Lajme nga vendi
“20%” nuk paraqet pengesë për Bullgarët, duhet vetëm vullnet i politikanëve
Edhe pse në fillim dukej se shqiptarët do të ishin të gjithë për ndryshimet Kushtetuese që kërkohen nga Bashkimi Evropian, së fundmi partitë opozitare shqiptare kanë thënë se nuk do të votojnë “blanko” për këto ndryshime nëse nuk plotësohet edhe kërkesa që gjuha shqipe në Kushtetutë të mos quhet “gjuhë e popullatës që e flasin më shumë se 20 për qind e popullatës”. Kjo kërkesë që duket shumë e logjikshme dhe që nuk duhej të bëhet fjalë është bërë top temë dhe kërkesa kryesore për veprimet e ardhshme të opozitës. A është ky një kërcënim serioz dhe sa ka forcë opozita t’iu thotë jo këtyre ndryshimeve!, shkruan Zhurnal.mk
Opozita nuk garanton votën “për” ndryshimet kushtetuese
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami ka thënë se nuk garanton që do të votojë ndryshimet kushtetuese nëse nuk ka propozim që të zëvendësohet 20 përqindëshi me gjuhën shqipe. Kasami kur flet për këtë çështje, mundohet ta artikulojë atë si kërkesë të opozitës. Ai thotë se edhe brenda “Grupit të zjarrit” dhe partive tjera opozitare ka një frymë të mirëfilltë bashkëpunimi dhe kjo mund të reflektohet në kushtëzimin e votimit të Kushtetutës.
Nga ana tjetër, tre deputetët e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, Merita Koxhaxhiku dhe Kastriot Rexhepi që janë pjesë e “grupit të zjarrit” brenda BDI-së, kanë inicuar ndryshime kushtetuese sa i përket çështjes bullgare por edhe për heqjen e përkufizmit 20 përqind sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe.
Me këtë nismë edhe njëherë ky grup riafirmon qëndrimin se janë pro ndryshimeve kushtetuese sa i përket çështjes bullgare dhe rrjedhimisht qëndrojnë fuqishëm në rrugën evropiane. Por njëkohësisht vlerësojnë se është momenti politik që përkufizimi 20 % për gjuhën shqipe të hiqet nga Kushtetuta sepse fundja Kushtetuta nuk hapet çdo ditë dhe tani është rasti që njëkohësisht zbatimin e gjuhës shqipe të vendoset në vendin e merituar.
Aktualisht, gjuha shqipe në kushtetutë përkufizohet si gjuhë, të cilën e flasin më shumë se 20 për qind e numrit të përgjithshëm të popullsisë.
Kërkesa e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut është që gjuha shqipe të definohet qartë si gjuhë zyrtare e shtetit, sepse “nuk është në rregull që të kemi gjuhë me përqindje”.
Aleanca dikur insistonte, tani nuk është më e heshtur!
Kur Aleanca për Shqiptarët ishte në opozitë thoshte se nuk do t’i mbështesin ndryshimet e tilla nëse nuk rregullohet, sipas tyre, padrejtësia që i bëhet gjuhës shqipe.
Ilmi Aziri, deputet i kësaj partie kishte thënë se ne kemi theksuar se në momentin që do të bëhet qeveria e zgjeruar, do të jetë edhe numri i mjaftueshëm prej 120 deputetësh që mundëson edhe intervenimin në kushtetutë dhe të largohet ky definim ofendues. Aq më tepër kur të gjitha partitë politike, të paktën në aspektin deklarativ, kanë thënë se nuk pajtohen me definime të tilla dhe se janë të gatshme për t`iu qasur ndryshimeve kushtetuese, për të eliminuar këtë përkufizim.
Por pas hyrjes në qeveri, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, që vjen nga kjo parti ka thënë se prioritet i grupit të punës do të jetë preambula, por temë debati do të ketë edhe për gjuhën shqipe për përkufizimin e së cilës pret të ketë zgjidhje.
