Lajme nga vendi
Arrestohet një i dyshuar për vrasjen e dyfishtë në “Shisha Bar”
Është arrestuar njëri nga të dyshuarit për përfshirje në vrasjen e dyfishtë në kafeterinë “Shisha Bar” në Kalanë e Shkupit. Burime jozyrtare të policisë i kanë thënë gazetës KOHA se kapja e njërit nga të dyshuarit ka ndodhur paraditen e sotme, ndërsa vijon hetimi dhe kërkimi edhe i autorëve tjerë që vranë Jeton Krivanjevën dhe Enes Isenin, ndërkohë që i plagosur mbeti Tahla Ali, kamarieri i lokalit.
Zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski, nuk ka dashur të japë informata se kush është i arrestuari dhe për çfarë vepre penale dyshohet, pasi sipas tij, lënda është në Prokurori dhe për shkak të hetimeve, informata shtesë mund të japë vetëm prokurori i rastit. Në ndërkohë, zëdhënësja e Prokurorisë, Biljana Arsovska, nuk e ka pohuar por as nuk e ka mohuar informatën se i arrestuari, është njëri nga të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë në kafeterinë “Shisha Bar” në Kalanë e Shkupit.
Ndryshe, vrasja e dy të rinjve – Jeton Krivanjevës dhe Enes Isenit ka ndodhur më 6 mars, kur më shumë se dy persona, të armatosur me kallashnikov – kishin gjuajtur në drejtim të viktimave brenda në “Shisha Bar”. Autorët e vrasjes, siç kishte raportuar policia, ishin larguar në drejtim të panjohur, ndërsa për disa orë më vonë, vetura e llojit “Audi” ishte gjetur e djegur tërësisht në afërsi të unazës se Shkupit. (koha.mk)
Lajme nga vendi
Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme
Mot i ndryshueshëm me vranësira dhe i ngrohtë, reshje lokale shiu, bubullima dhe erë e fortë
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.

