Lajme nga vendi
Kodi Penal pëson ndryshime/ Burg për sulmuesit e gazetarëve
Pas dy vitesh pritje, gazetarët kanë pritur që sulmet ndaj tyre të trajtohen si sulm ndaj një zyrtari dhe në këtë mënyrë sulmuesit të marrin dënim me burg. Ndryshimet në Kodin Penal janë miratuar dje nga deputetët në Kuvendin e RMV-së. Presidenti Stevo Pendarovski është në radhë për nënshkrimin e ndryshimeve ligjore, pas së cilës ato duhet të publikohen në Gazetën Zyrtare dhe të hyjnë në fuqi, transmeton Portalb.mk.
Sulmuesit e gazetarëve dhe punonjësve të medias do të dënohen me dënim me burg. E njëjta gjë vlen edhe për sulmet dhe kërcënimet ndaj avokatëve dhe punonjësve të shëndetësisë. Përndjekja dhe ngacmimi seksual janë bërë gjithashtu vepra penale. Do të dënohet edhe dhuna ekonomike, por vepra e re penale “ekocid”.
Sipas ndryshimeve në Kodin Penal, për kërcënimin me jetë të punonjësve të medias, avokatëve dhe punonjësve të shëndetësisë, sulmuesit do të dënohen me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj. Dhe nëse kërcënimi shkakton një ndjenjë frike ose pasigurie, dënimi mund të arrijë deri në një vit burg. Nëse ndaj këtyre personave ushtrohet dhunë, atëherë dënimi me burg është nga tre muaj deri në tre vjet.
“Me këtë nen, do të dënohet kushdo që kryen veprën penale kundër një zyrtari në kryerje të detyrës, avokatit, mjekut ose një punonjësi tjetër shëndetësor, gazetari ose një punonjësi tjetër të medias ose ndonjë personi tjetër që kryen punë me interes publik gjatë kryerjes së detyrës. Detyrat profesionale dënohen me dënimin e këtij neni ose në lidhje me kryerjen e detyrave profesionale që ai ndërmerr në kuadër të kompetencave të tij ose ndaj disa personave”, shkruan në ndryshimet në Kodin Penal.
Ndryshimet ligjore parashikojnë edhe dënime për kërcënimet e shprehura publikisht për vepra penale në internet, të cilat janë të motivuara nga cilido lloj diskriminimi.
Megjithatë, për të luftuar për drejtësinë në rast se sulmohen dhe kërcënohen, gazetarët, kameramanët, avokatët, mjekët dhe infermierët do të bëjnë padi private, sepse nuk do ta kenë të drejtën sipas detyrës zyrtare.
Për herë të parë në Kodin Penal i shtohen vepra penale si përndjekja dhe ngacmimet seksuale. Me ndryshimet e reja në ligj, parashikohet që personi që gjykata përcakton se ju ndjek, persekuton, ngacmon psikologjikisht, abuzon ose frikëson, personalisht ose nëpërmjet komunikimit me shkrim, si dhe abuzon me të dhënat tuaja personale, do të dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet burg.
Kujtojmë se organizatat gazetareske në vazhdimësi shprehnin shqetësimin e tyre pasi këto ndryshime ngecën në Kuvend. Ata kërkonin – ndryshime pozitive në drejtim të përmirësimit të kushteve të punës së gazetarëve dhe punonjësve të medias, si dhe rikujtonin raportin e fundit të Komisionit Evropian ku thuhet se Maqedonia e Veriut ka arritur një nivel të caktuar në fushën e lirisë së shprehjes, në përgjithësi ka pasur progres të kufizuar në raport me rekomandimet e BE-së. Gjithashtu vazhdimisht theksohej nevoja për vazhdimin e procesit të vetërregullimit, i cili duhet të çojë në përmirësimin e standardeve profesionale në gazetari.
Lajme nga vendi
VAPA AFRIKANE: A DO TË SHKURTOHEN ORËT MËSIMORE?!
Shkollat duhet t’i respektojnë protokollet për punë gjatë temperaturave tepër të larta, porositi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Rregullat përcaktojnë edhe se kur duhet të hapen apo të mbyllen dritaret dhe cilat aktivitete duhet t’i zhvillojnë nxënësit. Protokollet janë publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), ndërsa u janë dorëzuar edhe të gjitha shkollave. Janevska tha se drejtuesit e shkollave dhe mësimdhënësit duhet ta përshtatin mësimin me kushtet atmosferike.
A do të shkurtohen orët mësimore në ditët kur moti do të jetë shumë i nxehtë, ishte një pyetje e gazetarëve drejtuar Ministres së Arsimit, Vesna Janevska, lidhur me vapën afrikane që ka kapluar vendin edhe në fillim të vitit shkollor dhe sipas paralajmërimeve do të vazhdojë edhe më tej.
Ministrja potencoi se shkollat duhet të veprojnë konform protokolleve për situata të këtilla, duke shtuar se nuk mund t`u ikim ndryshimeve klimatike pasi ato janë të njëjta për të gjithë fëmijët në Evropë dhe në botë.
