Lajme nga vendi
Vazhdon debati publik për ndryshime ligjore për siguri më të madhe në komunikacion

Në Kuvend, sot në orën 13:00, në kuadër të Komisionit për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive duhet të vazhdojë debati publik për nevojën për ndryhsime të rregullativës ligjore me qëllim të prëforcimit të sigurisë në komunikacion. Në mbledhjen e sotme pritet të ceken konkludimet nga debati i mbajtur publik i cili filloi më 7 shkurt. Në debatin publik folën ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, kryetari i Këshillit republikan për siguri, Goran Angellkovski, profesorë nga Fakulteti juridik dhe përfaqësues të tjerë nga institucionet kompetente.
Toshkovski me atë rast tha se fokusi nuk guxon të jetë vetëm në ligje, në ashpërsimin e dënimeve, por në ndërtimin e një sistemi i cili do të mundësojë eliminim konkret të pandëshkueshmërisë. Preventiva është me rëndësi sipas tij, por njejtë me rëndësi është të ketë sistem efikas për evidencë të rrecidivistëve me sanksione të ashpra që me të vërtetë do të zbatohen, në mënyrë që të mos lejohet përsëritja e sjelljeve të njejta të rrezikshme.
Në pjesën e ndryshimeve ligjore, ai konsideroj se është e domsodoshme revidimi i dispozitave ligjore të cilat i rregullojnë kundërvajtjet në trafik.
“Konsideroj se duhet ta revidojmë nenin 297 të Kodit penal i cili ka të bëjë me vozitjen e pandërgjegjshme, përkatësisht në mënyrë të qartë të distancohet nga dispozitat ekzistuese të cilat rregullojnë kundërvajtje në trafik në LSKRR në pjesën e vozitjes së shpejtë dhe në vend se në mënyrë alternative të shqiptohet gjoba, e njejta, në mënyrë kumulative të shqiptohet me dënim me burg. Duhet të parashihet edhe inkriminimi i drejtimit të automjetit motorizues pa patent shofer, sepse numrat janë të frikshme – në vitin 2022 u konstatuan 16.359 kundërvajtje për drejtim të automjetit motorizues pa patent shofer, në vitin 2023 19.885, ndërsa në vitin 2024 19.000 kundërvajtje. Gjithashtu mendojmë edhe për vendosje të masës së detyrueshme – marrje e automjetit gjatë rasteve më të rënda të vozitjes së pandërgjegjshme”, nënvioi Toshkovski.
Theksoi se po punohet edhe në zgjerimin e mundësive të sistemit “Qyteti i sigurt” në pjesën e sanksionimit automatik të automjeteve të paregjistruara, ndërsa në fazë përgatitore është edhe furnizimi i testeve për drogë.
Ministri Fillkov në debatin publik informoi se ministritë e Drejtësisë, Punëve të Brendshme, gjykatës nga Sektori për kundërvajtje në Gjykatën penale Shkup dhe profesorë universitarë, po punojnë në implementimin e ndryshimeve të reja ligjore në Ligjin për kundërvajtje dhe Ligjin për siguri të komunikacionit në rrugë.
Nisma për debatin publik pasoi pas rastit me Frosina Kullakovën, e cila më 29 janar u shkel për vdekje në kalimin për këmbësorë në bulevardin “Aradhat partizane” nga ana e 20-vjeçarit Vasill Jovanov nga Shkupi.
Nisma për mbajtje të debatit publik u parashtrua nga ana e deputetëve të partive në pushtet, VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM, ndërkaq mbështetje dhanë deputetët nga të gjitha partitë politike.
Lajme nga vendi
BE-ja 16 milionë euro për Maqedoninë e Veriut, për reforma dhe projekte infrastrukturore

