Lajme nga vendi
Qytetarët e RMV-së do të shohin mbeturina edhe tre-katër vite, deponi bashkëkohore në vitin 2027 (Infografik)
Maqedonia do t’i fillojë investimet për përgatitjen e qendrave rajonale për menaxhimin e mbeturinave në gjysmën e dytë të vitit 2024, ndërsa deponitë bashkëkohore rajonale sipas standardeve të BE-së do të përfundojnë deri në shtator të vitit 2027. Këto janë kornizat e përgjithshme kohore për realizim të projektit me vlerë prej 55 milionë eurosh, për të cilin qeveria e Maqedonisë në janar të këtij viti e nënshkroi marrëveshjen me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, shkruan Meta.mk.
Së bashku me deponitë rajonale bashkëkohore që do të jenë të vendosura në komunat Gostivar (Rajoni i Pollogut), Novaci (Rajoni i Pellagonisë dhe ai jugperëndimor) dhe Vasilevë (Rajoni i Vardarit dhe ai juglindor), me këtë projekt do të ndërtohen edhe stacione ngarkimi për mbeturinat në komunat e mbetura, ndërsa çdo pushtet lokal në këto pesë rajone do të pajiset me automjete speciale dhe kontejnerë për grumbullim të mbeturinave.
“Projekti për herë të parë do të implementojë shërbime për mbeturina të ngurta komunale në pajtim me standardet adekuate të BE-së në këtë sektor, duke mbuluar një popullatë prej më shumë se një million banorësh në pesë rajone administrative dhe 48 komuna në vend, me çka vetë huaja për zgjidhjen e problemit me deponitë e egra dhe mbeturinat dhe hedhja e pakontrolluar e mbeturinave në natyrë do të realizohet në dy transhe. Transhi i parë është në vlerë prej 47,5 milionë eurosh dhe do të mund të tërhiqet me nënshkrimin e huasë, ndërsa transhi i dytë deri në 7,5 milionë euro do të jetë joobligativ dhe do t’i nënshtrohet shqyrtimit plotësues dhe të veçantë.
Nga Ministria e Mjedisit Jetësor sqarojnë se në fillim të këtij muaji është nënshkruar marrëveshja me kompaninë konsulente, e cila do ta fillojë përgatitjen e dokumenteve për prokurim publik të automjeteve, kontejnerëve dhe koshave për mbeturina, si dhe për realizimin e punëve-ndërtimore të stacioneve për ngarkim-shkarkim dhe deponive rajonale.
“Përgatitja e këtyre dokumenteve është e paraparë të zgjasë tre muaj, pas së cilës do të shpallen thirrjet”, e sqarojnë nga kjo ministri periudhën kohore që do të nevojitet para se të publikohen tenderët ndërkombëtarë për përzgjedhjen e realizuesve që do të punojnë në krijimin e sistemeve rajonale për menaxhimin e mbeturinave në pesë rajone.
Përveç BERZh-it, për krijimin e sistemeve rajonale për menaxhim me mbeturinat pritet edhe mbështetje financiare nga Programi i investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) në shumë prej 22,3 milionë eurosh, si dhe 2 milionë euro për përgatitje të studimeve për zhvillim në të dy rajonet. Përgatitjen e projektit dhe implementimin e tij e mbështeti Agjencia Ndërkombëtare e Suedisë për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SIDA), me mjete financiare prej një milion eurosh.
Në mënyrë plotësuese, për rajonin e Pollogut dhe deponinë e atjeshme në Rusino është siguruar mbështetje financiare zvicerane që do të dedikohet për finalizim dhe rehabilitim të kësaj deponie dhe për zhvillim të mëtejshëm të menaxhimit institucional në nivel rajonal dhe lokal të këtij sektori.
Për dallim nga problemet e shumta me mungesën e vullnetit të komunave për implementim të projekteve për ndërtimin e deponive rajonale, pritet që pushtetet aktuale komunale për projektin e ardhshëm të mos bëjnë problem siç bëri Komuna e Sveti Nikoles për deponinë rajonale në Meçkuevci, si dhe më herët me shembullin e Debërcës për realizimin e deponisë bashkëkohore për rajonin jugperëndimor.
