Lajme nga vendi
Kuvendi i RMV-së përkujton gje’nocidin në Srebrenicë, Gashi: Gjenocidi i para 29 viteve nuk duhet harruar e as nuk guxon të përsëritet
Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut është shënuar Dita e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në fjalimin e tij tha se gjenocidi në Srebrenicë prej para 29 vjetësh është ende i freskët në memorien kolektive.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë fjalimin e Gashit.
Këtë vit u mblodhëm sërish në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për ta shënuar Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë – ngjarja e tmerrshme që na e kujton çdo ditë brishtësinë, por edhe vlerën e paçmueshme të paqes, sundimin e ligjit, bashkëjetesën, demokracinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Sidomos të drejtën themelore të njeriut për jetë, e cila u shkel në mënyrë kriminele në verën e vitit 1995, kur në vetëm disa ditë u shuan mijëra jetë dhe mijëra familje i kaploi zia.
Paqja, sundimi i së drejtës, bashkëjetesa, demokracia dhe respektimi i të drejtave të njeriut janë vlera kruciale që të gjitha shoqëritë e qytetëruara dhe demokratike duhet t’i ruajnë, kultivojnë dhe përmirësojnë në epokën e globalizimit, kur nga rrethi ynë më i afërt, por edhe më i largët, ende vijnë lajme shqetësuese për përplasje ushtarake.
Në emër të deputetëve në Kuvend dhe në emrin tim personal u shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë anëtarëve të familjeve të tyre, qytetarëve dhe institucioneve të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe bashkëqytetarëve tanë boshnjakë.
Gjenocidi në Srebrenicë prej para 29 vjetësh është ende i freskët në memorien kolektive, veçanërisht në mesin e qytetarëve të këtyre hapësirave.
Në korrik të vitit 1995, për vetëm disa ditë, u vranë më shumë se tetë mijë boshnjakë, nga mosha gjashtë mujore deri në 90 vjeç, në një nga krimet më të mëdha në territorin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore. Mijëra familje mbetën pa djem, baballarë, vëllezër, motra, nëna… Me qindra mbiemra të njëjtë apo të ngjashëm të shkruar në pllakat e mermerit në Potoçari janë dëshmitarë të heshtur të ekzekutimit të brezave të tërë në një familje.
Me mijëra nëna nga Srebrenica, pas luftës, u kthyen në shtëpitë e tyre të zbrazëta dhe të shkatërruara, për të qenë pranë varreve të të afërmve të tyre, ndërsa mijëra viktima të gjenocidit ende po gjurmohen nëpër varreza masive dytësore apo terciare në zona të ndryshme të atij rajoni.
Kjo është arsyeja pse ne nuk duhet që t’i shmangemi asaj që ta quajmë këtë akt tragjik të gjakderdhjes masive me emrin e vërtetë – gjenocid. Dhe gjenocidi nuk është një ngjarje që ndodh spontanisht dhe që ndodh vetvetiu. Ai ka autor, është një aksion i planifikuar dhe i organizuar, me qëllim të shfarosjes dhe shkatërrimit të tjetrit, në këtë rast të boshnjakëve nga Bosnja dhe Hercegovina.
Kjo ishte arsyeja që Maqedonia e Veriut, së bashku me shumicën e vendeve të organizatës botërore, para do kohe e mbështeti Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me të cilën dënohet mohimi i gjenocidit dhe glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe me të cilën shpallet 11 Korriku si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
Kjo Rezolutë, siç theksuan propozuesit e saj, nuk është e drejtuar kundër askujt në veçanti, por u referohet vetëm autorëve të gjenocidit, të cilët gjithsesi janë të njohur përgjithësisht, kurse për disa tashmë janë ekzekutuar aktgjykime ndërkombëtare për krime lufte.
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut çdo vit e shënon Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit nga viti 1995, pasi në vitin 2010, me Deklaratë, u mbështet Rezoluta e Parlamentit Evropian për Srebrenicën.
