Lajme nga bota
Të paktën 11 të vrarë, 89 të plagosur nga sulmi rus në Uk

Një sulm raketor rus e goditi një ndërtesë banimi në qytetin verilindor të Ukrainës, Sumi, duke i vrarë 11 njerëz, përfshirë dy fëmijë, njoftuan zyrtarët ukrainas të hënën.
Tetëdhjetë e nëntë njerëz, përfshirë 11 fëmijë, u plagosën si pasojë e këtij sulmi në orët e vona të natës së diel, njoftoi shërbimi emergjent shtetëror i Ukrainës.
Sulmi në Sumi i pasoi bombardimet e pareshtura ruse kundër rrjetit energjetik të Ukrainës mëngjesin e së dielës.
Kievi tha se Rusia i përdori 120 raketa dhe 90 dronë gjatë atyre sulmeve, si pasojë e të cilave humbën jetën shtatë njerëz.
“E diela në mbrëmje u bë ferr për qytetin Sumi, një tragjedi që Rusia e solli në tokën tonë”, tha Volodymyr Artyukh, kryetar i administratës ushtarake të Sumit.
Administrata ushtarake e Sumit tha se një sulm tjetër raketor e goditi rrjetin energjetik, duke e lënë qytetin pa rrymë.
Forca Ajrore e Ukrainës tha se forcat ruse përdorën raketa të llojit Iskander-M, dhe një raketë të telekomanduar Kh-59, gjatë sulmit të natës.
Më shumë se 400 njerëz u evakuuan nga qyteti, sipas shërbimit emergjent.
Fotografi të postuara në Telegram nga Shërbimi Emergjent Shtetëror i Ukrainës shfaqën zjarrfikësit duke i luftuar zjarret dhe shpëtimtarët duke i bartur njerëzit jashtë ndërtesës.
Prokuroria rajonale e Sumit tha se 90 banesa, 28 vetura, dy institucionale arsimore dhe 13 ndërtesa u dëmtuan nga ky sulm.
Lajme nga bota
Murtezani dhe Birn me qëndrim të përbashkët: Situata në Gaza është alarmante, nevojitet një veprim urgjent humanitar

Ministri për Çështje Evropian Orhan Murtezani tha se Maqedonia e Veriut, edhe pse vend i vogël, nuk mund të mbetet imune në trendet globale për situatën në Gaza, veçanërisht nëse ato shndërrohen në politikë të jashtme dhe të sigurisë së përbashkët të Bashkimit Evropian.
“E gjithë bota po mobilizohet sepse situata në Gaza është alarmante. Ne nuk mundemi, si vend, sado të vegjël të jemi, të jemi imunë ndaj një trendi të tillë, veçanërisht nëse ai zhvillohet në një politikë të përbashkët sigurie dhe të jashtme të BE-së, ne, si 100 për qind të përafruar me atë politikë, do të duhet të ndjekim të njëjtin hap”, tha ministri Murtezani, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari pas një konference të përbashkët për shtyp me ministrin për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen e Republikës së Irlandës, Tomas Birn.
Birn theksoi se situata në Gaza “tashmë është e padurueshme dhe kërkon ndihmë urgjente humanitare”. Ai përkujtoi se Irlanda, së bashku me Spanjën dhe Norvegjinë e njohën Palestinën dhe tha se duhet të shfrytëzohet avantazhi i BE-së t’i bindin vendet tjera se ajo që po ndodh atje është aq e keqe saqë është e nevojshme menjëherë të veprohet.
“Çdo shtet duhet ta marrë vendimin e tij. Por, më duhet të them se kemi brengë serioze rreth asaj që po ndodh në Palestinë, ndërsa ne gjithmonë kemi bërë përpjekje për njerëzit nga Palestina. Por, ajo që arritëm në përfundim është se na duhet ndihmë urgjente dhe duhet ta shfrytëzojmë avantazhin që e ka BE-ja dhe t’i bindim vendet tjera se ajo që po ndodh atje është aq e keqe sa është e nevojshme të veprohet urgjentisht”, tha ai.
Situata në Gaza në korrik të vitit 2025 është vlerësuar si katastrofë humanitare nga përmasat e papara në të cilën mbi dy milionë njerëz përballen me urinë, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se “njerëzit po vdesin masivisht nga kequshqyerja”.
