Lajme nga vendi
Gjendja e rrugëve në Maqedoninë e Veriut
Komunikacioni në rrugët shtetërore zhvillohet pandërprerë, nëpër rrugë të thata.
Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriut nuk ka pritje më të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.
LAMM rekomandon shpejtësi të adaptuar të lëvizjes, respektimin e sinjaleve të vendosura të komunikacionit e veçanërisht drejtim të kujdesshëm të automjetit, posaçërisht në rrugët nëpër gryka malore, ku ekziston mundësia e rrëshqitjes së dheut. Kjo vlen veçanërisht për akset rrugore Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
Duke filluar nga data 08.4.2023, aksi rrugor Ohër – Resnjë, përmes parkut kombëtar Galiçica është i hapur për komunikacion të automjeteve me peshë të lejuar deri 3,5 tonë.
DGT Zhikol SHPKNJ njoftoi se në ditën 10.5.2023 për shkak të realizimit të aktiviteteve ndërtimore në seksionin Strumicë – Dabiljë, është vendosur regjim i përkohshëm komunikacioni.
Më 08.05.202 filluan aktivitetet ndërtimore: Vendosja e rrethojës mbrojtëse në autostradën A2, seksioni Shkup – Tetovë, nga ana e firmës NSHN BITEM SHPKNJP Shkup sipas Marrëveshjes së lidhur ndërmjet Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore dhe firmës realizuese NSHN BITEM SHPKNJP Shkup. Në trasenë në të cilën realizohen punët ndërtimore ka regjim të përkohshëm komunikacioni.
Nga 26.4.2023 filluan aktivitetet ndërtimore në Rrugën Shtetërore A1, në drejtim nga Demir Kapija në Negotinë, për të cilën do të ndryshohet regjimi i qarkullimit me mbylljen e plotë të autostradës në kryqëzimin Demir Kapi, ndërsa qarkullimi do të ridrejtohet në Rrugën Rajonale R1102.
Duke filluar nga data 06.03.2023, në autostradën A1, aksi Petrovec – Katllanovë, do të fillojnë aktivitetet ndërtimore, për këtë arsye ka ndryshuar mënyra e lëvizjes së automjeteve. Qarkullimi po zhvillohet pa probleme dhe rekomandohet qasje e kujdesshme.
Sipas informacioneve të DGT Zhikoll, për shkak të punimeve ndërtimore në rrugën shtetërore A2, aksi rrugor Milladinovc-Hipodrom, komunikacioni në autostradë do të zhvillohet sipas regjimit kohor.
Për shkak të kryerjes së punimeve në rrugën e shpejtë nga Gradsko deri në Drenovë, në rrugën shtetërore A1, aksi Veles – Negotinë, do të zbatohet ndryshim i përkohshëm i regjimit të komunikacionit. Regjimi i përkohshëm do të zbatohet në të dyja drejtimet në autostradën E-75. Komunikacioni do të zhvillohet pa probleme, me shpejtësi V=80 km/h në zonën e sheshndërtimit. Regjimi do të zbatohet deri në ndërtimin e plotë të qarkores së re Gradsko.
Nga data 03.11.2022 filluan punimet ndërtimore në rrugën shtetërore A4, Bllacë – Shkup. Punimet ndërtimore fillojnë me mbylljen e plotë prej 11 + 056 km deri në 12 + 369 km dhe riorientimin e komunikacionit nëpër rrjetin e komunikacionit përreth.
SH.N. Ilinden – Strugë njofton se në aksin rrugor Kërçovë – Ohër, në seksionin nga fshati Trebenishtë – Ohër prej datës 13.10.2022 është vendosur regjim i ndryshuar i komunikacionit. Pjesëmarrësit në komunikacion rekomandohen që t’i respektojnë sinjalizuesit e vendosur dhe ta përshtatin shpejtësinë sipas kushteve të rrugës.
Në rrugën rajonale R1102, gjegjësisht seksioni Veles – Gradsko, për shkak të punimeve ndërtimore, aksi në fjalë do të jetë i mbyllur për qarkullim nga data 28.09.2022. në 9 muajt e ardhshëm komunikacioni do të zhvillohet sipas regjimit të përkohshëm të komunikacionit.
