Lajme nga vendi
Drejtuesit e UT-së vizituan konakun e Haxhi Bari Ganiut, shtëpinë ku u nënshkrua akti për themelimin e Universitetit të Tetovës
Drejtuesit e Universitetit të Tetovës kanë vizituar konakun e Haxhi Bari Ganiut, shtëpinë në t cilën në vitin 1994 u nënshkrua akti për themelimin e Universitetit të Tetovës.
Siç njoftojnë nga UT, kjo vizitë është një rikujtim i vlerave dhe sakrificave për arsimin shqip.
Njoftimi i plotë:
Drejtuesit e Universitetit të Tetovës e vizituan konakun ku u nënshkrua akti i themelimit i kësaj qendre të arsimit dhe shkencës
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kenan Ferati dhe bashkëpunëtorët e tyre e vizituan shtëpinë e Haxhi Bari Ganiut, vendin ku më 17 dhjetor 1994 u nënshkrua akti historik i themelimit të Universitetit të Tetovës. Kjo vizitë simbolizon një kthim në rrënjët e institucionit dhe një përkujtim të rëndësisë së këtij momenti për arsimin dhe kulturën shqiptare në rajon.
Gjatë vizitës, Rektori Jusuf Zejneli theksoi rëndësinë e kujtimit dhe ndërgjegjësimit për vlerat historike që e kanë formuar Universitetin e Tetovës si një institucion kyç në zhvillimin e arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut. “Shtëpia e Haxhi Bari Ganiut është një simbol i guximit dhe këmbënguljes së komunitetit tonë për të krijuar një institucion arsimor që të gjithë ne jemi krenarë që e quajmë shtëpinë tonë intelektuale”- theksoi Rektori i UT-së.
Ndërsa Kryetari i Senatit Prof. Dr. Kenan Ferati, vuri në dukje rolin e Senatit në ruajtjen e traditave dhe vlerave të universitetit. “Kjo vizitë na kujton për përgjegjësinë tonë për të ruajtur dhe përparuar trashëgiminë e universitetit tonë, duke u bazuar në parimet e lirisë, dinjitetit dhe zhvillimit shkencor”-u shpreh, Prof. Dr. Kenan Ferati.
I biri i Haxhi Bari Ganiut, Nuhi Ganiu i falënderoi drejtuesit e Universitetit të Tetovës për vizitën dhe respektin që i bënë familjes së tij e më pas evokoi kujtime nga babai i tij, duke theksuar rëndësinë dhe ndikimin që ka pasur në periudhën e themelimit të Universitetit të Tetovës. Po ashtu ai tha se porosia e tij e fundit ka qenë që konaku ku është nënshkruar akti i themelimit të mos ndryshohet dhe të ruhet brez pas brezi nga trashëgimtarët e tij.
Universiteti i Tetovës, i themeluar në kushte të vështira dhe me sakrifica të mëdha, vazhdon të jetë një shtyllë e rëndësishme për arsimin dhe kulturën shqiptare në rajon. Vizita e Rektorit dhe Kryetarit të Senatit në këtë vend historik është një përkujtim i vlerave dhe synimeve që kanë udhëhequr Universitetin gjatë viteve. Në përmbyllje të kësaj vizite në shenjë mirënjohjeje Rektori i UT-së Prof. Dr. Jusuf Zejneli, z. Nuhi Ganiu i dhuroi kompletin e librave të themeluesit dhe Rektorit të parë historik Prof. Dr. Fadil Sulejmani.
Lajme nga vendi
Nga viti i ardhëshëm drejtimet Informatikë dhe Programim në Gjimnazin “7 Marsi” – Tetovë. Propozimi i këshilltarit të ASH, Arlind Murtezani, mirëpritet dhe pranohet nga Komuna e Tetovës
Nga viti i ardhëshëm drejtimet #Informatikë dhe #Programim në #Gjimnazin “7 Marsi” – Tetovë. Propozimi i këshilltarit të ASH, Arlind Murtezani, mirëpritet dhe pranohet nga Komuna e Tetovës!, theksohet në komunikatën e ASH-së, të cilën MIA e transmeton në formë integrale.
