Lajme nga vendi
Hyri në fuqi Vendimi i BE-së për ndihmë makrofinanciare për vendin tonë
Ka hyrë në fuqi vendimi i BE-së për të ofruar ndihmë makrofinanciare për Maqedoninë e Veriut në vlerë deri në 100 milionë euro për t’u përballur me pasojat e shkaktuara nga agresioni rus ndaj Ukrainës, pasi u publikua sot zyrtarisht në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.
Vendimi, të cilin Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme (GAK) të Unionit e miratoi unanimisht të hënën e kaluar, u nënshkrua nga Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Mecola dhe nga Sekretari spanjoll i Shtetit për Bashkimin Evropian, Paskual Navaro Rios, në emër të Kryetarit të Këshillit të BE-së Sharl Mishell.
Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së (GAK) miratoi vendimin në takimin e tij në Bruksel të hënën e kaluar me 27 vota pro dhe asnjë kundër ose abstenim. Vendimi, i cili u miratua nga Komisioni Evropian më 6 shkurt të këtij viti, paraprakisht u miratua nga Parlamenti Evropian më 13 qershor dhe më 5 korrik nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Qeverive të Shteteve Anëtare në Bashkimin Evropian. (KOREPER).
Në vendim thuhet se ekonomia e vendit, e cila filloi negociatat e anëtarësimit me BE-në më 19 korrik të vitit 2022, është prekur ndjeshëm nga recesioni i vitit 2020 si pasojë e pandemisë së Kovid-it, si dhe nga kriza energjetike e shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës, që kontribuoi në rritjen e nevojave fiskale.
“Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka treguar një përkushtim të fortë për zbatimin e reformave të mëtejshme, duke u fokusuar në fushat kyçe të politikave të identifikuara në Konkluzionet e Përbashkëta të Dialogut Ekonomik dhe Financiar ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë të 24 majit të vitit 2022, duke përfshirë reformat në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit”, citohet në dokument.
Siç njofton raportuesi special i MIA-s nga Brukseli, Komisioni Evropian thekson se vendi ka operacionalizuar me sukses ndihmën makro-financiare për tejkalimin e pasojave të pandemisë së KOVID-19, duke zbatuar “të gjitha aktivitetet reformuese të dakorduara me Bashkimin Evropian në Memorandumin e Mirëkuptimit”.
Gjithashtu, në Vendim citohet se, prillin e kaluar vendi arriti një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) për një program 24-mujor të likuiditetit deri në 530 milionë euro, i cili u miratua zyrtarisht nga Bordi Ekzekutiv i FMN-së më 22 nëntor të vitit 2022, për të zbutur pasojat e ndikimeve të jashtme, për të mbështetur konsolidimin fiskal dhe për të përshpejtuar reformat strukturore në disa fusha, duke përfshirë politikën tatimore dhe investimet publike.
Në Vendim citohet se Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka rinovuar kërkesën për ndihmë makrofinanciare në tetor të vitit 2022.
Duke pasur parasysh se vendi është kandidat për anëtarësim dhe ka nisur negociatat e anëtarësimit, KE vlerëson se ka të drejtë të marrë ndihmë makrofinanciare nga Bashkimi Evropian si “një instrument financiar i jashtëzakonshëm për të mbështetur bilancin e pagesave, i cili synon të përgjigjet ndaj nevojave urgjente për financim të jashtëm” dhe për zbatimin e masave për përshtatje të menjëhershme dhe reforma strukturore për përmirësimin e pozicionit të bilancit të pagesave në afat të shkurtër.
“Në rrethanat aktuale të jashtëzakonshme, ndihma makrofinanciare e Unionit për Maqedoninë e Veriut do të jetë përgjigje adekuate ndaj kërkesës së vendit për mbështetje për stabilizimin e ekonomisë. Ndihma makro-financiare e Unionit do të mbështesë stabilizimin ekonomik dhe agjendën e reformave strukturore të Maqedonisë së Veriut, duke plotësuar burimet e vëna në dispozicion sipas marrëveshjes financiare të FMN-së. Ndihma makro-financiare e Unionit duhet të synojë të mbështesë rivendosjen e gjendjes së qëndrueshme me financimin e jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe në këtë mënyrë të mbështesë zhvillimin e saj ekonomik dhe social”, konkludon Komisioni.
Më tej në dokument thuhet se përcaktimi i shumës së ndihmës makrofinanciare të Bashkimit Evropian për vendin duhet të bazohet në një vlerësim sasior të nevojave të mbetura për financim të jashtëm dhe të marrë parasysh kapacitetin e vendit për të financuar me burimet e veta, veçanërisht me rezervat valutore me të cilat disponon.
