Lajme nga vendi
Ruskoska: Grubi bëri gabim të madh që u largua nga vendi, po të kishte qëndruar, gjasat që t’i shqiptohej paraburgim do të ishin të vogla
Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi bëri një gabim të madh që u largua nga vendi, pasi nëse do të kishte qëndruar, gjasat për paragurgimin e tij do të ishin të pakta. Kështu ka deklaruar mbrëmë në emisionin “Top Tema” në Tv Telma, ish-prokurorja Vilma Ruskoska, duke komentuar rastin e Lotarisë Shtetërore, si dhe vendimin e Gjykatës Penale të Shkupit për masën e paraburgimit prej 30 ditësh për Grubin dhe ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajramin, transmeton Portalb.mk.
Ajo theksoi se paraburgimi caktohet në tri baza: rreziku i ndikimit te dëshmitarët, rreziku i arratisjes dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale.
“Po të ishte këtu, nuk do të kishte rrezik nga arratisja, nëse e gjithë familja e tij do të ishte këtu. Sa i përket përsëritjes së krimit, kjo është e pamundur sepse ai nuk është në detyrë, ndërsa ndikimi te dëshmitarët mund të parandalohet në mënyra të tjera”, tha ajo.
Për avokatin dhe ish-anëtarin e Komisionit Kundër Korrupsionit, Dragan Malinovski, vendimet e Qeverisë janë kolektive, dhe imuniteti funksional nuk është absolut, sidomos nëse ka dëshmi për veprime korruptive.
Prokuroria Themelore Publike Shkup (PTHP Shkup) mbrëmë ka lëshuar urdhër për Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) për lëshimin e fletarrestit kombëtar dhe deklaratë për lëshimin e fletarrestit ndërkombëtar për ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi dhe ish-drejtorin e Lotaria Shtetërore, Përparim Bajrami.
Gjykata Penale paraprakisht u ka caktuar 30 ditë paraburgim.
Ata së bashku me gjashtë të tjerë dyshohen për shpërdorim detyre dhe marrje ryshfeti në rastin “Lotaria Shtetërore”.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

