Lajme nga vendi
Pendarovski: Nuk përmbyset shteti nëse i fusim bullgarët në Kushtetutë
Presidenti Stevo Pendarovski sot potencoi se përmes përfaqësuesit të tij merr pjesë në grupin e punës për ndryshime kushtetuese dhe se kjo e tregon qartë qëndrimin e tij politik, se është pro ndryshimit të Kushtetutës me futjen e bullgarëve në të.
“Unë marr pjesë përmes përfaqësuesit tim dhe me këtë e tregoj qartë qëndrimin tim politik, se jam pro këtyre ndryshimeve kushtetuese, vlerësoj se nuk janë diçka e tmerrshme për ne dhe vlerësoj se nuk përmbyset shteti nëse i fusim bullgarët, së bashku me gjashtë – shtatë popujt e tjerë”, tha shefi i shtetit, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me takimin e parë të grupit të punës, në konferencën e përbashkët për shtyp në Shkup me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu
Pendarovski lidhur me takimin e sotëm të grupit të punës, tha se përfaqësuesi i tij do të marrë pjesë në sesionin e punës së grupit të formuar nga Ministria e Drejtësisë, në të cilën siç potencoi duhet të përcaktohet dinamika e punës, sa takime janë të nevojshme, të përcaktohet radha e punëve.
“Unë shpresoj se duke e pasur parasysh atë që është obligim, të cilin e di opinioni dhe të gjithë ne e dimë këtu objektivisht nuk ka shumë punë. Nuk e di se sa seanca do t’u nevojiten, por është fakt se është mirë që fillon kjo procedurë dhe është mirë që zhvillohet para syve të opinionit, këtu nuk ka agjenda të fshehta, askush të mos ketë frikë se do të bëhet diçka jashtë asaj që tashmë është vendosur në Preambulë dhe në pjesën normative të Kushtetutës për të gjitha bashkësitë e tjera etnike. Dallim nuk do të ketë për bullgarët kuptohet”, potencoi presidenti i shtetit.
Anëtarë të tyre në grupin e punës nominuan një pjesë e partive politike dhe institucioneve. LSDM si përfaqësuese të vetën e propozoi Cvetanka Ivanova, Arbër Ademi nga BDI-ja, Remzi Mehmedi nga Aleanca për Shqiptarët, Sonja Mirakovska nga PRSD-ja, Nano Ruzhin nga PLD-ja, Hrista Najdanov nga RDM-ja, Temellko Risteski nga Partia e Pensionistëve, Rametulla Kuqi nga PDSH-ja, Eran Kurtish nga Partia për Lëvizjen e Turqve dhe Bejxhan Iljas nga Partia Demokratike e Turqve.
Nga institucionet janë propozuar Aleksandar Spasov nga Kabineti i presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dragan Tilev nga Sekretariati për Çështje Evropiane dhe Shpend Sadiki nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Ministria e Drejtësisë javën e kaluar e publikoi ekipin e ekspertëve të cilët do të marrin pjesë në grupin e punës për ndryshime kushtetuese. Grupin e ekspertëve e përbëjnë: Sali Muratit – ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Margarita Caca Nikollovska – ish-gjyqtare në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, Bajram Pollozhani – ish – gjyqtar kushtetues dhe profesor i së Drejtës kushtetuese, Branko Naumovski- ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Jeton Shasivari – profesor në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL), Ana Çupeska- profesoreshë në Fakultetin e Drejtësisë “Justiniani i Parë”, Elena Mihajllova Stratillati – profesoreshë në Fakultetin e Drejtësisë “Justiniani i Parë”, Besa Arifi – profesoreshë në Universitetin e EJL-së, Jagoda Mitrevska – profesoreshë në Universitetin Ndërkombëtar të Sllav dhe Marija Pandevska – profesoreshë në Institutin e Historisë nacionale.
Nga Ministria e Drejtësisë thonë se lista e grupit të punës do të plotësohet në periudhën vijuese edhe me anëtarë të tjerë të cilët do të japin kontributin e tyre në përgatitjen e ndryshimeve kushtetuese.
Pasi që të përgatiten ndryshimet, propozimi pritet të kalojë nëpër të gjitha trupat punues në korniza të Kuvendit. Paralelisht do të mbahen edhe diskutime publike në të cilat ekspertë, parti, organizata të shoqërisë civile dhe institucione të tjera do të mund t’i shprehin qëndrimet e tyre.
Partitë opozitare, në mesin e së cilave edhe partia më e madhe VMRO-DPMNE, edhe krahas thirrjeve të pushtetit, refuzojnë të marrin pjesë në grupin e punës. Mbeten me qëndrimin se nuk do t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese dhe se ato nuk do të sillen gjatë kësaj përbërjeje parlamentare.