Nga “Pakomak” për Meta.mk sqarojnë se mënyra e vetme që të zvogëlohet sasia e mbeturinave të përziera që përfundojnë në deponitë është implementimi korrekt i ligjeve në lidhje me mbeturinat dhe edukimi i vazhdueshëm i qytetarëve, komunave dhe ndërmarrjeve të tyre publike komunale.
Nga “Pakomak” rikujtojnë se komunat duhet që tani t’i përgatisin të gjithë kompetentët në nivel lokal, sepse pasi të implementohen deponitë rajonale si qendra për grumbullimin e mbeturinave, çdo deponim i mbeturinave te ato do të paraqesë shpenzim për komunën gjegjësisht për banorët e saj.
“Të shpresojmë se deponitë rajonale do të implementohen shumë shpejt”, thonë nga “Pakomak”.
Përndryshe, Maqedonia tashmë 19 vite po përpiqet t’i realizojë sistemet rajonale për menaxhim me mbeturinat. Dëshira për anëtarësim në BE dhe pajisja e vendit me status të kandidatit, në aspekt kohor është thuajse në periudhë identike me ndërmarrjen e obligimit nga autoritetet e Maqedonisë për ndërtimin e deponive të reja sipas standardeve evropiane, por aspak nuk arrijmë të përfundojmë të paktën një projekt të tillë deri sot e kësaj ditë.
Në raportin e fundit për progresin reformues të Komisionit Evropian në pjesën e mjedisit jetësor dhe ndryshimeve klimatike, pikërisht ndërtimi i deponive rajonale është identifikuar si një nga tre aktivitetet kyçe për të cilët duhet të punojnë autoritetet e Maqedonisë gjatë vitit 2023.
Sasia e mbeturinave të krijuara nga qytetarët rritet
Dhe derisa autoritetet e Maqedonisë thuajse dy dekada e kanë shtyre vendosjen e standardeve evropiane në menaxhimin me mbeturinat, të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikës alarmojnë mbi problemin në rritje e sipër të sasive të rritura të mbeturinave komunale që i krijojnë qytetarët. Njëkohësisht, ndër vite po forcohet hendeku midis vëllimit të mbeturina të krijuara dhe asaj që është grumbulluar nga ana e ndërmarrjeve publike komunale, sepse pikërisht ky dallim përfundon nëpër deponitë e egra gjithkund nëpër natyrë.
Të dhënat statistikore për vitin 2022 tregojnë se sasia e përgjithshme e mbeturinave komunale të krijuara në Maqedoninë e Veriut ka qenë 856.766 ton. Kundrejt kësaj, sasia e mbeturinave të grumbulluara komunale vitin e kaluar nga ana e ndërmarrjeve publike komunale ka qenë 605.638 tonë dhe e njëjta shënon rënie prej 4,2 përqind në krahasim me vitin 2021.
Problemi në rritje me menaxhimin e mbeturinave mund të vërehet nëpërmjet sasisë vjetore të mbeturinave që e krijon një banor i Maqedonisë së Veriut. Numrat ndër vite rriten, për të arritur kulminacion në vitin 2022, kur Enti Shtetëror i Statistikës ka regjistruar se një banor i Maqedonisë mesatarisht ka krjiuar 467 kilogramë mbeturina komunale, që është për 3,3 përqind më shumë se në vitin 2021.
Lajme nga vendi
Pjesa më e madhe ujit të pijshëm në Tetovë zhduket rrugës për në destinacionin e planifikuar
Mbi 35 për qind e ujit për pije nga burimet e Sharrit, nuk arrin në destinacionin e duhur, përkatësisht humbet. Sipas autoriteteve humbjet ndodhin për shkak të keqpërdorimit të ujit në pjesën e poshtme të qytetit. Situata ka nxitur Ndërmarrjen komunale “Sharri”, që të kërkoj edhe studim fizibiliteti për zgjidhjen e problemit.
