Lajme nga vendi
BDI: Akuzat e opozitës për krizë janë porosi ruse, BDI organizon zgjedhje të lira dhe demokratike
Lufta hibride dhe shkaktimi i panikut te elektorati shqiptar sa vjen e shtohet edhe më shumë.
Së fundmi, opozita shqiptare e koordinuar me VMRO-DPMNE-në dhe Levicën e Apasievit po frikësojnë shqiptarët, duke akuzuar Bashkimin Demokratik për Integrim se është e gatshme të shkaktojë krizë politike.
Akuza të njëjta dhe shpërndarje të dezinformatave po dëgjojmë çdo ditë edhe nga VMRO-DPMNE dhe derivatet e saj.
Të vetëdijshëm për humbjen e thellë nga Bashkimi Demokratik për Integrim, koalicioni “PO Europës, JO Rusisë” dyshon se koalicioni i përbërë nga derivatet e BDI-së tashmë e ka përgatitur skenarin në shërbim të VMRO-DPMNE-së dhe Levicën për të mos e pranuar rezultatin zgjedhor dhe me këtë, duke shkaktuar destabilizim dhe huti në opinion, në shërbim të Rusisë.
Në këtë drejtim ishin deklaratat e mëparshme se “opozita do të bojkotojë zgjedhjet”, që sot të akuzojnë se “BDI po përgatit destabilizim”.
Por, megjithë përpjekjet e opozitës, opinioni e di se kur BDI ka organizuar zgjedhje në këto 23 vite, të njëjtat kanë qenë të lira, demokratike dhe të pranuara ndërkombëtarisht.
Njëherësh, apelojmë deri te qytetarët që të mos bien pre e lajmeve të rreme dhe luftës speciale që nxit gjuhën e urrejtjes, rrezikojnë rrugën euro-integruese të vendit, si dhe ndihmojnë politikat destabilizuese ruse në vend. Republika e Maqedonisë së Veriut e ka të qartë të ardhmen e saj – e ajo është integrimi i plotë në Bashkimin Europian.
Bashkimi Demokratik për Integrim
Lajme nga vendi
FILIPÇE: GATI PËR ZGJEDHJE – POR “JO” SI ALIBI I MICKOSKIT!
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi se LSDM-ja është e gatshme për zgjedhje, madje edhe nëse ato do të mbaheshin menjëherë.
Ai potencoi se LSDM-ja nuk do të jetë alibi e Mickoskit për zgjedhje të parakohshme, duke vënë në dukje se kryeministri ka shumicë prej dy të tretash dhe mund të marrë vetë vendim për shpalljen e zgjedhjeve.
“Ne nuk do të jemi alibi për zgjedhjet e parakohshme të kryeministrit Hristijan Mickoski. Është e qartë se i vetmi parametër që e shtyn të kërkojë zgjedhje është fakti se nuk ka më para në buxhet për tenderët e tij kriminalë. Tani nuk ka as nga ku të marrë hua kaq lehtë, sepse mentori i tij Orban nuk është më në pushtet dhe nuk ka nga ku të marrë para kineze. Ne jemi të gatshëm për zgjedhje. Nëse mbahen nesër, ne jemi të gatshëm që nesër, edhe me ekipin, edhe me programin, me master-planin për Maqedoninë dhe marrëveshjen me qytetarët, të cilën do ta prezantoj gjatë shtatorit”
Filipçe, paralajmëroi gjithashtu se në prag të zgjedhjeve të ardhshme po forcohet makineria propagandistike e pushtetit përmes blerjes së mediave dhe hyrjes së strukturave mediatike serbe në Maqedoni.
