Lajme nga vendi
Hyjnë në fuqi tre marrëveshjet në kuadër të procesit të Berlinit
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës, sot hyjnë në fuqi tre marrëveshjet e nënshkruara më 3 nëntor të vitit 2022, në kuadër të Procesit të Berlinit – Marrëveshja për Lëvizjen e Lirë në Ballkanin Perëndimor me Letërnjoftime, Marrëveshja për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë dhe Marrëveshja për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale të Mjekëve, Stomatologëve dhe Arkitektëve. Shumë shpejtë pritet hyrja në fuqi e marrëveshjes së tre vendeve të tjera nënshkruese, në pajtim me procedurat e përfunduara ligjore në to – Republikën e Serbisë, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën, njofton MPJ-ja.
Me to mundësohet lëvizja e lirë e njerëzve vetëm me letërnjoftime brenda Ballkanit Perëndimor; mundësohet lëvizshmëria e studentëve, profesorëve dhe punonjësve akademikë, ndërsa procedurat e njohjes shkurtohen nga disa muaj në dy javë dhe pa shpenzime; mjekët, dentistët dhe arkitektët do të mund të ofrojnë shërbimet e tyre lirisht në të gjithë rajonin.
“Secila prej këtyre marrëveshjeve ofron mundësi specifike për t’i ndihmuar qytetarët tanë ta përdorin potencialin e tyre, t’i zgjerojnë përvojat e tyre dhe të kontribuojnë në të mirën e rajonit tonë. Marrëveshjet paraqesin hap të rëndësishëm përpara në përpjekjet tona për t’u ofruar qytetarëve lirinë e lëvizjes dhe integrimit, si kusht për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, i cili do të paraqet rrugën më të sigurt dhe më të shpejtë për të arritur qëllimin tonë të përbashkët – anëtarësimin në Bashkimin Europian”, deklaroi ministri Osmani.
Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut është zgjedhur si depozitues i këtyre marrëveshjeve.
Lajme nga vendi
“One Macedonia”, në pronësi të grupit hungarez 4iG, bëhet operatori i tretë mobil!
Agjencia për Komunikime Elektronike ka vendosur që kompania “One Macedonia Telecommunications”, në pronësi të grupit hungarez 4iG, është ofertuesi më i favorshëm në tenderin për përzgjedhjen e operatorit të tretë mobil në vend. Me këtë vendim nis afati prej 10 ditësh për pagesën e kompensimit njëherësh prej mbi 8 milionë eurosh për tre brezat e frekuencave.
Pas pagesës, kompania mund të pajiset me leje dhe të nisë menjëherë aktivitetin, fillimisht përmes rrjeteve ekzistuese deri në ndërtimin e infrastrukturës së vet. Sipas kushteve, operatori i ri duhet të fillojë shërbimet deri në fund të vitit 2026 dhe gradualisht të sigurojë mbulim 5G në të gjitha qytetet deri në vitin 2030.
Nga AKE vlerësojnë se hyrja e operatorit të tretë do të rrisë konkurrencën dhe do të ndikojë në uljen e çmimeve të shërbimeve mobile.
Lajme nga vendi
Sonte Grupi i grave TEUTA nga Tetova është në FINALEN e MADHE të God Talent- Vision Plus VOTIMI FILLON NË ORA 21:00
Lajme nga vendi
Mungesë e tabelave të regjistrimit në Maqedoni – qytetarët përballen me vonesa, kosto shtesë dhe parregullsi
Prej më shumë se tre javësh, qytetarët në Maqedoninë e Veriut po përballen me mungesë serioze të tabelave të regjistrimit të automjeteve, problem që po shkakton vonesa të mëdha në regjistrimin e veturave dhe po hap rrugë për abuzime dhe pagesa më të shtrenjta.
Sipas ankesave të shumta të qytetarëve, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) nuk po lëshon tabela të reja të regjistrimit, ndërsa arsyeja zyrtare për këtë mungesë ende nuk është bërë publike. Qytetarët thonë se po presin me javë të tëra për t’i pajisur veturat e tyre me tabela, ndërkohë që disa janë detyruar të mos i përdorin fare automjetet.
Por problemi nuk përfundon vetëm me vonesat. Sipas burimeve nga terreni, disa qytetarë po detyrohen të paguajnë shuma më të larta se zakonisht, vetëm për t’i marrë sa më shpejt tabelat, për shkak të mungesës së madhe dhe kërkesës së lartë. Kjo situatë ka krijuar hapësirë për spekulime dhe dyshime për keqpërdorime.
Edhe më shqetësuese është fakti se disa qytetarëve, sipas dëshmive të tyre, u janë dhënë tabela katrore – formë e cila nuk lejohet sipas rregullave standarde për shumicën e automjeteve – dhe këto tabela po paguhen më shtrenjtë, duke u arsyetuar me “mungesën e madhe në treg”.
“Kam pritur mbi dy javë për tabela. Më thanë se nuk ka fare dhe nëse dua më shpejt, duhet të paguaj më shumë. Në fund më dhanë tabela katrore, edhe pse vetura ime nuk i përshtatet atij modeli,” thotë një qytetar për mediat.
Qytetarë të tjerë shprehen se po ndihen të diskriminuar dhe të detyruar të pranojnë kushte që nuk janë as të qarta e as të drejta. Ata kërkojnë sqarim urgjent nga institucionet për arsyen e mungesës, si dhe hetim për rastet kur tabelat po jepen me çmime më të larta ose në forma të palejuara.
Deri tani, MPB nuk ka dhënë një shpjegim të qartë publik për mungesën e tabelave: a bëhet fjalë për problem teknik, mungesë furnizimi, procedura tenderimi apo ndonjë arsye tjetër. Heshtja institucionale vetëm sa po rrit dyshimet dhe pakënaqësinë te qytetarët.
Ekspertë të komunikacionit theksojnë se tabelat e regjistrimit janë dokument zyrtar dhe nuk guxon të ketë improvizime, forma të palejuara apo çmime “alternative”, sepse kjo dëmton besimin në institucionet shtetërore dhe krijon terren për korrupsion.
Derisa institucionet të reagojnë, qytetarët vazhdojnë të mbeten peng i një problemi që nuk e kanë shkaktuar vetë, duke paguar më shumë, duke pritur më gjatë dhe duke u ndier të pasigurt në një proces që duhet të jetë i thjeshtë, i shpejtë dhe i drejtë për të gjithë.