“Në grupin e punës prioritet mbetet preambula, mirëpo aty do të hapen të gjitha temat, përfshirë edhe këtë që u përmend, definimi i gjuhës shqipe. Por, ne do të procesojmë vetëm ato tema, për të cilat do të arrihet numri i nevojshëm i votave dhe unë shpresoj se edhe kjo çështje, e cila na prek neve si shqiptarë, do të marrë vëmendjen e duhur dhe zgjidhjen e duhur ligjore. Besoj se kjo dhe çështje tjera që unë i kam kërkuar, do të mund futen në pakon e ndryshimeve kushtetuese dhe ato të votohen”, ka deklaruar Lloga.
Kryetari i kësaj partie, Arben Taravari ka thënë se partitë maqedonase duhet t’i përmbahen një premtimi që kanë dhënë në vitin 2019 për zgjidhjen e kësaj çështjeje. “Kur ndodhën ndryshimet kushtetuese për Marrëveshjen e Prespës (Marrëveshje me Greqinë për ndryshimin e emrit të shtetit) në vitin 2019 kishim premtime nga të gjitha partitë maqedonase se në hapjen e ardhshme të Kushtetutës gjuha shqipe do të jetë [gjuhë]zyrtare, apo se nuk do të jetë si gjuhë në numër prej ‘20 për qind’ por si fjalë, ‘gjuhë shqipe’. Besoj se ne do të shkojmë deri në fund me këtë kërkesë”, tha Taravari.
Kryeministri është kundër!
Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka thënë se prioritet do të ketë vetëm pjesa e preambulës, për përfshirjen e pakicës bullgare në të, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Sofjen.
“Unë mendoj se ne kemi një prioritet. Në Kuvend kemi miratuar një kornizë negociuese që është pranuar edhe nga partia Aleanca për Shqiptarët. Ne do të shohim se si do të rrjedhin bisedimet, por vlerësojmë se hapja e kapitujve dhe vazhdimi i rrugës së integrimit në BE deri në vitin 2030 është prioriteti ynë kryesor”, ka deklaruar Kovaçevski.
Në të njëjtën vijë të mendimit është edhe kryetarja e grupit të punës për ndryshimet kushtetuese, Margarita Caca-Nikollovska, e cila ka thënë se grupi i punës për ndryshime kushtetuese nuk ka mandat të diskutojë për ndryshimin e përkufizimit të gjuhës shqipe në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, e cila në aktin më të lartë juridik në vend njihet si gjuhë, të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullsisë që jeton në këtë shtet.
Nikollovska ka deklaruar për mediat maqedonase se mandati i grupit të punës është i kufizuar dhe se nuk do të ketë lëvizje nga ajo që është ngarkuar nga Qeveria Maqedonisë së Veriut.
A mund të thotë “jo” opozita
Ndryshimet kushtetuese miratohen me dy të tretat, apo me 80 nga 120 votat e deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Shumica parlamentare aktualisht ka 74 vota, që do të thotë se pa votat e opozitës ndryshimet nuk mund të bëhen as për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë.
Duke e pasur parasysh situatën politikë në rajon, sidomos tani kur kemi trazira dhe tensione në Veriun e Mitrovicës, mesazhet e ndërkombëtarëve janë të qarta se nuk duan trazira të reja në Ballkan. Mesazhet e ndërkombëtarëve, e sidomos amerikanëve janë se nuk duan kokë dhimbje shtesë në Ballkan, sepse prioritet kryesor është fitorja në luftën në Ukrainë kundër Rusisë. Maqedonia e Veriut është gjithashtu një plagë që mund të rihapet çdoherë, prandaj ndërkombëtarët nuk do të lejojnë që të krijohet destabilitet politik. Është shumë e pranueshme dhe logjike që “gjuha shqipe” të mos konsiderohet më gjuhë e “20 përqindëshit”, por për këtë duhet të mos ketë kundërshtime nga asnjë parti politike, e që aktualisht VMRO DPMNE haptas është kundër. Andaj, duke pasur parasysh këtë situatë, do të luhet deri në fund në kartën “tërhiqe e mos e këput” me qëllim që të gjitha palët të jenë të kënaqura. Nëse sigurohen vota për ndryshime kushtetuese edhe nga opozita maqedonase, atëherë “gjuha shqipe” do të duhet të pres për një kohë më të mirë!, shkruan Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
“25 VITE DHE PËRTEJ” – “OHRI” SHËNOHET NË AFËRSI TË URËS SË GURIT!
