Lajme nga vendi
Ambasada amerikane “dridh” gjyqësorin, këtij fakti duhet t’i gëzohen shqiptarët!

Gjyqësori është pushteti i tretë sipas radhitjes së pushteteve, që duhet të kontrollojë dy pushtetet tjera atë legjislativ dhe ekzekutiv. Por, në Maqedoninë e Veriut ky pushtet ka stagnuar së punuari dhe duket sikurse është jofunksional. E ky nuk është opinion por është fakt i bazuar në rezultatet e hulumtimeve të realizuara përgjatë po të njëjtit vit, ku besimi në gjyqësor ka pësuar rënie drastike nga 8% që ishte shifër alarmante dhe shqetësuese, deri te rezultatet e publikuara të hulumtimit të fundit nga IRI besimin në gjyqësor ka rënë në 4%. Kur besimi në gjyqësi është në nivelin më të ulët të mundshëm çfarë pritet nga institucionet tjera kur institucionet e drejtësisë nuk janë të afta as të ndajnë drejtësi e as të merren me rastet e montuara politike, e aq më pak me korrupsionin në vend. Trazimet në drejtësi nuk ndalen pas letrës së ambasadores amerikane, Angela Aggeler, drejtuar disa institucioneve në vend, në të cilën shprehte shqetësimin për mënyrën e procedimit dhe zvarritjen e lëndëve gjyqësore të profilit të lartë. Dhe, këtij fakti duhet t’i gëzohen më shumti shqiptarët që po dergjen burgjeve padrejtësisht, që tani më gjyqësia është nën llupën amerikane me çka më në fund shihet dritë në fund të tunelit dhe ngjallen shpresat që drejtësia dhe gjyqësia do të funksionojnë në mënyrë profesionale dhe jo selektive siç kanë vepruar deri më tani. shkruan Zhurnal.
Gjyqësori në RMV në fokus të ambasadës amerikane në Shkup –
Letrën e cila trazoi opinionin dhe tundi pushtetin gjyqësor, ambasadorja amerikane e ka dërguar më 11 prill të këtij viti. Në të ajo shpreh shqetësimin për vendimin e Gjykatës së Apelit – Shkup për kthimin në procedurë të shkallës së parë për rigjykim të disa lëndëve të profilit të lartë.
“Çdo ditë e më shumë jam e shqetësuar dhe e zhgënjyer për shkak të numrit të madh të çështjeve (të profileve të larta) që Gjykata e Apelit i ktheu në procedurë të shkallës së parë për rigjykim. Paaftësia e dukshme e gjykatave për të proceduar me shpejtësi çështjet përmes procedurës gjyqësore dhe transferimin e tyre mbrapa dhe ndërmjet Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, ul më tej besimin e ulët që publiku ka tek gjykatat”, thekson ambasadorja Aggeler në letër. Kjo letër është dërguar në adresat e thuajse të gjitha institucioneve vendore.
Kësaj, letre të ambasadores amerikane ku shpreh vërejtjet e saj për punën e gjyqësorit më së shumti duhet t’i gëzohen shqiptarët, pasi drejtësia më në fund është nën llupën amerikane, dhe shpresohet që për një kohë të shkurtë gjitha rastet e montuara do të zbardhen dhe më në fund drejtësia do të vij në vendin e vet.
Pas reagimeve fillestare të përfaqësuesve të pushtetit ekzekutiv se gjyqtarët dhe ata që drejtojnë punën e tyre duhet t’u përgjigjen vërejtjeve, institucionet e drejtësisë këto ditë janë rrethuar nga turbulenca që rezultuan me shkarkimin e kryetarit të Këshillit Gjyqësor, që disa ekspertët juridik e konsiderojnë të paligjshme, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Këshilli Gjyqësor ka shkarkuar të mërkurën në mënyrë të papritur kryetaren Vesna Dameva në një seancë publike. Arsyeja direkte e shkarkimit të Damevës ishte refuzimi i saj për të vendosur një pikë të re në rendin e ditës dhe gjoja fshehja e letrës nga ambasadorja Aggeler. Shkarkimi i saj u nis nga deputeti Selim Ademi, i cili pas disa orësh tensionesh dhe debatesh mori mbështetjen e 7 prej 13 anëtarëve të Këshillit për ta shkarkuar Damevën nga kryesia.
Kujtojmë që më herët, ambasadorja amerikane Ageler kishte thënë se nuk është e sigurt në qoftë se edhe vetingu në gjyqësor do të ndihmonte, pasi siç potencoi ajo, në një vend ku ka korrupsion, ky proces vështirë bëhet në formë të drejtë dhe transparente.
