Lajme nga vendi
Asgjësohen rreth 9 ton ushqim të pasigurt
Ekipet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në periudhën prej 16 deri 19 korrik zbatuan kontrolle të jashtëzakonshme të përforcuara në objekte dhe operatorë me ushqim (hotele, restorante, mishtore dhe markete) në qendrat turistike Dojran, Ohër, Strugë dhe Prespë me të cilat ishin përfshirë 112 objekte. Gjatë kësaj ishin shqiptuar 54 gjoba në 54 operatorë me ushqim, prej të cilëve për tetë ishte shqiptuar ndalesë për punë deri në mënjanimin e parregullsive të konstatuara. “Me kontrollet kontrollohej zbatimi i praktikës së mirë prodhuese dhe higjienike të bazuara në parimet НАССР, kushtet infrastrukturore në objektet, ndërsa u zbatuan edhe kontrolle të aktiviteteve në bazë të regjistrimit të operatorëve me ushqim. Në kushte të temperaturave të larta të jashtme, theks i kontrolleve ishte vendosur në ruajtjen e produkteve dhe afatet e përdorimit të ushqimit”, njoftoi AUV.
Me kontrollet, është konstatuar mosplotësim i kërkesave të përgjithshme dhe të veçanta higjienike në të gjitha fazat e prodhimit, përpunimit dhe shpërndarjes së ushqimit, moszbatimi i të gjitha procedurave DPP/DHP bazuar në parimet HACCP, ushqim me datën e përdorimit të skaduar, qarkullimi i ushqimit pa deklarim dhe etiketim në përputhje me Ligjin për Sigurinë Ushqimore dhe aktet nënligjore sipas të cilave produktet e tilla shpallen të pasigurta për konsum njerëzor dhe asgjësohen në mënyrë të padëmshme. “Inspektorët e ushqimit dhe veterinerët zyrtarë kanë konstatuar edhe punë në objekte – operatorë ushqimorë që nuk janë të regjistruar apo aprovuar për punë nga AUV-ja, për këtë arsye janë vendosur masa ndalimi të punës, ndërsa produktet e zbuluara janë ndaluar për qarkullim dhe asgjësohen padëmshëm. Gjithashtu janë përcaktuar kushte të këqija infrastrukturore dhe higjienike në kuzhinat dhe ambientet e prodhimit, për të cilat disa operatorëve iu është ndaluar puna përkohësisht”, bëhet e ditur në kumtesë.
Siç bëjnë të ditur nga AUV, nga qarkullimi ishin hequr 8.700 kilogramë ushqim i pasigurt i cili ishte shkatërruar në mënyrë të padëmshme. Nga AUV paralajmërojnë se edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojnë me zbatimin e kontrolleve të jashtëzakonshme edhe në qendrat e tjera turistike, ndërsa për shkak të temperaturave të larta, siç thonë, në fuqi mbetet masa për kontrolle të përforcuara te operatorët me ushqim në gjithë territorin e vendit.
Lajme nga vendi
Pjesa më e madhe ujit të pijshëm në Tetovë zhduket rrugës për në destinacionin e planifikuar
Mbi 35 për qind e ujit për pije nga burimet e Sharrit, nuk arrin në destinacionin e duhur, përkatësisht humbet. Sipas autoriteteve humbjet ndodhin për shkak të keqpërdorimit të ujit në pjesën e poshtme të qytetit. Situata ka nxitur Ndërmarrjen komunale “Sharri”, që të kërkoj edhe studim fizibiliteti për zgjidhjen e problemit.
“Një pjesë e madhe e ujit bëhet sidomos në pjesët e lagjeve Drenoc e Dereboj ku bëhen vaditje të baçeve apo parqeve, që keqpërdorin ujin për këtë arsye. Nga ardhja ime unë kam insistuar madje edhe lavazhet mos e shfrytëzojnë ujin për pije për larje të veturave sepse paraqet keqpërdorim të madh të shfrytëzimit të ujit. Ka edhe shumë kyçje të egra që janë krijuar në lagjet e reja ku më shumë na humbet uji,” deklaroi Valon Zeqiri, Drejtor i NPK “Sharri”.