Lajme nga vendi
Kasami: Me investim prej 200 mijë euro transformuam rrugën e Potokut
Kandidati i VLEN-it, për komunën e Tetovës, Bilall Kasami, në një deklaratë për media, ka thënë se Tetova dëshmoi se e vlerëson punën dhe dëshiron që ky zhvillim të vazhdojë edhe më fuqishëm.
“Sot jemi në Rrugën e Potokut, ku bashkë me rrugën 134 dhe Prohorpçinski u asfaltuan tërësisht dhe sipas standardeve bashkëkohore.
Ndërtuam rrugë të re moderne në gjatësi gati një kilometër, asfaltim i rrugës diku mbi 5.000 m2. Me investim gati 200 mijë euro apo rreth 12 milionë denarë e transformuam këtë lagje pranë çerdhes së Potokut, duke i dhënë pamje evropiane. Të dashur qytetarë të Tetovës,
Tetova e meriton këtë transformim. Tetova meriton rrugë moderne, shkolla, çerdhe, pishina dhe të gjitha kushtet për një qytet funksional, të pastër dhe modern. Punët e mira për Tetovën duhet të vazhdojnë edhe më shumë, edhe më mirë, edhe më fuqishëm me Kapitullin e Dytë të zhvillimit”, ka deklaruar Kasami.
Lajme nga vendi
Uji në Tetovë vazhdon të mos jetë i pijshëm, priten analiza më të detajuara mikrobiologjike
Në Tetovë uji vazhdon të mos jetë i pijshëm. Analizat kanë treguar se i njëjti nuk preferohet për pije, ndërsa burimi i Leshnicës vazhdon të jetë jashtë funksionit, shkaku se uji është i turbullt.
Sipas drejtorit të NPK Sharri, Valon Zeqiri, për momentin kemi 240 litra ujë në sekondë, ndërsa mungesë ka në lagjen 146 ku tash më 24 orë nuk kanë ujë për pije.
“Gjendja në Tetovë vazhdon të jetë e njëjtë. Uji vazhdon të mos jetë i pijshëm, në bazë të analizave që i kemi marr dje dhe sot nuk e preferojmë që të pihet pasi që presim analiza më të detajuara mikrobiologjike që i kemi bërë dhe ata analiza presim që nesër t’i marrim rezultatet dhe të dalim me rezultate konkrete.
Për sasinë e ujit kemi 240 litra ujë në sekondë së bashku me puset që i kemi aktivizuar dhe filtër stacioni vazhdon të jetë akoma jashtë funksionit, pasi që kemi ujë të turbullt dhe në bazë të reshurve që kanë rënë mbrëmë kemi ujë të turbullt nga burimet e Leshnicës”, tha për “TV21” Valon Zeqiri – Drejtor i NPK Sharri.
Lajme nga vendi
Grabitja në Gostivar/ Paraburgim për dy policët
Policëve të dyshuar për grabitjen në artarinë e Gostivarit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve. Për personat e tjerë të përfshirë në krim, vazhdojnë hetimet. Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku për të dëmtuar provat dhe për të ndikuar në hetim, prandaj dy nëpunësve policorë i ka caktuar masa kujdesi.
Ndërkohë hetimet vazhdojnë për të identifikuar personat e tjerë. Jo zyrtarisht në mesin e tyre që kanë ndihmuar policët të grabisin 18 kilogram ari ka edhe shtetas të huaj. Të gjitha pistat e hetimit janë të hapura.
“Janë thirrur disa persona në biseda informative. Aktualisht procedurë ka ndaj atyre për të cilët ka dëshmi”, thonë nga Prokuroria.
Grupi hetimor ka arritur të zbardh disa elemente nga ngjarja. Duke parë incizimet nga kamerat e sigurisë, hetimi ka treguar se dy ditë para grabitjes të dyshuarit e përfshirë i kanë treguar trajektoren e lëvizjes grabitësve dhe në ditën e grabitjes i kanë përcjell me vetura të policisë dy automjetet me të cilët u krye grabitja, njëra prej të cilave më pas u gjet e djegur disa kilometra larg vendit të krimit, ndërsa tjetra veturë u gjet e braktisur në hyrje të Kërçovës.
As policia dhe as organi i akuzës nuk ka dhënë më shumë informacione pas bastisjes së kryer në disa lokacione. Nuk dihet nëse është gjetur ose jo sasia e arit të vjedhur. Grabitja ndodhi më 10 tetor. Personat ishin maskuar dhe kanë arritur të marrin sasinë e arit duke kërcënuar me armë pronarin e artarisë. Ndaj policëve pritet të merren masa ndëshkuese edhe nga Kontrolli i Brendshëm i MPB-së./ Alsat.mk

