Lajme nga bota
Presidenti polak kërkoi anëtarësimin e Ukrainës në NATO
Presidenti polak Andrzej Duda u ka bërë thirrje vendeve anëtare të NATO-s që t’i japin Kievit një udhërrëfyes të qartë për t’u bashkuar me Aleancën, transmeton REL.
“Ukraina është duke pritur për një sinjal të qartë në lidhje me një perspektivë të qartë të anëtarësimit në NATO”, tha Duda më 12 qershor pas një takimi me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz në Paris.
Takimet trepalëshe që përfshijnë Gjermaninë, Francën dhe Poloninë, të njohura si Trekëndëshi i Vajmarit, filluan në vitin 1991 në Vajmar të Gjermanisë.
Fillimisht, bisedimet synuan të sillnin Poloninë dhe shtetet e tjera të Evropës Lindore më afër Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Gjermania, nw muajin prill e ka miratuar kërkesën e Polonisë për t’i eksportuar pesë avionë të vjetër luftarakë të llojit MiG-29, për ta forcuar fuqinë ajrore të Ukrainës kundër pushtimit rus.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se kërkesa kishte mbërritur të enjten dhe se miratimi i kërkesës në po të njëjtën ditë nga Berlini tregon se të tjerët mund të mbështeten në Gjermaninë.
Gjermania i trashëgoi 24 avionë të llojit MiG-29 nga ish-Gjermania Lindore pas ribashkimit në vitin 1990. Në atë kohë, ky lloj i avionit cilësohej si njëri ndër avionët luftarakë më të avancuar në botë.
Në vitin 2004, Berlini ia dërgoi 22 avionë të tillë Polonisë. Nga dy avionët e mbetur në ushtrinë gjermane, një u shkatërrua gjatë një përplasjeje dhe një është në një ekspozitë në një muze.
Polonisë i nevojitet paraprakisht miratimi nga Berlini zyrtar për t’i dërguar këta avionë në një vend tjetër.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha gjatë një vizite në Varshavë se Polonia do të ndihmojë në formimin e një koalicioni të fuqive perëndimore për ta furnizuar Ukrainën me avionë luftarakë.
Lajme nga bota
Irani nis sot varjen e protestuesve të arrestuar? Trump paralajmëron reagim të ashpër
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka paralajmëruar Iranin që të mos vazhdojë me ekzekutimin e protestuesve, duke theksuar se SHBA-ja do të ndërmarrë masa të forta nëse autoritetet në Teheran i varin iranianët e ndaluar.
“Nëse bëjnë diçka të tillë, ne do të ndërmarrim masa shumë të ashpra,” deklaroi Trump në një intervistë për CBS News, pa specifikuar se çfarë reagimi konkret do të ketë Uashingtoni.
Më herët, në një postim në platformën X, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se autoritetet iraniane planifikojnë ekzekutimin e protestuesit të ndaluar Erfan Soltani të mërkurën. Në njoftim thuhet se mbi 10.600 iranianë janë arrestuar nga regjimi i Republikës Islamike vetëm pse kanë kërkuar të drejtat e tyre themelore. Mes tyre është edhe Soltani, 26 vjeç, ekzekutimi i të cilit është paraparë për 14 janar.
Trump tha se nuk ishte i informuar për raporte konkrete mbi varjet, por paralajmëroi se veprime të tilla mund të shkaktojnë një reagim të ashpër, madje edhe të dhunshëm nga ana e SHBA-së.
“Nëse duan të protestojnë, kjo është një gjë. Por kur fillojnë të vrasin mijëra njerëz, e tani flitet edhe për varje, do të shohim si do t’u shkojë,” tha Trump, duke shtuar se kjo nuk do të përfundojë mirë.
I pyetur se çfarë mbështetjeje mund të presë populli iranian, presidenti amerikan tha se ajo mund të jetë e natyrës ekonomike.
“Shumë ndihmë është në rrugë e sipër, në forma të ndryshme, përfshirë edhe mbështetje ekonomike nga ana jonë, por kjo nuk do t’i ndihmojë shumë Iranit,” deklaroi Trump.(INA)
Lajme nga bota
Edhe një ministër polak fiton azil në Hungari
Ish-ministri polak i Drejtësisë, Zbigniew Zjobro, njoftoi sot se i është dhënë azil në Hungari, të cilin e kërkoi pasi dyshohej për shpërdorim detyre në Poloni.
Ai tha se akuzat ishin të motivuara politikisht, raporton Reuters.
“Vendosa të përfitoj nga azili që më është dhënë nga qeveria hungareze për shkak të represioneve politike në Poloni”, shkroi Zjobro në platformën X, duke shtuar se edhe gruaja e tij ka aplikuar për azil.
Qeveria pro-evropiane e kryeministrit Donald Tusk ka premtuar të kërkojë të sjellë para drejtësisë figura të lidhura me ish-administratën e partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS) të akuzuara për akte të paligjshme, shkruan Reuters dhe shton se Zjobro, figura më e shquar që prokurorët kanë synuar deri më tani, akuzohet për keqpërdorim të parave nga Fondi i Drejtësisë, i destinuar për të ndihmuar viktimat e krimit, përfshirë blerjen e sistemit të sofistikuar të spiunazhit Pegasus.
Prokurorët thonë se kjo është përdorur kundër kundërshtarëve politikë vendas, ndërsa nga ana tjetër, Zjobro pretendon se është viktimë e një gjuetie shtrigash politike , sepse si prokuror i përgjithshëm ai nisi hetime kundër njerëzve të afërt me Tusk.
Polonia thirri ambasadorin hungarez të premten, pasi dolën raportime se Budapesti u kishte dhënë azil dy polakëve të paidentifikuar.
Në vitin 2024, Hungaria i dha azil ish-zëvendësministrit të drejtësisë në qeverinë e PiS, Marcin Romanovski, i cili u akuzua gjithashtu për keqpërdorim të fondeve publike, gjë që shkaktoi zemërim në Poloni.
Lajme nga bota
Një tërmet i fortë me magnitudë 4.6 ballë godet pjesën veriore të Italisë
Një tërmet me magnitudë 4.6 ballë ka goditur Fornace Zarattini në Italinë veriore, tha Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së.
Tërmeti u regjistrua rreth orës 10:17 të mëngjesit në një thellësi prej 10 kilometrash, transmeton Telegrafi.
Fornace Zarattini është një fshat në periferi të Ravenës në provincën e Emilia-Romagna në Italinë verilindore.
Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë i Italisë regjistroi një tërmet me magnitudë 4.1 ballë në zonë.
Zona ka një rrezik sizmik përgjithësisht më të ulët se zonat më aktive të Apenineve qendrore dhe jugore të Italisë, por ajo ende përjeton tërmete sepse i gjithë vendi shtrihet brenda një rajoni aktiv tektonik, rezultat i përplasjes së pllakave afrikane dhe euroaziatike.
Apeninet veriore dhe fusha e lumit po ndikohen nga proceset tektonike kompresuese dhe shtytëse që krijojnë dridhje në Emilia-Romagna.
Ravenna është e njohur për monumentet e saj të hershme të krishtera, të cilat njihen si Vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe janë të njohura për turistët.
Qyteti ishte “selia e Perandorisë Romake në shekullin e 5-të dhe më pas e Italisë Bizantine deri në shekullin e 8-të”, thotë UNESCO.

