Lajme nga vendi
Paralajmërohet rikonstruimi i bulevardit “Ilinden” në dalje të Tetovës për në Gostivar
Zgjerimi dhe rivitalizimi i bulevardit “Ilinden” nga rreth-rrotullimi afër Universitetit të Evropës Juglindore i cili lidhet me pikë-pagesën dhe autostradën për në Gostivar është në planin e Komunës së Tetovës për këtë vit. Por, nuk dihet nëse e njëjta do të realizohet në tërësi sivjet, pasi do të varet nga sigurimi i mjeteve financiare. Nga Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” thonë se kjo pjesë e rrugës e cila lidhet me autostradën, është nën juridiksion të Komunës së Tetovës, shkruan Portalb.mk.
Kjo pjesë e bulevardit të “Ilindenit” nuk është e sinjalizuar siç duhet, mungon ndarja e bulevardit në të dy kahjet, në disa pjesë mungon ndriçimi publik si dhe probleme të tjera infrastrukturore.
Pasi që kjo pjesë e bulevardit është në dalje të qytetit dhe lidhet me autostradën Tetovë-Gostivar, pyetëm në Ndërmarrjen Publike “Rrugët Shtetërore”, ata topin e hedhin te Komuna.
“Seksioni lëndor për të cilin ju bëni pyetjen, rruga “Ilindenska”, nuk është pjesë e rrjetit rrugor shtetëror dhe është nën juridiksionin e komunës”, thanë nga NP “Rrugët Shtetërore”.
Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës njofton se për rivitalizimin dhe zgjerimin e bulevardit “Ilinden” (nga rreth-rrotullimi afër Universitetit të Evropës Juglindore deri te pikë-pagesa për në dalje të Tetovës, e cila lidhet me autostradën) Komuna e Tetovës ka projekt të përgatitur.
“I njëjti është paraparë në Programin e punës për vitin 2023, kurse realizimi i projektit në fjalë do implementohet pasi të sigurohen mjetet financiare”, thane nga Zyra për informim e Komunës së Tetovës.
Memet Jonuzi, udhëheqës i Sektorit për veprimtari komunale në Komunën e Tetovës sqaron se për bulevardin e “ilindenit” prej te rreth-rrotullimi prej te UEJL deri te mbikalimi, së bashku me rrugën servisore, projekti kap shumën prej 40 milionë denarëve, i cili kap të gjithë fazat, përfshin rikonstruimin e rrugës, kanalizim atmosferik, elektriken dhe sinjalizimin.
“E gjithë kjo ka të bëjë me një gjatësi prej 390 metra gjatësi, është i formuar projekti me dy korsi të ndara nga 7 metra e gjysmë, kemi gjelbërimin në mes nj metër dhe trotuaret që janë të përfshira në të dy anët nga katër metra gjerësi”, sqaron Jonuzi.
Por, sipas tij gjendja financiare e Komunës mbetet problematike.
“Komuna siç e dini është me borxhe dhe buxheti i komunës është i limituar, mendojmë të shfrytëzojmë burime tjera që kanë të bëjnë me disa organizata ndërkombëtare dhe institucione vendore që ne të aplikojmë, edhe nga vetë Qeveria, ose do të provojmë edhe në formën e kredisë që të sigurojmë mjetet për realizimin e saj. Kjo nuk do të thotë se ne si tërësi këtë ta realizojmë, por jemi të interesuar që komplet si projekt të fillon, ta ketë nisjen dhe në bazë të asaj varësisht prej mjeteve që do të kemi dhe që do të bëjmë rebalancin gjatë këtij viti mendojmë që të paktën të fillohet mandej të ketë edhe përfundimin”, theksoi Jonuzi.
Ky projekt i Komunës përfshin pjesën prej te rreth-rrotullimi deri te mbikalimi së bashku me rrugën servisore, ku lidhet pjesa që vjen prej Gostivarit, ndërsa siç tha Jonuzi pjesa tjetër i takon autostradës dhe i takon Rrugëve Shtetërore.
