Lajme nga vendi
Ambasadorja e Zvicrës në Maqedoni me apel: Përveç universitetit, sistemi dual i trajnimit mundëson vende të mira pune
Ambasadorja zvicerane në Maqedoninë e Veriut, Veronika Ulman sot bëri apel deri tek të rinjtë dhe prindërit e tyre që të ndjekin trajnimet dhe sistemin dual të arsimit, në mënyrë që nxënësit t’i përshtaten tregut të punës dhe të formohen profesionalisht. Ulman tha se ky sistem funksionon në Zvicër dhe se nëse aplikohet edhe këtu, të rinjtë mund të sigurojnë vende të mira pune.
“Partneriteti mes sektorit privat, shtetit dhe shkollave janë çelësi për të përgatitur rininë që të ketë punë të mirë dhe për të pasur një karrierë të mirë profesionale. Mesazhi i dytë është për të rinjtë dhe fëmijët, ata duhet të kenë mundësinë të zgjedhin jetën e tyre profesionale, të studiojnë në universitet ose të shkojnë në formim profesional, edukim profesional (VET-CTE), sistem dual të trajnimit, keni një mundësi të mirë që të gjeni punë pas përfundimit të trajnimit. Dhe mesazhi i tretë është për prindërit, dëgjoni fëmijët tuaj, dëgjoni se çfarë duan të bëjnë, jepuani mundësinë të zgjedhin dhe mbështetni ata nëse duan të hyjnë në këtë pjesë, në këtë karrierë sepse ia vlen, sepse do të kenë një punë të mirë në fund të këtij trajnimi”, tha Ulman./tv21.tv
Lajme nga vendi
Paralajmërohen pensionistët: Pensionet nga shtatori do të rriten në përputhje me harmonizimin e përcaktuar me ligj
Pensionet nga shtatori do të rriten në përputhje me harmonizimin e përcaktuar me ligj, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me rritjen e të ardhurave të pensionistëve.
Sipas tij, vendimi merret me qëllim të mbrojtjes së pensionistëve dhe pensioneve të tyre. Mickoski tha se pas rritjeve lineare të bëra më herët, individë të nxitur nga partitë opozitare kishin iniciuar procedura në Gjykatën Kushtetuese për anulimin e tyre.
Për këtë arsye, sipas tij, rritja e ardhshme e pensioneve do të bëhet vetëm përmes harmonizimit të rregullt të përcaktuar me ligj.
“Po, do të ketë harmonizim të rregullt, në përputhje me ligjin. E dini se kishte iniciativa nga individë, të nxitur në prapavijë nga parti politike, për të ngritur para Gjykatës Kushtetuese çështjen e rritjes lineare të pensioneve. Për t’i mbrojtur pensionistët dhe pensionet, në të ardhmen rritja do të bëhet në përputhje me harmonizimet e përcaktuara me ligj”, deklaroi Mickoski gjatë vizitës në Drejtorinë për Punë Hidrometeorologjike.
Sipas kryeministrit, shuma e saktë e rritjes së pensioneve ende nuk është përcaktuar, pasi përllogaritjet janë në proces.
“Jo, ende nuk dihet. Po përllogaritet dhe do të dihet shumë shpejt”, tha Mickoski.
Pensionet harmonizohen dy herë në vit, më 1 mars dhe më 1 shtator. Sipas ligjit, në përllogaritje marrin pjesë në mënyrë të barabartë rritja e pagës mesatare të paguar dhe rritja e kostos së jetesës.
Gjatë dy viteve të fundit, pensionistët kanë përfituar rritje lineare prej 7.000 denarësh të pensioneve, raportojnë mediat maqedonase.
Lajme nga vendi
VLEN: Cili prokuror i ka ofruar marrëveshje Grubit
Nga VLEN thonë se pas seancës së parë gjyqësore ndaj Artan Grubit që u mbajt dje, gjithnjë e më shumë po dalin në pah pyetje serioze për atë që ka ndodhur prapa skenave dhe për përpjekjet për ta mbyllur këtë proces përmes një marrëveshjeje me Prokurorinë.
Sipas VLEN-it, supozohet se Artan Grubi është bindur të lidhë marrëveshje me Prokurorinë, të pranojë fajësinë, të marrë një sanksion dukshëm më të lehtë, por në këtë mënyrë edhe t’i japë fund të gjitha ambicieve për të udhëhequr BDI-në.
“Sipas burimeve tona, Ali Ahmeti ka vlerësuar se gjykimi është shumë i rrezikshëm, pasi temperamenti i Grubit është i tillë që ai përmes mediave mund t’ia gërryejë rejtingun BDI-së. Grubi, siç thuhet, tashmë kishte intervista të dakorduara, pasi ishte bindur se ndaj tij nuk do të ngrihej aktakuzë, por më pas ishte befasuar në mënyrë të pakëndshme. Vazhdimi i masës së arrestit shtëpiak është presion shtesë ndaj tij që të lidhë marrëveshje para fillimit të gjykimit”.
“Një fakt interesant është se avokatët e shumicës së të akuzuarve në këtë rast janë „lojtarë“ të sistemit të drejtësisë nga koha e Gruevskit dhe Mijallkovit. Ky është një sinjal serioz se në BDI është ulur gardi dhe po luhet me të gjitha armët. Mbetet dilema pse nuk sigurohet prania e bashkëpunëtorit të parë të Grubit, Perparim Bajramit”.
“A mos, së bashku me rikualifikimin e veprës penale, Ali Ahmetit po i dërgohet edhe një mesazh tjetër, “për të gjitha lojërat e tua të dyshimta ka kundërsulm”? Në fund, as Bujar Osmani, siç thuhet, nuk ka qenë shumë i kënaqur, pasi në adresa të caktuara ndërkombëtare ia kanë lexuar lojën që qëndronte pas brifingjeve. Është e qartë se për politbyronë mafioze të BDI-së, ditët e vështira sapo kanë filluar”, thonë nga VLEN.
Lajme nga vendi
Mexhiti: VLEN-i partia e parë te shqiptarët! Nuk ka arsye për të eksperimentuar
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, thotë se për momentin nuk ka arsye për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ai akuzoi BDI-në se vazhdimisht e mban këtë temë për të mos humbur elektoratin, ndërsa tha se Qeveria ka shumicë absolute në Kuvend dhe proceset nuk janë të bllokuara.
“Mendoj që BDI-ja, për të mos t’i ikur elektorati, e ka mbajtur vazhdimisht këtë temë. “Mbas tre muajve, mbas gjashtë muajve”, kaluan dy vite. Opozita, edhe kur nuk ka çfarë ofron, pra ka kërkesë për zgjedhje të parakohshme. Qeveria është e fokusuar te programi, te premtimet, te vendimet e mjekëve, te investimet në spitale, investimet në arsim, tek ajo të cilën e kemi marrë përsipër për ta realizuar. Pra, Parlamenti ka mjaftueshëm numra, shumicë absolute dhe nuk ka asnjë arsyeje për të eksperimentuar dhe për të shkuar në zgjedhje, që nënkupton bllokim të proceseve, bllokim të punimeve, bllokim të prokurimeve, të punësimeve, të vendimeve. Pra, nuk është në interes të qytetarëve të kemi, në fund të fundit, është një harxhim shtesë për qytetarët e Maqedonisë. Po kjo nuk do të thotë që VLEN-i, i cili është favorit tek shqiptarët, partia kryesore tek shqiptarët në anketat e fundit, i ik zgjedhjeve. Po mendoj që për momentin punojmë për zgjidhje, jo për zgjedhje”, tha Mexhiti.