“Korrupsioni është kancer, dhe është shumë i përhapur këtu…Viktimat e korrupsionit janë njerëzit e këtij vendi. Ne duam të bëjmë gjithçka që është e mundur në ambasadë dhe në Uashington që të ndihmojmë qytetarët e këtij vendi ta sulmojnë atë kancer”, deklaroi Angela Aggeler, ambasadore e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut.
Aggeler siç mësoi Alsat në letrën drejtuar institucioneve gjyqësore dhe disa anëtarëve të ekzekutivit. Në letër, theksohej shqetësimi i saj për gjyqësorin e vendit, duke thënë se SHBA-të kanë shpenzuar mbi 560 milion dollarë për të ndihmuar vendin në këtë fushë, ndërsa rezultate nuk ka.
Sa është besimi në gjyqësi sipas anketës së fundit?
Vetëm 4 për qind e të anketuarve i besojnë plotësisht gjyqësorit, kjo sipas anketës së fundit që IRI që është publikuar ditëve të fundit. Anketat e mëhershme tregonin se 8 për qind e qytetarëve të anketuar të Republikës së Maqedonisë së Veriut i besonin tërësisht gjyqësorit, për një vit ky besim ka shënuar ulje drastike. Në anketën në fjalë dukshëm është ulur besimi edhe në Prokurori, Polici, Sistemin shëndetësor, punën e Qeverisë, Arsimin.
Kjo tregon që besimi në gjyqësi dhe institucionet e drejtësisë është shqetësues se është shumë i ulët, e më shqetësuese se kaq është fakti se besimi nuk shkon në rritje vetëm në ulje e sipër. E kjo është dëshmuar që brenda vitit nga 8% ka rënë në 4%, e nuk dihet vitin e ardhshëm kjo përqindje ku do përfundojë.
Në Maqedoninë e Veriut secili politikan i dytë fletë për të drejta dhe liri të qytetarëve, por kur vjen në shprehje transparenca dhe llogari dhëni atë gjithë stepen dhe nuk ndërmarrin asnjë veprim konkret në këtë drejtim. Mes tjerash Maqedonia e Veriut do të ketë edhe regres përderisa gjyqësia në vend vepron dhe merr vendime varësisht përkatësisë etnike.
Të gjithë qytetarët të barabartë përballë ligjit kjo tezë nuk vlen dhe nuk hy në punë në RMV pasi shumica e ligjeve janë përzgjedhës të qytetarëve se cilës etni i takojnë. Gjyqësia duhet të pavarësohet njëherë e përgjithmonë dhe qytetarët duhet të ndihen të lirë e të barabartë në vend, vetëm në këtë formë mund të arrihet progresi i dëshiruar. /Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
Maqedonia e Veriut nga sot zyrtarisht pjesë e SEPA-s: pagesa më të lehta dhe më të shpejta në euro

Ministria për Çështje Evropiane informon se që nga sot, 7 tetor 2025, Republika e Maqedonisë së Veriut zyrtarisht fillon aplikimin e Zonës së vetme të pagesave në euro (SEPA), me çka qytetarët dhe kompanitë do të mund të kryejnë dhe të pranojnë pagesa në euro drejt vendeve anëtare dhe nga vendet anëtare të SEPA-s me kushte të njëjta si në Bashkimin Evropian.
Sot, me fillimin e aplikimit praktik për transaksione më të lehta, më të shpejta dhe më të lira në euro, Maqedonia e Veriut zyrtarisht u bë pjesë aktive e Zonës evropiane të pagesave, që është hap i rëndësishëm në avancimin e integrimit me tregun e vetëm evropian.
Bashkimi me SEPA-n është pjesë e aktiviteteve në kuadër të Planit të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, i cili ka për qëllim të përshpejtojë integrimin ekonomik të vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian përmes rritjes së qasjes në tregun e vetëm, shtytjen e investimeve dhe avancimin e shërbimeve financiare.
Ky progres i rëndësishëm është rezultat konkret i përpjekjeve të Qeverisë dhe Ministrisë për Çështje Evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut për zbatimin e standardeve evropiane dhe për përmirësimin e kushteve për qytetarët dhe bizneset. Me zbatimin e pagesave SEPA, vendi ynë po afrohet drejt rrjedhave financiare evropiane dhe konfirmon progresin e tij të vazhdueshëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Lajme nga vendi
QEVERIA E SHFUQIZOI KONTRATËN E KONCESIONIT PËR GUROREN NË STRAÇINCË

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, njoftoi se Qeveria ka shfuqizuar njëanshëm Kontratën e koncesionit për shfrytëzimin e gurit gëlqeror në territorin e fshatit Straçincë, komuna e Gazi Babës, e nënshkruar 10 vite më parë me „Melkam Engineering“ nga Shkupi.
