Lajme nga vendi
Bundestagu sot do të votojë për rezolutën në mbështetje të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE
Bundestagu gjerman sot do të diskutojë dhe votojë për rezolutën në mbështetje të anëtarësimit të Maqedonisë në BE.
Bundestagu gjerman e njeh gjuhën, kulturën dhe identitetin maqedonas, thotë në një deklaratë për Deutsche Welle, deputeti i Liberalëve (FDP), Thomas Hacker. Si pjesë e shumicës parlamentare, Hacker është një nga iniciatorët e rezolutës së parlamentit gjerman për Maqedoninë e Veriut, e cila do të jetë sot në agjendën e Bundestagut, transmeton zhurnal.mk.
Me këtë rezolutë Bundestagu dëshiron të inkurajojë Maqedoninë e Veriut që nga vera e vitit 2022 të zbatojë kompromisin me Bashkimin Evropian, thotë Hacker, duke aluduar në marrëveshjen për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. Deputeti gjerman thekson se hyrja e Maqedonisë së Veriut në BE është në interes të Gjermanisë dhe BE-së.
“Zbatimi i kompromisit nuk do të çojë në humbjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit maqedonas, siç frikësohen nga disa persona të ekspozuar politik në Maqedoninë e Veriut, beson Haker. Sipas tij, përmbushja e marrëveshjes do t’i mundësojë Shkupit të hapë klasterin e parë negociator dhe kjo, siç thekson ai, “është e një rëndësie vendimtare”.
Lajme nga vendi
VLEN: Cili prokuror i ka ofruar marrëveshje Grubit
Nga VLEN thonë se pas seancës së parë gjyqësore ndaj Artan Grubit që u mbajt dje, gjithnjë e më shumë po dalin në pah pyetje serioze për atë që ka ndodhur prapa skenave dhe për përpjekjet për ta mbyllur këtë proces përmes një marrëveshjeje me Prokurorinë.
Sipas VLEN-it, supozohet se Artan Grubi është bindur të lidhë marrëveshje me Prokurorinë, të pranojë fajësinë, të marrë një sanksion dukshëm më të lehtë, por në këtë mënyrë edhe t’i japë fund të gjitha ambicieve për të udhëhequr BDI-në.
“Sipas burimeve tona, Ali Ahmeti ka vlerësuar se gjykimi është shumë i rrezikshëm, pasi temperamenti i Grubit është i tillë që ai përmes mediave mund t’ia gërryejë rejtingun BDI-së. Grubi, siç thuhet, tashmë kishte intervista të dakorduara, pasi ishte bindur se ndaj tij nuk do të ngrihej aktakuzë, por më pas ishte befasuar në mënyrë të pakëndshme. Vazhdimi i masës së arrestit shtëpiak është presion shtesë ndaj tij që të lidhë marrëveshje para fillimit të gjykimit”.
“Një fakt interesant është se avokatët e shumicës së të akuzuarve në këtë rast janë „lojtarë“ të sistemit të drejtësisë nga koha e Gruevskit dhe Mijallkovit. Ky është një sinjal serioz se në BDI është ulur gardi dhe po luhet me të gjitha armët. Mbetet dilema pse nuk sigurohet prania e bashkëpunëtorit të parë të Grubit, Perparim Bajramit”.
“A mos, së bashku me rikualifikimin e veprës penale, Ali Ahmetit po i dërgohet edhe një mesazh tjetër, “për të gjitha lojërat e tua të dyshimta ka kundërsulm”? Në fund, as Bujar Osmani, siç thuhet, nuk ka qenë shumë i kënaqur, pasi në adresa të caktuara ndërkombëtare ia kanë lexuar lojën që qëndronte pas brifingjeve. Është e qartë se për politbyronë mafioze të BDI-së, ditët e vështira sapo kanë filluar”, thonë nga VLEN.
Lajme nga vendi
Mexhiti: VLEN-i partia e parë te shqiptarët! Nuk ka arsye për të eksperimentuar
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, thotë se për momentin nuk ka arsye për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ai akuzoi BDI-në se vazhdimisht e mban këtë temë për të mos humbur elektoratin, ndërsa tha se Qeveria ka shumicë absolute në Kuvend dhe proceset nuk janë të bllokuara.
“Mendoj që BDI-ja, për të mos t’i ikur elektorati, e ka mbajtur vazhdimisht këtë temë. “Mbas tre muajve, mbas gjashtë muajve”, kaluan dy vite. Opozita, edhe kur nuk ka çfarë ofron, pra ka kërkesë për zgjedhje të parakohshme. Qeveria është e fokusuar te programi, te premtimet, te vendimet e mjekëve, te investimet në spitale, investimet në arsim, tek ajo të cilën e kemi marrë përsipër për ta realizuar. Pra, Parlamenti ka mjaftueshëm numra, shumicë absolute dhe nuk ka asnjë arsyeje për të eksperimentuar dhe për të shkuar në zgjedhje, që nënkupton bllokim të proceseve, bllokim të punimeve, bllokim të prokurimeve, të punësimeve, të vendimeve. Pra, nuk është në interes të qytetarëve të kemi, në fund të fundit, është një harxhim shtesë për qytetarët e Maqedonisë. Po kjo nuk do të thotë që VLEN-i, i cili është favorit tek shqiptarët, partia kryesore tek shqiptarët në anketat e fundit, i ik zgjedhjeve. Po mendoj që për momentin punojmë për zgjidhje, jo për zgjedhje”, tha Mexhiti.
Lajme nga vendi
Sali: Reformat maten me rezultate konkrete
Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali deklaroi sot se, reformat maten me rezultate konkrete.
“Sot prezantuam Strategic Priorities Expertise Facility (PREF), një mekanizëm i propozuar nga Kombet e Bashkuara që do t’u mundësojë institucioneve qasje më të shpejtë në ekspertizë të specializuar kombëtare dhe ndërkombëtare për zbatimin e Agjendës së Reformave.
Ekspertiza është mbështetje e rëndësishme, por përgjegjësia mbetet tek ne: ne i përcaktojmë prioritetet, ne e udhëheqim procesin dhe ne duhet t’i zbatojmë rezultatet.
Qëllimi është i qartë – reforma në kohë, institucione më funksionale, rezultate të prekshme për qytetarët dhe bizneset dhe progres më i shpejtë drejt anëtarësimit të plotë në BE.”, u shpreh ai. (INA)

