Lajme nga vendi
RMV, bie interesi për gjimnazet, rritet për arsimin profesional
Arsimi i mesëm profesional po bëhet gjithnjë e më tërheqës dhe interesant për të rinjtë. Kështu tregon edhe afati i parë për regjistrim i këtij viti, pas së cilës vërehet se gjimnazet mbeten me shumë vende të lira, ndërsa drejtorët e shkollave profesionale lavdërohen me regjistrim më të mirë krahasuar me vitet e kaluara, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Nëse vitin e kaluar për 285 vende të lira në gjimnazin “Orce Nikolov” kanë aplikuar 337 kandidatë, pas së cilës është dashur të bëhet përzgjedhje me test kualifikues, këtë vit numri i aplikantëve është 271, që do të thotë se numri i parashikuar i vendeve të lira nuk është përmbushur. Para shkollës dje qysh nga mëngjesi ishin prindër dhe nxënës që kërkonin veten në listat që ishin shfaqur te dera e hyrjes dhe disa prej tyre qanin nga gëzimi sepse ishin pranuar.
Drejtori i “Orce Nikollov” Mitko Dimovski thotë për Meta.mk se pret që numri të plotësohet në afatin e dytë të regjistrimit.
“Kandidatët kanë një mesatare 5.00, dhe pesë nga aplikantët kanë katër në dëftesat e tyre. Të gjithë nxënësit zyrtarisht duhet t’i sjellin dokumentet për kontroll në shkollë sot dhe nesër”, tha dje Dimovski.
Edhe numri i kandidatëve të regjistruar në “Nikolla Karev” tregon se interesimi për gjimnazin është në rënie. Drejtori i kësaj shkolle të mesme Andrej Manolev thotë se sipas konkursit janë 272 vende të lira, ndërsa për regjistrim kanë aplikuar 273 nxënës.
“Vitin e kaluar kemi refuzuar 35 nxënës, dy vite më parë – 70, kurse këtë vit kemi vetëm një student që do të duhet të refuzohet. Për mendimin tim, arsyet e uljes së interesit janë dy, njëra është ulja e natalitetit në vend dhe e dyta janë përfitimet e arsimit të dyfishtë në shkollat profesionale”, thotë Manolev.
Vende të lira ka në “Rade Jovçevski Korçagin” si dhe në “Josip Broz Tito”. Në “Korçagin” duan të mësojnë 177 nxënës, pra ka vend për 85 kandidatë. Në “Josip Broz Tito” janë regjistruar 293 fëmijë, ndërsa për periudhën e dytë të regjistrimit mbeten edhe 47 vende të lira.
“Në paralelet e mësimit në gjuhën turke janë regjistruar 45, kurse mbesin edhe 19 vende të lira”, njofton për Meta.mk drejtoresha e “Josip Bro Tito”, Silvana Kërzhovska.
Pasqyrë tjetër është në arsimin e mesëm profesional. I kënaqur nga regjistrimi i këtij viti është drejtori i shkollës profesionale “Vllado Tasevski”, Aleksandar Sibinovski, i cili për Meta.mk informoi se për 300 vende të lira kanë aplikuar 187 nxënës.
“Vitin e kaluar për 300 vende kemi pasur 150 nxënës, që do të thotë se është rritur numri këtë vit. Përsëri kemi rritje në profesionin e elektro, gjegjësisht telekomunikacionit dhe teknologjisë kompjuterike dhe automatizimit. Kandidati i fundit i pranuar ka 68 pikë nga 75 të mundshme, që do të thotë se të gjithë fëmijët janë të shkëlqyer”, informon Sibinovski.
Rritje të interesimit ka edhe në shkollën e mesme “Maria Kiri Skllodovska”, ku, siç informon drejtori Darko Spasev, këtë vit për 570 vende të lira kanë aplikuar 412 nxënës, ndërsa vitin e kaluar kanë aplikuar 376 kandidatë, që tregon rritje të interesimit.
Do të ketë test kualifikimi në mjekësi
Në shkollën e mesme të mjekësisë “Pançe Karagjozov” do të ketë test kualifikimi për drejtimin farmacist në mësimin në gjuhën shqipe.
