Numri i personave që kanë humbur jetën në aksidente trafiku është ulur për rreth 29 për qind, krahasuar me dy vitet paraprake, njoftoi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Një numër i madh funksionarësh, ministrash, drejtorësh dhe personash nga institucionet fetare kanë qenë në listën e të ndëshkuarve për kundërvajtje në trafik, pasi janë regjistruar nga sistemi “Qytet i Sigurt”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se kishte pasur ndërhyrje për anulimin e gjobave, por ato kanë pushuar pas reagimit të tij të ashpër.
Kundërvajtjet në trafik, sipas tij, janë bërë si me automjete zyrtare, ashtu edhe me ato private, por të gjitha gjobat janë paguar.
Sipas tij, “Safe City” ka ulur ndjeshëm aksidentet me epilog fatal në trafik.
PANÇE TOSHKOVSKI – Ministër i Brendshëm
“Në 15 vitet e fundit në rrugët e Maqedonisë kanë humbur jetën 2.131 persona mesatarisht 142 persona në vit. Gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti, në aksidente trafiku kanë humbur jetën 85 persona, kundrejt 117 viktimave në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 119 në vitin 2024.Bëhet fjalë për një ulje prej rreth 29 për qind”
Ministria e Punëve të Brendshme, me projektin “Qytet i Sigurt”, ka fituar vendin e parë në kategorinë “Përsosmëri në Sigurinë e Trafikut” në Samitin Botëror të Policisë, të mbajtur në Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe, tha Ministri Toshkovski.
Projekti i Maqedonisë së Veriut u përzgjodh si më i miri në konkurrencë me Policinë e Singaporit, Policinë e Abu Dhabit, Drejtorinë e Rrugëve dhe Transportit të Dubait dhe shërbimin policor të shtetit indian Maharashtra.