Lajme nga vendi
Oda e tregtarëve e pakënaqur me vendimin e Qeverisë për ngrirjen e çmimeve, kërkojnë takim me kryeministrin
Oda ekonomike e tregtarëve me shumicë dhe pakicë ka shprehur shqetësim për vendimet e djeshme të Qeverisë, e cila solli vendim të ngrijë çmimet e disa produkteve ushqomore dhe joushqimore. Nga Oda e tregtarëve kërkojnë takim urgjent me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministrin e Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi për të shqyrtuar pasojat e këtyre vendimeve dhe për të marrë parasysh propozimet e arsyetuara të kompanive në sektorin e tregtisë.
Sipas këtyre vendimeve, siç thonë ata, parashikohet kufizimi i marzhit të produkteve ushqimore bazë, me pritshmëri që çmimet e këtyre produkteve të ulen mesatarisht 10 për qind, përveç qumështit, bukës, miellit të tipit 400 dhe 500, vezëve, vajit të gatimit, kosit dhe qumështit të thartë, të cilët pritet të mbeten në të njëjtin nivel, jo rritje.
“Theksojmë se në deklaratën e tij zëvendësministri e mohon vetë këtë. Nga njëra anë thuhet se produktet bazë shënohen me marzh 20-25 për qind, çka është arsyeja e kufizimit të marzhit në 5 për qind, por nga ana tjetër pretendohet se nuk do të ketë ulje të ndjeshme të çmimeve. Është logjike që çmimet të ulen me 15-20 për qind nëse marzhi ulet në këtë mënyrë. Gjithashtu, këto vendime nuk mbrojnë qytetarët e cenueshëm social, por konsumatorët me të ardhura më të larta do të kenë përfitimin më të madh financiar. Për shembull, në grupin e produkteve të mishit do të duhet të ulen edhe çmimet e produkteve luksoze, që do të thotë se nuk merren parasysh prioritetet e qytetarëve me të ardhura më të ulëta”, thuhet në deklaratë.
Oda e tregtarëve thekson se edhe pse Qeveria ka paralajmëruar se kjo masë do të përfshijë 1000 produkte, në realitet bëhet fjalë për një listë shumë më të gjerë prej 3000-4000 produkteve, ku përfshihen të gjitha llojet e qumështit me përmbajtje të ndryshme yndyre, si dhe produkte si detergjentë dhe sapunë.
“I gjithë sektori ndan shqetësimin, megjithëse Qeveria, Ministria e Ekonomisë dhe Punës dhe Inspektorati Shtetëror i Tregut kanë paraqitur propozime konkrete, të cilat pasqyrojnë situatën reale. Këto propozime kanë qenë me kërkesë të Qeverisë. Ato synojnë të ofrojnë masa efektive për uljen e çmimeve, duke mos rrezikuar në të njëjtën kohë mbijetesën e ndërmarrjeve tregtare. të cilat mund të shkaktojnë dëme të mëdha për të gjitha subjektet ekonomike që merren me veprimtari tregtare”, thonë ata.
Vendime të tilla të nxituara, siç shprehen ata, i shkaktojnë dëme të konsiderueshme një numri të madh të subjekteve afariste që luajnë një rol kyç në zhvillimin e ekonomisë. Sipas tyre, këto kompani përballen me pasiguri në investimet dhe aktivitetet e tyre në të ardhmen, ndërsa në të njëjtën kohë dërgojnë një mesazh negativ për të gjithë investitorët potencialë në industri.
Ata shtojnë se këto kompani punësojnë 4700 qytetarë dhe funksionimi i tyre është thelbësor për stabilitetin ekonomik të vendit.
Lajme nga vendi
Jozyrtarisht ky është draft-ligji për përfaqësim të drejtë, vlerësuar pozitivisht nga Venecia (DOKUMENT)
Iliria News Agency (INA) ka siguruar versionin e draft-ligjit për Përfaqësim Adekuat dhe të Drejtë, të dorëzuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Komisionin e Venecias.
Drafti ka marrë vlerësim pozitiv nga ekspertët ndërkombëtarë, duke theksuar rëndësinë e tij për garantimin e përfaqësimit të barabartë të të gjitha komuniteteve në institucionet publike dhe organet shtetërore.