“Këtu ka më shumë kandidatë të regjistruar se sa ka vende të lira, pra të gjithë kanë të njëjtin numër pikësh. Ajo që është interesante është se edhe pse është përmbushur kërkesa për hapjen e drejtimi gjinekologjik-obstetrikë në gjuhën maqedonase, nuk ka aplikuar asnjë kandidat. Për infermierët kemi tri paralele në gjuhën maqedonase dhe janë pothuajse të mbushura, ka ende ndonjë vend të lirë. Vende të lira ka edhe për teknik dentar. Ka interesim të dukshëm për farmaci edhe në gjuhën maqedonase edhe në gjuhën shqipe sepse ka mundësi për punësim në “Alkaloid”, thotë drejtoresha Maja Saliu për Meta.mk.
Arsimi i mesëm në vendin tonë është i detyrueshëm. Siç njoftojnë për Meta.mk nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, numri i nxënësve në klasën e nëntë, krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit ka shënuar rënie. Vitin e kaluar kishte 19.086 nxënës, ndërsa këtë vit – 18.882.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 07 Tetor
Dje në orën 15:40, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Mavrovë kanë privuar nga liria një 45-vjeçar nga fshati Zdunjë, rrethina e Gostivarit. Gjatë një kontrolli në trafik, është konstatuar se ai po drejtonte një automjet udhëtarësh “Opel Vectra” me targa të Gostivarit pa leje drejtimi. Automjeti është sekuestruar dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
…….
Dje në orën 14:00 në SPB Tetovë, një grua 33-vjeçare nga Republika e Malit të Zi ka denoncuar se ish-partneri i saj, një 43-vjeçar, nga fshati Vrapçisht, rrethina e Gostivarit, i cili nga shtatori i vitit 2026 ndodhet në vuajtje të dënimit me burg në Burgun e Tetovës, nga numra të ndryshëm telefoni dhe përmes një aplikacioni celular ka dërguar kërcënime ndaj saj dhe familjes së saj. Po merren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit, pas së cilës do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
Lajme nga vendi
Policia e trafikut me 33 skuterë të rinj “Piaggio Beverly 310”
Parku i automjeteve të policisë së trafikut në Maqedoninë e Veriut është pasuruar me 33 skuterë të rinj “Piaggio Beverly 310 HPE”, në version të posaçëm policor.
Ministria e Punëve të Brendshme ka pranuar 33 skuterët e rinj policorë, të siguruar nga Këshilli Republikan për Siguri në Trafikun Rrugor (KRSSTR). Dorëzimi zyrtar u bë në prani të ministrit të Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski, dhe kryetarit të KRSSTR-së, Goran Angelovski.
Së bashku me skuterët është siguruar edhe pajisje e plotë mbrojtëse për motoçiklistët, përkatësisht për secilin polic:
helmetë mbrojtëse;
xhaketë dhe pantallona motoçiklistike;
çizme motoçiklistike;
doreza për verë dhe dimër.
Vlera totale e furnizimit është 16.845.561 denarë, ose rreth 274 mijë euro. Në këtë shumë përfshihen si skuterët, ashtu edhe pajisjet mbrojtëse.
“Piaggio Beverly 310 HPE” është skuter italian i kategorisë maxi-skuter, me motor 310 kubikë që zhvillon rreth 27,7 kuaj fuqi. Transmisioni automatik CVT, rrotat e mëdha dhe përmasat kompakte e bëjnë atë të përshtatshëm për lëvizje në trafikun urban.
Për policinë e trafikut, skuterët mundësojnë lëvizje më të shpejtë në trafikun e dendur, qasje më të lehtë në vendet e aksidenteve dhe rregullim më efikas të trafikut në rrugët dhe kryqëzimet e frekuentuara.
Nga MPB-ja thonë se blerja e re synon të rrisë mobilitetin e policisë së trafikut, të mundësojë kontroll më efikas të komunikacionit dhe të përmirësojë kushtet e punës së pjesëtarëve të policisë.
Ministri Panço Toshkovski theksoi se furnizimi është pjesë e aktiviteteve më të gjera për modernizimin e policisë dhe rritjen e sigurisë në trafik.
Ndërkaq, nga KRSSTR-ja u bë e ditur se do të vazhdojnë investimet për pajisjen e njësive policore që janë përgjegjëse për kontrollin e trafikut.
Me 33 “Piaggio Beverly 310”, policia e trafikut fiton mjete të reja që pritet të mundësojnë reagim më të shpejtë dhe mobilitet më të madh, veçanërisht në kushtet e trafikut të dendur urban.
Burimi: Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)
Lajme nga vendi
Nis shpërndarja e kartelave për “naftën e gjelbër”, mbi 48 mijë fermerë përfitojnë
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave ka nisur shpërndarjen e kartelave për “naftën e gjelbër” për fermerët, në një periudhë kur po përgatiten tokat për përpunimin vjeshtor dhe mbjelljen.
Për këtë masë këtë vit janë siguruar 584 milionë denarë, rreth 9.5 milionë euro, ndërsa janë përgatitur gjithsej 48.037 kartela.
Shpërndarja ka nisur në Sveti Nikollë, ndërsa më pas ka vazhduar në Manastir, bëri të ditur ministri i Bujqësisë, Borçe Serafimovski.
Mbështetja financiare varet nga sipërfaqet dhe kulturat bujqësore të deklaruara në kërkesat për pagesa direkte për vitin 2025 dhe varion nga 3.200 deri në 12.000 denarë për hektar.
Për kulturat drithore, si gruri, elbi, misri dhe orizi, fermerët përfitojnë 3.200 denarë për hektar. Për lulediellin, kolzën, jonxhën dhe disa kultura të tjera mbështetja është 4.800 denarë për hektar.
Për kulturat kopshtare dhe vreshtat janë paraparë 9.600 denarë për hektar, ndërsa mbështetja më e lartë, prej 12.000 denarësh për hektar, është për mollën, dardhën, kumbullën, pjeshkën dhe disa kultura të tjera frutore.
Për ftonjtë, shegët, bajamet, lajthitë dhe kultura të tjera të kësaj kategorie ndahen 8.800 denarë për hektar, për duhanin 11.000 denarë, ndërsa për arrat dhe gështenjat 6.000 denarë për hektar.
Në Sveti Nikollë janë shpërndarë kartelat e para nga gjithsej 1.900, me vlerë mbi 38.2 milionë denarë. Në Manastir janë përgatitur 3.858 kartela, me vlerë të përgjithshme prej rreth 57.5 milionë denarësh.
Sipas Ministrisë, qëllimi është që ndihma financiare të arrijë te fermerët pikërisht në periudhën kur ata kanë shpenzimet më të mëdha për përgatitjen e tokave, blerjen e farërave dhe plehrave, si dhe mirëmbajtjen e mekanizimit bujqësor.
Masa zbatohet përmes Programit për mbështetje financiare në bujqësi për vitin 2026.
Gjatë vizitës në Manastir, ministri Serafimovski është takuar edhe me bletarë nga Pellagonia. Në takim është bërë e ditur se në Ministri janë përgatitur urdhërpagesat për subvencionet e bletarëve dhe se pagesa pritet të realizohet sa më shpejt.
Ndërkohë, është paralajmëruar edhe brendimi i mjaltit maqedonas, përkatësisht atij të Mariovës, me qëllim promovimin e mëtejshëm të origjinës dhe cilësisë së tij.
-
Lajme nga bota2 months agoTRUMP: LARGIMI I INFANTINO-s NGA FIFA DO TË ISHTE NJË GABIM I RËNDË
-
Lajme nga rajoni2 months agoKrimi i rëndë në Kosovë/ Kjo është 25-vjeçarja që u vra me armë zjarri, dyshohet se u qëllua nga bashkëshorti i saj, ishte në javën e 34 të shtatzënisë
-
Lajme nga bota2 months agoTrump paralajmëron “luftë ekonomike” ndaj Iranit: Kush e ndihmon, do të përballet me pasoja

