Lajme nga vendi
Dy persona të dyshuar për vrasjen e Muhamed Asanit-Meka
Prokuroria themelore publike në Tetovë ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj dy banorëve tani 41 vjeçarë të fshatit Poroj, nga të cilët i pari dyshohet drejtpërdrejt për vepër penale – Vrasje nga neni 123 paragrafi 1 i K. Kodi i kryer në vitin 2013, ndërsa tjetri e ka ndihmuar në ekzekutimin e vrasjes dhe ka qenë bashkëpunëtor në – Prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregtim pa leje të armëve apo lëndëve shpërthyese nga neni 396 paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 3 të Kodit Penal. I dyshuari i parë, më 12 tetor 2013, në dalje nga fshati Pirok, me dashje i ka marrë jetën një personi nga Tetova për shkak të keqkuptimeve të pazbardhura paraprake. I dyshuari i dytë ka vënë në dispozicion veturën e tij dhe të dy së bashku kanë marrë një pushkë automatike, e cila është e ndaluar për qytetarët. Pasi janë takuar me viktimën, i dyshuari i parë menjëherë ka filluar të shtijë, ka shtënë disa plumba, duke i shkaktuar lëndime trupore me armë zjarri të cilave viktima i ka nënshtruar. Dy të dyshuarit janë larguar. Prokurori publik kompetent i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dy. Sipas vendimit të miratuar, për të dyshuarin e parë masa e paraburgimit hyn në fuqi menjëherë, ndërsa për të dyshuarin e dytë, i cili është në arrati, masa e paraburgimit do të fillojë të zbatohet pas zbulimit dhe privimit nga liria.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