Kjo është mënyra jonë për shprehje të respektit për jetët e humbura në mënyrë të dhunshme, ngushëllime ndaj të afërmve të tyre dhe katarsis i njerëzores në të gjithë ne si individë, si shoqëri dhe si shtete.
Kjo është mënyra jonë për t’i dërguar porosi botës se marrëdhëniet ndërmjet shteteve duhet të ndërtohen në bazë të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit paqësor. Se pajtimi, paqja e qëndrueshme mes popujve, stabiliteti dhe prosperiteti në rajon janë parakusht për vazhdimin e proceseve integruese, të udhëhequra nga normat e së drejtës ndërkombëtare dhe parimet e drejtësisë dhe barazisë ndërmjet qytetarëve, pavarësisht përkatësisë fetare apo etnike.
Ne duhet t’u dërgojmë porosi fëmijëve tanë, gjeneratave të ardhshme, se ata duhet t’i respektojnë diversitetet dhe ta kundërshtojnë urrejtjen, paragjykimet dhe stereotipet. Andaj-gjenocidi si në Srebrenicë nuk guxon të harrohet, por edhe nuk guxon të lejohet të përsëritet.
Lajme nga vendi
VLEN: SHQIPTARËT NUK JANË VEGËL, POR JANË LIGJ!
Për 25 vite, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është përdorur për politikë – kështu thonë nga koalicioni VLEN duke adresuar kritika ndaj BDI-së, sic thonë, se kur ka ardhur puna te zgjidhja, gjithmonë ka munguar ligji, vullneti por edhe guximi. Sipas VLEN shqiptarët kanë nevojë për Ligj, e jo për vegla siç ishte “balancuesi.”
“Vegla e ashtuquajtur balancues, që duhej të garantonte barazi, në praktikë u kthye në mekanizëm me boshllëqe të mëdha juridike, që lejoi manipulime, interpretime dhe punësime të motivuara nga interesa të ngushta partiake. BDI-ja ka pasur vite të tëra që këtë parim kushtetues ta bëjë ligj. Nuk e bëri. As nuk u mundua.
Kjo është e vërteta!
Sot është ndryshe. Për herë të parë pas një çerek shekulli, përfaqësimi i drejtë bëhet detyrim. Për herë të parë, kjo çështje ka ZOT SHTËPIE. Krijohet trup koordinativ, në krye me zëvendëskryeministër shqiptar. Kjo do të thotë se nuk ka më ikje nga përgjegjësia. Nuk ka më arsyetime. Tani ka adresë dhe ka llogari.
Për herë të parë, mbyllet dera për mashtrimet. Nuk ka më vetëdeklarime të rreme. Ka metodologji të bazuar në të dhëna reale. Kush abuzon, do të përballet me pasoja.
Ky është dallimi. Ata për 25 vite e mbajtën këtë çështje gjallë për hajni e mbijetesë politikë. Ne po e mbyllim me ligj. Ata e lanë pa adresë. Ne po i japim adresë.
Pas një çerek shekulli, shqiptarët nuk kanë më nevojë për vegla. Kanë ligj.
LIGJ PËR PËFAQËSIM TË DREJTË DHE ADEKUAT! – tha në një press-konferencë Afan Elezi nga koalicioni VLEN.
Lajme nga vendi
TEARCË, ÇERDHJA PRET PESË VITE AMININ E MINISTRISË SË FINANCAVE
E ndërtuar në vitin 2021, por ende e pashfrytëzuar shkaku i mos dhënies së pëlqimit për punësimin nga ana e ministrisë së Financave. Kjo çerdhe ndodhet në Përshfecë të Komunës së Tearcës. Kryetari i Komunës së Tearcës Daut Memishi thotë se deri më tani janë bërë tre kërkesa që kanë marr përgjigje negative, ndërsa kërkesa e fundit është bërë me 17 mars dhe ai shpreson që kësaj rradhe të pranohet kërkesa e tyre .
