Lajme nga vendi
A duhet të zgjerohen kompetencat e Komisionit shtetërorë për parandalimin e korrupsionit?
Komisioni shtetërorë për parandalimin e korrupsionit është organi kryesor dhe mbase dera e vetme ku duhet të trokitet për të denoncuar rastet e korrupsionit. Por, sipas nënkryetarit të këtij Komisioni, Nuri Bajrami, i cili gjatë prononcimit të tij për Zhurnal tha se Komisioni nuk ka mekanizma të mjaftueshme për ta luftuar korrupsionin. Nga ana tjetër, juristja, Shemsije Demiri, thotë se domosdo duhet të ketë bashkëpunim me organe tjera për përmbushjen e obligimeve të Komisionit, si dhe zgjerim të kompetencave në implementimin e punëve. Megjithatë, edhe përkundër faktit se ky Komision është aktiv, bashkë me të shumë aktiv është edhe korrupsioni. Sipas raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në 2022, tregon se Korrupsioni në Maqedoninë e Veriut është shumë i lartë. Në të theksohet se edhe pse vendi ka ligj që parasheh dënime penale për korrupsionin, megjithatë ekzistojnë raporte për funksionarë që janë të përfshirë në korrupsion. Gjithashtu, në indeksin ndërkombëtar për perceptimin e korrupsionit në botë nga “Transparency International”, Maqedonia e Veriut është në vendin e 85-të nga 180 vende, në shoqërinë e Surinamit, Indisë, Maldiveve, Guajanës dhe Tunizisë, shkruan Zhurnal.
Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit (KSHPK) nuk po arrin ta ndalojë korrupsionin –
Komisioni për parandalimin e korrupsionit siduket nuk po arrin ta përmbush punën dhe përgjegjësinë që e ka përsipër, pasi korrupsioni po vazhdon të “lulëzojë” kudo pothuajse gjithkund, dhe vazhdon të jetë në nivel të lartë. E ky nuk është opinion i qytetarëve por edhe rezultat i gjitha hulumtimeve që realizohen brenda dhe jashtë vendit. Por, përse ky organ nuk është funksional në kryerjen e detyrave?
Nënkryetari i Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit, Nuri Bajrami, gjatë prononcimit të tij për Zhurnal, tha se ligji aktual për këtë Komision është gjysmë i zbatueshëm, pasi në këtë ligj sipas tij, ka përshkrime të atilla që nuk mund të zbatohen në praktikë.
“Në ligjin që është në fuqi gjysma e ligjit është i pazbatueshëm, pasi përmes këtij ligji janë përshkruar kompetenca përmes të cilave shumë vështirë mund të implementohen pa qenë të përshkruar edhe mjetet teknikat e shumë parakushte të tjera. Përshmebull në ligj thuhet ta luftosh ndikimin politik, e për ta bërë këtë duhet të kesh qendra hetimore, mjete përmes të cilave realizohet kjo në praktikë. Por, për të formuar organe të tilla pastaj do t’i ngjante ndonjë prokurorie ose organi tjetër hetues. Prandaj, kjo duhet të bartet në organet kompetente të cilat kanë mundësi ta realizojnë, ose të cilëve u është përshkruar veç procedurës shqyrtuese dhe analizuese, edhe ajo hetuese, në këtë ligj atë hetuese nuk e ke”, tha Nuri Bajrami për Zhurnal.
Mes tjerash, Bajrami, shpreh shqetësimin e tij edhe për funksionimin e organeve tjera, pasi sipas tij nëse organet tjera do të kishin funksionuar sipas ligjeve, atëherë KSHPK do të kishte më pak nevojë të merret me evidentime të ndryshme. Sepse, Komisioni merr iniciativa por këto përfundojnë pa epilog pasi varen prej dikujt tjetër.
“Konstatimet që mund të ndodhin gjatë punës me lëndë të ndryshme tregojnë që mund t’i ngresh iniciativat si për përgjegjësi penale, por pastaj nuk ke mundësi si t’i bësh të impementueshme iniciativat pasi ato varen prej dikujt tjetër. Prandaj, nëse punët në nivel të organeve tjera realizohen ashtu si duhet sipas ligjeve që janë përshkruar avancohen me kohë deri në nivelin e impelementueshëm me sukses, atëherë KSHPK do të kishte më pak nevojë të merret me evidentimin e pronës dhe gjendjen e interesave të personave të zgjedhur, ndalesat në mos ushtrimin e më shumë posteve përveç atij ku janë të zgjedhur, situatat e konfliktit të interesit, e të tjera, pasi këto situata janë derë e hapur për korrupsion”, përfundoi Bajrami.
Nga ana tjetër, profesoresha dhe juristja, Shemsije Demiri, në prononcimin e saj për Zhurnal, tha se këtij organi të rëndësisë së veçantë për vendin domosdo i duhen më shumë kompetenca dhe bashkëpunim për shtrirjen e ndikimit deri në implementimin e veprimtarisë së saj.
