Lajme nga vendi
Përfundon takimi i liderëve, nuk ka marrëveshje për ndryshimet kushtetuese
VMRO-DPMNE-ja hedh poshtë propozimet e LSDM-së për ndryshimet kushtetuese, kështu që takimi i sotëm i liderëve përfundon pa ndonjë marrëveshje konkrete mes Kovaçevskit dhe Mickoskit.
“Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së dhe i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së është i njëjtë dhe nuk ndryshon nga ai i para një viti. 44 deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit qëndrojnë në qëndrimin se këto ndryshime kushtetuese nën diktat nuk do t’i pranojmë. Biseduam për propozimet që i dha Kovaçevski, do të veçoja njërin: Ai propozoi që në kuadër të Kuvendit të filloj diskutimi dhe të votohet me 2/3 nevoja për ndryshime kushtetuese, e më pas të formohet qeveria me atë që nga 10 resorët që i udhëheq LSDM-ja, 5 t’i jepen VMRO-DPMNE-së. Të filloj procesi i negociatave, dhe më pas të përmbyllen 2,3 apo katër kapituj dhe ajo qeveri t’i përgatis zgjedhjet parlamentare. Unë i dhashë këtë përgjigje. Në rregull e kuptoj ofertën dhe kam këtë qëndrim: VMRO-ja është e përgatitur të hyj në qeveri me LSDM-në dhe partitë tjera politike por pa pjesëmarrjen në të njëjtën qeveri të BDI-së”, tha Mickoski. /Alsat.mk
Mickoski edhe njëherë ritheksoi se nuk ka shumicë parlamentare për ndryshimet kushtetuese.
“Vlerësoj se takimi i liderëve i tregon qartë pozicionet se në këtë moment nuk ka shumicë për ndryshimet kushtetuese dhe duhet që sa më shpejtë të jetë e mundur të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, që qytetarët të fitojnë një qeveri ashtu siç e meritojnë dhe jo qeveri e cila nuk i përfaqëson interesat e tyre”, tha Mickoski.
Lajme nga vendi
Paralajmërohen pensionistët: Pensionet nga shtatori do të rriten në përputhje me harmonizimin e përcaktuar me ligj
Pensionet nga shtatori do të rriten në përputhje me harmonizimin e përcaktuar me ligj, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me rritjen e të ardhurave të pensionistëve.
Sipas tij, vendimi merret me qëllim të mbrojtjes së pensionistëve dhe pensioneve të tyre. Mickoski tha se pas rritjeve lineare të bëra më herët, individë të nxitur nga partitë opozitare kishin iniciuar procedura në Gjykatën Kushtetuese për anulimin e tyre.
Për këtë arsye, sipas tij, rritja e ardhshme e pensioneve do të bëhet vetëm përmes harmonizimit të rregullt të përcaktuar me ligj.
“Po, do të ketë harmonizim të rregullt, në përputhje me ligjin. E dini se kishte iniciativa nga individë, të nxitur në prapavijë nga parti politike, për të ngritur para Gjykatës Kushtetuese çështjen e rritjes lineare të pensioneve. Për t’i mbrojtur pensionistët dhe pensionet, në të ardhmen rritja do të bëhet në përputhje me harmonizimet e përcaktuara me ligj”, deklaroi Mickoski gjatë vizitës në Drejtorinë për Punë Hidrometeorologjike.
Sipas kryeministrit, shuma e saktë e rritjes së pensioneve ende nuk është përcaktuar, pasi përllogaritjet janë në proces.
“Jo, ende nuk dihet. Po përllogaritet dhe do të dihet shumë shpejt”, tha Mickoski.
Pensionet harmonizohen dy herë në vit, më 1 mars dhe më 1 shtator. Sipas ligjit, në përllogaritje marrin pjesë në mënyrë të barabartë rritja e pagës mesatare të paguar dhe rritja e kostos së jetesës.
Gjatë dy viteve të fundit, pensionistët kanë përfituar rritje lineare prej 7.000 denarësh të pensioneve, raportojnë mediat maqedonase.