Si pasojë e kësaj humbjeje, komuna vendosi që amvisëritë të pajisen me orëmatës inteligjentë të ujit, me qëllim që të ketë kontroll mbi harxhimin dhe pagesën e ujit. Por kjo nismë hasi në reagime të shumta nga këshilltarët e opozitës, të cilët akuzuan për shitje apo privatizimi të ujësjellësit. Megjithatë kreu i komunës së Tetovës këmbëngul se nuk bëhet fjalë për shitje.
“Nga ekspertë të jashtëm del që mënyra më e mirë e zgjidhjes së këtij problemi është mundësia e partneritetit privat publik, që nuk nënkupton as shitjen e ujit as shitjen e menaxhimit me ujë të pijshëm, por kyçjen e partnerit privat për futjen e teknologjie të re dhe menaxhimin me gjithë sistemin që të marrim njohuri dhe ta zgjidhim këtë problem në mënyrë më të shpejtë dhe më të mirë,” tha Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës
Kasami thotë se miratimi i partneritetit publik-privat të ujësjellësit do varet nga këshilltarët dhe pëlqimi i tyre. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Ministria e Drejtësisë nuk është dikasteri i vetëm që saboton Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve
Ministria e Drejtësisë nuk është dikasteri i vetëm që saboton Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, përkatësisht gjuhën shqipe. Inspektori Fitim Ramadani gjatë intervistës në Alsat tha se Ministria e Financave nuk bashkëpunon aspak me inspektoratin, veprim që i pamundëson inspektorëve të hyjnë për kontroll dhe të konstatojnë nivelin e zbatimit të gjuhës shqipe.
Fitim Ramadani, Inspektor në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve (10:00….)
“Këtu dua të theksoj vetëm Ministrinë e Financave. Gjatë mbikëqyrjes kontrolluese në Ministrinë e Financave nuk ka qenë raporti institucion-inspektor. Dhe neve nuk na është mundësuar qasja në dokumentacionin e ministrisë. Për këtë arsye për Financat ka procedurë kundërvajtëse, jo për mos zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, por për mosbashkëpunim me inspektorët”.
Gjuha shqipe nuk respektohet as nga Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev. Sipas Ramadanit, mbi bazën e denoncimeve që kanë bërë gazetarët për deklaratat e Minçevit, ka procedurë kundër tij, ndërsa kontrolli planifikohet gjatë vitit 2026. Dyshohet se Minçev nuk zbaton gjuhën shqipe në asnjë akt nënligjor.
Fitim Ramadani, Inspektor në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve (13:05….)
“Iniciativa ka qenë për deklaratat në opinion që i jep ministri. Mendoj se edhe iniciativa ka qenë nga gazetarët, kanë qenë vetëm në gjuhën maqedonase. Ne kemi konstatuar se ato nuk janë në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe lënda është në Gjykatën kompetente në Shkup”.
Aktualisht 53 lëndë të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve ndodhen në Gjykatën Penale në Shkup. Të gjitha i referohen institucioneve dhe udhëheqësve të institucioneve që nuk kanë respektuar dhe zbatuar gjuhën shqipe në përputhje me ligjin. Së fundi Inspektorati adresoi vërejtje ndaj ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov mbi mos zbatimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës. Brenda 30 ditësh, Fillkov obligohet t’i harmonizojë dispozitat ligjore. Nëse nuk harmonizohet ligji brenda afatit, Ministria e Drejtësisë është e detyruar të zbatojë dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
VLEN NJË PARTI – KUVENDI THEMELUES NË MAJ, MË PAS KONGRESI?!
Kuvendi themelues në maj, e më pas edhe Kongresi.
Kjo është trajektorja e parashikuar sipas së cilës koalicioni aktual i përbërë nga Lëvizja Besa, Lidhja Demokratike, Alternativa dhe ASH të shkrihen në një parti të vetme – VLEN.
Ditë më parë liderët e partive u ulën në një tavolinë të përbashkët për t`i harmonizuar qëndrimet rreth mënyrës së funksionimit të VLEN-it si një subjekt i vetëm politik. Takimi ishte i mbyllur dhe ende nuk janë publikuar detaje.
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, nuk deshi të prononcohej për këtë temë duke preferuar që Dita e Ekologjisë të shënohet në mënyrë dinjitoze në Komunë e Tetovës.
Ndërkohë zëdhënësi I koalicionit VLEN, Albi Qamili, për Tv Koha, tha se në takimin e fundit liderët janë dakorduar për krijimin e një grupi të punës I cili do të punojë në përafrimin e platformave të subjekteve politike dhe strukturimin e subjektit të ri politik të unifikuar.
Por, si u zhvillua kronologjia?
Pas Prekazit në konakun e Bacit Rifat, në Prishtinë tek kryeministri Albin Kurti. VLEN-i një! – ishte një postim nëpër rrjetet sociale që u shpërnda në të njëjtën kohë nga liderët e partive që përbëjnë koalicionin VLEN. Postimi daton nga aktivitetet e shënimit të Epopesë së UÇK-së në Kosovë.
Por, “mesazhet e koduara” nëpër rrjetet sociale nuk u ndalën me kaq!
Në ditën e dytë të festës së Fitër Bajramit, një nga eksponentët kryesor të koalicioni VLEN, Izet Mexhiti, shkroi në Facebook mesazhe uniteti me kryefjalën “VLEN është bashkimi që nuk ndalet”.
“Nuk ka më hapësirë për interesa të ngushta, për pazare në kurriz të qytetarëve, apo për politikë që na mban të ndarë. Nga sot, zëri shqiptar do të jetë një – i fortë, i qartë dhe i pandalshëm.
Ky është momenti ynë. Ose bashkë, ose të humbur. Sepse kur shqiptarët bashkohen, askush nuk mund t’i ndalë.” – shkroi mes tjerash Izet Mexhiti.
Pas takimit të fundit të liderëve të koalicionit, thuhet se është gjithnjë e më e sigurt që partia e re do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, do të ketë dy nënkryetarë dhe një sekretar të përgjithshëm, duke reflektuar në mënyrë të drejtë përfaqësimin e partnerëve në udhëheqjen e ardhshme partiake. Si bashkëkryetarë përmenden Izet Mexhiti nga Lëvizja Demokratike dhe Bilall Kasami nga BESA; për sekretar të përgjithshëm Bekim Sali nga Alternativa; ndërsa për pozitat e nënkryetarëve deputetja Mimoza Musa nga fraksioni i ASh-së dhe deputeti nga Vetëvendosje, Bekim Qoku.
Në rrugën drejt bashkimit mbetet për t’u diskutuar edhe përfaqësimi në përqindje i partive që përbëjnë koalicionin aktual, në organet e ardhshme partiake.
Një marrëveshje e tillë ende nuk është arritur. Ka pasur mendime dhe kërkesa të ndryshme – nga ideja që secili subjekt të përfaqësohet me 20% ose 25% në organet partiake, deri te varianti që partitë kryesore të kenë nga 35%, ndërsa pjesa tjetër të shpërndahet mes partnerëve të tjerë.
Megjithatë, nga VLEN liferojnë se procesi i bashkimit nuk duhet të lërë përshtypjen se dikush është dëmtuar apo është përfaqësuar më pak në partinë e ardhshme.
Shkrirja e koalicionit në një parti të vetme pritet të përkojë me periudhën kur është paralajmëruar një rikonstruim i mundshëm i Qeverisë.
Ndryshimet brenda VLEN-it dhe disa mosmarrëveshje publike të shfaqura kohët e fundit pritet të kenë ndikim edhe në riformatimin e përbërjes qeveritare.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga vendi2 months agoVLEN: Me Fetain në krye, nis goditja reale ndaj pasurisë së paligjshme