Ky draft-ligj siç thuhet ka për qëllim të sigurojë:
Përfaqësim proporcional të qytetarëve sipas të dhënave të fundit të regjistrimit të popullsisë;
Trajtim të drejtë dhe mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët në punësim dhe avancim në administratën publike;
Monitorim dhe analiza të vazhdueshme për të garantuar barazinë dhe përfshirjen e komuniteteve;
Krijimin e mekanizmave institucionalë për të përmirësuar përfaqësimin e komuniteteve të nën-përfaqësuara.
Draft-ligji është përgatitur duke respektuar parimet kushtetuese, standardet ndërkombëtare dhe synon të forcojë kohezionin social dhe përfshirjen qytetare në nivelin qendror dhe lokal, përcjell INA. Për këtë projekt-ligj që pritet të marrë dritë jeshile në Kuvend, pritet të hapet debat parlamentar por edhe në opinionin publik.
Më poshtë gjendet projekt-ligji i plotë në shqip, i përkthyer nga versioni i Komisionit të Venecias, ndërsa në link teksti origjinal KËTU:
PROJEKT-LIGJI PËR PËRFAQËSIM ADEKUAT DHE TË DREJTË
(Përkthim profesional nga versioni anglisht i CDL-REF(2025)037)
Lënda e rregullimit
Neni 1
(1) Me këtë ligj rregullohet respektimi, afirmimi, promovimi dhe monitorimi i përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve në organet e pushtetit shtetëror dhe në institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet, si vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Përkufizime
Neni 2
(1) Për qëllimet e këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë kuptimin si vijon:
Përfaqësim adekuat është përfaqësimi i qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve në organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet, i cili përafërsisht pasqyron pjesëmarrjen e tyre në popullsi, sipas të dhënave të regjistrimit të fundit të popullsisë.
Përfaqësim i drejtë është përfaqësimi i qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve në organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet, duke siguruar trajtim të drejtë dhe mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët, me respektimin e rregullave të kompetencës dhe integritetit që rregullojnë administratën publike.
Qëllimet
Neni 3
(1) Qëllimi i këtij ligji është respektimi, afirmimi dhe promovimi i përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve në organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet.
(2) Ky ligj siguron qasje të barabartë në punësim dhe avancim në punë, pjesëmarrje dhe përfaqësim të qytetarëve në organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet, si dhe nxit përfshirjen dhe forcimin e kohezionit shoqëror përmes vendosjes së mekanizmave institucionalë dhe proceduralë.
Fusha e zbatimit
Neni 4
(1) Respektimi, afirmimi, promovimi dhe monitorimi i përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve, në përputhje me këtë ligj, zbatohet në organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet.
Parimet
Neni 5
(1) Përfaqësimi adekuat dhe i drejtë, si vlerë themelore e rendit kushtetues, realizohet në përputhje me parimet e:
mosdiskriminimit dhe mundësive të barabarta;
meritës, profesionalizmit, kompetencës dhe integritetit;
transparencës dhe llogaridhënies në proceset e punësimit dhe avancimit;
përfshirjes dhe kohezionit shoqëror.
Deklarimi i lirë i përkatësisë
Neni 6
(1) Çdo qytetar ka të drejtë të deklarojë lirisht përkatësinë e tij ose të saj ndaj cilitdo komunitet në shtet. Kjo e drejtë ushtrohet individualisht ose së bashku me qytetarë të tjerë që u përkasin të njëjtit ose një komuniteti tjetër, pa asnjë formë detyrimi.
(2) Deklarimi i përkatësisë etnike është vullnetar.
(3) Qytetari ka të drejtë të mos deklarojë përkatësinë e tij ose të saj ndaj asnjë komuniteti. Mosdeklarimi nuk mund të ndikojë në ushtrimin e të drejtave dhe lirive të tij ose të saj, as në pozitën e tij ose të saj juridike.
(4) Deklarimi i lirë i përkatësisë së qytetarëve mund të kushtëzohet me kritere objektive me qëllim parandalimin e keqpërdorimit të deklarimit arbitrar.
Bazat për zbatimin e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë
Neni 7
(1) Qytetarët që u përkasin të gjitha komuniteteve gëzojnë përfaqësim adekuat dhe të drejtë në organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet e tjera publike, në të gjitha nivelet.
(2) Përfaqësimi sipas paragrafit (1) realizohet në bazë të rezultateve të regjistrimit të fundit të popullsisë, të drejtave të fituara dhe marrëveshjeve ndërkombëtare që janë pjesë përbërëse e rendit juridik të brendshëm, në përputhje me Kushtetutën.
(3) Respektimi i përfaqësimit adekuat dhe të drejtë duhet të sigurojë trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët, pa diskriminim, dhe të zbatohet në përputhje me parimet e barazisë, meritës dhe kompetencës profesionale.
(4) Trajtimi preferencial për arritjen dhe promovimin e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të komuniteteve të nënpërfaqësuara, me qëllim sigurimin e barazisë efektive, nuk konsiderohet diskriminim.
Masat për sigurimin e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë
Neni 8
(1) Organet shtetërore dhe institucionet e tjera publike, në të gjitha nivelet, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, ndërmarrin masa për të siguruar barazi të plotë dhe efektive të qytetarëve, me qëllim respektimin, afirmimin, promovimin dhe mbrojtjen e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve.
(2) Vëmendje e veçantë i kushtohet masave për përmirësimin e përfaqësimit të qytetarëve që u përkasin komuniteteve të nënpërfaqësuara në organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet e sektorit publik.
Trupi koordinues për monitorimin e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë
Neni 9
(1) Me qëllim monitorimin e gjendjes dhe promovimin e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë, themelohet Trupi Koordinues për Zbatimin e Përfaqësimit Adekuat dhe të Drejtë të Qeverisë (në vijim: Trupi Koordinues).
(2) Trupi Koordinues funksionon në bashkëpunim me Agjencinë për Nëpunës Administrativë (në vijim: Agjencia).
(3) Përbërja e Trupit Koordinues përcaktohet nga Qeveria. Trupi drejtohet nga njëri prej zëvendëskryeministrave dhe përbëhet nga ministra, një përfaqësues i Agjencisë, një përfaqësues i Avokatit të Popullit, një përfaqësues i Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe një përfaqësues i komunitetit akademik.
(4) Organizimi dhe mënyra e punës së Trupit Koordinues rregullohen me akt të propozuar nga Trupi Koordinues dhe të miratuar nga Qeveria.
(5) Trupi Koordinues, me iniciativë të vet ose me propozim të një institucioni kompetent, mund të propozojë rishikimin e politikave, programeve dhe planeve për punësim dhe avancim në sektorin publik, me qëllim përmirësimin e përfaqësimit.
(6) Trupi Koordinues monitoron dhe vlerëson zbatimin e të drejtave të qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve, si dhe gjendjen e marrëdhënieve ndëretnike në sektorin publik, dhe në këtë bazë propozon masa për promovimin e barazisë, përfshirjes dhe efikasitetit të administratës publike.
Monitorimi dhe analiza e gjendjes lidhur me përfaqësimin adekuat dhe të drejtë
Neni 10
(1) Trupi Koordinues, në bashkëpunim me Agjencinë, monitoron dhe analizon rregullisht zbatimin e masave dhe aktiviteteve për sigurimin e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë dhe përgatit raport të paktën një herë në vit, i cili i paraqitet Qeverisë.
(2) Me kërkesë të Trupit Koordinues, të gjitha organet kompetente janë të detyruara që brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës të dorëzojnë të dhëna dhe informacione lidhur me gjendjen e përfaqësimit.
(3) Të dhënat dhe informacionet përfshijnë veçanërisht:
të dhëna statistikore mbi përfaqësimin;
të dhëna nga regjistri i të punësuarve në sektorin publik;
të dhëna për masat e zbatuara dhe nivelin e zbatimit të tyre;
informacione mbi vështirësitë në zbatim;
shpenzimet financiare vjetore;
masat dhe shpenzimet e planifikuara për vitin e ardhshëm fiskal;
dhe informacione të tjera.
(4) Gjatë përpunimit dhe dorëzimit të të dhënave personale respektohen dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
(5) Në rast të mosdorëzimit të të dhënave brenda afatit, Trupi Koordinues e njofton Qeverinë me raport të veçantë.
Planifikimi i punësimit
Neni 11
(1) Agjencia, në bashkëpunim me Trupin Koordinues, miraton metodologji për planifikimin e punësimit në sektorin publik në përputhje me parimin e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë.
(2) Gjatë planifikimit vjetor të punësimit, institucionet publike janë të detyruara të marrin parasysh planin e shpërndarjes së punësimeve të reja, të përgatitur sipas metodologjisë.
(3) Shpërndarja bazohet në përqindjen e përfaqësimit të të punësuarve në fillim të vitit kalendarik, duke marrë parasysh të dhënat e regjistrimit të fundit të popullsisë dhe përfaqësimin në nivel qendror dhe/ose lokal.
(4) Nëse konstatohet mbipërfaqësim i një komuniteti, Trupi Koordinues propozon masa për rishpërndarjen e punësimeve të reja. Në institucionet ku përfaqësimi adekuat është arritur ose tejkaluar, nuk planifikohen punësime të reja mbi këtë bazë për aq kohë sa kjo gjendje vazhdon.
Ngritja e ndërgjegjësimit publik
Neni 12
(1) Institucionet e sektorit publik ndërmarrin aktivitete për ngritjen e ndërgjegjësimit publik, promovimin e edukimit dhe zhvillimit profesional lidhur me zbatimin e parimit të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë.
(2) Këto aktivitete mund të përfshijnë trajnime, fushata publike, seminare, konsultime, mbështetje për përgatitjen e akteve të brendshme, udhëzime dhe forma të tjera edukimi dhe informimi.
(3) Trupi Koordinues, përmes raportit vjetor drejtuar Qeverisë, paraqet edhe informacion mbi aktivitetet e ndërmarra dhe rekomandime për përmirësim.
(4) Mjetet financiare sigurohen nga buxhetet e institucioneve kompetente dhe nga burime të tjera në përputhje me ligjin.
Promovimi dhe edukimi
Neni 13
(1) Institucionet e sektorit publik, brenda kapaciteteve dhe kompetencave të tyre, inkurajojnë pjesëmarrjen e të punësuarve nga të gjitha komunitetet në programe arsimimi, trajnimi dhe zhvillimi profesional, me qëllim përmirësimin e kompetencave dhe zbatimin e parimit të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë.
Dispozita kalimtare dhe përfundimtare
Neni 14
(1) Aktet nënligjore të parashikuara me këtë ligj miratohen brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e tij.
(2) Qeveria, brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, përgatit rishikimin e të gjitha ligjeve që përmbajnë dispozita lidhur me përfaqësimin adekuat dhe të drejtë dhe paraqet propozime për harmonizimin e tyre.
Hyrja në fuqi
Neni 15
(1) Ky ligj hyn në fuqi ditën e tetë nga data e publikimit në “Fletoren Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Lajme nga vendi
Moti me diell dhe vranësira të vogla, temperatura deri në 13 gradë
Moti sot me diell dhe me vranësira të vogla deri në mesatare. Në orët e mëngjesit në disa vende do të ketë paraqitje të mjegullës. Do të fryjë erë e dobët deri në mesatare nga drejtimi veriperëndimorë. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -6 deri në 0, ndërsa ajo maksimale do të arrij nga 9 deri në 13 gradë.
Në Shkup paradite në disa pjesë të luginës do të ketë paraqitje të mjegullës. Gjatë ditës moti do të jetë me diell. Temperatura minimale do të ulet në -5, ndërsa ajo maksimale do të arrij në 9 gradë Celsiusë.
Lajme nga vendi
Konfiskohen vegla pune dhe rroba në dy raste të ndryshme në autostradën Tabanoc–Kumanovë
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se gjatë ditës së djeshme, në autostradën Tabanoc–Kumanovë, në dy raste të ndara, kanë privuar nga liria B.I. (38) nga Kumanova dhe B.S. (41) nga Shkupi.

Fillimisht, nëpunësit policorë ndaluan një automjet pasagjerësh të tipit “Golf”, me targa të Kumanovës, të drejtuar nga B.I. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën 272 copë mallra të ndryshme të brenduara, pa dokumentacion përkatës. Mallrat u sekuestruan, ndërsa personi u privua nga liria.

MPB njofton se në rastin e dytë, nëpunësit policorë ndaluan një automjet pasagjerësh të tipit “Mercedes”, me targa të Shkupit, të drejtuar nga B.S. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën 174 copë vegla të ndryshme pune, elektrike dhe me bateri, gjithashtu pa dokumentacion. Automjeti dhe veglat u sekuestruan, ndërsa personi u privua nga liria.
Pas dokumentimit të plotë të rasteve, do të parashtrohen kallëzimet përkatëse.
-
Lajme nga vendi2 months agoBilall Kasami : Mega projekti që po bëhet realitet investim prej 70 milionë denarëve Tetova po transformohet
-
Lajme nga vendi1 month agoUniversiteti i Tetovës shpreh ngushëllime për vdekjen e studentes Daorsa Spahija
-
Lajme nga vendi2 months agoEdhe LSDM del me vlerësimet e saj: Me këtë rezultat, VMRO-DPMNE do të kishte 52 deputetë, kurse ne 21

