Lajme nga rajoni
Mbahet konferenca e tretë ndërqeveritare Shqipëri-BE, hapen negociatat për kapituj të rinj
Në Bruksel është mbajtur konferenca e tretë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian (BE), për hapjen e negociatave mbi grupkapituj të rinj për procesin e anëtarësimit në BE, raporton Anadolu.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka kryesuar delegacionin shqiptar në konferencën ndërqeveritare, ndërkohë janë hapur negociatat për grupkapitujt në lidhje me marrëdhëniet e jashtme, politikën e jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes.
Kryeministri Rama, ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Szijjarto dhe Marta Kos, komisionerja e BE-së për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos, mbajtën një deklaratë të përbashkët për mediat.
Rama u shpreh se është e qartë që Evropa nuk është e bashkuar vetëm nga gjeografia, por sipas tij nga vlera, demokracia, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe siguria e përbashkët.
“Nuk ka dyshim në mendjen tonë se një Evropë me Ballkanin Perëndimor do të jetë më e fortë dhe më e bashkuar dhe do të jetë më e sigurt. Ndaj ambicia jonë nuk është sekret. Ne duam të sigurohemi që i kemi bërë detyrat tona të shtëpisë dhe që negociatat tona të mbyllen në vitin 2027 e me shpresë anëtarësimi jonë në BE të mbyllet brenda kësaj dekade”, tha Rama.
Ministri Szijjarto, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të BE-së u shpreh se nën presidencën hungareze kanë arritur të përshpejtojnë politikat e zgjerimit dhe shtoi se Shqipëria ka treguar progres të shkëlqyer.
“I kuptojmë shumë mirë shqetësimet e rajonit dhe e kuptojmë shumë mirë edhe rëndësinë e qëndrueshmërisë, paqes, qetësisë dhe zhvillimit në Ballkanin Perëndimor. Në gjashtë muajt e fundit ne kemi bërë gjitha përpjekjet tona për të përshpejtuar procesin e zgjerimit”, tha Szijjarto.
Komisionerja Kos u shpreh se e vlerëson angazhimin e të gjithë shteteve anëtare të BE-së në këtë proces.
“Ky vendim i sotëm është gjithashtu dhe një sinjal për Shqipërinë, rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe me tej që zgjerimi është prioritet për Bashkimin Evropian. Ne jemi të përkushtuar për të marrë rezultate të tjera dhe që të mund ta plotësojmë dhe përforcojmë unionin tonë në bazë të ndryshimeve gjeostrategjikë që po ndodhin”, tha Kos.
Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nga viti 2014. Konferenca e Parë Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe BE-së është mbajtur në korrik 2022. Në tetor 2024 u mbajt Konferenca e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, duke shënuar hapjen zyrtare të negociatave për grup-kapitujt e parë, për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Lajme nga rajoni
Ligji rekord i mbrojtjes së SHBA-së përfshin edhe Kosovën
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar Ligjin për politikën e mbrojtjes prej gati 1 trilion dollarësh, pavarësisht dispozitave të futura nga Kongresi që ofrojnë ndihmë të re për Ukrainën dhe frenojnë aftësinë e tij për të ulur përfshirjen e SHBA-së në mbrojtjen e Evropës.
Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare 2026 autorizon një rekord prej 901 miliardë dollarësh në shpenzimet ushtarake vjetore, 8 miliardë dollarë më shumë sesa kërkoi Trumpi.
Në të përfshihet edhe Kosova. Dokumenti thekson rëndësinë strategjike të Kosovës si pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe riafirmon angazhimin e SHBA-së për paqe, stabilitet, demokraci dhe zhvillim ekonomik në rajon. Kosova përmendet si një nga gjashtë shtetet kyç të Ballkanit Perëndimor, ku stabiliteti i saj lidhet drejtpërdrejt me sigurinë evropiane dhe interesat strategjike të SHBA-së.
“Paqja e vazhdueshme, stabiliteti dhe prosperiteti në Ballkanin Perëndimor është direkt i lidhur me mundësitë për përparim demokratik dhe ekonomik që u ofrohen qytetarëve të këtyre gjashte shteteve”, thuhet në dokument.
Në një nga pikat e rëndësishme të dokumentit është qëndrimi zyrtar i Kongresit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi. Aty Marrëveshja e 2023-tës për normalizimin e marrëdhënieve konsiderohet hap pozitiv, ndërsa kërkohet përparim i menjëhershëm në Aneksin e zbatimit. Riafirmon se zgjidhja përfundimtare duhet të bazohet në njohje reciproke dhe kundërshton qartë çdo ide për ndarje territoriale, shkëmbime apo rishikim kufijsh mbi baza etnike.
Mbështet gjithashtu zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në Aleancë, si dhe anëtarësimin në BE.
Në Ligj parashikohet mbështetje e vazhdueshme për reformat demokratike dhe sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor, zhvillimin ekonomik, rritjen e investimeve dhe forcimin e institucioneve. Kosova po ashtu përfshihet në kuadrin rajonal të masave për monitorimin dhe kundërshtimin e ndikimit malinj rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor. Ligji mbështet rritjen e ndihmës amerikane për sigurinë kibernetike, nga e cila përfiton edhe Kosova.
Legjislacioni gjithëpërfshirës përcakton gjithçka, nga sa anije, avionë dhe sisteme raketash blihen nga SHBA-ja, te një rritje pagash për trupat, e deri te mënyra e adresimit të kërcënimeve gjeopolitike. Ai është një kompromis, që kombinon masa të veçanta të miratuara nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati, të dyja nën kontrollin e republikanëve.
Ligji përfshin po ashtu disa dispozita për të rritur sigurinë në Evropë.
Trumpi ka qenë kritik ndaj forcimit të sigurisë evropiane, duke argumentuar se aleatët duhet të paguajnë vetë. Strategjia e tij e sigurisë kombëtare, e publikuar së fundmi, shihet si miqësore ndaj Rusisë, armiqësore ndaj Bashkimit Evropian dhe një rivlerësim i marrëdhënies së SHBA-së me kontinentin.
Sipas ligjit, ofrohen 800 milionë dollarë për Ukrainën – 400 milionë dollarë në secilin prej dy viteve të ardhshme – si pjesë e iniciativës së ndihmës për sigurinë e Ukrainës, e cila paguan kompanitë amerikane për armë për ushtrinë e Ukrainës.
Ligji i mbrojtjes gjithashtu autorizon iniciativën e sigurisë së vendeve baltike dhe ofron 175 milionë dollarë për të mbështetur mbrojtjen e Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë. Si dhe kufizon aftësinë e Departamentit të Mbrojtjes për të ulur numrin e forcave amerikane në Evropë në më pak se 76,000 dhe i ndalon komandantit evropian të SHBA-së të heqë dorë nga titulli i komandantit suprem të NATO-s.
Lajme nga rajoni
Vuçiq akuzon Kroacinë: Është bërë bashkë me Kosovën e Shqipërinë për ta penguar Serbinë
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq foli përsëri për marrëdhëniet me Kroacinë në një paraqitje televizive duke akuzuar se Zagrebi, siç u tha Vuçiq, po bllokon rrugën evropiane të Serbisë.
Vuçiq pretendon se “ngritja e Serbisë”, siç tha ai, si “një feniks”, ka bërë Kracia të bëhet bashkë me Kosovën, Shqipërinë, e të tjerët për ta penguar Beogradin. Ai këtu përmendi edhe aleancën ushtarake mes Kroacisë, Shqipërisë e Kosovës.
“Pse fqinjët tanë nuk duan që ne të jemi në BE? Arsyeja është e thjeshtë. Ata menduan se në momentin që u bashkuan me BE-në dhe NATO-n dhe kur ata që ishin në pushtet në Serbi ishin në pushtet dhe nuk e trajtonin vendin e tyre, le të themi, brenda vendit, gjithçka kishte mbaruar dhe se po bëheshin një forcë dominuese nga Triglav në Stamboll në mënyra të ndryshme, dhe sigurisht në zonën deri në Bullgari dhe Greqi”, tha Vuçiq.
“Që kur Serbia është ngritur, që kur Serbia, fjalë për fjalë është ngritur si një feniks nga hiri, është zgjuar dhe është bërë më e fortë, ata duan të frenojnë forcën e Serbisë. Dhe nuk ka ndonjë filozofi të madhe. Kjo është arsyeja pse ata janë të bashkuar me Prishtinën, Tiranën dhe të gjithë të tjerët”, përfundoi Vuçiq, siç raportohet nga mediat në Serbi.
Lajme nga rajoni
Shqipëria ndaloi 51 ton misër nga Serbia, konstatohet prani e substancave kancerogjene
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AUK) në Shqipëri ka konfirmuar të enjten në mbrëmje praninë e aflatoksinës B1 në dy ngarkesa me misër, të importuara nga Serbia, që përbëjnë një total prej 51 tonësh.
Ato ishin të porositura si ushqim për kafshët, ndërsa sipas njoftimit zyrtar, një nga ngarkesat është kthyer në vendin e origjinës, ndërsa tjetra është bllokuar për asgjësim.
“AKU kreu në Pikën e Inspektimit Kufitar të Hanit të Hotit mostrimin e dy ngarkesave me misër, ushqim për kafshë, origjina Serbi, të cilat pas kryerjes së analizimit laboratorik, janë konfirmuar me prani të Aflatoksinës B1. Informojmë se njëra nga ngarkesat është kthyer në vendin e origjinës, ndërsa ngarkesa tjetër është bllokuar në ambientet e subjektit me destinacion asgjësimin”, thuhet në njoftim.
Ekspertët e cilësojnë aflatoksinën si një nga toksinat më të rrezikshme për shëndetin e njeriut.
Konsumimi i misrit të kontaminuar nga kafshët mund të ndikojë edhe në qumështin që ato prodhojnë, pasi toksina nuk shkatërrohet gjatë procesit të përpunimit. Sipas OBSH-së, ekspozimi ndaj aflatoksinës mund të shkaktojë sëmundje kancerogjene./TopChanel

