Lajme nga vendi
SPB Tetovë: Ndalohen katër persona, kapen gjatë shit-blerjes së lëndëve narkotike

SPB Tetovë njofton se dje (18.02.2025) në ora 21:30, në kryqëzimin për fshatin Tumçevishtë të Gostivarit, zyrtarë policorë të DPB Gostivar, kanë privuar nga liria katër persona, të cilët janë kapur gjatë shit-blerjes së lëndëve narkotike.
“Bëhet fjalë për personin E.R.(20) nga fshati Toplicë e Gostivarit, E.S. (33) nga fshati Dobërdoll i Gostivarit, R.S.(34) nga fshati Inxhikovë e Shkupit dhe V.A.(26) nga fshati Grçec i Shkupit”.
“Ata janë kapur gjatë shit-blerjes së drogës dhe gjatë kontrollit iu gjetën dhe u konfiskuan marijuanë, kokainë dhe para të cilat dyshohet se burojnë nga vepra penale. Ata janë ndaluar në stacionin policorë dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tyre do të bëhet kallëzim përkatës”, thonë nga SPB Tetovë.
Lajme nga vendi
KSHZ: Deri në ora 13:00 kanë votuar 335.244 qytetarë, apo 20,12%

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njofton rezultatin e pjesëmarrjes deri në orën 13:00
“Deri në orën 13:00 janë pranuar të dhëna për pjesëmarrjen nga 3.207 vendvotime. Kanë votuar 335.244 qytetarë, që përbën 20,12% të votuesve”, thonë nga KSHZ.
Lajme nga vendi
BE-ja 16 milionë euro për Maqedoninë e Veriut, për reforma dhe projekte infrastrukturore

Bashkimi Evropian ka miratuar lëshimin e dytë të mjeteve për Maqedoninë e Veriut në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor, në vlerë totale prej 16 milionë eurosh, përcjell TV21. Shuma përfshin grante të pakthyeshme dhe hua, nga të cilat 7,4 milionë euro do të paguhen direkt në buxhetin shtetëror, ndërsa pjesa tjetër do të shfrytëzohet për projekte infrastrukturore përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Vendimi vjen pas vlerësimit pozitiv të Komisionit Evropian për reformat e Qeverisë, duke përfshirë progresin në digjitalizim, sigurinë kibernetike, dokumentet elektronike dhe luftën kundër ekonomisë joformale. Për hapat që nuk janë përmbushur plotësisht, Komisioni ka caktuar një periudhë shtesë deri në qershor 2026.
Lajme nga vendi
MPB: Mashtrim i ri në Shkup me “aksident të rremë”, një grua 71-vjeçare humb 36.300 euro

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar për një rast të ri mashtrimi në Shkup, ku një grua 71-vjeçare ka humbur 36.300 euro pas një skenari të rremë për një “aksident trafiku”, raporton alfax.mk.
Sipas MPB-së, më 16 tetor 2025, rreth orës 17:20, viktima është kontaktuar telefonikisht nga një person që është prezantuar si zyrtar policor, i cili i ka thënë se vajza e saj kishte shkaktuar një aksident të rëndë dhe se për të shpëtuar jetën e saj duhej të paguheshin para për një operacion urgjent.
Më pas, gruaja është kontaktuar sërish nga një person tjetër që është paraqitur si mjek, i cili i ka dhënë udhëzime se ku t’i dorëzonte paratë. Pas kësaj, ajo ka kuptuar se ishte mashtruar dhe ka njoftuar policinë.
Nga MPB bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e autorëve të këtij mashtrimi, ndërsa apelojnë te qytetarët që të jenë të kujdesshëm ndaj thirrjeve të tilla telefonike dhe të mos dorëzojnë para pa verifikim zyrtar.