Sipas Mexhitit, vendimi u mor për shkak të mangësive serioze.
‘Koncesionari nuk ka siguruar shfrytëzimin minimal prej 20% sipas kontratës, pra 25.000 ton në vit, në vitin 2022 janë nxjerrë vetëm 277 ton, në 2023 nuk ka pasur aktivitet, dhe në vitin 2024 vetëm 187 ton. Aktivitetet janë ndërprerë shpesh dhe nuk janë respektuar detyrimet ligjore, gjithashtu koncesionari nuk ka paguar taksën e koncesionit për sasinë e nxjerrë gjatë tre viteve të fundit,’ deklaroi Mexhiti.
Inspektimi I jashtëzakonshëm i kryer nga Inspektorati Shtetëror për Energji, Miniera dhe Burime Minerale konfirmoi se koncesionari nuk e ka përmbushur kontratën dhe ka pasur ndërprerje të gjatë në aktivitet.
Me këtë vendim ndalon vlefshmëria e koncesionit, dhe të gjitha institucionet përgjegjëse janë njoftuar për masat e mëtejshme.
„Ky është një mesazh i qartë se Qeveria dhe Ministria e Mjedisit nuk do të tolerojnë përdorim të pakujdesshëm të burimeve natyrore. Do të vazhdojmë të sigurojmë menaxhim të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm të tyre, në interes të qytetarëve dhe interesit publik. Shëndeti dhe siguria e qytetarëve janë dhe do të mbeten prioriteti ynë kryesor“, tha Mexhiti.
Lajme nga vendi
Osmani: “Kartela e Artë” për jetë më të lirë, barna më të lira

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, e prezantoi programin “Me zemër për të moshuarit”, i fokusuar në përmirësimin e cilësisë së jetës së pensionistëve përmes ndihmës financiare direkte dhe kujdesit sistematik. Programi parasheh tre masa kryesore për përmirësimin e sigurisë ekonomike të personave të moshuar: mbështetje mujore financiare, subvencione për qëndrimin në shtëpi të të moshuarve dhe një kartë zbritjeje në farmaci dhe markete.
“Së pari, do t’i mbështesim financiarisht personat e moshuar. Parashikojmë ndihmë për të gjithë pensionistët me të ardhura të ulëta, për ata që më së shumti e ndiejnë peshën e muajit. Në dy vitet e para të mandatit do të fillojmë me 2.500 denarë për pensionistët me të ardhura minimale, me synim që kjo mbështetje të arrijë deri në 5.000 denarë”, deklaroi Osmani.
Masa e dytë parasheh mbështetje për kujdesin dinjitoz të personave të moshuar që nuk kanë përkrahje familjare ose jetojnë në kushte të vështira materiale, duke përfshirë edhe mundësinë për akomodim të subvencionuar në shtëpi të të moshuarve, nëse kjo është nevojë apo zgjedhje e tyre.
“Do të sigurojmë subvencione për qëndrimin në shtëpitë e të moshuarve për ata me të ardhura më të ulëta. Asnjë pensionist nuk duhet të mbetet pa mbështetje, as pa një vend ku do të ndihet i sigurt dhe i përkujdesur”, theksoi Osmani.
Masa e tretë e programit ka të bëjë me kartën “Vitet e Arta”, e cila do të sigurojë zbritje në farmaci dhe gjatë blerjes së produkteve të përditshme, përmes partneriteteve me bizneset lokale dhe rrjetet e marketeve.
“Me këtë kartë do t’ua ulim barrën e shpenzimeve më të rëndësishme – atyre shëndetësore dhe bazike. Ajo do të jetë simbol i respektit dhe kujdesit nga komuna për çdo pensionist”, tha Osmani.
Në fjalimin e tij, Osmani theksoi se në Çair jetojnë mbi 7.400 pensionistë, që përbëjnë më shumë se 15% të popullsisë së rritur.
Ai shtoi se ky program është rezultat i punës së tij shumëvjeçare me personat e moshuar dhe se qëllimi i tij është të sigurojë pleqëri dinjitoze dhe siguri ekonomike për çdo pensionist në Çair.
-
Lajme nga bota2 months ago
TRAGJEDI familjare në SHBA : 34 vjeçarja vret burrin dhe dy fëmijë, më pas veten
-
Lajme nga rajoni1 month ago
Lëshohet për qarkullim ura e re mbi lumin Ibër
-
Lajme nga bota2 months ago
Takimi Zelensky-Trump në Berlin, dhoma e Kancelarisë gjermane ku askush s’mund të përgjojë