Lajme nga vendi
Osmani: Do të punoj për heqjen e vizave me SHBA-në
Kandidati për President nga Fronti Europian, Bujar Osmani zotohet se do t’i përfundojë iniciativat e nisura në kuadër të Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë edhe liberalizimin e vizave.
“Këtë proces e kemi nisur dhe besoj se shumë shpejt do të arrijmë të bëhemi pjesë e Global Entry Program. Ajo që do të jetë më e komplikuar do të jetë Visa Weiver, ose heqja e tërësishme e vizave me SHBA. Kjo nënkupton miratimin e disa ligjeve të reja dhe të bie përqindja e vizave të refuzuara. Prandaj kam formuar një trup ndër-resorial në nivel të Qeverisë, të cilin e kam udhëhequr si Ministër i Jashtëm, por mendoj si President ta ngre në nivel të presidencës dhe ta udhëheq nga roli i Presidentit, që të mundem me autoritetin e Presidentit t’i miratojmë më shpejtë të gjitha masat që do të na bëjë të përgatitur që në SHBA të ecim pa viza” u zotua Osmani.
Përskaj konsensusit për çështjen e integrimit në Bashkimin Europian, Osmani u zotua se do t’i mbledhë të gjithë aktorët politik në vend për të arritur konsensus rreth partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Një prej konsensuseve më të rëndësishme shtetërore do të jetë arritja e konsensusit për partneritetit të afërt me SHBA. SHBA janë të pa-alternativë sa i takon sigurisë tonë, harmonisë ndër-etnike, marrëdhënieve fqinjësore dhe ambicjeve tona euroatlantike. Pas çdo suksesi të shtetit tonë të përbashkët qëndrojnë SHBA dhe përpjekjet e tyre. Ata janë arsyeja pse ky shtet është sot stabil, pse ky shtet ëshët sot multi-etnik dhe funksional, pse ky shtet është në NATO, ky shtet është në paqe dhe në zhvillim ekonomik dhe në rrugë për anëtarësim në BE” tha Osmani.
Në këtë kontekst, Osmani e vlerësoi si të rrezikshëm të folurit publikisht nga oponentët politik për prishjen e partneritet me SHBA-të, Marrëveshjen e Prespës dhe atë të Miqësisë me Bullgarinë, gjë që sipas Osmanit, vendin do të shndërronin në siç tha “zorrë qorre e Ballkanit, ku as nuk do hyjë e as nuk do të dalë askush”.
Në diskutimin e sotëm të hapur me temë “Përforcimi i partneriteteve strategjike me SHBA dhe BE dhe etablimi adekuat ndërkombëtar përmes politikës së jashtme”, Osmani mes tjerash paralajmëroi një karavan ekonomik me të gjitha odat ekonomike në SHBA, disa herë në vit, me qëllim lidhjen e bizneseve tona me bizneset amerikane, tërheqjen e investitorëve amerikanë për të investuar në vendin tonë dhe eventualisht ofrimin e mundësive që biznesmenët tanë të investojnë në territorin e SHBA-së. Në debatin publik, me fjalime morën pjesë edhe Zëvendës kryenegociatoria me BE-në dhe sekretare shtetërore në Sekretariatin për Çështje Evropiane, Drita Abdiu-Halili, ish-ambasadori, Enver Abdullahi dhe profesori universitar, Pajtim Saiti.
Lajme nga vendi
ÇARSHIA E SHKUPIT NIS TË FRYMOJË ME TINGUJT E FESTIVALIT NDËRKOMBËTAR TË MUZIKËS
Sonte në Çarshinë e Shkupit, fillon edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar i Muzikës “Çarshia”. Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti tha se festivali do të ketë program të larmishëm duke filluar nga muzika klasike, opera, flamengo po edhe zhanre të tjera.
Mexhiti zbuloi se qëllimi i Komunës është që ky festival të bëhet tradicional dhe të organizohet për çdo vit.
Çarshia e Vjetër ka qenë gjithmonë një vend takimi i kulturave, njerëzve dhe historisë. Pikërisht për këtë arsye besojmë se është vendi i duhur që edhe arti të marrë një rol më të madh në jetën publike dhe të krijojë një lidhje të natyrshme mes trashëgimisë sonë dhe krijimtarisë bashkëkohore. Ne besojmë se investimi në kulturë është po aq i rëndësishëm sa investimi në çdo fushë tjetër të zhvillimit të qytetit.
