohet çdo ditë, përmes modernizimit dhe digjitalizimit. Për ne, digjitalizimi nuk është vetëm softuer. Ai është një instrument politik për drejtësi. Ai nënkupton transparencë të plotë. Aty ku ekziston një sistem digjital, nuk ka hapësirë për fshehje. Aty merr fund joefikasiteti i sistemit. Aty marrin fund lidhjet dhe ndikimi i faktorit njerëzor“
Në kuadër të këtyre masave, Hoxha bëri të ditur se është duke u realizuar edhe një projekt pilot për mbikëqyrjen e deponive ilegale përmes kamerave, i cili aktualisht po testohet në disa komuna.
“Jemi duke realizuar projektin pilot për mbikëqyrjen me kamera të deponive ilegale, i cili aktualisht po testohet në disa komuna. Kjo nuk është vetëm digjitalizim. Ky është një sistem i ri vlerash. Ky është transformimi ynë i gjelbër. Nuk kemi një planet rezervë dhe i kemi zgjidhjet e duhura. Nuk humbim më kohë“
Në fund, ministri theksoi se synimi i këtyre masave nuk është zbatimi i reformave sipërfaqësore, por realizimi i një transformimi thelbësor dhe rrënjësor në fushën e mjedisit jetësor./Tv Koha – Shkup/
Lajme nga vendi
Kurti: 25 vjet pas humbjes së Millosheviqit, humbin edhe Vuçiqi e Daçiqi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për zgjedhjet në Serbi që u mbajtën të delen e kaluar, duke thënë se pati rezultate historike.
Për humbjen e zgjedhjeve nga koalicioni i Aleksander Vuçiqit dhe moskalimin e pragun të listës së Ivica Daçiqit, ka thënë pasardhësit politik të Millosheviqit humbën.
“Lista Studentore doli e para, koalicioni i Vuçiqit e humbi shumicën parlamentare, ndërsa Lista e Daçiqit mbeti jashtë Kuvendit. Një çerekshekulli pas humbjes se Millosheviqit, në fillim të shekullit 21 edhe pasardhësit e tij politik, Vuçiqi e Daçiqi humbën”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Ndërsa, e ka vlerësuar historike rezultatin e “Koalicionit Shqiptar” që ka arritur të sigurojë dy ulëse në Kuvendin e Serbisë.
Kurti tha se ky rezultat u arrit falë bashkimit
“Bashkimi i të gjitha forcave në një, për çka e falënderoj secilin subjekt politik. Bashkimi duhet të vazhdojë me mbrojtjen me të fuqishme të drejtave, ndaljen e diskriminimit dhe për një jetë më të mirë”, tha ai.
Lajme nga vendi
AMBASADORI I PAQËS TAHIR SHABANI URË LIDHËSE MES PRISHTINËS DHE SHKUPIT
Ambasadori i Paqes Botërore, Tahir Shabani, ka ligjëruar para studentëve të Fakultetit Juridik në Universitetin e Evropës Juglindore, në Shkup. Ai u zotua se do të mbështesë vizitat studimore të studentëve në Kuvendin e Kosovës, ndërsa universitetit i dhuroi botime me rëndësi për studimet juridike dhe zhvillimin akademik. Gjatë ligjëratës, Shabani foli edhe për bashkëpunimin ndërinstitucional, shtetin e së drejtës dhe rëndësinë e ndarjes së pushteteve në funksionimin e demokracisë.
Ambasadori i Paqes Botërore, Tahir Shabani, njëherësh president i Institutit për Zhvillim dhe Bashkëpunim, me seli në Gjenevë të Zvicrës, ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të Fakultetit Juridik në Universitetin e Evropës Juglindore, në Shkup.
Gjatë ligjëratës, Shabani u zotua se do t’i mbështesë studentët që dëshirojnë të realizojnë vizita studimore në Kuvendin e Kosovës.
Përveç kësaj, Shabani njoftoi se do t’i dhurojë universitetit disa botime me rëndësi për studimet juridike dhe përgatitjen akademike të studentëve.
Kemi raporte të mira edhe me Kuvendin e Kosovës këtë libër do ua lë juve për fakultet. Kur studentët kanë nevojë për me bo ndonjë vizitë studimore në Kuvendin e Kosovës do të jemi urë lidhëse mes Prishtinës dhe Shkupit. Përball kësaj është një botim shumë i shkëlqyeshëm nga institucioni i Avokatit të Popullit do të jetë për biblotekën tuaj dhe sidomos për studentët që kanë nevojë. Përball kësaj kemi fuqizimin, kur ka përfundu mbikqyrja ndërkombëtare në Kosovë një botim është shumë interesant në aspektin kushtetues të Pavarësisë së Kosovës edhe kjo do të jetë një botim i shkëlqyeshëm.
Gjatë takimit, Shabani ndau me studentët edhe përvoja konkrete nga bashkëpunimi ndërinstitucional, duke sjellë si shembull një kërkesë që kishte marrë nga Prokuroria e Kosovës për organizimin e një vizite studimore në Francë.
Më erdhi një kërkesë nga Kosova, Prokuroria e Kosovës donin ta vizitonin Francën. Unë ua propozova bashkëpunimin rajonal është më i frytshëm sesa bashkëpunimi bilateral, mes Parisit dhe Prishtinës. Edhe ashtu doli. Një delegacion nga Prokuroria e Prishtinës vizituan një zonë rajonale, u trajtua Zvicra, Frankosys dhe Italia, dmth hyri një kontekst rajonal. Por, këtu duhet të jetë edhe vullneti politik, funksionimi i shtetit të së drejtës. Montesque filozofi francez e ka pasur një mesazh shumë të qartë, aty ku nuk ka ndarje të pushteteve është e vështirë të funksionojë demokracia.
Në përfundim të ligjëratës, Shabani la të hapur mundësinë që sesioni pranveror i Ambasadorëve të Paqes, gjatë këtij viti, të organizohet në ambientet e Universitetit të Evropës Juglindore, në Shkup ose në Tetovë./Tv Koha – Shkup/
-
Lajme nga rajoni1 month agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni1 month agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni1 month agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