“ Deri më tani në si institucion si komunë kemi bërë tre kërkesa në ministrinë e punës dhe politikës sociale dhe pastaj procedura shkon në ministrinë e financave , dy të parët i kemi marrë negativë nga ministria financave me arsyetimin se nuk kanë arritur në të kaluarën të gjn planin e punësimeve ashtu siç duhet , tani kërkesën e fundit e kemi dorëzuar e 17 mars dhe tani jemi në pritje dhe mendoj se nga ana e ministrisë së financave do të jetë pozitive.”
Për banorët e fshatit Përshefcë dhe rrethinës, hapja e çerdhes del të jetë jetike, sidomos për ata familje ku të dy prindërit janë në madhëdhënie të rregull të punës.
“ Ku të shkosh në botë funksionin çerdhja, tek ne nuk funksionin pushteti edhe nuk mund të funskionojë edhe çerdhja.”
“ Duhet të hapet patjetër ka nevojë , kët fëmijë të e vegjël qëndrojnë në shtëpi nuk kanë ku të shkojnë , a kështu u lënë atje dhe shkojnë në punë.”
“ Patjetër duhet të hapet , ajo është e nevojshme për fëmijët . apeloj që të hapet të ecë përparë vetëm për fëmijët por edhe gratë ti kenë kushtet më të mira.”
Në këtë çerdhe pritet të sistemohen rreth 150 fëmijë, ndërsa sipas informacioneve, Komuna e Tearcës ka nevojë që mbi 550 fëmijë të shkojnë në çerdhe. Pavaërsisht se kërkesa është shumë me e madhe se sa mundësia, banorët e Komunës së Tearcës do të ishin të lumtur edhe sikur të jepet fillimisht leja nga Ministria edhe për 150 fëmijë sa është e paraparë.
Lajme nga vendi
MICKOSKI: FURNIZIMI ME NAFTË NUK KA PENGESË, KEMI REZERVA
Maqedonia e Veriut ka sasi të mjaftueshme të rezervave të naftës, tha sot kryeministri Hristjan Mickoski duke shtuar se ka ditë kur pompat e benzinës sigurojnë mbi 2 milionë litra derivate në ditë. Ai shtoi se deri tani nuk ka asnjë paralajmërim për pengesa në furnizim, pavarësisht krizës që u shkaktua nga lufta në lindjen e mesme.
“Kemi mjaftueshëm sasi të karburantit dizel dhe të produkteve të tjera të naftës, edhe në gyp përçuesin që e lëshuam në fillim të vitit, që e lidh Rafinerinë OKTA me portin e Selanikut, por edhe në rezervat shtetërore. Nuk kemi deri tani paralajmërime për çfarëdo pengese në pjesën e furnizimit” tha Mickoski.
Maqedonia e Veriut është nga vendet e rajonit me çmimin më të lirë të naftës, ndërsa për këtë, Mickoski tha se nuk do të vendoset kufizim për veturat me targa të huaja, pasi sipas tij, në këtë mënyrë Maqedonia e Veriut ndihmon edhe shtete fqinje.
“Nuk planifikojmë të vendosim kufizime, në këtë mënyrë ndihmojmë edhe fqinjët tanë, sepse disa aeroporte nga rajoni marrin kerozinë nga ne. Kështu që edhe këtu nuk planifikojmë të vendosim kufizim për sasi. Shumë qytetarë nga vendet fqinje furnizohen me benzinë dhe dizel nga pompat tona. Disa pompa për 3-4 herë e kanë rritur shpenzimin”, tha Micksoki.
Përndryshe, ditëve të fundit një fluks i madh makinash nga shtetet fqinje Kosova dhe Shqipëria kanë vërshuar në pikat kufitare më të afërta me Maqedoninë e Veriut për t’u furnizuar me karburantë pasi që në krahasim me shtetet tjera të rajonit, Maqedonia i ka çmimet më të lira.
-
Lajme nga bota2 weeks ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni2 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Lajme nga vendi2 months ago20-vjecari nga fshati Novo Sellë е Tetovës drejtonte mjetin pa leje i sekuestohet përkohësisht “BMV”