“Me ndërtimin e Qarkores e qytetit të Tetovës, autostrada A2, pjesa e rrugëve rajonale që kalonin nëpër qytetin e Tetovës automatikisht brenda 6 muajve do të kalojë në juridiksionin e komunës sipas Rregullores për kategorizimin e rrugëve publike. Në vitin 2021, Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore, përmes Marrëveshjes me Ndërmarrjen Publike për Mirëmbajtjen dhe Mbrojtjen e Rrugëve Magjistare dhe Regjionale, ka bërë përmirësimin e rrugës në rampën hyrëse nga kryqëzimi “Tetova Jug””, thanë nga NP “Rrugët Shtetërore”.
Kujtojmë që zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi para dhjetë ditësh njoftoi se Qeveria ka nënshkruar marrëveshje me kompaninë “Bechtel Enka” për të ndërtuar autostradën e Korridorit 8 në tërësi. Sipas tij, do të rrënohet tërësisht rruga aktuale Tetovë-Gostivar dhe do të ndërtohet autostrada me nga tre korsi në secilën anë që do të lidhet pastaj edhe me autostradën Gostivar-Kërçovë. Si edhe një rrugë anësore që do të lidh fshatrat nga Tetova në Gostivar.
Përndryshe, në muajin nëntor të vitit të kaluar, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall paralajmëroi se kanë filluar punët për vazhdimin e dy bulevardeve, “Ilindenit” dhe “Industrialit” nga pjesa e cila del në rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë.
Tetova ka katër bulevarde, “Iliria”, “Ilinden”, “Industrial” dhe “Bllaogoja Toska”- lidhja e të të cilit nga shkolla tekstile me pjesën afër spitalit pritet të përfundojë në pranverë. Hapja e tre bulevardeve “Ilindenit”, “Industrial” dhe “Bllagoja Toskës” është edhe pjesë e Programit Zgjedhor 2021-2025 për Tetovën të kryetarit aktual të Komunës së Tetovës.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 07 Tetor
Dje në orën 15:40, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Mavrovë kanë privuar nga liria një 45-vjeçar nga fshati Zdunjë, rrethina e Gostivarit. Gjatë një kontrolli në trafik, është konstatuar se ai po drejtonte një automjet udhëtarësh “Opel Vectra” me targa të Gostivarit pa leje drejtimi. Automjeti është sekuestruar dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
…….
Dje në orën 14:00 në SPB Tetovë, një grua 33-vjeçare nga Republika e Malit të Zi ka denoncuar se ish-partneri i saj, një 43-vjeçar, nga fshati Vrapçisht, rrethina e Gostivarit, i cili nga shtatori i vitit 2026 ndodhet në vuajtje të dënimit me burg në Burgun e Tetovës, nga numra të ndryshëm telefoni dhe përmes një aplikacioni celular ka dërguar kërcënime ndaj saj dhe familjes së saj. Po merren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit, pas së cilës do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
Lajme nga vendi
Policia e trafikut me 33 skuterë të rinj “Piaggio Beverly 310”
Parku i automjeteve të policisë së trafikut në Maqedoninë e Veriut është pasuruar me 33 skuterë të rinj “Piaggio Beverly 310 HPE”, në version të posaçëm policor.
Ministria e Punëve të Brendshme ka pranuar 33 skuterët e rinj policorë, të siguruar nga Këshilli Republikan për Siguri në Trafikun Rrugor (KRSSTR). Dorëzimi zyrtar u bë në prani të ministrit të Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski, dhe kryetarit të KRSSTR-së, Goran Angelovski.
Së bashku me skuterët është siguruar edhe pajisje e plotë mbrojtëse për motoçiklistët, përkatësisht për secilin polic:
helmetë mbrojtëse;
xhaketë dhe pantallona motoçiklistike;
çizme motoçiklistike;
doreza për verë dhe dimër.
Vlera totale e furnizimit është 16.845.561 denarë, ose rreth 274 mijë euro. Në këtë shumë përfshihen si skuterët, ashtu edhe pajisjet mbrojtëse.
“Piaggio Beverly 310 HPE” është skuter italian i kategorisë maxi-skuter, me motor 310 kubikë që zhvillon rreth 27,7 kuaj fuqi. Transmisioni automatik CVT, rrotat e mëdha dhe përmasat kompakte e bëjnë atë të përshtatshëm për lëvizje në trafikun urban.
Për policinë e trafikut, skuterët mundësojnë lëvizje më të shpejtë në trafikun e dendur, qasje më të lehtë në vendet e aksidenteve dhe rregullim më efikas të trafikut në rrugët dhe kryqëzimet e frekuentuara.