Këshilltari i Aleancës për Shqiptarët, Arlind Murtezani, në mbledhjen e fundit të Këshillit Komunal të Tetovës, propozoi që nga viti i ardhëshëm shkollor, në Gjimnazin “7 Marsi” të hapen dy drejtime të reja për Informatikë dhe Programim. Në arsyetimin e tij, Murtezani tha se janë mbi 400 nxënës që ndjekin kurse private në këto drejtime dhe se hapja e paraleleve në shkollë të mesme do tu ndihmonte nxënësve të avansojnë në këto drejtime inovative që janë trend botëror dhe do ti përgadit ata për studime të suksesshme universitare dhe arritje të larta në Informatikë dhe Programim. Ai ftoi edhe Këshillin komunal dhe Kryetarin e Komunës që të mbështesin iniciativën për të mirën e të rinjëve dhe qytetarëve të Tetovës dhe bashkërisht të realizojnë këtë projekt. Iniciativa e këshilltarit Arlind Murtezani u mirëprit edhe nga udhëheqësia e Komunës së Tetovës, ndërsa përgjegjësi për arsim në përgjigjen e tij tha se para vitit të ardhëshëm shkollor do të dërgojnë kërkesë në ministri për të siguruar miratimin final dhe nga shtatori i ardhëshëm të fillojnë dy drejtimet e reja në Gjimnazin “7 Marsi” në Tetovë.
Lajme nga vendi
Mashtrim online në Tetovë: Gruaja humb 280 euro pas premtimit për “ndihmë”
Një grua 39-vjeçare nga Tetova ka rënë pre e një mashtrimi përmes aplikacioneve celulare, Më 01.01.2026 në ora 16:20, ajo ka denoncuar në SPB Tetovë se është mashtruar për shumën prej 280 eurosh nga personi A.K. nga Serbia. Sipas denoncimit, i dyshuari i kishte premtuar ndihmë financiare për fëmijën e saj, por fillimisht i kërkoi para si “garanci”. Pasi paratë u transferuan, ai kërkoi edhe më shumë, moment kur viktima kuptoi se ishte mashtruar. Rasti po hetohet.
Lajme nga vendi
Durmishi: Ligjet e reja i japin goditje ekonomisë gri dhe mbështetjes të fortë ekonomisë formale
Formalizimi i ekonomisë gri është një nga përcaktimet më të larta strategjike të Qeverisë dhe segment kyç i agjendës reformuese, meqë ndikon drejtpërdrejt në rritjen ekonomike, stabilitetin e financave publike dhe mbrojtjen e punëtorëve”, tha ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Ai vuri në dukje se sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, në vitin 2024 në vend ka pasur rreth 694.000 të punësuar, nga të cilët përafërsisht 85.000 kanë qenë të angazhuar në mënyrë informale, gjë që, siç theksoi ai, paraqet sfidë serioze që kërkon zgjidhje sistemore, e jo ad-hok.
Ministri Durmishi përkujtoi se Ministria tashmë edhe deri më tani ka ndërmarrë masa përmes Planit Operativ për Punësim, por analizat kanë treguar se disa nga personat vazhdojnë të mbeten jashtë rrjedhave formale.
“Pikërisht për këtë arsye është miratuar Ligji për Angazhimin me Punë të Personave, i cili fillon të zbatohet nga 1 janari i vitit 2026 dhe paraqet reformë thelbësore në mënyrën e angazhimit të rastësishëm dhe sezonal të punëtorëve”, tha ai
Sipas tij, me këtë ligj, vendoset model më fleksibël dhe të thjeshtuar për punësimin legal të fuqisë punëtore, me kornizë të qartë juridike dhe procedura elektronike për lajmërim, çlajmërim dhe arkëtim të kontributeve. Durmishi theksoi se Ligji mundëson angazhimin me punë e të punësuarve, të papunëve, studentëve, nxënësve dhe pensionistëve, pa humbur me këtë rast të drejtat e tyre tashmë të përvetësuara.
Në fazën e parë, siç informoi ministri, janë përfshirë veprimtaritë ku ekonomia gri është më e theksuar – bujqësia, pylltaria, peshkimi, objektet akomoduese, veprimtaritë e shërbimit të ushqimit dhe veprimtaritë në amvisëri.
“Me zbatimin e ligjit pritet formalizimi i rreth 17.400 persona, nga të cilët deri në 12.000 punëtorë sezonalë në bujqësi dhe rreth 5.400 punëtorë të palajmëruar në turizëm, hotelieri dhe shërbime,” tha Durmishi.
Ai theksoi se reforma sjell përfitime edhe për punëtorët edhe për punëdhënësit, përmes procedurave të thjeshtuara administrative, pagesës në orë, pagesës së kontributeve dhe mbrojtjes së qartë juridike të të drejtave të punëtorëve.
Paralelisht me këtë, ministri përkujtoi se nga 1 janari i vitit 2026, fillon të zbatohet Ligji për Mbështetjen Financiare të Investimeve, gjë që siguron mbështetje financiare për kompanitë që investojnë, krijojnë vende të reja pune dhe realiziojnë rritje të të ardhurave.
“Kombinimi i këtyre dy ligjeve nënkupton njëkohësisht luftimin e ekonomisë gri dhe mbështetjen aktive të ekonomisë formale, me çka shteti krijon klimë të qëndrueshme, të parashikueshme dhe të drejtë afariste”, tha ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.

