Lajme nga vendi
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot fillon vizitën zyrtare në Maqedoninë e Veriut
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të homologut Stevo Pendarovski do të fillojë sot vizitën zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në kuadër të kësaj vizite, Osmani pas takimit me Pendarovskin dhe konferencës së përbashkët për media, do të takohet me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferin, e pastaj pritet t’i drejtohet me një fjalim deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Ajo do të takohet edhe me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ndërsa takime të ndara do të ketë edhe me grupet parlamentare të përfaqësuara në Kuvend si dhe një drekë pune të përbashkët me gra lidere të fushave të ndryshme.
“Gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, presidentja Osmani do të marrë pjesë në përurimin e një rruge me emrin e presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova në komunën e Çairit. Ndërkaq në selinë e Ambasadës së Kosovës, presidentja Osmani do ta dekorojë post-mortem me Urdhrin “Hasan Prishtina”, liderin ikonik të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Arbën Xhaferi, i cili shquhet edhe për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve kudo. Presidentja Osmani do ta dhurojë po ashtu një kontingjent librash për bibliotekën në gjuhën shqipe në Manastir”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Presidentja Osmani gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut do ta vizitojë edhe Tetovën ku do ta takojë kryetarin e komunës, Bilall Kasamin, disa kryetarë tjerë komunash të drejtuara nga shqiptarët dhe intelektualë të kësaj komune.
Vizitën në këtë komunë, Presidentja Osmani do ta përmbyllë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku para studentëve dhe stafit akademik do të flasë për sfidat rajonale politike dhe ato të sigurisë.
Lajme nga vendi
Gjykata Penale sqaroi si u lirua Katica Janeva
Ish-prokurorja speciale Katica Janeva, e cila u dënua me shtatë vjet burg, katër prej të cilave i ka kaluar tashmë në Qendrën Korrektuese të Idrizovës, doli nga burgu këtë fundjavë dhe Gjykata Penale tani po shpjegon procedurën me të cilën dënimi i Janevës u ul me tetë muaj, raporton SllobodenPeçat, përcjell Portalb.mk.
“Për shkak të interesit të disa përfaqësuesve të mediave në lidhje me lirimin me kusht të ish-prokurores, e cila u dënua përfundimisht në rastin e njohur si “Reket”, informojmë publikun se: Më 12.12.2024, Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Penale të Shkupit, me propozimin e të dënuarit K.J., e dënuar përfundimisht në rastin KOK 116/19, miratoi vendim me të cilin pranoi propozimin e të dënuarës dhe lejoi lirimin me kusht nga vuajtja e dënimit me burg, i cili fillon më 21.12.2025 dhe zgjat deri më 21.08.2026″, njofton Gjykata Penale e Shkupit.
Ish-prokurorja speciale Katica Janevë, e cila u dënua me 7 vjet burg dhe që nga viti 2021 po vuante dënimin në Burgun e Idrizovës, në muajin dhjetor u lirua me kusht dhe ka lënë institucionin korrektues.
Lajme nga vendi
Osmani: Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është shembull klasik i mashtrimit politik
Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani sot përsëri e kritikuar ligjin për përfaqësim adekuat dhe të drejtë. Ai shkruan se propozim ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është shembull klasik i mashtrimit politik.
“Shumë fjali t’bukura, shumë “vullnet të mirë”, por asnjë garanci reale. Ligjet nuk bahen për njerëz me qëllime të mira, ligjet bëhen pikërisht kur vullneti i mirë mungon, për t’i mbrojt qytetarët nga padrejtësia dhe arbitrariteti i pushtetit.
Dhe këtu është dallimi thelbësor me Balancuesin. Balancuesi ishte instrument konkret për zbatimin e amandamentin 6 të Kushtetutës, jo deklaratë politike.I ka mbrojtur të gjitha komunitetet, në çdo nivel. I ka mbrojt maqedonasit që në asnjë institucion të mos bien nën përqindjen e tyre në shtet, edhe aty ku nuk janë drejtues. I ka mbrojt shqiptarët, turqit, romët, vllehët.
Ia hiqte drejtuesve të institucioneve mundësinë të zgjedhin njerëz sipas preferencave etnike apo politike dhe i ka detyru t’i nënshtrohen një mekanizmi objektiv, ligjor dhe të automatizum, duke respektu plotësisht proceset e përzgjedhjes profesionale dhe meritokratike. Balancuesi nuk e ka anashkalu meritokracinë, përkundrazi, e ka mbrojt nga kapja politike. Heqja e Balancuesit është si heqja e klauzulës së inkluzionit në çdo shtet evropian.
Nuk është modernizim, është regres institucional. inkluzioni nuk është opinion dhe as modë ideologjike, është standard i përfshirjes dhe funksionimit të institucioneve moderne.
Më e rëndësishmja, Balancuesi ka vepru para punësimit, ex ante, e ka parandalu shkeljen, nuk e ka regjistru pasi është bë dëmi.E ka kthy barazinë nga vullnet i lirë në detyrim kushtetues.
Ky propozim ligj i ri e bën të kundërtën. E zhvendos barazinë nga e drejtë në dëshirë, nga obligim në politikë publike, në një shoqëri me paragjykime reale etnike”, shkruan Osmani në profilin e tij në Facebook.
Ai shton se ky ligj nuk duhet të kaloj.
Lajme nga vendi
Jep dorëheqje kryeprokurori Kocevski
Lubço Kocevski në konferencën e sotme për shtyp njoftoi se ka parashtruar dorëheqje të parevokueshme, shkruan TV21. Ky veprim i Kovevskit vjen ditën kur Kuvendi duhej të vendoste për shkarkimin e tij.
“Parashtrova dorëheqje të parevokueshme nga funksioni i prokurorit publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Funksion ky që në më pak se dy vjet, e kam kryer në mënyrë të ndershme, me dinjitet dhe nga ku largohem krenar me kokën e ngritur lartë, por edhe i dëshpëruar”, tha Kocevski.
-
Lajme nga vendi2 months agoBilall Kasami : Mega projekti që po bëhet realitet investim prej 70 milionë denarëve Tetova po transformohet
-
Lajme nga vendi1 month agoUniversiteti i Tetovës shpreh ngushëllime për vdekjen e studentes Daorsa Spahija
-
Lajme nga vendi2 months agoDogana konfiskoi 130 kilogramë mariuhanë