Ministri i Kulturës, Sedat Sulejmani tha se mbështet dhe do të vazhdojë të mbështesë nisma të këtilla. Sipas Sulejmanit, pas Verës Tetovare, Festivali Çarshia bën që vendbanimet shqiptare të frymojnë në ritmin e kulturës, artit dhe trashëgimisë tonë kombëtare.
Kjo ka një domethënije të veçantë për arsye se do të jetë edhe si urë lidhëse mes kulturës sonë tradicionale dhe asaj bashkëkohore. Unë si ministër i Kulturës dhe Turizmit do të jemë gjithmonë në përkrahje të iniciativave të kësaj natyre dhe shpresoj që gjithmonë bashkarisht kështu do të korrim suksese të mëdhaja.
Në organizimin e Festivalit “Çarshia” ka ndihmuar edhe Inva Mula, njëra nga sopranot shqiptare me famë ndërkombëtare e cila tha se me këtë festival hapet një rrugë e re e artit, dijes dhe bashkëpunimit të paqes. Njoftoi se në këtë festival do të ketë artistë shqiptarë dhe jo vetëm, sipas saj, do të ketë artist nga Spasnja, Franca dhe jo vetëm.
Kjo them se është edhe do të thoja se është gjëja më e bukur që mund të ndodhi sot në Çarshi. Në këtë vënd që ju e thatë shum bukur, që flet me traditë, flet me një histori të lashtë dhe ne po përjetojmë, emocione dhe do të përjetojmë me artistët, e këto emocione të cilat janë të trashëguara dhe ne duhet t’i mbajmë të ndezura.
Festivali do të zhvillohet në dy prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Çarshisë edhe atë në Suli Han dhe Kurshumli Han dhe nga sonte, i njejti do të zgjasë deri më 26 korrik. Tv Koha
Lajme nga vendi
Mickoski: Qeveria do t’i dëmshpërblejë qytetarët që pësuan dëme nga moti i keq në Shkup
Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur sot pyetjes gazetareske lidhur me atë se a do të dëmshpërblehen qytetarët për dëmet e shkaktuara nga moti i keq në Shkup, deklaroi:
“Sa i përket dëmshpërblimit të qytetarëve që pësuan dëme nga moti i keq, mund të them se komunat dhe institucionet në kuadër të tyre formojnë komisione. Qytetarët që kanë pësuar dëme duhet t’i paraqesin ato pranë këtyre komisioneve. Komisionet do të bëjnë vlerësimin e dëmeve dhe më pas do t’i dorëzojnë raportet në Komitetin për Vlerësimin e Dëmeve, i cili do t’ia përcjellë Qeverisë, ndërsa ne, në përputhje me ligjin dhe praktikën, do të ndërhyjmë dhe do t’i dëmshpërblejmë të gjithë qytetarët që kanë paraqitur dëmet e tyre. Apeloj te të gjithë qytetarët që kanë pësuar dëme t’i paraqesin ato, në mënyrë që Komisioni të dalë në terren, t’i konstatojë dëmet dhe Qeveria të marrë specifikimin e tyre, që të mund t’i dëmshpërblejmë.”
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 22 Korrik
Dje në orën 17:40 në rrugën “JNA” në Gostivar, zyrtarë policorë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria dy 27-vjeçarë, të dy nga Gostivari. Gjatë kontrollit është gjetur një lëndë e bardhë pluhur dhe një kartëmonedhë prej 1000 denarësh me mbetje të lëndës së bardhë. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre do të dorëzohen kallëzimet përkatëse.
……Pas mesnate në orën 02:55, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 23 vjeçar nga fshati Nerasht dhe një 27-vjeçar nga fshati Bozovcë. Ata janë zënë në kryqëzimin mes rrugës “Boris Kidriç” dhe rrugës “Bllagoja Toska” në Tetovë duke prishur rendin dhe qetësinë publike me përleshje fizike mes vete. Gjatë kontrollit te njëri prej tyre janë gjetur katër paketime me marijuanë dhe ai është ndaluar në stacionin policor për procedurë të mëtejshme. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj të dyve do të dorëzohen parashtresat përkatëse.