“Dhe tani, në gjithë këtë situatë, kur duket qartë se po përgatiten për zgjedhje, pavarësisht nëse do të jenë të parakohshme, përveç mediave që ky pushtet tashmë i ka, 40 për qind e numrit të përgjithshëm të mediave në vendin tonë janë nën kontrollin e njerëzve të afërt me Orbanin, ndërsa tani po përgatitet të hyjë edhe artileria e rëndë propagandistike serbe, në krye me ‘Alo Media’”
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi gjithashtu se bashkimi i opozitës mund të bëhet vetëm rreth politikave të qarta proevropiane dhe Frontit për të Vërtetën dhe Drejtësinë, ndërsa siç tha, “Levica” fillimisht duhet të heqë dorë nga politikat e saj proruse dhe nga Hristijan Mickoski./Tv Koha/
Lajme nga vendi
Naser Zenuni, kandidat i mundshëm për kryetar të Bërvenicës?!
Emri i Naser Zenunit është lakuar ditëve të fundit si një nga kandidatët e mundshëm për kryetar të Komunës së Bërvenicës në zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet të mbahen më 18 tetor.
Zenuni, i cili vjen nga dega e Lidhjes Shqiptare (LSH) në Bërvenicë, ditë më parë ka bërë një postim publik ku ka paralajmëruar përfshirjen në garën për komunën, duke shkruar: “Guxim për të nisur atë që Bërvenica e pret prej kohësh.”
Megjithatë, deri më tani nuk ka një qëndrim zyrtar nga Lidhja Shqiptare e Ziadin Selës nëse Zenuni do të jetë kandidati i kësaj partie apo nëse LSH do të mbështesë një kandidat të përbashkët shqiptar.
Nga ana tjetër, në deklarimet e tij publike, Ziadin Sela ka theksuar nevojën që Bërvenica të fitohet nga një kandidat shqiptar dhe se vota shqiptare nuk duhet të përçahet. Edhe nga LSH është përcjellë qëndrimi se synimi duhet të jetë unifikimi i subjekteve shqiptare për të shmangur një garë që do ta favorizonte kundërshtarin.
Në këtë situatë, mbetet e hapur nëse Naser Zenuni do të zyrtarizohet si kandidat i LSH-së apo nëse partitë shqiptare do të arrijnë një marrëveshje për një kandidat të përbashkët për kryetar të Bërvenicës.
Ndërkohë, BDI tashmë ka zyrtarizuar Arkin Jahijin si kandidat për këtë komunë./tetova1
Lajme nga vendi
Në Tetor hapet segmenti më i vështirë i Korridorit 8 – nga Izvori deri në Vrbjan
Ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski njoftoi se kur do të jetë në funksion i gjithë autostrada Kërçovë–Ohër
Segmenti më kompleks i autostradës Kërçovë–Ohër, nga Izvori deri në Vrbjan, pritet të vihet në përdorim në tetor, ndërsa e gjithë lidhja rrugore, sipas paralajmërimeve të Nikolloskit, duhet të jetë në funksion në tremujorin e parë të vitit 2027.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, është i kënaqur me realizimin e autostradës Ohër–Kërçovë dhe pret që të përmbushet premtimi që i gjithë segmenti të vihet në funksion në tremujorin e parë të vitit 2027.
Sipas Nikolloskit, në shtator pritet të paralajmërohet edhe fillimi i ndërtimit të autostradës Kërçovë–Bukojçan, në gjatësi prej rreth 12 kilometrash, e cila duhet ta lidhë Qafën e Strazhës me autostradën Ohër–Strugë–Kërçovë.
– Sa i përket pjesës më të vështirë të autostradës Ohër–Kërçovë, nga Izvori deri në Vrbjan, dy galeri janë përfunduar plotësisht, e treta është realizuar në masën 70 për qind, ndërsa e katërta rreth 50 për qind. Në tunele po vendosen softuerë, sisteme sinjalizimi për monitorimin e trafikut dhe paralajmërim të hershëm për zjarre, sisteme të ventilimit, si dhe një qendër supermoderne të kontrollit – tha ministri.
Nikolloski pret që në tetor kjo pjesë më e vështirë e autostradës të vihet në funksion. Më pas do të mbetet të zgjidhet edhe pjesa te Botuni, ndërsa në tremujorin e parë të vitit 2027 autostrada pritet të jetë plotësisht funksionale.