“Me rastin e përcaktimit të sasisë së ndihmës, kontributet e pritshme financiare nga donatorët shumëpalësh dhe nevoja për të siguruar një ndarje të drejtë të barrës midis Unionit dhe donatorëve të tjerë, si dhe vendosja paraprake e instrumenteve të tjera financiare të jashtme të BE-së dhe atyre të vlerës së shtuar të përfshirjes së përgjithshme të Unionit në Maqedoninë e Veriut”, citohet në dokument.
Sipas KE-së, kjo ndihmë makrofinanciare duhet të mbështesë politikën e jashtme të BE-së ndaj Maqedonisë së Veriut dhe përkushtimin e vendit ndaj vlerave të përbashkëta me BE-në, duke përfshirë respektimin për demokracinë, sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë, respektimin e të drejtave të njeriut, zhvillimin e qëndrueshëm dhe reduktimin e varfërisë, si dhe një përkushtim ndaj parimeve të tregtisë së hapur dhe të bazuar në rregulla dhe të ndershme.
“Një parakusht për dhënien e ndihmës makro-financiare për Unionin duhet të jetë që Maqedonia e Veriut të respektojë mekanizmat efektivë demokratikë, duke përfshirë sistemin parlamentar shumëpartiak dhe sundimin e ligjit, dhe të garantojë respektimin e të drejtave të njeriut. Për më tepër, objektivat specifike të ndihmës makrofinanciare të BE-së duhet të forcojnë efikasitetin, transparencën dhe llogaridhënien e sistemeve të menaxhimit të financave publike, si dhe qeverisjen dhe mbikëqyrjen e sektorit financiar dhe duhet të nxisin reformat strukturore që synojnë mbështetjen e një sistemi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të rritjes, krijimit të vendeve të punës dhe konsolidimit fiskal. Komisioni duhet të monitorojë rregullisht përmbushjen e atyre parakushteve nga Maqedonia e Veriut dhe arritjen e atyre qëllimeve”, theksohet në Vendim.
Komisioni thekson se për të siguruar që interesat financiare të Unionit lidhur me ndihmën makrofinanciare të mbrohen në mënyrë efektive, Maqedonia e Veriut duhet të marrë masat e duhura në lidhje me parandalimin dhe luftën kundër mashtrimit, korrupsionit dhe çdo parregullsie tjetër që lidhet me këtë ndihmë.
Me këtë vendim, siç theksohet nga Komisioni Evropian, ai qëndron në krah të Maqedonisë së Veriut në këto kohë sfiduese, sepse pas luftës agresive të Rusisë kundër Ukrainës, bilanci i jashtëm i vendit është përkeqësuar për shkak të varësisë së madhe nga importet e karburanteve dhe energjisë elektrike.
Sipas KE-së, ndihma do të kontribuojë në mbulimin e nevojave financiare të Maqedonisë së Veriut në vitin 2023 dhe 2024, duke mbështetur qëndrueshmërinë fiskale dhe reformat strukturore.
Parashikohet që ndihma të disbursohet në formën e kredisë në dy këste, por disbursimi i tyre do të varet nga reformat e politikave në fushat e menaxhimit fiskal, politikës tatimore, menaxhimit të investimeve publike, partneriteteve publiko-private, mjedisit të biznesit, transparencës në ndihmën shtetërore, efikasitetit energjitik, reformave në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit, si dhe zbatimit të programit të FMN-së.
“Këto reforma do ta mbështesin Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”, shtohet në vendim.
Ndihma makro-financiare është pjesë e angazhimit më të gjerë të BE-së për të mbështetur vendet kandidate dhe partnerët e fqinjësisë, e parashikuar si një instrument i jashtëzakonshëm reagimi ndaj krizave në rast të problemeve serioze të bilancit të pagesave.
Lajme nga vendi
DREJTORIA E GJIMNAZIT PËRGËNJESHTRON “LEVICËN”
Drejtoria e Gjimnazit „Kirili Pejçinoviq“ – Tetovë reagon ashpër ndaj informacioneve të publikuara lidhur me funksionimin e shkollës.
Drejtoria e Gjimnazit të Tetovës i ka përgënjeshtruar pohimet e një komunikate të partisë “Levica” ku ata pretendojnë se po nënçmohet gjuha maqedonase dhe se klasat janë të stërmbushura me nxënës.