Nga MPB-ja thonë se blerja e re synon të rrisë mobilitetin e policisë së trafikut, të mundësojë kontroll më efikas të komunikacionit dhe të përmirësojë kushtet e punës së pjesëtarëve të policisë.
Ministri Panço Toshkovski theksoi se furnizimi është pjesë e aktiviteteve më të gjera për modernizimin e policisë dhe rritjen e sigurisë në trafik.
Ndërkaq, nga KRSSTR-ja u bë e ditur se do të vazhdojnë investimet për pajisjen e njësive policore që janë përgjegjëse për kontrollin e trafikut.
Me 33 “Piaggio Beverly 310”, policia e trafikut fiton mjete të reja që pritet të mundësojnë reagim më të shpejtë dhe mobilitet më të madh, veçanërisht në kushtet e trafikut të dendur urban.
Burimi: Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)
Lajme nga vendi
Nis shpërndarja e kartelave për “naftën e gjelbër”, mbi 48 mijë fermerë përfitojnë
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave ka nisur shpërndarjen e kartelave për “naftën e gjelbër” për fermerët, në një periudhë kur po përgatiten tokat për përpunimin vjeshtor dhe mbjelljen.
Për këtë masë këtë vit janë siguruar 584 milionë denarë, rreth 9.5 milionë euro, ndërsa janë përgatitur gjithsej 48.037 kartela.
Shpërndarja ka nisur në Sveti Nikollë, ndërsa më pas ka vazhduar në Manastir, bëri të ditur ministri i Bujqësisë, Borçe Serafimovski.
Mbështetja financiare varet nga sipërfaqet dhe kulturat bujqësore të deklaruara në kërkesat për pagesa direkte për vitin 2025 dhe varion nga 3.200 deri në 12.000 denarë për hektar.
Për kulturat drithore, si gruri, elbi, misri dhe orizi, fermerët përfitojnë 3.200 denarë për hektar. Për lulediellin, kolzën, jonxhën dhe disa kultura të tjera mbështetja është 4.800 denarë për hektar.
Për kulturat kopshtare dhe vreshtat janë paraparë 9.600 denarë për hektar, ndërsa mbështetja më e lartë, prej 12.000 denarësh për hektar, është për mollën, dardhën, kumbullën, pjeshkën dhe disa kultura të tjera frutore.
Për ftonjtë, shegët, bajamet, lajthitë dhe kultura të tjera të kësaj kategorie ndahen 8.800 denarë për hektar, për duhanin 11.000 denarë, ndërsa për arrat dhe gështenjat 6.000 denarë për hektar.
Në Sveti Nikollë janë shpërndarë kartelat e para nga gjithsej 1.900, me vlerë mbi 38.2 milionë denarë. Në Manastir janë përgatitur 3.858 kartela, me vlerë të përgjithshme prej rreth 57.5 milionë denarësh.
Sipas Ministrisë, qëllimi është që ndihma financiare të arrijë te fermerët pikërisht në periudhën kur ata kanë shpenzimet më të mëdha për përgatitjen e tokave, blerjen e farërave dhe plehrave, si dhe mirëmbajtjen e mekanizimit bujqësor.
Masa zbatohet përmes Programit për mbështetje financiare në bujqësi për vitin 2026.
Gjatë vizitës në Manastir, ministri Serafimovski është takuar edhe me bletarë nga Pellagonia. Në takim është bërë e ditur se në Ministri janë përgatitur urdhërpagesat për subvencionet e bletarëve dhe se pagesa pritet të realizohet sa më shpejt.
Ndërkohë, është paralajmëruar edhe brendimi i mjaltit maqedonas, përkatësisht atij të Mariovës, me qëllim promovimin e mëtejshëm të origjinës dhe cilësisë së tij.
-
Lajme nga rajoni2 months agoKrimi i rëndë në Kosovë/ Kjo është 25-vjeçarja që u vra me armë zjarri, dyshohet se u qëllua nga bashkëshorti i saj, ishte në javën e 34 të shtatzënisë
-
Lajme nga bota2 months agoTrump paralajmëron “luftë ekonomike” ndaj Iranit: Kush e ndihmon, do të përballet me pasoja
-
Lajme nga rajoni2 months agoRikthehet fruthi në Kosovë, 25 raste të reja në vetëm një javë