Lajme nga bota
Uria masive në Gaza, turp që nuk kapërdihet

“Ky është turp që është i vështirë të kapërdihet kur e sheh me sytë e tu. Është moralisht e papranueshme dhe e pajustifikueshme”. Patriarku ortodoks gred, Theophilos III, ka thënë se kisha e tij “do të qëndrojë në solidaritet” me “të gjithë popullin e Gazës”
Udhëheqës fetarë të kishave në Jerusalem kanë thënë se janë rikthyer nga vizita në Gaza me “zemra të thyera”, teksa kanë përshkruar njerëzit e uritur dhe fëmijët e mësuar me zhurmat e bombardimeve. “Kemi parë burra që qëndrojnë në diell për orë me shpresën për një vakt ta thjeshtë”, ka thënë patriarku latin, kardinali Perbattista Pizzaballa. “Ky është turp që është i vështirë të kapërdihet kur e sheh me sytë e tu. Është moralisht e papranueshme dhe e pajustifikueshme”. Patriarku ortodoks gred, Theophilos III, ka thënë se kisha e tij “do të qëndrojë në solidaritet” me “të gjithë popullin e Gazës”, raportoi BBC.
Dy patriarkët zhvilluan vizitën e rrallë në Gazën e shkatërruar nga lufta pasi Izraeli goditi kishën katolike në Gaza javën e kaluar.
“Tre njerëz vdiqën nga komuniteti ynë, por mijëra kanë vdekur tashmë në Gaza”, ka thënë Pizzaballa. Edhe pse Ministria e Jashtme italianë pati lajmëruar se patriarkët janë futur në Gazë me 500 tonë ndihma, Pizzaballa ka thënë se “asnjë gram” ende nuk ka hyrë për shkak të problemeve logjistike. Ai përshkroi dëshpërimin e atyre që u kishin dalë përpara me shpresën për të marrë diçka. Pizzaballa dhe Theophilos III kanë thënë se takuan njerëz tepër të uritur.
MË SHUMË SE 100 ORGANIZATA HUMANITARE PARALAJMËROJNË PËR URI MASIVE
Më shumë se 100 organizata humanitare kanë paralajmëruar të mërkurën se “uria masive” po përhapet në Rripin e Gazës, ka raportuar AFP. Izraeli është duke u përballur me presion të shtuar ndërkombëtar për shkak të situatës katastrofike humanitare në territoret palestineze, ku më shumë se 2 milionë njerëz përballen me mungesë të rëndë ushqimi dhe nevojash të tjera bazike pas 21 muajsh të konfliktit, që u nxit nga sulmi i Hamasit në Izrael. Në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) kanë deklaruar të martën se forcat izraelite kanë vrarë më shumë se 1,000 palestinezë që përpiqeshin të merrnin ndihmat ushqimore që nga fundi i muajit maj, kur edhe e filloi punën Fondacioni Humanitar i Gazës – i cili mbështetet nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli – duke anashkaluar sistemin ekzistues të drejtuar nga OKB-ja.
Deklarata e përbashkët e nënshkruar nga 111 organizata, përfshirë Mjekët pa Kufij, “Save the Children” dhe “Oxfam”, ka paralajmëruar se “kolegët tanë dhe ata që ne ndihmojmë po zhduken nga uria”.
Organizatat kanë kërkuar një armëpushim të menjëhershëm në enklavën palestineze, hapjen e të gjitha pikave tokësore dhe lejimin e lirë të ndihmave përmes mekanizmave të udhëhequr nga OKB-ja. Zyrtarët izraelitë kanë thënë se ndihmat humanitare po lejohen të hynë në Gazë teksa e kanë akuzuar Hamasin për keqpërdorim të vuajtjeve civile, përfshirë vjedhjen e ndihmave ushqimore për t’i shitur ato me çmime më të larta apo për të hapur zjarr ndaj atyre që i presin furnizimet. Në deklaratën e tyre, organizatat humanitare kanë bërë të ditur se magazinat e mbushura me ndihma qëndrojnë të paprekura jashtë dhe brenda territorit, pasi janë bllokuar për të hyrë apo për t’u shpërndarë.
