Lajme nga vendi
Epopeja e UÇK-së, Ahmeti: Vendosmëria heroike e familjes Jashari përballë barbarisë u bë kushtrim lirie
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, përmes një shkrimi të shpërndarë në rrjetet sociale, ka folur për heroizmin dhe qëndresën e falmijes Jashari, në 26 vjetorin e Epopesë së UÇK-së.
Sipas Ahmetit, me qendresën e tyre, familja Jashari do t’i dëshmonin botës mbarë atdhedashurinë dhe shenjtërinë e lirisë, duke ujitur me gjakun e tyre të pastër përjetësinë e Kosovës sonë.
Shton se ajo vendosmëri e tyre heroike përballë barbarisë u bë kushtrim lirie.
Shkrimi i plotë:
26 vite më parë Jasharajt me heroizmin dhe qëndresën e tyre do t’i dëshmonin botës mbarë atdhedashurinë dhe shenjtërinë e lirisë, duke ujitur me gjakun e tyre të pastër përjetësinë e Kosovës sonë. Ajo vendosmëri e tyre heroike përballë barbarisë u bë kushtrim lirie, ata ranë heroikisht i madh e i vogël për të përcjellur mesazhin e fuqishëm të mosdorëzimit duke na e lënë amanet çlirimin dhe ruajtjen e dinjitetit të tokës ku u lindën dhe u rritën.
Në kujtimin e tyre gjejmë forcën dhe frymëzimin për të vazhduar kauzat kombëtare të përparimit! Lavdi e përjetshme Jasharajve, të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit!
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut përcjell Zhurnal.mk .
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe periudha me diell. Do të ketë jostabilitet lokal me shira të rrëmbyeshëm, bubullima, erëra të forta dhe kushte për stuhi të izoluara me breshër. Do të ketë erëra të dobëta deri në mesatare, dhe përgjatë lumit Vardar herë pas here të forta nga veriu.
Në pjesët perëndimore do të fryjë erë e dobët deri në mesatare, herë pas here e fortë perëndimore. Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 12 deri në 21 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë 27 deri në 33 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe periudha me diell. Në pjesë të luginës do të ketë jostabilitet me shira të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erëra të forta. Temperatura minimale do të bjerë në 17, ndërsa maksimale do të arrijë 30 gradë.
Lajme nga vendi
Dogana kap bizhuteri “Swarovski” me vlerë rreth 5.400 euro
Dogana e Maqedonisë së Veriut ka sekuestruar bizhuteri të markës “Swarovski” me vlerë prej 333 mijë denarësh në Pikën Kufitare të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit, pasi ato u zbuluan gjatë kontrollit të detajuar të një udhëtareje që po hynte në vend.
“Bëhet fjalë për një shtetase të Maqedonisë së Veriut, e cila mbërriti me një fluturim nga Zagrebi. Me qëllim që të shmangte pagesën e detyrimeve doganore, ajo u drejtua në korridorin e gjelbër në vend të atij të kuq. Gjatë kontrollit, udhëtarja deklaroi se nuk kishte asgjë për të paraqitur. Pas skanimit me rreze X dhe kontrollit të bagazhit, u zbuluan 23 copë bizhuteri të markës ‘Swarovski’”, njoftojnë nga Dogana.
Sipas autoriteteve doganore, rasti i është dorëzuar Departamentit të Hetimeve pranë Sektorit për Kontroll dhe Hetime, i cili ka ngritur kallëzim penal për veprën penale “kontrabandë”, e dënueshme sipas Kodit Penal.
Lajme nga vendi
Ministria e Brendshme: U dëmtuan vetura, objekte të ministrive, si dhe 10 persona u lënduan
Ministria e Punëve të Brendshme informon se zyrtarët e policisë janë vazhdimisht në terren dhe po veprojnë sipas të gjitha raporteve që lidhen me pasojat e stuhisë së fortë, në koordinim me institucionet e tjera kompetente. MPB informoi se aktivitetet janë duke u zhvilluar për të siguruar sigurinë publike, pastrimin e dëmeve dhe normalizimin e trafikut dhe funksioneve publike.
Pasojat më të mëdha u regjistruan në zonën e Sektorit për Punë të Brendshme Shkup. Deri në orën 22:00 të djeshme, u regjistruan 117 automjete pasagjerësh të dëmtuara, 35 çati të dëmtuara, 189 pemë të rrëzuara, shtatë semaforë të dëmtuar, pesë zjarre dhe 10 persona të lënduar.
“Stuhia shkaktoi dëme edhe në disa institucione shtetërore dhe objekte me rëndësi jetike. Dëme u regjistruan në objektet e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, kompleksin “Vili Vodno”, Bazën Policore të Aeroportit Petrovec, ndërtesën “Nova Makedonija”, si dhe në objektet e Ministrisë së Financave, Ministrisë së Bujqësisë dhe Prokurorisë Publike”.
“Në Kumanovë u raportuan nëntë automjete të dëmtuara dhe tre çati të dëmtuara, ndërsa pesë raste u regjistruan në zonën e SPB Tetovë – tre automjete të dëmtuara dhe dy struktura çatie të dëmtuara. Në Gostivar nuk u raportuan dëme ose persona të lënduar”.
“Në zonën e SPB Veles u regjistruan dy automjete të dëmtuara për shkak të pemëve të rrëzuara, ndërsa në Shtip u raportuan 14 makina të dëmtuara dhe gjashtë çati të dëmtuara”.
“Në Strumicë, erërat e forta rrëzuan shtylla elektrike në fshatrat Dobroshinci dhe Gradosorci, gjë që shkaktoi edhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në fshatin Svidovicë”.
“Nuk u regjistruan pasoja të mëdha në rajonin e Manastirit, përveç një ere të fortë afatshkurtër në zonën e Makedonski Brod, pa dëme materiale”, thanë nga MPB.
Ministria e Brendshme njoftoi se ekipet e policisë mbeten në terren dhe vazhdojnë të pastrojnë pasojat dhe të sigurojnë sigurinë e qytetarëve. përcjell Zhurnal.mk .