“Një pjesë e madhe e ujit bëhet sidomos në pjesët e lagjeve Drenoc e Dereboj ku bëhen vaditje të baçeve apo parqeve, që keqpërdorin ujin për këtë arsye. Nga ardhja ime unë kam insistuar madje edhe lavazhet mos e shfrytëzojnë ujin për pije për larje të veturave sepse paraqet keqpërdorim të madh të shfrytëzimit të ujit. Ka edhe shumë kyçje të egra që janë krijuar në lagjet e reja ku më shumë na humbet uji,” deklaroi Valon Zeqiri, Drejtor i NPK “Sharri”.
Si pasojë e kësaj humbjeje, komuna vendosi që amvisëritë të pajisen me orëmatës inteligjentë të ujit, me qëllim që të ketë kontroll mbi harxhimin dhe pagesën e ujit. Por kjo nismë hasi në reagime të shumta nga këshilltarët e opozitës, të cilët akuzuan për shitje apo privatizimi të ujësjellësit. Megjithatë kreu i komunës së Tetovës këmbëngul se nuk bëhet fjalë për shitje.
“Nga ekspertë të jashtëm del që mënyra më e mirë e zgjidhjes së këtij problemi është mundësia e partneritetit privat publik, që nuk nënkupton as shitjen e ujit as shitjen e menaxhimit me ujë të pijshëm, por kyçjen e partnerit privat për futjen e teknologjie të re dhe menaxhimin me gjithë sistemin që të marrim njohuri dhe ta zgjidhim këtë problem në mënyrë më të shpejtë dhe më të mirë,” tha Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës
Kasami thotë se miratimi i partneritetit publik-privat të ujësjellësit do varet nga këshilltarët dhe pëlqimi i tyre. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Ministria e Drejtësisë nuk është dikasteri i vetëm që saboton Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve
Ministria e Drejtësisë nuk është dikasteri i vetëm që saboton Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, përkatësisht gjuhën shqipe. Inspektori Fitim Ramadani gjatë intervistës në Alsat tha se Ministria e Financave nuk bashkëpunon aspak me inspektoratin, veprim që i pamundëson inspektorëve të hyjnë për kontroll dhe të konstatojnë nivelin e zbatimit të gjuhës shqipe.
Fitim Ramadani, Inspektor në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve (10:00….)
“Këtu dua të theksoj vetëm Ministrinë e Financave. Gjatë mbikëqyrjes kontrolluese në Ministrinë e Financave nuk ka qenë raporti institucion-inspektor. Dhe neve nuk na është mundësuar qasja në dokumentacionin e ministrisë. Për këtë arsye për Financat ka procedurë kundërvajtëse, jo për mos zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, por për mosbashkëpunim me inspektorët”.
Gjuha shqipe nuk respektohet as nga Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev. Sipas Ramadanit, mbi bazën e denoncimeve që kanë bërë gazetarët për deklaratat e Minçevit, ka procedurë kundër tij, ndërsa kontrolli planifikohet gjatë vitit 2026. Dyshohet se Minçev nuk zbaton gjuhën shqipe në asnjë akt nënligjor.
Fitim Ramadani, Inspektor në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve (13:05….)
“Iniciativa ka qenë për deklaratat në opinion që i jep ministri. Mendoj se edhe iniciativa ka qenë nga gazetarët, kanë qenë vetëm në gjuhën maqedonase. Ne kemi konstatuar se ato nuk janë në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe lënda është në Gjykatën kompetente në Shkup”.
Aktualisht 53 lëndë të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve ndodhen në Gjykatën Penale në Shkup. Të gjitha i referohen institucioneve dhe udhëheqësve të institucioneve që nuk kanë respektuar dhe zbatuar gjuhën shqipe në përputhje me ligjin. Së fundi Inspektorati adresoi vërejtje ndaj ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov mbi mos zbatimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës. Brenda 30 ditësh, Fillkov obligohet t’i harmonizojë dispozitat ligjore. Nëse nuk harmonizohet ligji brenda afatit, Ministria e Drejtësisë është e detyruar të zbatojë dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
VLEN NJË PARTI – KUVENDI THEMELUES NË MAJ, MË PAS KONGRESI?!
Kuvendi themelues në maj, e më pas edhe Kongresi.