“Udhëheqësit e shkollave dhe vet mësimdhënësit. Është pjesë e punës së tyre. Të adaptohen konform kushteve. Nëse është nxehtë, nuk do të zhvillojnë edukatë fizike, do të kenë pushim, art figurativ, muzikë, diçka tjetër… Unë nuk dua të ndërhyj në punën e tyre, por ja, kjo mund të jetë një ide. Nëse është më freskët, mund të bëjnë edhe ndonjë ushtrim fizik. Në protokolle përcaktohet kur duhet të hapen dhe kur të mbyllen dritaret, si dhe cilat aktivitete duhet t’i kenë fëmijët. Duhet të përshtatemi me çdo gjë që do të jetë sfidë”
E pyetur nëse në shkolla do të sigurohen kondicionerë për freskim gjatë ditëve të nxehta në fillim dhe në fund të vitit shkollor, ministrja u përgjigj se do të ketë kondicionerë kur si shtet do të jemi në gjendje të sigurojmë kondicionerë në të gjitha shkollat.
Nga ana tjetër, Kryetari i Komunës së Aerodromit, Dejan Miteski, deklaroi se në shkollat e kësaj Komune, orët mësimore do të shkurtohen vetëm nëse aktivizohet “faza e verdhë” për shkak të temperaturave të larta.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 01 Shtator
Dje në orën 11:00 në SPB Tetovë, një 52-vjeçar nga Republika e Kosovës, me banim në Norvegji, ka raportuar se në fshatin Dobrosht të Tetovës i është marrë motoçikleta e tij „BMV“, e cila ishte e parkuar në fshat. Po merren masa për gjetjen e motoçikletës dhe për zbardhjen e rastit.
…….Dje në orën 19:15 në Tetovë, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria personin një 44 vjeçar nga Tetova, duke vepruar sipas raportimit paraprak nga vëllai i tij 46-vjeçar se, pas një debati të shkurtër në shtëpinë familjare, e ka sulmuar fizikisht dhe i ka dëmtuar telefonin celular. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje rreth orës 19:50 në SPB Tetovë është raportuar se në Spitalin Klinik në Tetovë, një 24 vjeçar nga fshati Pallatcë i Tetovës, pasi i është kërkuar të kryejë një pagesë për shërbim mjekësor, është sjellë në mënyrë agresive dhe ka thyer xhamin e sportelit të pranimit, me ç’rast ai dhe dy punonjës të tjerë kanë pësuar lëndime. Pas ndërhyrjes së zyrtarëve policorë, ai ka sulmuar fizikisht edhe një zyrtar policor, e më pas, për shkak të seriozitetit të lëndimeve, është transportuar në Kompleksin e Klinikave „Nënë Tereza“ në Shkup për t’iu ofruar ndihmë mjekësore. Është kryer këqyrje e vendit të ngjarjes dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
……Dje në orën 22:00 në rrugën „107“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 24 vjeçar nga Tetova sepse gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij është gjetur dhe konfiskuar marihuanë. Personi është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
……..Dje në orën 22:20 në rrugën „Iliria“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 42-vjeçare nga Velesi, me banim në Tetovë, sepse gjatë kontrollit të ushtruar ndaj saj është gjetur dhe konfiskuar një substancë e bardhë pluhur. Personi është shoqëruar në polici dhe pas dokumentimit të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
Pas mesnate në orën 01:50 në rrugën „107“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë arrestuar një 30-vjeçar nga Tetova, i cili kërkohej me urdhëresë gjyqësore për vuajtjen e dënimit me burg për vepër penale të kryer sipas nenit 130 paragrafi 1 të Kodit Penal. Personi është dërguar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Tetovës për vuajtjen e dënimit.
Lajme nga vendi
Arlinda Hasani Sinani u zgjodh zëvendësguvernatore e re e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut votoi Arlinda Hasani Sinanin në pozitën e re të zëvendësguvernatores së Bankës Popullore, pas propozimit të dorëzuar nga kreu i BPM.
Arlinda Hasani Sinani vjen në këtë detyrë të rëndësishme shtetërore me një përvojë të bujshme prej 22 vitesh në sektorin bankar, ku përgjatë karrierës së saj ka ushtruar funksione udhëheqëse në fushën e kreditimit, menaxhimit të rrezikut dhe bankingut afarist.
Ajo ka nisur rrugëtimin e saj profesional si analiste krediti në ProCredit Bank, duke avancuar në pozita të larta drejtuese si drejtoreshë e ekspoziturës, e Qendrës së Biznesit dhe e Sektorit për Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme, ndërsa nga viti 2023 ka mbajtur pozitën e drejtoreshës rajonale për rajonin veriperëndimor në Stopanska Banka SH.A. Shkup.
Ajo është ekonomiste e diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe ka përfshirë në formimin e saj profesional trajnime të specializuara në ProCredit Academy në Frankfurt të Gjermanisë.
Arlinda Hasani Sinani merr zyrtarisht detyrën e re, duke pasuar në këtë post zëvendësguvernatorin e deritanishëm, Fadil Bajrami, mandati i të cilit përfundon më 14 shtator 2026.(INA)

