Lajme nga vendi
Kurban Bajrami, qytetarët ankohen për çmimet e larta
Një ditë para festës së Kurban Bajramit, kështu dukej sot tregu i Bitpazarit.. Qytetarë të shumtë kanë lënë që përgatitjet e fundit për bajram t’i bëjnë një ditë para festës. Tregu është i mbushur plot, por qytetarët gjithnjë e më shumë shkurtojnë listën e blerjeve për shkak të çmimeve të larta. Thonë se blejnë vetëm gjërat e domosdoshme.
“Çmimet e ditur është, 80 denarë domatet, 120 denarë specat. Për rroba mos të flasim më, një këmishë atje 1000 denarë, nuk arrihen…Kemi mar diçka diçka, për fëmijët kemi marrë diçka sa kemi pas mundësi”, tha një qytetar.
“Në tavan janë çmimet sot, shtrenjtë.
Çfarë keni blerë?
Asgjë, nga një kilogram, gjysmë kilogrami, s’ka të holla më shumë. Shumë shtrenjtë. Dje ka qenë më lirë, sot janë më shtrenjtë.. S’ka aty, një pension e merr 12 mijë denarë a një kilogram speca 120 denarë”, shtoi një qytetar tjetër.
“Çmimet mos pyet, katastrofë…
-A i keni marë gjërat e zakonshme?
Disa gjëra po, disa jo, pasi çmimet janë të larta, rrogat e vogla, ky është problemi..
-A ju keni marrë fëmijëve për këtë vit?
Jo fëmijëve këtë vit jo, nuk arrihe”, shtoi një qytetar tjetër.
Se çmimet janë të larta pajtohen edhe disa nga shitësit, ata thonë se po punojnë me fitim minimal, por kërkesa gjithnjë e më shumë po zvogëlohet dhe shkak për këtë, sipas tyre, janë të ardhurat e ulëta të qytetarëve.
“ Po ankohen se s’kanë, rrogat janë të dobëta dhe për atë shkak ata ankohen. Çmimet sipas standardit që e kemi, janë të larta, por nuk kemi ku shkojmë. Ne përqindjen më të ulët të fitimit që e kemi në treg, nuk është askund tjetër përqindje më e ulët. Çfarë të bëjmë ”, tha një shitës.
“Çmimet janë të volitshme, si gjithë bajramët e tjera. Shitje ka, interesimi është i madh. Pa bakllavë nuk ka bajram, nuk janë shumë çmimet e shtrenjta, bakllava është shitur e gjitha, edhe kadaif na ka mbet, por besoj se edhe kadaifi do të harxhohet..Një kilogram bakllavë është 200 denarë, edhe një kilogram kadaif është 200 denarë”, theksoi një shitës tjetër.
Kurban Bajrami është një nga dy festat e besimtareve mysliman. Kjo festë ndryshe njihet edhe si festa e flijimit, ku sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e profetit Ibrahim që të flijojë djalin e tij si vepër e nënshtrimit ndaj urdhërit të Zotit. Në këtë festë besimtarët myslimanë therrin një kafshë të cilën e ndajnë në tri pjesë, familja mban njërën, njërën ndajnë me të afërmit shokët dhe fqinjët, ndërsa pjesën e tretë e ndajnë me të varfërit dhe nevojtarët./Alsat.mk
Lajme nga vendi
Miratohet buxheti i Tetovës, mbi 17 milionë euro për projekte kapitale
Me 27 vota pro, Këshilli Komunal ka miratuar buxhetin e Komunës së Tetovës për vitin 2026. Propozim-buxheti kap vlerën mbi 44 milionë euro, nga të cilat rreth 17 milionë euro janë të dedikuara për projekte kapitale. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, theksoi se buxheti për vitin 2026 është më i madh krahasuar me vitin paraprak dhe se bëhet fjalë për një buxhet zhvillimor.
“Për herë të parë, rreth 40 për qind e buxhetit është e dedikuar për investime kapitale. Në buxhetet e mëparshme, 70 deri në 80 për qind shkonin për paga dhe shpenzime operative. Ky buxhet parasheh ndërtimin e shkollave të reja, pishina, rrugë, kanalizim, ujë të pijshëm dhe projekte të tjera në interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve”, deklaroi Kasami.
Ai sqaroi se janë paraparë mbi 200 mijë euro për projektimin dhe depërtimin e një rruge të re në fshatin Shipkovicë, e cila do të jetë pjesë e lidhjes rrugore Tetovë-Prizren.
“Në Shipkovicë do të ndërtohet një qarkore, në mënyrë që rruga të mos kalojë përmes fshatit, pasi rruga ekzistuese nuk i plotëson kushtet. Janë ndarë mbi 200 mijë euro për projektimin dhe depërtimin e kësaj qarkoreje. Segmenti nga Tetova deri në Shipkovicë i plotëson kushtet, ndërsa pjesa nga Shipkovica drejt fshatrave të tjera do të zgjerohet”, shtoi Kasami.
Këshilltari nga Lista Më Mirë për Tetovën, Agron Arifi, kritikoi disa zëra të buxhetit, duke theksuar se në të janë përfshirë mjete për rrugë që, sipas tij, janë realizuar gjatë fushatës zgjedhore.
“Bëhet fjalë për projekte që janë realizuar gjatë vitit 2025 dhe që do të paguhen nga buxheti i vitit 2026. Gjithashtu, kemi punësime me kontrata në Komunën e Tetovës, me një vlerë rreth 570 mijë euro. Propozova një amendament për rregullimin e fushës sportive në Gjimnazin ‘Kiril Pejçinoviç’, por nuk u pranua me arsyetimin se aty do të ketë investim privat”, tha Arifi.