Me një manifestim të mbajtur në afërsi të Urës së Gurit, Qeveria shënoi zyrtarisht përfundimin e aktiviteteve kushtuar 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Nën moton “25 vjet dhe përtej”, aktiviteti solli në fokus rëndësinë e marrëveshjes për paqen, stabilitetin, bashkëjetesën dhe perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, e cilësoi Marrëveshjen e Ohrit si një “besëlidhje historike” për mënyrën se si duhet të ndërtohet shteti i përbashkët.
Sali nënvizoi se barazia është bazë për ndërtimin e besimit mes qytetarëve dhe institucioneve, ndërsa bëri thirrje për një kulturë politike të bazuar në dialog, bashkëpunim dhe përgjegjësi.
“25-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit duhet të jetë jo vetëm kujtim i së kaluarës, por edhe zotim për të ardhmen. Zotim se do të vazhdojmë të ndërtojmë ura e jo mure, se do ta mbrojmë barazinë, do ta forcojmë demokracinë dhe shtetin e së drejtës dhe do të punojmë për një shtet ku askush nuk do të ndihet i përjashtuar, i papërfaqësuar dhe i huaj”
Ndërkaq, ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, tha se 25-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit duhet të shërbejë jo vetëm si moment përkujtimi, por edhe si mundësi për të reflektuar mbi përgjegjësitë që qëndrojnë përpara.
Ferati theksoi se fokusi duhet të zhvendoset nga e kaluara drejt së ardhmes, me prioritet sundimin e ligjit, gjithëpërfshirjen, tolerancën, bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve dhe krijimin e mundësive për të rinjtë.
“25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, duhet të flasim më shumë për atë se çfarë duam të ndërtojmë në 25 vitet e ardhshme. Rinia është jo vetëm e ardhmja e vendit, por edhe një nga resurset më të mëdha për ndërtimin e një shoqërie më të zhvilluar dhe më të qëndrueshme. Marrëveshja e Ohrit na dha një bazë për të jetuar së bashku. Përgjegjësia jonë sot është që këtë bashkëjetesë ta shndërrojmë në bashkëpunim, zhvillim dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Para 25 vitesh, zgjodhëm paqen. Sot, brezi ynë duhet të zgjedhë të ardhmen”.
Nën moton “25 vite dhe përtej”, Qeveria organizoi shënim dy ditorë të Marrëveshjes së Ohrit me aktivitete të ndryshme.
Nga këto organizime, përfaqësuesit e Qeverisë vlerësuan rolin e të gjithë nënshkruesve të Marrëveshjes së Ohrit, si dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian./Tv Koha – Shkup/
Lajme nga vendi
Aksidentohet një çiklist në bulevardin “Bllagoja Toska” në Tetovë
SPB Tetovë njofton se ka ndodhur një aksident në komunikacion në Tetovë, në të cilën është lënduar një person.
Lajme nga vendi
Paralajmërim nga DPHM, moti i lig dhe reshje të rrëmbyeshme pritet të përfshijnë Maqedoninë
Gjatë ditës së sotme dhe gjatë ditëve në vijim, moti në një pjesë të madhe të Maqedonisë së Veriut do të jetë i paqëndrueshëm, me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të përforcuar, paralajmërojnë nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM),
Sipas sinoptikanëve, në disa vende do të kemi erë të fortë të shoqëruar me vetëtimë si dhe paraqitje të mundshme të breshërit.
Nga DPHM bëjnë thirrje për kujdes më të madh, veçanërisht për qytetarët që lëvizin në zonat e hapura dhe drejtuesit e automjeteve, si dhe rekomandojnë ndjekjen e rregullt të njoftimeve dhe paralajmërimeve meteorologjike.
Kujtojmë se era që goditi Shkupin para isa kohëve më 21 korrik, ishte në kategorinë e uraganit, dhjetëra pacientë u pranuan në spitale me lëndime dhe fraktura.
-
Lajme nga vendi2 weeks agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga vendi2 months agoZËRI I GRAVE NË VENDIMMARRJE, ENDE LARG FUQISË SË PLOTË
-
Lajme nga vendi2 months agoZv/kryeministri Bekim Sali: Suedia mbetet mbështetëse e fuqishme e perspektivës sonë evropiane