Lajme nga vendi
VLEN: Cili prokuror i ka ofruar marrëveshje Grubit
Nga VLEN thonë se pas seancës së parë gjyqësore ndaj Artan Grubit që u mbajt dje, gjithnjë e më shumë po dalin në pah pyetje serioze për atë që ka ndodhur prapa skenave dhe për përpjekjet për ta mbyllur këtë proces përmes një marrëveshjeje me Prokurorinë.
Sipas VLEN-it, supozohet se Artan Grubi është bindur të lidhë marrëveshje me Prokurorinë, të pranojë fajësinë, të marrë një sanksion dukshëm më të lehtë, por në këtë mënyrë edhe t’i japë fund të gjitha ambicieve për të udhëhequr BDI-në.
“Sipas burimeve tona, Ali Ahmeti ka vlerësuar se gjykimi është shumë i rrezikshëm, pasi temperamenti i Grubit është i tillë që ai përmes mediave mund t’ia gërryejë rejtingun BDI-së. Grubi, siç thuhet, tashmë kishte intervista të dakorduara, pasi ishte bindur se ndaj tij nuk do të ngrihej aktakuzë, por më pas ishte befasuar në mënyrë të pakëndshme. Vazhdimi i masës së arrestit shtëpiak është presion shtesë ndaj tij që të lidhë marrëveshje para fillimit të gjykimit”.
“Një fakt interesant është se avokatët e shumicës së të akuzuarve në këtë rast janë „lojtarë“ të sistemit të drejtësisë nga koha e Gruevskit dhe Mijallkovit. Ky është një sinjal serioz se në BDI është ulur gardi dhe po luhet me të gjitha armët. Mbetet dilema pse nuk sigurohet prania e bashkëpunëtorit të parë të Grubit, Perparim Bajramit”.
“A mos, së bashku me rikualifikimin e veprës penale, Ali Ahmetit po i dërgohet edhe një mesazh tjetër, “për të gjitha lojërat e tua të dyshimta ka kundërsulm”? Në fund, as Bujar Osmani, siç thuhet, nuk ka qenë shumë i kënaqur, pasi në adresa të caktuara ndërkombëtare ia kanë lexuar lojën që qëndronte pas brifingjeve. Është e qartë se për politbyronë mafioze të BDI-së, ditët e vështira sapo kanë filluar”, thonë nga VLEN.
Lajme nga vendi
Mexhiti: VLEN-i partia e parë te shqiptarët! Nuk ka arsye për të eksperimentuar
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, thotë se për momentin nuk ka arsye për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ai akuzoi BDI-në se vazhdimisht e mban këtë temë për të mos humbur elektoratin, ndërsa tha se Qeveria ka shumicë absolute në Kuvend dhe proceset nuk janë të bllokuara.
“Mendoj që BDI-ja, për të mos t’i ikur elektorati, e ka mbajtur vazhdimisht këtë temë. “Mbas tre muajve, mbas gjashtë muajve”, kaluan dy vite. Opozita, edhe kur nuk ka çfarë ofron, pra ka kërkesë për zgjedhje të parakohshme. Qeveria është e fokusuar te programi, te premtimet, te vendimet e mjekëve, te investimet në spitale, investimet në arsim, tek ajo të cilën e kemi marrë përsipër për ta realizuar. Pra, Parlamenti ka mjaftueshëm numra, shumicë absolute dhe nuk ka asnjë arsyeje për të eksperimentuar dhe për të shkuar në zgjedhje, që nënkupton bllokim të proceseve, bllokim të punimeve, bllokim të prokurimeve, të punësimeve, të vendimeve. Pra, nuk është në interes të qytetarëve të kemi, në fund të fundit, është një harxhim shtesë për qytetarët e Maqedonisë. Po kjo nuk do të thotë që VLEN-i, i cili është favorit tek shqiptarët, partia kryesore tek shqiptarët në anketat e fundit, i ik zgjedhjeve. Po mendoj që për momentin punojmë për zgjidhje, jo për zgjedhje”, tha Mexhiti.