“Duke u nisur nga procesi i krijimit të politikave, ndjekjes dhe mbikëqyrjes, duhet domosdo bashkëpunim me organet tjera shtetërore me qëllim esencial për parandalimin e korrupsionit. Përmes kësaj forme forcohen dhe vendosen standarde të duhura në Komisionin shtetëror për parandalimin e korrupsionit”, tha juristja Shemsije Demiri, për Zhurnal.
Ndryshe, sipas saj KSHPK duhet të ketë resurse dhe autorizime të mjaftueshme për përmbushjen e obligimeve, në të kundërtën nuk mund të jetë puna e këtij Komisioni efektive.
“Komisioni shtetërorë për parandalimin e korrupsionit e ka të nevojshme që të ketë resurse të mjaftueshme, si dhe autorizimet e duhura që vetëm përmes kësaj mënyre të realizojë aktivitetin për prodhuar rezultate efektive. Përndryshe, mungesa e resurseve dhe autorizimeve e pamundëson kryerjen e obligime dhe përgjegjësive të këtij Komisioni”, përfundoi Demiri.
Raporti i DASH-it korrupsioni në nivel të lartë në RMV-
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për vitin 2022 vë në pah faktin që korrupsioni “lulëzon” në çdo sektor të vendit, edhe atë në qeveri, burgje, gjykata dhe ngjashëm. Në raport thuhet se edhe pse ka përpjekje për të përmirësuar situatën, ka sektorë në të cilat qytetarët përballet me diskriminim të skajshëm, trajtim çnjerëzor, korrupsion, dhunë dhe kërcënime.
“Në Kushtetutë parashihet gjyqësor i pavarur, por autoritetet jo gjithmonë e kanë respektuar pavarësinë dhe paanësinë gjyqësore. Rastet e sjelljes së pahijshme gjyqësore, presioni i papërshtatshëm politik dhe i biznesit ndaj gjykatësve, drejtësia e zgjatur dhe financimi dhe stafi i pamjaftueshëm i gjyqësorit vazhduan të pengojnë efikasitetin e gjykatave dhe të ndikojnë në besimin e popullit në sundimin e ligjit”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Raporti i Transparency International për korrupsionin Maqedonia e Veriut në vendin e 85-të –
Në indeksin ndërkombëtar për perceptimin e korrupsionit në botë nga “Transparency International”, Maqedonia e Veriut është në vendin e 85-të nga 180 vende, në shoqërinë e Surinamit, Indisë, Maldiveve, Guajanës dhe Tunizisë. Indeksi rendit 180 vende dhe territore në mbarë botën sipas perceptimit të qytetarëve për korrupsionin në sektorin publik dhe vlerësohet në një shkallë nga 0 (shumë e korruptuar) në 100 (shumë e pastër). Në krye të kësaj liste është Danimarka, Finlanda, Zelanda e Re, Norvegjia, Singapori, Suedia. /Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
Dimitrieska-Koçoska: Takim koordinues me drejtorët e DAP-it dhe Doganës – Ndjekim me kujdes lëvizjen e realizimit të Buxhetit
Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska sot pati takim pune me drejtoreshën e Drejtorisë së të Ardhurave Publike Elena Petrova dhe drejtorin e Drejtorisë Doganore Boban Nikollovski, ku u shqyrtua realizimi rrjedhës i Buxhetit, me fokus të veçantë në arkëtimin e të ardhurave dhe lëvizjet në kategoritë individuale të tatimeve.
Gjatë takimit u konstatua se realizimi i Buxhetit lëviz në kuadër të dinamikës së planifikuar dhe se në këtë moment nuk ka devijime të theksuara as në anën e të ardhurave as në anën shpenzimeve.
Ministria e Financave, në koordinim me Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe Drejtorinë Doganore, vazhdon të ndjekë me kujdes lëvizjen dhe realizimin e të ardhurave buxhetore.
“Buxheti po realizohet në përputhje me dinamikën e planifikuar. Së bashku me DAP-in dhe Drejtorinë Doganore, i kemi ndjekur në detaje të ardhurat dhe të gjitha lëvizjet që mund të kenë ndikim në realizimin e tyre. Në këtë moment nuk ka devijime domethënëse nga ajo që ishte planifikuar, por mbetemi të kujdesshëm dhe do të reagojmë në kohë nëse situata do të na imponojnë”, tha ministrja Dimitrieska-Koçoska.
Të dhënat për realizimin e Buxhetit deri në muajin gusht tregojnë se të ardhurat e përgjithshme arrijnë në 230.6 miliardë denarë, përkatësisht 60.77% e të ardhurave të planifikuara, ku bazuar në këto të dhëna shënohet rritje prej 8%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Të ardhurat tatimore në tetë muajt e parë të vitit janë realizuar në vlerë prej 131.5 miliardë denarësh, që paraqet rritje prej 8.2% në bazë vjetore. Rritje është shënuar në të gjitha kategoritë kryesore tatimore – të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë më të larta për 19.9%, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale për 10.9%, të ardhurat ga TVSH-ja për 10.6%, ndërsa të ardhurat nga detyrimet e importit shënojnë rritje prej 9.7%.