Gjatë seancës, këshilltarët e Aleanca Kombëtare për Integrim akuzuan se edhe për vitin 2026 është paraparë një buxhet i konsiderueshëm për punësime, të cilat i cilësuan si punësime të militantëve partiakë. Këto akuza u hodhën poshtë nga kryetari Kasami, i cili deklaroi se në Komunën e Tetovës askush nuk merr pagë pa kryer punë. Po ashtu, këshilltarët e AKI-së kërkuan që të ndahen mjete edhe për rrugën në fshatin Gajre, duke theksuar se ajo është lënë në harresë dhe ndodhet në gjendje të rënduar infrastrukturore./TV KOHA/
Lajme nga vendi
Adnan Azizi: Puna, ndryshimi dhe transformimi i Tetovës kanë emër – Bilall Kasami
Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar me një mesazh publik lidhur me përurimin e bulevardit të ri në Tetovë, duke vlerësuar lart punën e kryetarit të Komunës, Bilall Kasami.
Në reagimin e tij, Azizi thekson se puna, ndryshimi dhe transformimi i Tetovës janë të lidhura drejtpërdrejt me emrin e Bilall Kasamit, të cilin e cilëson si “kryetarin më të suksesshëm të të gjitha kohërave”.
“Urime bulevardi i ri të gjithë qytetarëve”, ka shkruar deputeti Azizi, duke nënvizuar se projektet infrastrukturore janë dëshmi konkrete e angazhimit për zhvillimin e qytetit dhe përmirësimin e jetës së përditshme të banorëve të Tetovës.
Sipas tij, investimet e realizuara në infrastrukturë po e shndërrojnë Tetovën në një qytet më funksional, modern dhe të denjë për qytetarët e saj, ndërsa përurimi i bulevardit të ri paraqet një hap të rëndësishëm në këtë drejtim.
Lajme nga vendi
Nënshkruhet Marrëveshja për hua me BERZH-in me vlerë 20.9 milionë euro – do të furnizohen lokomotiva elektrike për HRMV Transport
Një marrëveshje për hua midis HM Transport dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vlerë prej 20.9 milionë euro është nënshkruar sot në Qeveri. Me huanë do të do të furnizohen lokomotiva elektrike me pjesë rezervë, ndërsa qëllimi është transport më i madh i mallrave dhe gjenerimi i të ardhurave për ndërmarrjen.
Siç u tha para nënshkrimit, projekti është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të HM Transport, si dhe drejt përmirësimit të sigurisë dhe efikasitetit të transportit hekurudhor të mallrave.
Kushtet nën të cilat u siguruan mjetet – një periudhë afatgjatë e shlyerjes, një periudhë e favorshme grejs dhe një normë interesi konkurruese, janë në përputhje të plotë me strategjinë për menaxhim të përgjegjshëm të borxhit publik dhe sigurimin e financave publike të qëndrueshme.
“Sot po flasim për diçka që është lënë pas dore me dekada, por që është me rëndësi thelbësore për ekonominë, eksportin dhe të ardhmen evropiane të Maqedonisë, dhe kjo është hekurudha. Gjendja që trashëguam ishte katastrofike. Deri vonë, HM Transport nuk kishte asnjë lokomotivë plotësisht funksionale”, nënvizoi kryeministri Hristijan Mickoski, sipas të cilit kjo është një ripërtëritje sistematike e sektorit hekurudhor.
Mickoski informoi edhe se Marrëveshjes për hua i parapriu një analizë e nevojave, funksionalitetit dhe operueshmërisë së HM Transport.
Sipas zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit Aleksandar Nikolloski dhe ministres së Financave Gordana Dimitrieska-Kochoska, nënshkrimi i Marrëveshjes është një hap kyç për transformimin e plotë të HRMV Transport në një ndërmarrje moderne që do t’u përgjigjet nevojave të klientëve të saj.
“Lokomotivat e reja do ta ndryshojnë plotësisht pamjen dhe, së bashku me ato ekzistuese, do të jenë në gjendje t’i shërbejnë plotësisht transportit”, tha Nikolloski.
Ministrja Dimitrieska-Koçoska theksoi se Marrëveshja për hua është rezultat i negociatave intensive dhe konstruktive dhe është një konfirmim i besimit që institucionet financiare ndërkombëtare kanë në politikat tona dhe në drejtimin në të cilin po lëviz vendi.
“Me ngjarjen e sotme dhe nënshkrimin e Marrëveshjes për borxh për financimin e projektit “Rinovimi i flotës së mjeteve” drejtpërdrejtë investojmë në rritjen e kapaciteteve dhe efikasitetit të Hekurudhave të Republikës së Maqedonisë – Transport SHA Shkup, përmes furnizimit të lokomotivave të reja të cilat do të mundësojnë vëllim dhe siguri më të madhe në transportin hekurudhor transportues. Kjo do të thotë lidhshmëri më e mirë, konkurrencë më e madhe e ekonomisë vendore dhe mundësi të reja për gjenerimin e të ardhurave. Veçanërisht është e rëndësishme që projekti përfshin edhe vendosjen e sistemit bashkëkohor ERP, me të cilin krijohet bazë për menaxhim më të mirë me burimet, efikasitet të rritur operativ dhe nivel më të lartë të menaxhimit korporativ në sektorin hekurudhor”, theksoi ministrja.
Ky është një shembull, shtoi, i një qasjeje të integruar – jo vetëm investime në infrastrukturë, por edhe forcim institucional dhe menaxhues.
Në nënshkrim, përveç përfaqësuesve të BERZH-it, morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Transportit dhe menaxhmentit të HRMV Transport.

