Lajme nga vendi
Aksion policor në dy lokale nate në Tetovë | VIDEO
Pjesëtarët e policisë së Tetovës, në koordinim me njësinë për kriminalitet ndërkufitar dhe migracion si dhe inspektoriatin e punës mbrëmë nga ora 23 kanë realizuar aksion në dy objekte hotelerike, njëri në Sedllarcë të Epërme dhe tjetri në Zherovjan. Në lokalin në Sedllarcë të Epërme, pronë e 32 vjeçarit A.A nga fshati Bogovinë, janë ndaluar shtetasja e Shqipërisë D.R 31 vjeçare dhe A.P 38 vjeçare nga Bjellorusia, kurse në lokalin në Zherovjan pronë e 33 vjeçarit me iniciale H.A nga Bogovina, është ndaluar një 32 vjeçare nga Rusia. Tre shtetaset e huaja janë arrestuar nën dyshimin se kanë keqpërdorur qëndrimin turistik në dhe me këtë rast janë mbajtur në stacionin policor në Tetovë për procedurë të mëtejshme dhe do të ketë padi adekuate.
Lajme nga vendi
Stuhia po i afrohet Greqisë: Alarm i kuq për Halkidikin dhe Selanikun, paralajmërim për turistët
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik Grek (EMY) ka lëshuar alarm të kuq për shkak të përkeqësimit të menjëhershëm të kushteve atmosferike, të cilat do të prekin vendin në periudhën nga 23 deri më 25 korrik. Pas disa ditësh valë ekstreme të nxehtësisë, pritet stuhie e fortë e shoqëruar me shi të rrëmbyeshëm, bubullima, erë të fortë dhe shfaqje lokale të breshërit.
Sipas parashikimeve, situata më kritike do të jetë të premten, kur moti i paqëndrueshëm do të godasë Halkidikin dhe Selanikun – rajone ku në këtë periudhë qëndrojnë një numër i madh turistësh maqedonas. Meteorologët paralajmërojnë për reshje të bollshme dhe goditje të forta të erës, të cilat mund të shkaktojnë probleme në trafik, si dhe kushte të rrezikshme përgjatë bregdetit dhe në plazhe.
Shërbimet kompetente u bëjnë thirrje qytetarëve dhe turistëve të jenë veçanërisht të kujdesshëm. Nëse vëreni re të errëta, bubullima ose shenja stuhie, rekomandohet që menjëherë të largohemi nga plazhet dhe deti. Shoferët duhet të shmangin udhëtimet gjatë reshjeve më të forta për shkak të uljes së dukshmërisë dhe mundësisë së rrugëve të përmbytura.
Në të njëjtën kohë, këshillohet ndjekja e rregullt e parashikimeve zyrtare të motit dhe respektimi i udhëzimeve të autoriteteve lokale.
Edhe pse stuhia nuk do t’i prekë njëkohësisht të gjitha pjesët e Greqisë, rreziku më i madh pritet në pjesën veriore të vendit, prandaj rekomandohet kujdes i shtuar për të gjithë ata që udhëtojnë ose qëndrojnë në këtë rajon.
Lajme nga vendi
Sejdini u lirua pasiqë paraprakisht u ofrua garanca prej 1.1 milion eurosh
Gjykata Themelore Penale në Shkup ka hequr urdhrin e paraburgimit për ish-presidentin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muamed Sejdini, pasi një gjyqtar në një procedurë paraprake pranoi garancinë e ofruar me vlerë mbi 1,150,000 euro.
Siç njoftoi Gjykata, garancia përbëhet nga një hipotekë mbi pasurinë e paluajtshme. Njëkohësisht, për të siguruar praninë e tij në rrjedhën e mëtejshme të procedurës, Sejdinit i është urdhëruar të marrë një masë paraprake – konfiskim i dokumentit të udhëtimit, shkruan “sportmedia.mk”.
Sejdini u paraburgos me propozim të Prokurorisë Themelore Publike në Shkup, dhe më 24 prill të këtij viti, atij iu caktua paraburgim prej 30 ditësh për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë së ndikimit te dëshmitarët në hetim. Më vonë, masa u zgjat me vendim të Këshillit Penal.
Prokuroria dyshon Sejdinin për përvetësim prej më shumë se 700,000 eurosh në lidhje me ndërtimin e tribunës në stadiumin e Ohrit, si dhe për abuzime financiare me vlerë miliona dollarë në Federatën e Futbollit të Maqedonisë. (Open-TV)
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 23 Korrik
Dje në orën 14:10 në SPB Tetovë, një 53-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 12:00 në një objekt shitës në Tetovë, pas një mosmarrëveshjeje të mëparshme, është sulmuar fizikisht nga një person nga Tetova. Po merren masa për zbardhjen e plotë të rastit.
……Dje në orën 21:25 në fshatin Çegran të Gostivarit, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria një 25-vjeçar nga fshati Çegran, duke vepruar sipas një denoncimi të mëparshëm se ka prishur rendin dhe qetësinë publike, e më pas është sjellë me agresivitet ndaj zyrtarëve policorë që po kryenin detyrën zyrtare. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë parashtresa përkatëse.
……. Pas mesnate në orën 00:40 në rrugën “Jasht Vardarit” në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 33-vjeçar nga fshati Çellopek i Tetovës, duke vepruar sipas një denoncimi të mëparshëm nga partnerja e tij jashtëmartesore 28-vjeçare se rreth orës 00:40 e ka sulmuar fizikisht pas një debati të shkurtër. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë kallëzimi përkatës.
…….Sot në mëngjes në orën 04:50, zyrtarët policorë nga Stacioni Policor Gallatë kanë privuar nga liria një 49-vjeçar nga rajoni i Gostivarit, duke vepruar sipas një denoncimi të mëparshëm nga bashkëshortja e tij 43-vjeçare se se është sjellë me agresivitet ndaj saj dhe fëmijëve të tyre në shtëpinë familjare, si dhe ka sulmuar fizikisht djalin e tij 20-vjeçar, me ç’rast ka përdorur një mjet të mprehtë. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë kallëzimi përkatës.
………Dje në orën 08:01 në SPB Tetovë është denoncuar se në fshatin Bërvenicë të Tetovës, një automjet udhëtarësh ka goditur një 22-vjeçar nga fshati Bërvenicë dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Në aksident, këmbësori ka pësuar lëndime të rënda trupore, të konstatuara në Spitalin Klinik të Tetovës. Këqyrjen e vendit të ngjarjes e ka kryer ekipi hetimor i SPB Tetovë dhe po merren masa për gjetjen e shoferit dhe për zbardhjen e plotë të rastit.
…….Dje rreth orës 12:20 në SPB Tetovë është denoncuar se në bulevardin “Ilinden” në Tetovë, një 50-vjeçar nga Tetova, duke drejtuar një moped me targa të Tetovës, ka rënë në rrugë. Në aksident drejtuesi I mopedit ka pësuar lëndime të rënda trupore, të konstatuara në Spitalin Klinik të Tetovës. Këqyrjen e vendit të ngjarjes e ka kryer ekipi hetimor i SPB Tetovë.