STRABAG AG njofton: Në bazë të Miratimit për ndryshim të përkohshëm të regjimit të komunikacionit në rrugën shtetërore A1 – aksi Veles-Negotinë, të dhënë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve me numër 11-rr-46/4, nga 21.07.2022, që ka të bëjë për ndërtimin e pjesës së re Gradsko (si pjesë e autostradës A1), në pjesën e lartpërmendur do të kryhen punime ndërtimore edhe në 12 muajt e ardhshëm, ndërsa do të zbatohet ndryshim i përkohshëm i regjimit të komunikacionit.
Regjimi i përkohshëm do të zbatohet në të dyja akset rrugore të autostradës E-75, në zonën e ndërtimit të unazës së re Gradsko edhe atë në drejtim të pikës kufitare Bogorodicë dhe në drejtim të vendkalimit kufitar Tabanoc. Komunikacioni do të zhvillohet nëpër korsinë për komunikacion, ndërsa nuk do të mund të lëvizë në korsinë e tejkalimit.
SHN Granit SHA Shkup njofton se në pajtim me miratimin e lëshuar për regjim të përkohshëm të komunikacionit gjatë ndërtimit të autostradës A4, segmenti VK “Bllacë” – Shkup ( qarkorja “Stenkovec”) Nënaksi 1 – zgjerimi i rrugës ekzistuese A4 nga VK “Bllacë” deri në fshatin Bllacë në nivelin e autostradës dhe ndërtimi i një pjese të autostradës me qarkore për lidhje me rrugë lokale për në fshatin Bllacë, para pikës kufitare “Bllacë” nga 17.06.2022. në vendin e punimeve të ndërtimit zhvillohet regjim i përkohshëm i qarkullimit të dyanshëm me sinjalizues përkatës. Komunikacioni po zhvillohet pa ndalesa. Rekomandim drejtuesve të automjeteve për shpejtësi të rregulluar të lëvizjes dhe respektim të sinjalistikës së komunikacionit të vendosur.
Sipas informatës nga Shoqata e Ndërtimtarisë Pellagonia SHA Gostivar, prej të martës 05.09.2022 do të fillojnë aktivitetet ndërtimore për sanimin e rrëshqitjeve të dheut në km 19+500 (afër fshatit Glloboçicë) dhe 24+000 (afër fshatit Llukovë) në rrugën rajonale R1001 aksi Strugë – Dibër. Komunikacioni po zhvillohet në mënyrë alternative dhe është rregulluar me semaforë.
“Stenton gradba SHPK” njofton për ndryshim të përkohshëm të regjimit të komunikacionit në rrugën shtetërore A1, segmenti Gradsko-Prilep (Farishë-Prilep), konkretisht pas urës në lumin Raec drejt Pletvarit për shkak të aktiviteteve ndërtimore nga data 02.03.2022. në lidhje me projektin Rehabilitimi i rrugës shtetërore A1, pjesa Farish-Prilep dhe do të zgjasë në12 muajt e ardhshëm. Për shkak të punimeve ndërtimore do të ketë ndryshim të qarkullimit në dy korsi, drejtuesit e mjeteve duhet t’i respektojnë sinjalizuesit e vendosur në rrugë dhe të lëvizin me shpejtësi të ulur gjatë kalimit në aksin ku po zhvillohen punimet.
Në aksin rrugor A2 Kërçovë – Ohër, për shkak të punimeve ndërtimore në disa akse, komunikacioni po zhvillohet me devijime. Është vendosur sinjalizim adekuat rrugor dhe prandaj rekomandojmë respektim të rreptë të të njëjtit dhe shpejtësi të adaptuar të lëvizjes.
Lajme nga vendi
Rreth 25 milionë euro të shpenzuara për import të energjisë elektrike që nga fillimi i vitit 2026
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) publikon fakte konkrete, duke marrë parasysh deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski lidhur me punën e ESM.
Këto të dhëna i demantojnë plotësisht pretendimet dhe dezinformatat që vijnë nga drejtuesit e ESM-së dhe Ministria e Energjetikës.
Vetëm që nga fillimi i vitit 2026, ESM, për të mbuluar nevojat e amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël, ka qenë e detyruar të blejë energji elektrike në të paktën dy raste:
– Janar: 104.160 MWh me çmim 119,50 euro/MWh
Gjithsej: 12.447.120 euro
– Shkurt: 94.080 MWh me çmim 126,90 euro/MWh
Gjithsej: 11.938.752 euro
Në total, për vetëm dy muaj janë shpenzuar 24.385.872 euro për import të energjisë elektrike.
Këto shifra tregojnë qartë se ESM nuk ka kapacitet të mjaftueshëm prodhues për të mbuluar nevojat e tregut të rregulluar. Kjo situatë krijon presion të drejtpërdrejtë mbi çmimin e energjisë elektrike për qytetarët.
Sistemi elektroenergjetik po përballet me sfida serioze, ndërsa pasojat e menaxhimit të dobët dhe jo profesional do t’i paguajnë qytetarët përmes faturave më të larta të energjisë.
Lajme nga vendi
Institucionet e RMV-së në shënjestër të hakerëve shtetërorë rusë
Gjurmë të grupit rus të hakerëve “Fancy Bear”, të cilin institucionet shtetërore amerikane dhe britanike e lidhin me shërbimin ushtarak të inteligjencës ruse GRU, janë gjetur në adresa elektronike të lidhura me domainet e qeverisë maqedonase, Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Mbrojtjes, njoftoi grupi i ekspertëve të pavarur ndërkombëtarë për sigurinë kibernetike “Ctrl Alt Intel”.
Në raportin e “Ctrl Alt Intel” thuhet se “Fancy Bear” ka komprometuar me sukses subjekte qeveritare dhe ushtarake në Maqedoninë e Veriut, Ukrainë, Rumani, Bullgari, Greqi dhe Serbi – përfshirë edhe adresa elektronike të lidhura me katër vende anëtare të NATO-s.
“Më 28 shkurt 2024 u njoftua se Maqedonia e Veriut iu bashkua sanksioneve perëndimore kundër Rusisë dhe dërgoi armë dhe pajisje në Ukrainë. Kjo e bën Maqedoninë e Veriut një objektiv të besueshëm, edhe pse me rëndësi më të vogël, për t’u përfshirë në grupin e viktimave të lidhura me shtetet që mbështesin Ukrainën”, thuhet në raport.
Në raport ishte theksuar gjithashtu se një e-mail me domenin gov.mk ishte komprometuar nga grupi rus i hakerëve.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua Qeverisë me pyetje nëse posta e saj elektronike ka qenë objekt i hakerimit dhe nëse një sulm i tillë është raportuar në Qendrën Kombëtare për Reagim ndaj Incidenteve Kompjuterike MKD-CIRT.
Përgjigjja e Qeverisë ishte se nuk ka incident zyrtar kibernetik, por vetëm përmendje të adresave të e-mailit që konsiderohen të dhëna publikisht të disponueshme, dhe jo fjalëkalime apo informacione të tjera konfidenciale.
“Në lajmin, përkatësisht raportin, referohen adresa e-maili, por jo kredenciale, të cilat hakerët i mbledhin vazhdimisht (shpesh nga burime publike) për sulme të mundshme në të ardhmen. Në përputhje me këtë, dhe në kuadër të kompetencave të Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë, nuk është raportuar incident në CIRT kombëtar. Qeveria ndërmerr aktivitete të vazhdueshme për përmirësimin e sigurisë kibernetike dhe ndjek në mënyrë proaktive të gjitha informacionet”, u përgjigj Qeveria për REL.
Një ditë pasi gjetjet e raportit iu përcollën Qeverisë, pjesa që i referohej një e-maili qeveritar të komprometuar u zhduk nga versioni fillestar i publikuar.
Ben Folland, studiues në organizatën “Ctrl Alt Intel”, shpjegoi për REL se bëhej fjalë për një gabim në publikimin e blogut.
“Maqedonia e Veriut ishte një objektiv i fortë i ‘Fancy Bear’; ata madje regjistruan domenin govmk.com për t’u paraqitur si MK për përdorim në fushata phishing. Nga ditari i viktimave, pamë një objektiv me domenin mail.govmk.com. Ne thamë se kishte një viktimë nga ky domen, megjithëse kjo nuk ishte një viktimë reale nga Maqedonia e Veriut. Ne pamë viktima të MK përmes proxy-ve, diku tjetër në fushatë”, tha Folland.
Megjithatë, në raport mbetën të listuara shtatë adresa, prej të cilave pesë lidhen me Ushtrinë e Maqedonisë së Veriut (mil.mk) dhe dy me Ministrinë e Mbrojtjes (mod.gov.mk). Shpjegimi është se ato janë nxjerrë nga “lista e kontakteve” që u përkasin viktimave reale të atij sulmi.
“Kjo tregon se adresat maqedonase janë nxjerrë nga ‘lista e kontakteve’ të viktimave të tjera reale. Ato vijnë nga Ministria e Mbrojtjes e Greqisë”, sqaroi Folland.
Nga Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut thanë se siguria e domaineve të Ministrisë dhe Ushtrisë monitorohet 24 orë në ditë nga specialistë.
“Deri në këtë moment, Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria nuk kanë të dhëna për rrjedhje informacioni nga e-mail-et e tyre. Fakti që janë identifikuar adresa me domainet mil.mk dhe mod.gov.mk nuk do të thotë domosdoshmërisht se ato janë sulmuar. Në tekstin e përmendur nuk përmendet një fushatë konkrete, por vetëm dosje të gjetura të një grupi hakerësh. Si institucione përgjegjëse në këtë fushë, sidomos pas fillimit të luftës në Ukrainë, jemi vazhdimisht subjekt i sulmeve kibernetike (qasje e paautorizuar, phishing, etj.) në përpjekje për të hyrë në të dhëna përkatëse. Për mbrojtje nga këto sulme, punonjësit trajnohen rregullisht së bashku me kolegë nga institucione të tjera shtetërore dhe me ndihmën e vendeve aleate”, thanë nga Ministria e Mbrojtjes.
Nga Ministria e Transformimit Digjital thanë se në adresat e përmendura në raport nuk ka kredenciale të komprometuara apo prova për qasje të paautorizuar në sistemet qeveritare. Ata shpjegojnë se këto adresa shpesh mblidhen nga burime publike ose rrjedhje të mëparshme jo sistematike dhe përdoren për fushata të mundshme phishing në të ardhmen.
“Duke qenë se nuk është konfirmuar incident, nuk janë regjistruar pasoja të drejtpërdrejta në sistemet informative, integritetin e të dhënave apo disponueshmërinë e shërbimeve. Në raport, domainet mil.mk dhe mod.gov.mk shfaqen në kontekstin e ‘vjedhjes së librave të adresave’, që do të thotë se bëhet fjalë për kontakte të nxjerra nga lista adresash, dhe jo për llogari të komprometuara. Megjithatë, të gjitha informacionet relevante nga burime të hapura monitorohen dhe analizohen vazhdimisht si pjesë e monitorimit proaktiv”, thanë nga ministria për REL.
Në raport, “Ctrl Alt Intel” thotë se arriti të qasej në dosjet e serverit të grupit rus të hakerëve në mes të marsit.
Në serverët e grupit janë gjetur më shumë se 2.800 e-mail-e, të nxjerra nga baza qeveritare dhe ushtarake. Janë vjedhur më shumë se 240 sete kredencialesh përdoruesi, përfshirë fjalëkalime dhe kode të autentifikimit me dy faktorë, ndërsa 140 adresa janë ridrejtuar në mënyrë të fshehtë drejt një e-maili të kontrolluar nga sulmuesit.
Më shumë se 11.500 adresa e-maili janë nxjerrë nga adresat e viktimave, duke hartëzuar rrjete të tëra komunikimi, shtoi “Ctrl Alt Intel”.
Nga institucionet evropiane drejt strukturave ushtarake evropiane
Një nga mënyrat e funksionimit të këtij grupi është identifikuar si depërtimi në sisteme përmes të ashtuquajturit spear phishing.
Kjo është një skemë e dërgimit të mesazheve të synuara, ku sulmuesi e përshtat mesazhin që të duket sikur vjen nga një person apo organizatë e besueshme, shpesh duke përdorur të dhëna personale të viktimës.
Qëllimi është të mashtrohet viktima për të shkarkuar një skedar të dëmshëm dhe kështu të sigurohet qasje në sistem, nga ku më pas sulmuesit marrin të dhëna nga serverët e brendshëm.
Sa i përket sulmit ndaj institucioneve shtetërore në Serbi, ekspertët e “Ctrl Alt Intel” identifikuan gjashtë llogari e-maili të komprometuara brenda Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe nga një në sistemet e Akademisë Ushtarake dhe Akademisë Ushtarake Mjekësore.