Kjo është trajektorja e parashikuar sipas së cilës koalicioni aktual i përbërë nga Lëvizja Besa, Lidhja Demokratike, Alternativa dhe ASH të shkrihen në një parti të vetme – VLEN.
Ditë më parë liderët e partive u ulën në një tavolinë të përbashkët për t`i harmonizuar qëndrimet rreth mënyrës së funksionimit të VLEN-it si një subjekt i vetëm politik. Takimi ishte i mbyllur dhe ende nuk janë publikuar detaje.
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, nuk deshi të prononcohej për këtë temë duke preferuar që Dita e Ekologjisë të shënohet në mënyrë dinjitoze në Komunë e Tetovës.
Ndërkohë zëdhënësi I koalicionit VLEN, Albi Qamili, për Tv Koha, tha se në takimin e fundit liderët janë dakorduar për krijimin e një grupi të punës I cili do të punojë në përafrimin e platformave të subjekteve politike dhe strukturimin e subjektit të ri politik të unifikuar.
Por, si u zhvillua kronologjia?
Pas Prekazit në konakun e Bacit Rifat, në Prishtinë tek kryeministri Albin Kurti. VLEN-i një! – ishte një postim nëpër rrjetet sociale që u shpërnda në të njëjtën kohë nga liderët e partive që përbëjnë koalicionin VLEN. Postimi daton nga aktivitetet e shënimit të Epopesë së UÇK-së në Kosovë.
Por, “mesazhet e koduara” nëpër rrjetet sociale nuk u ndalën me kaq!
Në ditën e dytë të festës së Fitër Bajramit, një nga eksponentët kryesor të koalicioni VLEN, Izet Mexhiti, shkroi në Facebook mesazhe uniteti me kryefjalën “VLEN është bashkimi që nuk ndalet”.
“Nuk ka më hapësirë për interesa të ngushta, për pazare në kurriz të qytetarëve, apo për politikë që na mban të ndarë. Nga sot, zëri shqiptar do të jetë një – i fortë, i qartë dhe i pandalshëm.
Ky është momenti ynë. Ose bashkë, ose të humbur. Sepse kur shqiptarët bashkohen, askush nuk mund t’i ndalë.” – shkroi mes tjerash Izet Mexhiti.
Pas takimit të fundit të liderëve të koalicionit, thuhet se është gjithnjë e më e sigurt që partia e re do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, do të ketë dy nënkryetarë dhe një sekretar të përgjithshëm, duke reflektuar në mënyrë të drejtë përfaqësimin e partnerëve në udhëheqjen e ardhshme partiake. Si bashkëkryetarë përmenden Izet Mexhiti nga Lëvizja Demokratike dhe Bilall Kasami nga BESA; për sekretar të përgjithshëm Bekim Sali nga Alternativa; ndërsa për pozitat e nënkryetarëve deputetja Mimoza Musa nga fraksioni i ASh-së dhe deputeti nga Vetëvendosje, Bekim Qoku.
Në rrugën drejt bashkimit mbetet për t’u diskutuar edhe përfaqësimi në përqindje i partive që përbëjnë koalicionin aktual, në organet e ardhshme partiake.
Një marrëveshje e tillë ende nuk është arritur. Ka pasur mendime dhe kërkesa të ndryshme – nga ideja që secili subjekt të përfaqësohet me 20% ose 25% në organet partiake, deri te varianti që partitë kryesore të kenë nga 35%, ndërsa pjesa tjetër të shpërndahet mes partnerëve të tjerë.
Megjithatë, nga VLEN liferojnë se procesi i bashkimit nuk duhet të lërë përshtypjen se dikush është dëmtuar apo është përfaqësuar më pak në partinë e ardhshme.
Shkrirja e koalicionit në një parti të vetme pritet të përkojë me periudhën kur është paralajmëruar një rikonstruim i mundshëm i Qeverisë.
Ndryshimet brenda VLEN-it dhe disa mosmarrëveshje publike të shfaqura kohët e fundit pritet të kenë ndikim edhe në riformatimin e përbërjes qeveritare.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga bota2 months agoGjermania në krizë për punëtorë të kualifikuar, spitalet dhe shkollat kanë mungesa të mëdha

