Lajme nga vendi
Komuna e Tetovës paralajmëroi se nxënësit pritet të pajisen me librat që u mungojnë në gjysmëvjetorin e dytë, MASH-i thotë se ende nuk ka vendim
Nxënësit në Tetovë do t’i marrin librat të cilët u mungojnë në gjysmëvjetorin e dytë. Kështu paralajmëruan nga Komuna e Tetovës pas takimit që patën me Ministrinë e Arsimit lidhur me këtë problem. Por nga MASH-i thonë se ende nuk është sjellë vendim përfundimtar.
Edhe pas mbi dy muaj e gjysmë që kur ka filluar viti shkollor, nxënësve në shkollat e Tetovës ende iu mungojnë mijëra libra.
Në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi ditë më parë ka pasur takim midis Komunës së Tetovës dhe Ministrisë së Arsimit, ku siç thanë nga Komuna e Tetovës zgjidhje do të ketë gjysmë-vjetorin e dytë .
“Një pjesë e librave do të sigurohet një pjese nga ministria dhe një pjesë do të porositet nga komuna. Në gjysmëvjetorin e dytë nxënësit do të jenë të pajisur me libra përveç gjuhëve që momentalisht nuk gjenden”, informuan nga Komuna e Tetovës .
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thanë se ministrja ka mbajtur takim me kryetarin e komunës dhe përfaqësuesit e tjerë të Komunës së Tetovës për mungesën e teksteve shkollore, por nuk është rënë dakord që Ministria e Arsimit dhe Shkencës t’i porosisë tekstet në gjysmëvjetorin e dytë.
“Janë duke u shqyrtuar disa mundësi, ndërsa për vendimin përfundimtar do të njoftoheni më tej”, thanë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Për mungesën e librave nëpër shkollat e Tetovës ministrja e Arsimit Vesna Janevska paraprakisht i fajësoi drejtorët e shkollave se nuk i kanë raportuar librat e dëmtuar dhe tha se për këtë arsye kanë ngecur me planifikimin e tyre.
Edhe nga Komuna e Tetovës patën konfirmuar se është e vërtetë që drejtoritë e shkollave fillore dhe të mesme nuk kanë kërkuar kompensim nga prindërit për tekstet e dëmtuara shkollore.
Mungesa e furnizimit me libra shtyu prindërit të fotokopjojnë të njëjtat, që u shkaktoi barrë shtesë në xhepat e tyre. Nxënësit e shkollave fillore që në shtator u ankuan se u mungojnë libra nga lëndët më të ndryshme.
Problemi me librat nuk është duke u zgjidhur me vite të tëra. Në të kaluarën në Tetovë ka pasur edhe protesta nga nxënësit për shkak të mungesës së librave.Portalb.mk
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

