Lajme nga vendi
Gjermania fillon kontrollet masive për punësimet ilegale në sektorin e ndërtimtarisë
Në një aksion të gjerë në të gjithë Gjermaninë, autoritetet doganore zbuluan shumë punëtore pa leje qëndrimi apo pune. Po ashtu, u gjetën shkelje të punëdhënësve në lidhje me pagën minimale.
Aksioni i Doganës ishte pjesë e një kontrolli të përgjithshëm kundër punës në të zezë në Gjermani. Qëllimi ishte të kontrollohej respektimi i detyrimit të sigurimeve sociale dhe pagës minimale, si edhe zbulimi i punës ilegale.
Në të gjithë Gjermaninë u angazhuan për kontrolle 3,400 zyrtarë doganor. Në fokus ishin sidomos kantieret e mëdha të ndërtimit, ku shpesh gjenden raste të punësimit ilegal.
Prej vitesh në Gjermani gjenden mijëra vetë nga Ballkani Perëndimor, që punojnë sidomos në kantieret e ndërtimit në të zezë dhe në kushte të këqija pune.
Sipas një zëdhënësi të Doganës Qendrore të Shvainfurtit, “sektori i ndërtimit është shumë i prekur nga puna në të zezë dhe punësimi ilegal”.
Vetëm në landin e Meklenburg-Pomeranisë u kontrolluan 610 vetë dhe në 48 raste u gjetën persona pa dokumente të rregullta që duhen verifikuar më tej. Në Hannover në një kantier ndërtimi nga 69 të punësuar, u gjetën 47 persona me dokumente të pasakta, që po ashtu do të kontrollohen më tej. Edhe në landin Renani Veriore-Vestfali u bënë kontrolle nga qindra punonjës të doganës. Në Köln nga 350 persona të kontrolluar në ndërtim u gjetën 30 vetë që punonin në të zezë.
Pra, gati çdo i dhjeti person. Shumica u gjetën në një kantier ndërtimi në Koln-Dojtc. Jens Ahland, zëdhënës i Doganës tha se, “bëhet fjalë të kontrollohet nëse punëtorët kanë lejen e punës, apo nëse marrin asistencë sociale dhe natyrisht nëse punëdhënësit e respektojnë dhënien e pagës minimale”.
Përmes punës ilegale shtetit gjerman i shkaktohet një dëm i madh financiar.
Vetëm vitin e kaluar u kontrolluan në 15 mijë raste punëdhënësit e sektorit të ndërtimit. Në më shumë se 21 mijë raste pati procedime hetimore vitin e kaluar. Dëmi i shkaktuar kapi shifrën e 375 milionë eurove. /Deutsche Welle/
Lajme nga vendi
TITUJT AKADEMIK NË SIRTAR: MBI 1.000 MAGJISTRA DHE 39 DOKTORË SHKENCASH TË PAPUNË!
Gjithsej 1.026 magjistra dhe 39 doktorë shkencash janë të evidentuar si të papunë në Maqedoni, tregojnë të dhënat zyrtare të Agjencisë për Punësim, deri më 31 gusht 2026.
Sipas statistikave, nga numri i përgjithshëm i magjistrave të papunë, 639 janë burra dhe 387 gra. Ndër personat me titullin doktor shkencash që figurojnë si të papunë, 26 janë burra dhe 13 gra.
Në krahasim me muajin paraprak, është regjistruar një rënie e lehtë e numrit të personave me arsim të lartë që kërkojnë punë.
Në korrik ishin evidentuar 1.068 magjistra të papunë dhe 40 doktorë shkencash.
Kjo do të thotë se në gusht numri i magjistrave është zvogëluar për 42, ndërsa i doktorëve të shkencave për një person.
Të dhënat tregojnë se edhe qytetarët me studime pasuniversitare dhe doktoraturë përballen me vështirësi në gjetjen e një vendi pune.
Ndërkohë, sipas Entit Shtetëror të Statistikave, shkalla e papunësisë te të rinjtë e moshës 15 deri në 29 vjeç, në tremujorin e dytë të vitit 2026, ka qenë 24 për qind, ndërsa shkalla e përgjithshme e papunësisë në vend ka qenë 11,3 për qind.
Duhet theksuar se shifrat e Agjencisë për Punësim u referohen personave të regjistruar zyrtarisht në evidencën e të papunëve dhe jo të gjithë personave me këtë nivel arsimimi që aktualisht nuk kanë një vend pune.
Lajme nga vendi
Nga viti 2027, udhëtimet drejt Evropës me rregulla të reja – qytetarëve do t’u kërkohet autorizim elektronik!
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut pritet të përballen me një procedurë të re për udhëtimet drejt zonës Shengen. Me zbatimin e sistemit ETIAS, udhëtarët që aktualisht lëvizin pa viza do të duhet të sigurojnë autorizim elektronik përpara nisjes.
Regjistrimi do të bëhet në internet, ndërsa tarifa e parashikuar është 20 euro. Autorizimi do të vlejë deri në tre vjet, ose deri në skadimin e pasaportës.
ETIAS nuk është vizë dhe nuk e heq të drejtën e udhëtimit pa viza për qëndrime deri në 90 ditë brenda 180 ditëve. Ai përbën një kontroll shtesë para udhëtimit.
Sistemi pritet të zbatohet gjatë vitit 2027, por data përfundimtare e hyrjes në fuqi ende nuk është konfirmuar. Deri atëherë, qytetarët nuk kanë nevojë të aplikojnë.
Lajme nga vendi
Nga e shtuna gjoba prej 45 eurosh për shoferët pa pajisje dimërore
Nga e shtuna, më 15 nëntor, hyn në fuqi detyrimi ligjor për posedimin e pajisjeve dimërore në automjete në Maqedoninë e Veriut.
Policia do të kryejë kontrolle në trafik, ndërsa shoferët që nuk i përmbushin kushtet e parapara do të përballen me gjobë prej 45 eurosh në kundërvlerë denarësh.
Detyrimi për pajisje dimërore vlen deri më 15 mars të vitit të ardhshëm, pavarësisht nëse në rrugë ka borë apo ngrica.
Çfarë duhet të kenë automjetet?
* Automjetet me peshë deri në 3.500 kilogramë duhet të kenë goma dimërore në të katër rrotat, me thellësi minimale të profilit prej 4 milimetrash, ose goma verore me profil minimal prej 4 milimetrash dhe zinxhirë bore për rrotat lëvizëse.
* Automjetet me katër rrota aktive (4×4) duhet të kenë goma dimërore me profil minimal prej 6 milimetrash, ose goma verore me profil minimal prej 4 milimetrash dhe zinxhirë bore për së paku boshtin e pasmë.
Autoritetet u bëjnë thirrje shoferëve që t’i përgatisin automjetet me kohë dhe të mos rrezikojnë sigurinë e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik.
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

