Lajme nga vendi
Mot me vranësira të ndryshueshme, pasdite mot jostabil me reshje të shiut dhe bubullima

Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme me erë të dobët deri mesatare nga drejtimi jugor. Pasdite dhe në orët e mbrëmjes në më shumë vende do të ketë mot jostabil me reshje të rrëmbyeshme të shiut dhe bubullima, në disa vende duke u shfaqur në formë stuhie me reshje të rrëmbyeshme të shiut, bubullima, erë e fuqishme dhe breshër. Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 11 deri në 20 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 27 deri në 35 gradë Celsius.
Në Shkup moti do të jetë me diell dhe i nxehtë me vranësira të ulëta deri mesatare dhe me erë të dobët nga drejtimi jugor. Pasdite në pjesë të rajonit me reshje të rrëmbyeshme, bubullima dhe kushte për stuhi afatshkurtër. Temperatura minimale do të zbresë deri në 17, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 34 gradë.
Vijon mot i ndryshueshëm me vranësira në disa vende me reshje të rrëmbyeshme dhe bubullima. Proceset herë pas here do të jenë intensive dhe në vend do të ketë stuhi me reshje të dendura të shiut, bubullima, erë të fuqishme dhe breshër. Temperaturat gjatë ditës do të jenë gradualisht në rënie.
Lajme nga vendi
Rregullat e reja të komunikacionit/ 1 muaj paralajmërime, pas 1 muaji gjoba

Kësaj kamere nuk i shpëton asgjë. E vendosur në uniformën e policit, ajo regjistron çdo moment; bisedën, reagimin si dhe sjelljen e qytetarit që ndalet nga zyrtarët policorë për shkak të përdorimit të telefonit apo dëgjueseve në të dy veshët, gjë që tashmë është në kundërshtim me ndryshimet e reja ligjore.
Në këto pamje shihet një nga patrullat e policisë rrugore në Shkup që po ndalon qytetarët për t’i paralajmëruar për ndryshimet e reja ligjore për sigurinë e qarkullimit rrugor. Kushdo që gjatë kalimit të vijave të bardha përdor telefon, dëgjon muzikë me kufje në të dyja veshët, apo thjesht bën scroll nëpër rrjetet sociale, tanimë konsiderohet shkelës i ligjit.
“Siç mund të shihet mbrapa meje, njëri nga këmbësorët, tashmë po merr vërejtje me shkrim nga ana e zyrtarëve policorë”, raporton gazetarja e Alsat, Ajnur Bafqari.
Për momentin nuk ka gjoba. Policia thotë se për 1 muaj, deri në njoftimin e radhës, do të jepen vetëm vërejtje me shkrim, me qëllim që qytetarët të njihen dhe të ndërgjegjësohen me rregullat e rija dhe të ndryshojnë sjelljet në kohë.
Në terren gjatë xhirimeve tona, disa qytetarë u ndaluan dhe morën paralajmërime verbale dhe me shkrim. Por prezenca e policëve në rrugë e bëri të veten. Qytetarë të shumtë që tashmë e kanë bërë zakon të ecurit me telefon në dorë apo dëgjueset në vesh, shiheshin teksa i hiqnin shpejt e shpejt nga duart ose nga koka, në momentin që shihnin zyrtarët policorë në terren…. ( atmosferë)
Rregullat e reja hynë në fuqi më datë 26 të këtij muaji dhe përfshin të gjithë këmbësorët, drejtuesit e biçikletave, motoçikletave dhe trotineteve elektrik, të cilët do të gjobiten me 40 euro, nëse gjatë kalimit të rrugës ose korsisë së biçikletave përdorin dëgjuese në të dy veshët, telefona, tableta apo pajisje të ngjashme elektronike. Nëse pagesa e gjobës bëhet brenda 8 ditësh, atëherë qytetarët lirohen nga gjysma e gjobës dhe do të paguajnë vetëm 20 euro. / Alsat.mk
Lajme nga vendi
“Miqtë e Arsimit” e organizuan Konferencën e Shtatë Ndërkombëtare “EduConference”

