Lajme nga vendi
Shaqiri: Të bashkohemi të gjithë dhe së bashku të ndërtojmë mjedis shkollor në harmoni
Mbështetja nga të gjithë aktorët në shoqëri është e domosdoshme për të vazhduar të ndërtojmë mjedis shkollor të qetë dhe në harmoni, në të cilën bullizmi nuk do të jetë temë. Ministria është bartëse e politikave, por pa pjesëmarrjen në krijimin dhe implementimin e tyre të institucioneve të tjera të involvuara, vetë institucioneve arsimore, ekspertëve dhe të gjithë qytetarëve, përballja me sfidat do të jetë shumë e vështirë. Këtë mesazh e dha i pari i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri nga Gostivari, ku mori pjesë në garën e nxënësve “Randevu arsimore” në organizim të Asociacionit për të rinj të shkollave të mesme profesionale në Maqedoninë e Veriut.
“Të rinjtë jetojnë në kohën e re me shumë sfida të reja dhe duhet të gjejmë mënyra se si t’i eliminojmë faktorët dhe ta zbusim frymën rinore dhe shpërthyese. Prandaj sot iniciojmë dialog me ekspertët dhe me kastin akademik, si edhe të gjitha institucionet e tjera kompetente, që të veprojmë në mënyrë konkrete sa më parë”, tha Shaqiri.
Ministri potencoi se MASH hap adresë të re për paraqitjen e dhunës në shkolla, prijavinasilstvo@mon.gov.mk, gjegjësisht paraqitdhune@mon.gov.mk si vend qendror ku mund të raportohet dhuna në shkollë, që të munden institucionet menjëherë të reagojnë dhe të parandalojnë situata serioze.
Duke mbajtur fjalim në ngjarjen në amfiteatrin veror, Shaqiri potencoi se i vjen jashtëzakonisht mirë kur e shikon se si të rinjtë shoqërohen brenda dhe jashtë shkollës, mësojnë bashkërisht, garojnë me njohuri dhe pikërisht ky do të jetë fokusi i tyre, në vend se të menduarit se si të provokohen bashkëmoshatarët nga aspekti negativ.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