……Dje në orën 22:35 në rrugën “Jasht Vardarit” në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 47-vjeçar nga Tetova për shkak të dyshimit për vepër të kryer penale “cenimi e sigurisë” sipas nenit 133 të Kodit Penal. Sipas të denoncuarës, më 21.07.2026 rreth orës 18:15 në rrugën “107” në Tetovë, ai me pistoletë i është kërcënuar një 43-vjeçari nga Tetova. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Pas mesnate në orën 00:10 në rrugën “Major Çede Filipovski” në Gostivar, zyrtarë policorë kanë privuar nga liria një 28-vjeçar nga Gostivari. Ai pa leje ka marrë një automjet zyrtar të udhëtarëve “Citroen” me targa të Gostivarit në pronësi të Kryqit të Kuq, ku shërbente si vullnetar, dhe me automjetin ka goditur disa automjete të parkuara. Gjatë kontrollit është konstatuar se ai e drejtonte automjetin pa pasur leje drejtimi, përkatsishtë pa patentë shoferi. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje rreth orës 14:00 në një hapësirë parkingu në rrugën “Bllagoja Toska” në Tetovë, zyrtarë policorë kanë privuar nga liria një të mitur 16-vjeçar nga fshati Poroj. Paraprakisht, ai pa leje drejtimi ka drejtuar automjetin e udhëtarëve “Smart” me targa të Tetovës dhe me automjetin ka qenë i përfshirë në një aksident komunikacioni. Automjeti është konfiskuar dhe ndaluar në stacionin policor, ndërsa biseda zyrtare me të është kryer në prani të inspektorit për delikuencë të të miturve dhe kujdestarit të tij. Pas dokumentimit të rastit, ndaj personit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
……Pas mesnate në orën 02:00 te Pikëpagesa rrugore Zhelinë, zyrtarë policorë kanë privuar nga liria një 20-vjeçar nga fshati Cerovë. Gjatë kontrollit të komunikacionit është konstatuar se ai po drejtonte automjetin e udhëtarëve “Volksëagen Golf” me targa të Tetovës pa leje drejtimi. Automjeti është konfiskuar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje në orën 15:15 në SPB Tetovë, një 42-vjeçare nga rajoni i Tetovës ka denoncuar se është mashtruar nga një person nga Shkupi, pronar i një firme për transport, për shumën prej 700 frangash zvicerane. Sipas të denoncuarës, ata paraprakisht në një rrjet social se kishin rënë dakord që personi t’i sillte një automjet “Volksvagen Polo” nga Zvicra, pas së cilës ai i ka paguar paratë, por automjeti as nuk i është dërguar dhe as nuk i janë kthyer paratë. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
……Dje në orën 11:30 në DPB Gostivar, një 47-vjeçar nga Gostivari, drejtues i një personi juridik, ka denoncuar se ndërmarrja e tij është mashtruar nga një person nga Gostivari për shumën prej 110.700 denarësh. Sipas denoncimit, personi ishte zgjedhur në një shpallje për punësim në firmë, pas së cilës ka kërkuar hua për mbulimin e detyrimeve të mëparshme dhe i janë transferuar paratë, por ai ka refuzuar të fillojë punën dhe i ka ndërprerë të gjitha kontaktet pa i kthyer paratë. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
……Dje në orën 10:00 në SPB Tetovë, një 81-vjeçar nga një fshat i Tetovës ka denoncuar se më 20.07.2026 në shtëpinë familjare, pas një mosmarrëveshjeje të shkurtër, është sulmuar fizikisht nga djali i tij 40-vjeçar. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
……Dje në orën 08:10 në DPB Gostivar, një 21-vjeçare nga një fshat i Gostivarit ka denoncuar se, pas një mosmarrëveshjeje paraprake në shtëpinë familjare, bashkëshorti i saj kundërligjshëm dhe pa pëlqimin e saj ka marrë fëmijën e tyre 10-muajsh për në Zvicër. Për rastin janë njoftuar shërbimet kompetente dhe Qendra për Punë Sociale në Gostivar për zbardhjen e plotë të rastit.
Dje rreth orës 16:30 në SPB Tetovë është denoncuar se në zonën mes fshatrave Pirok dhe Gradec ka shpërthyer një zjarri i cili ka përfshirë një sipërfaqe të madhe me grurë. Zjarri është shuar tërësisht nga ekipi i Njësive Territoriale Kundër Zjarrit Tetovë dhe Bogovinë si dhe nga popullata lokale. Këqyrjen në vendngjarje e ka kryer një ekip nga SPB Tetovë.

