Lajme nga vendi
Ibrahim Dehari: Naser Nuredini iku pa nënshkruar planin për menaxhim për parkun kombëtar Mali Sharr
Ish ministri i Ekologjisë Naser Nuredini, nuk e ka nënshkruar planin për menaxhim me Malin Sharr edhe pse dokumentet i ka pasur në tavolinë që nga muaj tetor i vitit të kaluar. Deri sa nuk nënshkruhen dokumentet nuk mund të merren hapa konkret për parkun kombëtar Mali Sharr, thotë Drejtori i këtij parku kombëtar Ibrahim Dehari. Ai pret që këto dokumentet ti nënshkruaj ministrja Shukava.
“Sigurisht ai plan për Menaxhimin e parkut kombëtar ka qenë në tavolinën e ministrit, dhe kuptoj se nga momenti që ministri kuptoi se nuk do vazhdoj në ata ministri, disi e anashkaloj atë moment dhe nuk i ka nënshkruar ato dokumente që i ka pasur në tavolinë për Malin Sharr. Jemi në pritje të ministres Shukova që të njejta dokumente ti nënshkruaj që ne të vazhdojmë normal të funksionojmë.”, drejtori i parkut kombëtar Mali Sharr, Ibrahim Dehari.
Puna në këtë drejtori aktualisht është përqendruar te rregullimi i hapësirave të reja që qeveria i ka ndarë, siç është ish Teleferiku i Tetovës. Sipas drejtorit këtë vit presin të punësohen edhe dhjetë persona. (RTMV2)
Lajme nga vendi
Buteli në aksion: Kontrolle ndaj ndërtimeve pa leje dhe parkimeve ilegale
Inspektorët në terren, gjobat për parkimet e paligjshme dhe kontrollet ndaj objekteve të dyshimta.
Komuna e Butelit ka intensifikuar kontrollet ndaj ndërtimeve të dyshimta pa leje dhe parkimeve të parregullta. Aksioni po zhvillohet në koordinim me inspektorët e Qytetit të Shkupit dhe MPB-në.
Në fokus janë dokumentacioni i objekteve, zgjerimet, tarracat, si dhe automjetet e parkuara në vendkalime për këmbësorë, shtigje biçikletash dhe hapësira të gjelbra.
Kryetari i Butelit, Darko Kostovski, paralajmëron se kontrollet do të vazhdojnë, duke insistuar se ligji do të vlejë njësoj për të gjithë dhe nuk do të ketë tolerim për shkelësit.
Lajme nga vendi
Mickoski: Zgjedhjet parlamentare do të mbahen në prill të vitit 2028
Kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar se zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut pritet të mbahen në prill të vitit 2028.
Sipas deklarimit të tij, vendi do të shkojë në zgjedhje parlamentare në afatin e rregullt, pa paralajmëruar për zgjedhje të parakohshme.
Lajme nga vendi
DITA E ALFABETIT: MANASTIRI U SHNDËRRUA NË EPIQENDËR TË POLITIKËS SHQIPTARE!
Gjithçka nisi në pikën kufitare Qafë Thanë, ku Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria promovuan sistemin e përbashkët të kontrollit kufitar “One Stop Shop”.
Me këtë sistem synohet që të kontrollen lëvizjet e udhëtarëve dhe mallrave në një pikë të vetme, me çka pritet të shkurtohet koha e pritjes dhe të lehtësohet qarkullimi mes dy vendeve, ndërkaq u bë e ditur se vitin e kaluar në pikën kufitare në Qafthanë janë regjistruar 2.3 milion kalime udhëtarësh.
Në Ohër, Kryeministri Edi Rama takoi liderin e BDI-së, Ali Ahmetin,
“Me Edin, si gjithmonë, biseduam vëllazërisht, hapur dhe me përkushtim për çështjet me interes të përbashkët për kombin tonë shqiptar, për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona, për perspektivën evropiane, partneritetin në kuadër të NATO-s dhe përgjigjen e përbashkët ndaj sfidave me të cilat përballemi” – shkroi Ali Ahmeti në Facebook pas takimit.
Manifestimet e Ditës së Alfabetit më pas u zhvendosën në Manastir, aty ku mbërriti edhe Kryeministri Edi Rama për t`u takuar me drejtuesit e VLEN-it.
“Në takim me kryeministrin Edi Rama, bashkë me Izet Mexhitin, diskutuam për çështjet aktuale politike, marrëdhëniet dypalëshe dhe sfidat para nesh. Vazhdojmë ta bëjmë punën tonë me përkushtim, për lidhje më të forta me Shqipërinë dhe Kosovën, në interes të popullit tone” – shkroi në Facebook Bilall Kasami.
Në Europe House në Manastir, Kryeministri Rama ishte pjesë e takimit me të rinjtë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Presheva, si dhe me rektorë e përfaqësues të universiteteve, për arsimin, identitetin tonë kulturor, bashkëpunimin mes të rinjve dhe të ardhmen e përbashkët europiane.
Në Manastir më vonë mbërriti edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. U prit nga Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami.
Bashkë me Izet Mexhitin, e njoftuam kryeministrin për zhvillimet aktuale politike, përfaqësimin politik të shqiptarëve në vend dhe bashkëpunimin rajonal. Biseduam për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, me theks të veçantë te projektet infrastukturore që lidhin dy shtetet tona. Nëntori na gjen bashkë, të fokusuar në punë dhe projekte të përbashkëta, në të mirën e qytetarëve tanë – shkroi Bilall Kasami.
Dita u përmbyll me koncertin “Mora udhë kah Manastiri”.
Në të performuan tri ansamble shtetërore nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria, në praninë e Kryetarit të Kuvendit dhe të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Nga VLEN sot përmes komunikatës thonë se 22 Nëntori i këtij viti do të mbahet mend gjatë. Në Ditën e Alfabetit, shqiptarët nga Shkupi, Prishtina dhe Tirana u bashkuan në Manastir.
“Në Manastir, mbi një shekull më parë, shqiptarët u bashkuan rreth një alfabeti të përbashkët. Sot, VLEN vazhdon punën që ky bashkim të ndihet çdo ditë: me më pak pritje në kufi, me më shumë bashkëpunim dhe me më shumë mundësi për qytetarët në të dyja anët e kufirit” – thuhet në komunikatën e VLEN-it.