Më 27 dhe 28 shtator 2025, në Strugë u mbajt Konferenca e Shtatë Ndërkombëtare “EduConference”, e cila mblodhi mbi 350 mësues dhe ekspertë të fushës së arsimit dhe teknologjisë.
Tema bosht e këtij edicioni ishte: “Unlocking AI: Innovate, Integrate, Inspire!”, me fokus në përdorimin e inteligjencës artificiale në procesin e përditshëm arsimor.
Nën mentorimin e Prof. Dr. Lulzim Mehmedi dhe Mr. Sc. Puhiza Iseni, studentja Yllka Rexhepi prezantoi punimin me titull “Përdorimi i kufjeve të realitetit virtual në klasa: eksplorimi i shkencës, historisë dhe krijimtarisë te studentët”. Ajo demonstroi një model praktik të syzeve të realitetit virtual, të punuara nga vetë ajo, si mjet modern mësimor për të rritur angazhimin e nxënësve dhe për të përmirësuar rezultatet e tyre.
Ky prezantim ngjalli interes te mësimdhënësit, disa prej të cilëve patën mundësi t’i testojnë vetë syzet virtuale. Njëkohësisht, u shfaq interes për organizimin e punëtorive praktike nga Fakulteti Pedagogjik, me qëllim aftësimin e mësimdhënësve për punimin praktik, përdorimin dhe zbatimin e këtyre mjeteve në procesin mësimor.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Dekani i Fakultetit Pedagogjik i UT-së, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, theksoi se fakulteti ndjek me kujdes trendet bashkëkohore të arsimit, duke i harmonizuar programet studimore me zhvillimet globale dhe me nevojat e tregut të punës. Ai potencoi se pjesëmarrja e studentes në këtë konferencë është një dëshmi konkrete e angazhimit të Fakultetit Pedagogjik për të përgatitur studentë me kompetenca moderne dhe në hap me kohën. Sipas tij, realiteti virtual po shndërrohet në një vegël të fuqishme edukative, që u mundëson nxënësve të eksplorojnë konceptet shkencore në mënyrë interaktive dhe vizuale, të udhëtojnë, të vizitojnë, të krijojnë e të ndërtojnë, duke e bërë procesin e të nxënit më kuptimplotë, motivues dhe bashkëpunues.
Gjatë konferencës, pjesëmarrësit patën mundësi të ndjekin ligjërata të ligjëruesve dhe ekspertëve ndërkombëtarë e vendorë mbi inteligjencën artificiale, si dhe prezantime të shumta mbi zbatimin praktik të saj në procesin mësimor.
Konferenca u organizua nga Organizata Joqeveritare “Miqtë e Arsimit” (Friends of Education), ndërsa Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me fakultetet tjera pedagogjike në vend, mori pjesë si partner institucional.
Lajme nga vendi
Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare NanoBalkan 2025

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, së bashku me Kryetarin e Senatit, Prof. Dr. Kenan Ferati, Prof. Dr. Bashkim Ziberin dhe Doc. Dr. Agron Iljazin, morën pjesë në Konferencën Ndërkombëtare NanoBalkan 2025, e cila u zhvillua në Tiranë të Republikës së Shqipërisë.
Në ceremoninë solemne e morën fjalën personalitete të shquara nga politika, shkenca dhe diplomacia, ndër të cilët: Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, Akad. Arben Merkoçi, (ICREA, ICN2 Spanjë), koordinator dhe kryetar i Konferencës, z. Gabriel Cremades Ventura, Ambasador i Spanjës në Shqipëri, Diella, Ministre e Shtetit për Inteligjencën Artificiale e Republikës së Shqipërisë, Akad. Anila Hoda ,Sekretare Shkencore e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe znj. Mirela Kumbaro, Ministre e Arsimit e Republikës së Shqipërisë.
Konferenca ka për synim të evidentojë arritjet më të rëndësishme në nivel botëror në nanoshkencë dhe nanoteknologji, si dhe të krijojë mundësi për zhvillimin e politikave shkencore, nxitjen e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe forcimin e rrjeteve kërkimore. Pjesëmarrja e figurave të shquara botërore, përfshirë nobelistë dhe studiues të njohur, hap horizonte të reja për integrimin e vendeve tona në zhvillimet më të fundit të shkencës bashkëkohore.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi3 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve