Lajme nga vendi
Filloi mbledhja ndërqeveritare midis RMV-së dhe Kosovës
Sot, në Prishtinë mbahet mbledhja ndërqeveritare e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në orën 10:30 mbërritën delegacionet e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, pas së cilës u prit me ceremoni kryeministri i Maqedonisë, Hristijan Mickoski, nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, transmeton Portalb.mk.
Është paraparë që para fillimit të mbledhjes ndërqeveritare, në orën 11:20, të mbahet takim tet-a-tet ndërmjet kryeministrit Hristijan Mickoski dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, si dhe takime tet-a-tet ndërmjet ministrave të dy qeverive.
Në orën 12:00 do të mbahet mbledhja ndërqeveritare, pas përfundimit të së cilës do të nënshkruhen protokolle dhe memorandume bashkëpunimi në tre fusha.
“E para është memorandum për energjetikën, minierat dhe burimet minerale, ku përcaktohen nismat për bashkëpunim në fushën e energjetikës, gazit, qymyrit, energjisë elektrike dhe projekteve të rëndësishme infrastrukturore për interkoneksionin e gazit dhe nisma të tjera projektesh, si dhe nisja e bashkëpunimit për të shqyrtuar mundësinë e zhvillimit të një lidhjeje të re direkte të gazit midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”, njoftojnë nga Qeveria e RMV-së.
E dyta është informacion mbi nënshkrimin e Protokollit ndërmjet Qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës për zbatimin e Marrëveshjes për pikëkalimet kufitare të përbashkëta “Bllacë – Hani i Elezit” dhe “Jazhincë – Glloboqicë”. Ky protokoll rregullon mënyrën e kontrolleve dhe inspektimeve doganore, infrastrukturën e pikave të përbashkëta kufitare, ndërlidhjen reciproke të sistemeve të menaxhimit kufitar dhe mënyrën e mirëmbajtjes së objekteve.
Dokumenti i tretë, që do të nënshkruhet, është një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës.
“Palët pajtohen të punojnë së bashku për përmirësimin e cilësisë në arsimin profesional dhe trajnimet si dhe në arsimin për të rritur në të dyja vendet, duke pasur parasysh dispozitat ligjore të të dy vendeve që rregullojnë punën e tyre. Me anë të memorandumit, palët pajtohen për shkëmbimin e përvojave në arsimin profesional dhe trajnim, përfshirë shkëmbimin e informacionit mbi mënyrën e funksionimit të qendrave rajonale për arsimin dhe trajnimin profesional”, thuhet në njoftim.
Në orën 13:45 do të mbahet konferencë e përbashkët për shtyp e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Mickoski, dhe kryeministrit të Kosovës, Kurti.
Ministri për Çështje Evropiane në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, më 30 tetor kishte paralajmëruar takimin ndërmjet dy qeverive dhe kryeministrit Hristijan Mickoski dhe Albin Kurti.
Ndryshe, në takimin bilateral ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, më 5 gusht ndër të tjera u diskutua edhe për organizmin e seancës së përbashkët qeveritare deri në fund të vitit 2024. Paraprakisht, në vitin 2022 dhe 2023 ishte planifikuar organizmi i seancës së dytë të përbashkët ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, por nuk ishte realizuar.
Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë filluar disa projekte që prekin interesat e të dy vendeve, si rruga Shkup – Bllacë, Prizren – Tetovë dhe pika e përbashkët kufitare “One Stop Shop”, si një zgjidhje për tejkalimin e kolonave të gjata në kalimet Në lidhje me projektin e fundit, në muajin qershor filloi punën edhe Komiteti i Përbashkët i Ekspertëve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Lajme nga vendi
Motra denoncon vëllain për falsifikim dokumentesh, tentoi të përvetësojë pronën familjare
Një 39-vjeçare nga rrethina e Tetovës ka raportuar në polici vëllanë e saj dhe anëtarë të tjerë të familjes. Ajo dyshon se përmes nënshkrimeve të falsifikuara, prona familjare është kaluar në emër të tij. Policia po punon për zbardhjen e rastit.
Lajme nga vendi
Dy nxënës të Kolegjit “Yahja Kemal” – Tetovë në finalen e Olimpiadës GENIUS në SHBA! video
Kolegji “Yahja Kemal” në Tetovë ka ndarë një moment krenarie për këtë institucion arsimor dhe jo vetëm.
Dy nxënësit e këtij kolegji Aulon Bajrami dhe Sabri Kurtishi bashkë me mentorin e tyre Sajid Ullah janë kualifikuar në finale e Olimpiadës GENIUS, në mesin e 3.254 projekteve nga e gjithë bota.
Nxënësit , Sabri Kurtishi dhe Aulon Bajrami, me projektin e tyre “HYDRODUO – Sistemi Inteligjent për Shpërndarjen e Lëngjeve”, janë përzgjedhur ndër projektet ndërkombëtare dhe janë kualifikuar për finalen e Olimpiadës GENIUS në SHBA!
Projekti i tyre në ueb-faqen e finalistëve të GENIUS mban ID-në me numër 8021.
Olimpiada GENIUS është një garë ndërkombëtare për projekte të nxënësve të shkollave të mesme, e fokusuar në çështje mjedisore.
Ajo është themeluar dhe organizuar nga organizata Terra Science and Education dhe mbahet në Rochester Institute of Technology në SHBA.
GENIUS Olympiad përfshin projekte në tetë disiplina të ndryshme, të gjitha me theks të veçantë në mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Lajme nga vendi
Përleshje në Burgun e Idrizovës, një i burgosur përfundon në spital
Ministria e Punëve të Brendshme, informoi se më datë 01.04.2026, në ora 13:00, në SPB Shkup, nga Institucioni Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Idrizovës është denoncuar se rreth orës 12:40, gjatë shëtitjes së rregullt, të dënuarit E.A. (32) dhe SH.I. (35) nga njëra anë, dhe S.M. (26) nga ana tjetër, kanë shkëmbyer goditje me sende të forta.
Më pas, E.A. me një send të mprehtë i ka shkaktuar lëndime S.M.-së, të cilit i është ofruar ndihmë në repartin e ambulancës, e më pas është transportuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza”.
Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Lajme nga rajoni1 week agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Lajme nga bota1 week ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen

