Lajme nga vendi
HIQENI MARZHËN OSE MBYLLEN MARKETET! Oda e tregtarëve “kërcënon” Qeverinë
Odat ekonomike e tregtarëve me shumicë dhe pakicë, kryesisht me produkte ushqimore dhe jo ushqimore, pije dhe duhan kërkuan takim urgjent me Qeverinë lidhur me vendimin për kufizimin e marzheve. Siç njofton Oda, vendimi i cili parasheh 10 për qind kufizim të marzhës do të rrezikojë mbijetesën e shitësve me pakicë dhe do t’i detyrojë ata të largojnë punëtorët, por edhe t’i mbyllin marketet. Dëmet, sipas Odës, do të jenë të mëdha, sepse vihet në rrezik mbijetesa e 86 kompanive tregtare me 790 dyqane dhe 4.700 punonjës.
“Në përgjithësi e kundërshtojmë vendimin për kufizimin e marzhës në 10 për qind. Me një marzhë të tillë nuk do të mundemi të mbijetojmë. Do të duhet të marrim vendime kufizuese për pushimin nga puna të punonjësve tanë, për ristrukturimin e punës dhe mbylljen e marketeve. Prandaj, kërkojmë urgjentisht të gjendet zgjidhje e përbashkët. Sugjerojmë të merren parasysh analizat që kanë treguar se marketet nuk janë përgjegjëse për rritjen e çmimeve, por politikën e çmimeve e drejtojnë furnitorët dhe prodhuesit. Theksojmë se çmimet nuk i rrisim asnjëherë vetë, por ndryshimi ndodh për shkak të ndryshimeve në çmimet e prodhuesve apo furnitorëve dhe pikërisht për këtë tregjet janë nën presion të vazhdueshëm për të pranuar listat e reja të çmimeve. Nëse kjo nuk bëhet, produktet nuk do të dorëzohen. Kjo rezulton në presion mbi tregjet dhe konsumatorët, qoftë mbi çmimet, qoftë mbi mungesat e produkteve. Vetëm në muajin janar, në markete erdhën listat e çmimeve nga mbi 40 furnitorë dhe prodhues në 92 kategori produktesh dhe nënkategori. Marzhi i fitimit në markete po zvogëlohet nga viti në vit, ndërsa te ata po rritet”, thekson Oda.
Oda thekson gjithashtu se deri më tani, në formimin e çmimeve, nuk ka ndërhyrë asnjë Qeveri.
“Kemi ekonomi tregtare dhe çmimet formohen në varësi nga oferta dhe kërkesa, nëse ka ofertë të madhe, çmimet vetë ulen, pa intervenuar Qeveria, ndërsa për tu rritur oferta, duhet të rritet prodhimi. Kërkojmë të gjendet zgjidhje e arsyeshme, për të krijuar harmoni mes gjithë aktorëve, me qëllim që i gjithë sistemi të funksionojë dhe të gjithë ne të punojmë me sukses, si partnerë të vërtetë biznesi. Si biznesmenë serioz dhe të përkushtuar, me shumë vite ekzistencë dhe funksionim në sektorin e tregtisë, nuk duam të marrim masa radikale, protesta, bllokada… prandaj kërkojmë takim urgjent me Qeverinë, për të shpjeguar situatat. Kërkojmë që të zbardhen shkaqet e situatës dhe të mbahen përgjegjësi, e jo faji të kalojë te tregtarët. Besojmë, do të kuptohet për seriozitetin e gjendjes dhe do ta realizojmë takimin në një periudhë sa më të shpejtë, sepse masat populiste nuk i zgjidhin problemet në afat të gjatë”, nënvizon Oda në komunikatën e saj.
Ai thekson gjithashtu se mbijetesa e tregtarëve rëndohet edhe nga taksa të tjera, siç është çmimi i energjisë elektrike.
Lajme nga vendi
VLEN: BDI t’i kërkojë SPAK-ut të Shqipërisë ekstradimin e Grubit
Nisma e Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair për krijimin e një “SPAK-u” lokal kundër korrupsionit ka nxitur reagime nga Koalicioni VLEN.
Nga VLEN-i thonë se iniciativa duhet të shoqërohet me veprime konkrete dhe jo të mbetet vetëm deklarative, duke e cilësuar si përpjekje propagandistike.
Sipas tyre, nëse synohet vërtet transparencë dhe përgjegjësi, hetimet duhet të nisin nga vetë drejtuesit e BDI-së, për të dëshmuar se bëhet fjalë për proces serioz dhe të paanshëm ndaj të gjithë zyrtarëve, pa përjashtim.
“BDI në Çair shpall me bujë formimin e një “SPAK-u” lokal, sikur të kishte zbuluar “Amerikën”. Por, pyetja që lind menjëherë është: a do ta kapë ky SPAK edhe kryesinë e vet? Apo është vetëm një teatër i radhës për të mashtruar qytetarët? VLEN-i e përshëndet këtë “SPAK” të BDI-së dhe i sugjeron që, nëse vërtet është për veprim dhe jo për spektakël, të fillojë hetimet pikërisht nga këta emra. Punën e parë që duhet ta bëjë është të vendosë komunikim me SPAK-un e Shqipërisë dhe të kërkojë ekstradimin e Artan Grubit.”, – thanë nga Koalicioni VLEN.
Ditë më parë, Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair themeloi një “SPAK” lokal si mekanizëm kundër korrupsionit. Sipas njoftimit, kjo strukturë do të monitorojë ndërtimet pa leje dhe punën e organeve komunale për shkelje urbanistike.
BDI u bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo keqpërdorim të pushtetit. (Armend Murseli, TVM2)
Lajme nga vendi
Dega e BDI-së në Çair ka themeluar një strukturë kundër korrupsionit me emrin “SPAK”
Duke huazuar emrin e Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë që ndjek krimin dhe korrupsionin e nivelit të lartë, dega e BDI-së në Çair ka themeluar një Sekretariat, akronimi i të cilit është i njëjtë me atë të Prokurorisë – SPAK.
“SPAK do të funksionojë si mekanizëm profesional monitorimi, i përbërë nga ekspertë vullnetarë – juristë, ekonomistë, urbanistë dhe profesionistë të fushave përkatëse – të cilët do të analizojnë çdo indikacion për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve publike”, deklaroi Enard Bakiu, BDI – Çair.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i koalicionit VLEN të cilët kërkojnë që SPAKU i BDI-së të kërkojë nga SPAKU i Shqipërisë ta ekstradojë Artan Grubin, funksionarin e BDI-së i cili pasi u fut në listë të Zezë u arratis nga shteti, ndërsa dyshimet janë se fshihet në Shqipëri. Plotësisht kërkojnë të hetohen dhe figura tjera të BDI-së.
“Korrupsioni nuk është thjesht ndërtim pa leje apo tender komunal. Ai ka fytyra të njohura: Faton Ahmeti, për dyshimet e keqpërdorimit të fondeve në FSSH, Arbër Ademi, si ministër i Arsimit me lëndë të hapura për abuzime, Bujar Osmani, për rastin famëkeq “Pacienti”, dhe shumë të tjerë që sot ulen në kryesinë e BDI-së si të paprekshëm”, thonë nga VLEN.
SPAKU i BDI-së, është ironizuar edhe për faktin që në periudhën e kaluar ishte në shënjestër të kritikave pasi dy funksionarët e saj Artan Grubi dhe Ramiz Merko u futën në Listë të Zezë për korrupsion, ndërsa u dorëzuan padi edhe kundër një sërë funksionarëve, duke përfshirë Blerim Bexhetin, Fatmir Deharin, Ramiz Merkon, Bujar Dardhishtën, Kreshnik Bekteshin, Bekim Maksutin, Ejup Rustemin e të tjerë. Mekanizmi SPAK, mbase duket si ide e huazuar nga LSDM, e cila e promovoi Qendrën Hulumtuese për Korrupsion dhe Krim të Organizuar me akronimin MICKO, një shkurtesë që përdoret në komunikimin jokonvencional dhe ironizues për Mickoskin. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
KEMM: 140 ANKESA PËR CEREMONINË MORTORE NË KOÇANË
Këshilli I Etikës në media të Maqedonisë, një ditë pas ceremonisë mortore të viktimave të zjarrit tragjik në diskotekën e Koçanit, ka pranuar 140 ankesa lidhur me mënyrën e raportimit të mediave – ka njoftuar Drejtorja Ekzekutive, Biljana Georgievska.
Ajo ka shtuar se të gjitha vërrejtjet kanë ardhë nga e-maile të hapura për një përdorim nga numra telefonike që nuk ekzistojnë.
“Çdo minutë vinte nga një ankesë që për ne ishte një situatë jo e zakonshme që I gjasonte një sulmi të orkestruar digjital, jo vetëm ndaj KEMM-it, por edhe ndaj mediave, vecanërisht për përmbajtjet dhe mënyrës së raportimit për ceremoninë e varrimit. Ata kryesisht hynë në pakon e ankesave pa bazë, për shkak se kishin të bëjnë me mediat e huaja, nga rajoni, por edhe televizione nga India” – thotë Georgievska.
Në vitin 2025 në KEMM knë mbërritur shumë ankesa që lidhen me tragjedinë në Koçanë. Janë shqyrtuar 96 mha 244 ankesat.
Më së shpeshti është shkelur nëni 1 I Kodit të Gazetarëve – mungesa e burimeve dhe mungesa e palës së dytë të storjes.
Nga KEMM thonë se mediat online paraqiten si shkelësit më të mëdhenj të standardeve për informim etik.

