Lajme nga bota
Mark Zuckerberg do t’i paguajë 25 milionë dollarë Donald Trump-it
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar një marrëveshje ligjore me kompaninë Meta, pronaren e Facebook dhe Instagram, që do të rezultojë në një pagesë prej afërsisht 25 milionë dollarësh.
Trump e paditi Meta-n dhe shefin ekzekutiv të saj, Mark Zuckerberg, në vitin 2021 pas pezullimit të llogarive të tij për shkak të trazirave të 6 janarit në Kapitol.
Në korrik 2024, Meta hoqi kufizimet e fundit mbi llogaritë e Trump-it në prag të zgjedhjeve presidenciale të SHBA. Marrëveshja e arritur u raportua fillimisht nga Wall Street Journal.
Sipas kësaj marrëveshjeje, rreth 22 milionë dollarë do të shkojnë në një fond për bibliotekën presidenciale të Trump, ndërsa pjesa e mbetur do të përdoret për shpenzimet ligjore dhe për paditës të tjerë që u bashkuan në procesin gjyqësor. Meta nuk ka pranuar asnjë faj për pezullimin e llogarive të Trump-it.
Ndërkohë, pas fitores së Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, Zuckerberg vizitoi resortin e tij në Florida, Mar-a-Lago, duke sinjalizuar një përmirësim të marrëdhënieve mes tyre. Në muajin pasues, Meta dhuroi 1 milion dollarë për fondin e inaugurimit të Trump, ndërsa Zuckerberg ishte i pranishëm në inaugurimin e tij në Kapitol, ulur pranë miliarderëve të tjerë të teknologjisë.
Ndër vite, Trump e ka kritikuar ashpër Zuckerberg-un dhe Facebook-un, duke i cilësuar si “anti-Trump”. Marrëdhënia e tyre u përkeqësua edhe më shumë pas pezullimit të llogarive të Trump-it, të cilin ai e quajti “armiku i popullit” në mars 2024.
Nga ana tjetër, Twitter, tani i quajtur X dhe në pronësi të aleatit të Trump-it, Elon Musk, riktheu llogarinë e tij në vitin 2022 pas një sondazhi online që votoi për rikthimin e tij
Lajme nga bota
Vatikani refuzon ftesën e Trump për ‘Bordin e Paqes’/ The Independent: Mbështet OKB-në për zgjidhjen e krizave globale
Lajme nga bota
PËRMBYTJET, 19 VIKTIMA NË EUROPË, MË RËNDË PORTUGALIA, SPANJA DHE FRANCA
Dëmë të mëdha dhe humbje jetësh njerëzore janë shënuar si pasojë e stuhive të forta dhe të njëpasnjëshme në europën perëndimore. Rajoni i Gadishullit Iberik është ndër më të goditurit.
Në Portugali, të paktën 16 persona kanë humbur jetën si pasojë e stuhiave dhe përmbytjeve, ndërsa një çift i moshuar rezulton i zhdukur.
Në Spanjë, një grua gjithashtu humbi jetën nga rrëzimi i një një çatie në Barcelona. Ka probleme të mëdha me përmbytjet në Madrid dhe Extremadura, ku shkollat vijojnë të jenë të mbyllura.
Në Francë, stuhia Nils shkaktoi vdekjen e dy personave, ndërsa autoritetet lëshuan paralajmërime për përmbytje, sidomos në Bretanjë dhe bregdetet perëndimore.
Në Itali, cikloni Harry shkaktoi dëme të mëdha në Kalabri, Sicili dhe Sardini, ku u shpall gjendja e emergjencës, pa raportime për viktima. Sipas ekspertëve, kjo valë e njëpasnjëshme stuhish shpjegohet nga mungesa e anticiklonit të Azoreve në vendin e zakonshëm, që lejon sistemet e ulëta atmosferike të lëvizin lirshëm drejt bregdetit perëndimor të Evropës.
Lajme nga bota
Pas dy raundeve takimesh në Abu Dhabi, ja kur priten të mbahen bisedimet e ardhshme SHBA-Rusi-Ukrainë
Raundi i ardhshëm i negociatave midis Kievit dhe Moskës për një zgjidhje diplomatike të luftës në Ukrainë do të mbahet të martën dhe të mërkurën në Gjenevë, njoftoi Kremlini.
“Raundi i ardhshëm i negociatave do të mbahet më 17-18 shkurt në Gjenevë, gjithashtu brenda formatit trepalësh Rusi -Shtetet e Bashkuara-Ukrainë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Delegacioni rus do të udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, i cili ka marrë pjesë në disa raunde bisedimesh midis Ukrainës dhe Rusisë.
Sakaq, Dmytro Lytvyn, një këshilltar i Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, konfirmoi se delegacioni ukrainas po përgatitet për bisedime në Zvicër.
Presidenti ukrainas tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara kishin propozuar mbajtjen e raundit të ardhshëm të bisedimeve në Miami, pas dy takimeve në Abu Dhabi. Sipas Zelensky-t, Kievi e kishte pranuar “menjëherë” mundësinë e mbajtjes së bisedimeve në Florida.
“Për ne, nuk është e rëndësishme nëse takimi do të zhvillohet në Miami apo Abu Dhabi. Gjëja kryesore është që të sjellë rezultate”, tha ai.
Rusët, ukrainasit dhe amerikanët kanë zhvilluar dy raunde negociatash në Abu Dhabi në javët e fundit, ndërsa bombardimet e ashpra, vdekjeprurëse dhe shkatërruese ruse vazhdojnë, kryesisht kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Javën e kaluar, presidenti ukrainas tha se Shtetet e Bashkuara dëshironin që lufta – më vdekjeprurëse në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – të përfundonte “deri në fillim të verës, në qershor”. Por negociatat duken të vështira, veçanërisht në lidhje me çështjen territoriale.

