Lajme nga vendi
Kuvendi miratoi Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Fronteks
Me 61 vota “pro” Kuvendi sot miratoi Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes me Fronteks-in, të cilin Maqedonia dhe Bashkimi Evropian e nënshkruan më 26 tetor të vitit të kaluar.
Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes në mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian për aktivitetet operative të kryera nga Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, siç thuhet në emrin e plotë të materialit, ishte pjesë e rendit të ditës së seancës së sotme të 99 të Kuvendit.
Në votimin në sallën plenare nuk ishin të pranishëm deputetët e OBRM-PDUKM-së dhe partive tjera opozitare.
Me ratifikimin e sotëm, Marrëveshja me Fronteks bëhet pjesë e rendit të brendshëm juridik të shtetit.
Teksti i projektligjit është përcaktuar nga Qeveria më 20 dhjetor dhe është dërguar në Kuvend për miratim.
Sipas arsyetimit në materialet që Qeveria i ka dorëzuar deputetëve, thuhet se marrëveshja hap mundësinë e krijimit të operacioneve të përbashkëta të Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje, me kërkesë të vendit tonë është e mundur që në pikat kritike të kufirit të vendosen oficerë policie të Fronteks-it, së bashku me policët e Maqedonisë së Veriut. Kjo, siç u tha, do të kontribuojë në rritjen e nivelit të bashkëpunimit, shkëmbimit të përvojave dhe njohurive, si dhe mundësinë e përdorimit të të gjitha pajisjeve të Fronteks.
Lajme nga vendi
PASHOLLI: KANALIZIMI NË ZAJAZ TENTATIVË PËR TA DEFOKUSUAR OPINIONIN!
Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim Arbana Pasholli është e mendimit se personat e përfshirë në projektin e kanalizimit në Zajaz duhet të japin përgjegjësi në rast se vërtetohet teza se në këtë fshat edhe pse janë marrë paratë, nuk është shtruar rrjeti i kanalizimit.
E pyetur nga TV Koha, Pasholli deklaron se pret që edhe institucionet të veprojnë në rast se një gjë e tillë dëshmohet.
Sido që të jetë, në rast se këto pretendime verifikohen presim nga institucionet kompetente që të reagojnë dhe normalisht që të mbahen përgjegjës personat kompetent dhe direkt të përfshirë.
Megjithatë, Pasholli mendon se tema e kanalizimit në Zajaz është temë që po shfrytëzohet për të devijuar vëmendjen nga situate aktuale. Ajo është e mendimit se të gjitha vendbanimet meritojnë investime dhe infrastrukturë cilësore, si dhe kushte dinjitoze për jetesë.
Vlerësoj se çdo vendbanim meriton vëmendje, meriton infrastrukturë cilësore. Meriton kushte dinjitoze për jetesë, nuk mund të jap një përgjigje të drejtëpërdrejtë pa pasur informacion të plotë dhe të verifikuar dhe gjithashtu nuk mund të jap një përgjigje bazuar në atë çfarë kemi dëgjuar nëpër media dhe devijimin e vëmendjes, normal përpjekjet për devijim të vëmendjes nga temat aktuale.
Për rastin e kanalizimit në Zajaz, javë më parë ka alarmuar edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Mihalis Rokas. Rokas tha se ka filluar hetimi dhe mbledhja e dokumentacionit të plotë për këtë projekt, i cili është paraqitur si i përfunduar në vitin 2024, por që realisht nuk është kryer në terren./Tv Koha – Shkup/
Lajme nga vendi
BLLACË: AKSIDENTI FATAL – TRE VIKTIMA! Rruga që i ndanin nga përqafimi me familjarët u shndërrua në tragjedi
U nisën nga Gjermania, duke numëruar orët që i ndanin nga përqafimi me familjarët dhe pushimet në vendlindje. Por rruga drejt shtëpisë u shndërrua në tragjedi.
Vetëm pak kilometra para se të hynin në Kosovë, udhëtimi i tyre mori fund përgjithmonë.
Siç mësohet, tre viktimat janë Ejup Tërnava, Cennet Tërnava dhe Fatmire Shabani. Rastin e ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Auroritetet thonë se policia për rastin në fjalë është njoftuar rreth orës 22:35.
Policia njofton gjithashtu se para se të ndodhte aksidenti në stacionin policor në Bit Pazar ka pasur denoncim për zhdukjen e tre shtetasve kosovarë, tashmë të ndjerē.
Vetura e aksidentuar ka qenë me targa gjermane. Dy persona kanë ardhur në Aeroportin e Shkupit për ta marrë një familjare të tyre drejt Kosovës./Tv Koha – Shkup/
Lajme nga vendi
Shasivari: Vazhdojmë partneritetin e fuqishëm me SHBA-në për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, sot zhvilloi takim me Nicole Varns, ushtruese e detyrës së shefes së Misionit në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku u konfirmua bashkëpunimi i fortë dhe i vazhdueshëm ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe SHBA-së si partner strategjik në zbatimin e reformave në sistemin e drejtësisë.
Një njoftim theksohet se, në takim është diskutuar për prioritetet kyçe të Ministrisë së Drejtësisë, me theks të veçantë te reformat në drejtësi, sundimi i ligjit, digjitalizimi i sistemit gjyqësor, agjenda legjislative dhe lufta kundër korrupsionit. Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, kërkoi që në periudhën e ardhshme të mundësohet shkëmbimi i përvojave dhe ofrimi i ndihmës ekspertësh nga SHBA-ja në fushën e legjislacionit penal.
Ministri Shasivari ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-ja i ofron Ministrisë së Drejtësisë dhe proceseve reformuese në vend, duke theksuar se ajo luan një rol të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, si dhe në avancimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në fokus të bisedimeve ishte edhe reforma e legjislacionit penal, e cila mbetet një nga prioritetet strategjike të Ministrisë së Drejtësisë. Në këtë drejtim, u theksua se ka filluar zbatimi i projektit “Mbështetje për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Drogat në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, i financuar nga Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) pranë Departamentit Amerikan të Shtetit.
Në takim u konfirmua angazhimi i përbashkët për thellimin e mëtejshëm të partneritetit përmes projekteve të reja të përbashkëta, mbështetjes së ekspertëve dhe shkëmbimit të përvojave në fushat me interes të përbashkët.
Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar fuqishëm në zbatimin e reformave, forcimin e sundimit të ligjit dhe përmbushjen e standardeve evropiane, në interes të qytetarëve dhe të integrimit evropian të shtetit. (INA)