“Palestinezët janë të bllokuar në një cikël shprese dhe zhgënjimi, duke pritur për ndihma dhe armëpushim, vetëm që të zgjohen në kushte gjithnjë e më të këqija. Nuk është vetëm mundim fizik, por edhe psikologjik. Mbijetesa u paraqitet si iluzion”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
IZRAELI E QUAN TË RREMË PARALAJMËRIMIN E 100 ORGANIZATAVE HUMANITARE
Zëdhënësi i Qeverisë izraelite, David Mencer, ka thënë të mërkurën se deklarata e përbashkët e nënshkruar prej më shumë se 100 organizatave humanitare, e cila paralajmëron për zgjerimin e krizës së urisë në Rripin e Gazës dhe njëkohësisht bën thirrje për armëpushim, është e rremë dhe s’përkon me realitetin në terren. Ai ka thënë se pretendimet për uri masive kanë qenë të vazhdueshme përgjatë zhvillimit të konfliktit, porse ajo s’është shkaktuar asnjëherë nga Izraeli, ka shkruar BBC. Sipas tij, uria është taktikë e përdorur prej grupit militant palestinez, Hamas, për të ushtruar më shumë trysni ndaj shtetit hebraik.
“Çdo herë që ka krizë të urisë në Gazë, ajo është e orkestruar nga Hamasi”, është shprehur Mencer. “Ata po përpiqen të parandalojë shpërndarjen e ushqimit duke plaçkitur kamionët me ndihma”.
Sa u përket bisedimeve për armëpushim, ai e ka akuzuar sërish Hamasin se po e refuzon propozimin e Katarit. Ekipi negociator izraelit ndodhet ende në Doha, dhe se informacioni i vetëm zyrtar tani për tani është se Izraeli po e pret përgjigjen përfundimtare të grupit militant. Mencer ka shtuar se Izraeli kërkon që pengjet e mbajtura në enklavën palestineze të lirohen menjëherë, tek ka nënvizuar se “ne kemi 50 pengje që po mbahen aty, disa prej tyre janë vrarë e disa të tjerë janë ende gjallë”.
Lajme nga bota
Çifti Macron ngre padi për përhapjen e thasheshemeve se Zonja e Parë e Francës është burrë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe gruaja e tij, Brigitte, ngritën një padi për shpifje në SHBA kundër autores Candace Owens, duke e akuzuar atë për përhapjen e thashethemeve të rreme se zonja e parë është burrë.
Në padinë e ngritur në Gjykatën e Lartë të Delaware, çifti thanë se Owens kishte zhvilluar një “fushatë poshtërimi global” dhe “ngacmim të pamëshirshëm” për përfitime personale për të promovuar podcastin e saj.
Ata njoftuan se një nga gënjeshtrat e përsëritura nga Owens përfshin se Brigitte Macron lindi si Jean-Michel Trogneux, që është emri i vëllait të saj.
Ankesa gjithashtu akuzon Owens për pretendimin e rremë se Emmanuel Macron u instalua si president i Francës si pjesë e një komploti sekret të CIA-s, shkruan euronews.
“Këto trillime të çuditshme, shpifëse dhe të pabesueshme përfshinin se zonja Macron lindi si burrë, vodhi identitetin e një personi tjetër dhe kaloi në fazën e tranzicionit për t’u bërë Brigitte; Macron dhe Brigitte janë të afërm gjaku që kryejnë incest; Macron u zgjodh të jetë president i Francës si pjesë e programit MKUltra të operuar nga CIA ose një programi të ngjashëm të kontrollit të mendjes; dhe se ata po kryejnë falsifikim, mashtrim dhe abuzim me pushtetin për të fshehur këto sekrete”, thuhet në padi.
Bëhet e ditur se padia është një rast i rrallë i një udhëheqësi botëror që padit për shpifje.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka ngritur padi të shumta për shpifje, përfshirë një javën e kaluar kundër The Wall Street Journal.
Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që Brigitte Macron ka ngritur padi për shpifje për pretendimet se ka lindur mashkull.
Në vitin 2021, ajo ngriti padi kundër dy grave, Amandine Roy dhe Natacha Rey, për përhapjen e thashethemeve transgjinore në internet, të cilat më pas u bënë virale.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi3 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve