Lajme nga vendi
Qeveria e miratoi ribalancin e Buxhetit
Qeveria ka miratuar ribalanc të plotësuar të Buxhetit për vitin 2024, me të cilin janë siguruar mjete financiare shtesë për më shumë institucione: Komisioni shtetëror i zgjedhjeve, Komisioni për mbrojtjen e konkurrencës, Agjencia për mbrojtjen e të dhënave personale, MPB-ja, Këshilli inspektues, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Drejtoria doganore, Pushteti ekzekutiv, Prokuroria publike, Avokati i popullit, Këshilli i prokurorove publikë, ASHAM,…
Siç tha sot ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska në konferencën për shtyp në Qeveri, me Buxhetin e plotësuar sigurohen mjete për pagesë të pagave dhe blerje të pajisjeve.
“KSHZ-ja ka marrë 350 milionë denarë shtesë, Këshilli inspektues 147 milionë, MPB-ja 60 milionë për blerje të materialeve për dokumente personale, ASHAM-i ka marrë 18,7 milionë për projekte kërkimore-shkencore dhe 3,3 milionë për blerjen e pajisjeve”, informoi ministrja.
Dimitrieska-Koçoska ka treguar se ribalanci i plotësuar i Buxhetit për vitin 2024 do të dërgohet për shqyrtim dhe miratim në Kuvend.
Lajme nga vendi
VËRSHIMET: NATË ANKTHI NË FORINË TË GOSTIVARIT!
Autoritetet e evdit në koordinim me pushtetin lokal dhe popullatën. gjatë gjithë natës kanë qenë në terren, kurse me aktivitete kanë vijuar edhe mëngjesin e sotëm me intervenime pas denoncimeve për përmbytje.
Situatë më kritike është regjistruar në Forinë të Gostivarit. Ekipi i Tv Koha, qëndroi në këtë fshat duke sjellë pamje dhe deklarata të të prekurve nga këto përmbytje.
Mbrëmë ka qenë një natë ankthi në Forinë. Autoriteteve në ndihmë u ka dalë edhe popullata lokale duke asistuar dhe ndihmuar gjatë gjithë natës. Po bëhet identifikimi dhe verifikimi I dëmeve të shkaktuara.
Nga Komuna e Gostivarit njoftojnë se situata është shkaktuar kryesisht nga dalja jashtë shtratit e kanaleve nën administrimin e Drejtorisë për Ekonomi të Ujërave, të cilat nuk janë në kompetencë të Komunës së Gostivarit.
Megjithatë, sic thonë, ekipet e Komunës së Gostivarit, që nga orët e hershme të mëngjesit, ndodhen në terren dhe po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për t’u dalë në ndihmë qytetarëve, si dhe për të minimizuar pasojat e shkaktuara nga përmbytjet.
SAFET HASANI – KOMUNA E GOSTIVARIT
Sipas njoftimit të Qendrës për Menaxhim me Kriza, në rajonin e Gostivarit janë denoncuar shtëpi të përmbytura, bodrume dhe objekte afariste. Është intervenuar në Bellovishtë pas një denoncime për persona të bllokuar, të cilët janë evakyuar në mënyrë të sigurtë. Në Forinë, lumi Vardar ka dalë nga shtrati, ku janë përmbytur shtëpi dhe sipërfaqe bujqësore dhe ekziston rreziku për objektet në afërsi të urës drejt fshatit Tumçevisht. Sipas QMK-së është angazhuar mekanizimi për pastrimin e shtratit të lumit.
Lajme nga vendi
VAZHDOI GJYKIMI PËR KEQPËRDORIMET ME TEATRIN E TETOVËS
Në Gjykatën Themelore në Tetovë vazhdoi gjykimi për keqpërdorimet gjatë ndërtimit të teatrit dhe bibliotekës së re në Tetovë.
Sot u dëgjuan ekspertët e propozuar nga Prokuroria, të cilët përgatitën gjetjet dhe mendim për pjesën ekonomike dhe ndërtimore të ndërtimit të teatrit dhe bibliotekës së re në Tetovë.
Ekspertiza është bërë me kërkesë të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.Në pjesën ekonomike, ekspertët Gordana Angjellkovska dhe Kire Kostov deklaruan se në tërësi qëndrojnë pas asaj që kanë paraqitur në Gjetjen dhe Mendimin e përfshirë në raport.
Sipas tyre, gjatë ndërtimit të objektit, në aspektin ekonomik, ka pasur tejkalime në mënyrën dhe shumën e pagesave, të lidhura me përllogaritjen e TVSH-së. Gjithashtu, me kërkesë të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, është përgatitur ekspertizë edhe për pjesën ndërtimore të ndërtimit të teatrit dhe bibliotekës së re.
Ekspertja Divna Stançeva deklaroi se në tërësi qëndron pas Gjetjes dhe Mendimit të përgatitur për pjesën ndërtimore të objektit. Ajo iu përgjigj edhe disa pyetjeve të avokatëve të të akuzuarve, duke theksuar se ka pasur ndryshime dhe plotësime të projektit dhe se nuk ka ekzistuar projekt i punimeve të realizuara, por se në pjesën ndërtimore nuk ka pasur lëshime më serioze.
Gjykimi vazhdon më 16 mars 2026, kur para gjykatës gjetjet e tyre pritet t’i paraqesin ekspertët e mbrojtjes.
Lajme nga vendi
ZAGREB–TIRANË–PRISHTINË: PARTNERITETI QË NDEZI DEBATET NË BEOGRAD
Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, tha se Shqipëria dhe Kroacia, si anëtarë të Aleancës, kontribuojnë në stabilitetin rajonal.
Shekerinska e tha këtë të shtunën në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve Beta, duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me bashkëpunimin ushtarak të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës dhe reagimet negative të Serbisë ndaj, siç thonë në Beograd, “paktit trefish të Zagrebit, Tiranës dhe Prishtines, të drejtuar kundër Serbisë”.
Ajo shtoi se NATO nuk është palë dhe as nuk merr pjesë në marrëveshjen e bashkëpunimit ushtarak midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Megjithatë, ajo theksoi se anëtarësimi në NATO nuk i pengon anëtarët – në këtë rast, Kroacinë dhe Shqipërinë – të hyjnë në aleanca shtesë mbrojtëse me palë të treta, që në këtë rast është Kosova.
“Investimi në mbrojtje është i rëndësishëm për sigurinë e Ballkanit Perëndimor, por edhe për dialogun politik”
Shekerinska tha se investimi në mbrojtje, por mbi të gjitha dialogu politik, është i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, i cili preket edhe nga ngjarjet gjeopolitike, duke shtuar se anëtarët e aleancës nga rajoni japin një kontribut të rëndësishëm për stabilitetin.
Ajo shtoi se NATO gjithmonë u ka bërë thirrje qeverive në rajon që të angazhohen në dialog, të zgjidhin çështjet e mbetura politike dhe të mbështesin progresin dhe stabilitetin e rajonit, raporton Beta.
Këto pretendime kanë arritur pothuajse nivelin e histerisë në Serbi në muajt e fundit. Konkretisht, Presidenti serb Aleksandar Vuçiq vazhdimisht thotë se është një “aleancë ushtarake e drejtuar kundër Serbisë dhe popullit serb”. Kohët e fundit, Vuçiç madje tha se këto tre shtete po përgatiten të sulmojnë Serbinë.
Vuçiq, si dhe zyrtarë të tjerë serbë, e kanë pyetur vazhdimisht veten se “çfarë do të ishte një aleancë ushtarake për Kroacinë dhe Shqipërinë kur ato janë tashmë anëtare të NATO-s?”
Ndërkaq deklarata e Zagrebit, Tiranës dhe Prishtines nga marsi i vitit 2025, sipas ekspertëve, nuk është një aleancë ushtarake, por bashkëpunim ushtarak në disa fusha. Ajo nuk përmban dispozita mbi mbrojtjen e përbashkët, të cilat janë thelbësore për një aleancë ushtarake, por përkundrazi apostrofon bashkëpunimin në prokurimin e armëve dhe municioneve, shkëmbimin e informacionit dhe përballjen e përbashkët të kërcënimeve kibernetike.