Bashkimi Evropian ka miratuar lëshimin e dytë të mjeteve për Maqedoninë e Veriut në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor, në vlerë totale prej 16 milionë eurosh, përcjell TV21. Shuma përfshin grante të pakthyeshme dhe hua, nga të cilat 7,4 milionë euro do të paguhen direkt në buxhetin shtetëror, ndërsa pjesa tjetër do të shfrytëzohet për projekte infrastrukturore përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Vendimi vjen pas vlerësimit pozitiv të Komisionit Evropian për reformat e Qeverisë, duke përfshirë progresin në digjitalizim, sigurinë kibernetike, dokumentet elektronike dhe luftën kundër ekonomisë joformale. Për hapat që nuk janë përmbushur plotësisht, Komisioni ka caktuar një periudhë shtesë deri në qershor 2026.
Lajme nga vendi
MPB: Mashtrim i ri në Shkup me “aksident të rremë”, një grua 71-vjeçare humb 36.300 euro

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar për një rast të ri mashtrimi në Shkup, ku një grua 71-vjeçare ka humbur 36.300 euro pas një skenari të rremë për një “aksident trafiku”, raporton alfax.mk.
Sipas MPB-së, më 16 tetor 2025, rreth orës 17:20, viktima është kontaktuar telefonikisht nga një person që është prezantuar si zyrtar policor, i cili i ka thënë se vajza e saj kishte shkaktuar një aksident të rëndë dhe se për të shpëtuar jetën e saj duhej të paguheshin para për një operacion urgjent.
Më pas, gruaja është kontaktuar sërish nga një person tjetër që është paraqitur si mjek, i cili i ka dhënë udhëzime se ku t’i dorëzonte paratë. Pas kësaj, ajo ka kuptuar se ishte mashtruar dhe ka njoftuar policinë.
Nga MPB bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e autorëve të këtij mashtrimi, ndërsa apelojnë te qytetarët që të jenë të kujdesshëm ndaj thirrjeve të tilla telefonike dhe të mos dorëzojnë para pa verifikim zyrtar.
Lajme nga vendi
VLEN dhe AKI mbyllin fushatën në Çair: Mexhiti me vizion zhvillimi, Osmani premton “tërmet ndryshimesh”

Në ditën e fundit të fushatës zgjedhore, kandidatët për kryetar të Komunës së Çairit — Izet Mexhiti nga koalicioni VLEN dhe Bujar Osmani nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) — e përmbyllën garën me prezantimin e vizioneve të tyre për zhvillimin e komunës.
Izet Mexhiti theksoi se Çairi po modernizohet me standarde të reja urbane, duke përmendur projektet e reja infrastrukturore që po realizohen në terren.
“Po ndërtojmë rrugë të reja, ndriçim publik, kanalizime dhe trotuare të sigurta për qytetarët. Po ashtu, është në proces zgjerimi i bulevardeve ‘Cvetan Dimov’ dhe ‘Mit’hat Frashëri’,” deklaroi Mexhiti.
Ai nënvizoi edhe investimet në arsim dhe inkluzion social, duke përmendur projektet për ndërtimin e shkollës për fëmijët me nevoja të veçanta dhe qendrën ditore për integrimin e tyre.
“Do të adaptojmë hapësirat publike me rampa, ndriçim dhe sinjalistikë universale që çdo qytetar të ndihet i lirë dhe i barabartë. Në qendër të këtij vizioni është kampusi i Universitetit ‘Nënë Tereza’, një investim historik prej 40 milionë euro, që do ta shndërrojë Çairin në qendër të arsimit të lartë në vend,” shtoi Mexhiti.
Ndërkaq, kandidati i AKI-së, Bujar Osmani, deklaroi se 100 ditët e para pas zgjedhjeve do të jenë periudhë e transformimit të Çairit, me fokus në pastrimin, urbanizimin dhe respektimin e ligjit.
“Në 100 ditët e para do ta bëjmë Çairin komunën më të pastër në Shkup. Do të bëjmë rishikimin e plotë të ndërtimeve pa leje dhe premtoj që asnjë centimetër nuk do të ndërtohet më në mënyrë të jashtëligjshme. Pas 19 tetorit, Çairit do t’i ndodhë një tërmet ndryshimesh që qytetarët i kërkojnë çdo ditë,” tha Osmani, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve për “një fillim të ri”.
Gara në Çair shihet si një nga më të ashpra të këtij cikli zgjedhor, ku Izet Mexhiti dhe Bujar Osmani, po përballen për herë të parë si rivalë politikë, duke e bërë këtë komunë njërën nga betejat më interesante mes dy kampeve shqiptare, VLEN dhe AKI.