Janë mbledhur 248 kontakte me të cilat këto llogari kishin komunikuar.
“Këto adresa e-maili të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë janë përdorur për të kontaktuar adresa të tjera, përfshirë disa brenda vetë ministrisë, si dhe struktura ushtarake dhe mbrojtëse evropiane. ‘Fancy Bear’ arriti të nxjerrë lista kontaktesh nga objektivat e saj fillestare në ministri për të marrë këto të dhëna”, shpjegoi Ben Folland.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk iu përgjigj kërkesave të Radios Evropa e Lirë lidhur me këto informacione.
Sulmi kibernetik nuk është raportuar as te Komisioneri për Informacion me Rëndësi Publike dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, siç kërkon ligji serb.
Në një letër për REL/RL, CERT-i kombëtar i Serbisë, organi qendror përgjegjës për parandalimin dhe reagimin ndaj rreziqeve në sistemet informative, deklaroi gjithashtu se nuk ka informacion për këtë sulm.
Kush qëndron pas grupit rus të hakerëve “Fancy Bear”?
“Fancy Bear” është një grup hakerësh aktiv për të paktën 10 vjet. Ata njihen edhe me emra të tjerë, përfshirë “APT28” ose “Forest Blizzard”, siç quhen në bazat e të dhënave të kompanisë teknologjike Microsoft.
Qendra Kombëtare për Sigurinë Kibernetike e qeverisë britanike vlerëson se “APT28 pothuajse me siguri është pjesë e Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës (GRU) të Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë”.
Anëtarët e këtij grupi u identifikuan drejtpërdrejt si oficerë të GRU-së në aktakuzën e Departamentit të Drejtësisë së SHBA në vitin 2018 kundër 12 anëtarëve të GRU-së për hakerimin e Komitetit Kombëtar Demokratik, Komitetit Demokratik të Kongresit dhe fushatës presidenciale të Hillary Clinton.
Sipas faqes së Microsoft, ky grup hakerësh rusë zakonisht sulmon qeveri, organizata joqeveritare, kompani IT dhe universitete, ndërsa sulme janë regjistruar në SHBA, Australi, Kanada, Indi, Ukrainë, Izrael dhe Japoni. /rel/
Lajme nga vendi
Shpallen konkurse të reja, punësime në Qeveri, drejtori dhe institucione tjera
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur konkurs publik përmes të cilit kërkon kandidatë të interesuar për punësim në këtë institucion shtetëror. Bëhet fjalë për punësimin e dy nëpunësve shtetërorë në Sekretariatin e Përgjithshëm, për pozita që lidhen me prokurimet publike dhe mbështetjen administrative në procedurat qeveritare.
Për pozitën e parë, kërkohet një ekzekutues për vendin e punës: Udhëheqës i Sektorit për realizimin e procedurave për prokurim publik, në kuadër të Sektorit për Prokurime Publike. Për këtë pozitë është paraparë një pagë neto prej 40.248 denarë.
Kandidatët duhet të kenë arsim të lartë në fushën e ekonomisë, biznesit ose drejtësisë, me të paktën katër vite përvojë pune (prej të cilave një pjesë në sektorin publik), ose gjashtë vite përvojë në sektorin privat, përfshirë përvojën udhëheqëse. Gjithashtu, kërkohet provimi i dhënë për menaxhim administrativ, njohja e një gjuhe të huaj dhe certifikata për person për prokurime publike.
Përveç kësaj pozite, kërkohet edhe një bashkëpunëtor i ri për mbështetje profesionale-administrative në Sektorin për dërgimin e materialeve në procedurë qeveritare, me pagë neto prej 31.639 denarë. Për këtë vend pune kërkohet arsim i lartë nga shkencat shoqërore, ndërsa përvoja e punës nuk është e obligueshme.
Përveç plotësimit të pozitave të ndryshme në shkollat fillore, kërkohen persona edhe nëpër komuna, por edhe në institucione si Këshilli Fiskal, Banka Popullore (BP RMV), Kuvendi, Ministria e Transportit, si dhe Drejtoria e të Hyrave Publike (DHP) dhe Ministria e Financave.
Të gjitha konkurset KËTU
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga vendi2 months agoVLEN: Me Fetain në krye, nis goditja reale ndaj pasurisë së paligjshme