Te akcizat është evidentuar devijim i caktuar, i cili lidhet edhe me masat e ndërmarra nga Qeveria për zbutjen e ndikimit të krizës së shkaktuar nga derivatet e naftës. Ecuria e të ardhurave në këtë kategori do të vazhdojë të ndjekjet me vëmendje.
Në anën e shpenzimeve, në periudhën janar–gusht janë realizuar 268.9 miliardë denarë, përkatësisht 63.15% e shpenzimeve të planifikuara.
Në takim u theksua rëndësia e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet Ministrisë së Financave, DAP-it dhe Drejtorisë së Doganave, si institucione me rol kyç në realizimin e të ardhurave buxhetore. Në periudhën e ardhshme do të vazhdojë ndjekja e rregullt e realizimit të Buxhetit dhe i zhvillimeve ekonomike mbi bazën e të cilave do të merren vendime për përshtatje eventuale të shpenzimeve buxhetore.
Ministria e Financave mbetet e përkushtuar ndaj menaxhimit të përgjegjshëm të financave publike, servisimit në kohë të detyrimeve dhe sigurimit të qëndrueshmërisë së Buxhetit, duke i dhënë përparësi mbrojtjes së qytetarëve dhe sektorit të ekonomisë.
Lajme nga vendi
Mexhiti: Çdo rrugë ka rëndësi, çdo lagje meriton investime
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, sot ishte në terren për të parë nga afër punimet infrastrukturore që po zhvillohen në disa pjesë të komunës. Në rrugën “Emin Duraku” po vazhdon rikonstruimi, ndërsa punime po realizohen edhe në rrugët “Dervish Hima” dhe “Parashqevi Qiriazi”.
Në këto rrugë po bëhet asfaltimi, rregullimi i trotuareve me kubëza dhe hyrjeve të banesave. Paralelisht, në të njëjtat lagje është investuar edhe në hapësirat për fëmijë, përmes rregullimit dhe vendosjes së këndeve të reja të lojërave.
“Çdo rrugë e Çairit ka rëndësinë e vet dhe çdo lagje meriton kushte më të mira. Prandaj po investojmë gjithandej. Një lagje e mirë nuk ka vetëm rrugë të rregulluara, por edhe trotuare, hapësira për fëmijë dhe kushte më të mira për jetën e përditshme. Çairi sot është një kantier ndërtimi dhe kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve, sepse po punohet dhe po investohet për komunën tonë, për lagjet tona dhe për të ardhmen,” deklaroi Mexhiti.
Punimet do të vazhdojnë në pjesë të ndryshme të Çairit, me investime që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës në çdo lagje.
Lajme nga vendi
Hoxha: Agjenda e Gjelbër duhet të kalojë nga zotimet në rezultate konkrete për qytetarët e Ballkanit Perëndimor
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, merr pjesë në Takimin e Tretë Ministror për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor (GAWB), i cili mbahet më 18 dhe 19 shtator në Zhabljak, Mali i Zi, në kuadër të kryesimit të Malit të Zi me Procesin e Berlinit për vitin 2026.
Në fjalimin e tij në sesionin kryesor „Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor – nga zotimet drejt zbatimit“, ministri Hoxha konfirmoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut ndaj Agjendës së Gjelbër dhe integrimit evropian, duke theksuar se në fazën e ardhshme fokusi duhet të jetë te zbatimi, investimet dhe bashkëpunimi rajonal.
„Agjenda e Gjelbër duhet gjithnjë e më shumë të bëhet një platformë për zbatim rajonal dhe jo vetëm për dialog rajonal. Ndotja nuk ndalet në kufij, ndërsa rreziqet klimatike janë të përbashkëta“, theksoi Hoxha, duke nënvizuar nevojën për zgjidhje të përbashkëta, shkëmbim të njohurive dhe të dhënave, harmonizim të standardeve dhe zhvillim të infrastrukturës rajonale aty ku kjo është e arsyeshme.
„Suksesi nuk do të matet me numrin e dokumenteve të miratuara. Ai do të matet përmes ndryshimeve konkrete që sjellin përfitime për qytetarët në të gjithë rajonin“, theksoi Hoxha.
Duke folur për prioritetet kryesore të Maqedonisë së Veriut në periudhën e ardhshme, ministri u ndal te përshpejtimi i investimeve në burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe efikasitetin energjetik, forcimi i qeverisjes klimatike dhe përgatitja për kornizën evropiane për klimën, tranzicioni i drejtë për rajonet e varura nga qymyri, përshpejtimi i reformave në menaxhimin e mbetjeve dhe ekonominë qarkore, si dhe forcimi i përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit.
Takimi i Tretë Ministror për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor është një forum për të shqyrtuar përparimin e arritur deri më tani dhe për të përcaktuar drejtimet politike për fazën e ardhshme të zbatimit të Agjendës së Gjelbër. Në kuadër të takimit në Mal të Zi është paraparë miratimi i Deklaratës Ministrore për Agjendën e Gjelbër për vitin 2026, si dhe mbështetja politike për hapa kyç në nivel rajonal.
-
Lajme nga vendi2 months agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori

