Lajme nga vendi
LSDM: Qeveria ka gjashtë miliardë euro buxhet, por nuk dëshiron t’i rrisë pagat e punëtorëve
Qeveria e Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së ka buxhetin më të madh në histori prej 6 miliardë euro dhe nuk dëshiron të rrisë pagat e punëtorëve të sektorit publik. Është e turpshme dhe e trishtueshme që punëtorët detyrohen të protestojnë duke kërkuar diçka që e meritojnë. Për çfarë është ai buxhet prej 6 miliardë eurosh nëse jo për të mbështetur qytetarët dhe punëtorët? Padyshim që të pasurohen qeveritarët, për pagat e tyre, për vetura, mobilie, lluksin e qeverisë si dhe kënaqja e interesave të elitës, por jo edhe për paga më të larta për punëtorët, thuhet në njoftimin e LSDM-së.
“Sistemi i rritjes së pagave i vendosur nga LSDM-ja është braktisur plotësisht nga qeveria aktuale, duke rezultuar në përkeqësim të standardit jetësor të punëtorëve. Këtë e vërtetojnë të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, të cilat tregojnë se kostoja e jetesës është rritur me 4,4% dhe çmimet e produkteve bazë janë rritur me 4,3%. LSDM është në anën e punëtorëve dhe kërkon që Qeveria urgjentisht të ndërmarrë hapa për rritjen e pagave në sektorin publik”, thonë nga LSDM.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