Nga Drejtoria thonë se do ta kuptonin këtë gjuhë të “Levicës” nëse vendi ishte në fushatë zgjedhore, por duke prezantuar fakte përgënjeshtrojnë pohimet e partisë në fjalë.
Dje, faqja e internetit e shkollës u hakua në të tri gjuhët – maqedonisht, shqip dhe anglisht. Ekipi i IT-së së shkollës punoi intensivisht për zgjidhjen e problemit dhe arriti ta rikthejë funksionimin e saj. Faqja e internetit tashmë është në funksion dhe në të janë publikuar listat e nxënësve të pranuar në afatin e regjistrimit të qershorit.
Shpërndarja e nxënësve në paralele bëhet në përputhje me konkursin për regjistrimin e nxënësve në Gjimnaz, të publikuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, numrin e nxënësve të regjistruar dhe kapacitetet hapësinore të dy objekteve ku nxënësit e ndjekin mësimin në turnin e paradites.
Po ashtu, si tërësisht të pavërteta I kanë hedhur poshtë pretendimet se 50 nxënës do ta ndjekin mësimin në një klasë.
Drejtoria e shkollës është e përkushtuar për krijimin e shërbimeve dhe kushteve më të mira dhe më cilësore për zhvillimin e pandërprerë dhe të vazhdueshëm të procesit arsimor.
Sipas tyre, pikërisht informacione të tilla të paverifikuara, të pabazuara dhe të pasakta krijojnë kaos në arsim./Tv Koha/
Lajme nga vendi
BDI: Me dy vjet vonesë dhe 30 milionë euro më shtrenjtë, VLEN vazhdon projektin e BDI-së Shkup- Bllacë
Pas dy vitesh humbje kohe, VLEN sot po e paraqet si sukses vazhdimin e autostradës Shkup- Bllacë, projekt i përfunduar më 2 maj 2023 dhe i tenderuar po atë vit nga qeveria e kaluar, me një vlerë prej rreth 183 milionë eurosh.
Dy vjet më parë, VLEN dhe partnerët e tyre politikë e sulmonin projektin si “tepër të shtrenjtë” dhe “të papërshtatshëm”. Sot, pa ndryshuar as trasenë dhe as projektin, duke e vonuar pa asnjë nevojë për mbi dy vite, të njëjtën autostradë prej rreth 10 kilometrash do ta ndërtojnë për rreth 210 milionë euro, apo afërsisht 21 milionë euro për kilometër.
Pra, projekti që e kritikuan nuk është ndryshuar as për 0,1 për qind. Traseja është e njëjtë, projekti është i njëjtë, autostrada është e njëjtë.
Të vetmet gjëra që kanë ndryshuar janë dy vite vonesë dhe rreth 30 milionë euro më shumë nga paratë e qytetarëve.
VLEN duhet t’i përgjigjet opinionit: pse u bllokua për dy vjet një projekt i gatshëm dhe pse sot i njëjti projekt kushton rreth 30 milionë euro më shumë? Ku përfundojnë këto para dhe cili është arsyetimi për këtë shtrenjtim?
Shqiptarët humbën dy vite për një autostradë jetike, ndërsa qytetarët do të paguajnë dhjetëra milionë euro më shumë. Dy vite vonesë, 30 milionë euro më shtrenjtë dhe asnjë ndryshim në projekt, kjo është fatura e paaftësisë dhe keqmenaxhimit të VLEN-it.
Lajme nga vendi
Bilall Kasami: Historike! Nisin punimet per 10 kilometrat e autostrades Shkup-Bllace
Bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka përshëndetur nisjen e punimeve për ndërtimin e 10 kilometrave të autostradës Shkup–Bllacë.
Kasami e ka cilësuar këtë projekt si një moment historik dhe me rëndësi strategjike për vendin, duke theksuar se infrastruktura e re rrugore do të forcojë lidhjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës dhe do të krijojë mundësi të reja për zhvillim ekonomik.
“Historike! Më në fund vendosëm gurthemelin dhe filluam punimet për 10 kilometrat e autostradës Shkup–Bllacë”, është shprehur Kasami.
Sipas tij, realizimi i këtij projekti është rezultat i angazhimit të VLEN-it dhe Qeverisë, ndërsa përfitimet pritet të ndihen nga qytetarët dhe ekonomia e vendit.
“Ky projekt strategjik që na lidh dhe afron me Kosovën, me rëndësi të veçantë ekonomike, po jetësohet falë vizionit dhe përkushtimit të VLEN-it dhe të Qeverisë. I përgëzoj të gjithë qytetarët. Ta gëzojmë!”, ka deklaruar Kasami.

