Lajme nga vendi
Taravari: Nga 30 deri në 35 për qind e njerëzve në Maqedoni kanë problem me obezitetin
Prej 30 deri në 35 për qind e njerëzve në Maqedoni tashmë kanë problem me obezitetin, ndërsa në botë ky numër është një miliard. Në dhjetë vjet, sipas projeksioneve, do të rritet për 50 për qind, jo vetëm në shtetet e zhvilluara, por edhe në shtetet në zhvillim siç jemi ne. Pra nuk është problem vetëm për popullatën që ka kushte më të mira jetese, por edhe për shtet në zhvillim, theksoi ministri i Shëndetësisë Arben Taravari në konferencën e sotme për shtyp me rastin e Ditës Botërore të Obezitetit.
Siç theksoi Taravari, në vend janë dy qendra për trajtimin e obezitetit, përkatësisht Klinika e Endokrinologjisë dhe Spitali i Përgjithshëm i Qytetit “8 Shtatori”, por, siç tha, së shpejti Klinika e Endokrinologjisë do të disperzohet edhe në Prilep. Ai theksoi se Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimeve Shëndetësore tashmë kanë furnizuar terapinë me insulinë dhe gjithçka që nevojitet për personat me diabet.
“Ne si Ministri e Shëndetësisë, së bashku me Fondin për Sigurim Shëndetësor, dëshirojmë të lavdërohemi se këtë vit tashmë kemi terapi me insulinë dhe gjithçka që nevojitet për personat me diabet, tashmë është siguruar dhe jemi në procedurë për të siguruar rreth 10-20 për qind më shumë. Gjithashtu trajtim do të ketë edhe për pacientët me diabet dhe obezitet, të cilët trajtohen me terapi specifike. Këtë vit, ky numër do të rritet me 200 pacientë të tjerë, që është një numër relativisht i madh. Po ashtu, sensorët në dy vitet e kaluara kanë qenë për 650 pacientë, këtë vit do të jenë 800 pacientë, që është një numër relativisht i mirë, megjithëse nuk është plotësisht i mjaftueshëm, nuk është vetëm për pacientët, pra fëmijët tashmë me diabet, por edhe pacientë të tjerë që janë në grupet e rrezikut”, tha Taravari.
Shtoi se për herë të parë në shtet, Fondi për Sigurim Shëndetësor dhe Ministria e Shëndetësisë do të mbulojnë 25 pacientë të cilët do të mund t’i nënshtrohen operacionit.
“Gjithashtu të paralajmëroj se çfarë risi, për herë të parë në shtet, 25 pacientë përmes Fondit dhe Ministrisë do të mund të operohen, nëse janë obezë dhe ka indikacione për operacion, i cili do të mbulohet plotësisht dhe do të jetë sistemi më i mirë, të them, që është hera e parë që po ndodh diçka e re në shtetin tonë”, tha Taravari.
Në konferencën e sotme për shtyp i pranishëm ishte edhe drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski, i cili theksoi se këtë vit për herë të parë është miratuar buxheti për kryerjen e kirurgjisë bariatrike në Klinikën për Kirurgji Digjestive. Këto mjete, theksoi Klekovski, janë rreth 120 milionë denarë.
“Ideja është që kur ka indikacione të forta mjekësore, jo estetike, këtu indikacione të forta mjekësore, kur pesha nuk mund të kontrollohet në asnjë mënyrë tjetër, t’i qaset ndaj kësaj mënyre të ndërhyrjes. Këtu duhet të pranojmë se obezitetin nuk e shohim më si problem estetik, por si problem shëndetësor dhe si investim në shëndetin e individëve, sepse disa gjëra si diabeti nuk mund të zgjidhen pa rregullimin e peshës”, tha Klekovski.
Lajme nga vendi
Toshkovski: Është konstatuar parregullsi te veprimi i zyrtarëve policorë
Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski, në intervistën për Alsat, konfirmoi që Kontrolli i brendshëm ka gjetur parregullsi në veprimin e zyrtarëve policor, lidhur me denoncimet e të ndjerës Ivana Stojanovska. Parregullsi janë konstatuar edhe në veprimet e Qendrës për Punë Sociale në Shkup. Ndërkaq Gjykatën e Shkupit të hënën fillon gjykimi kundër Stojançe Jovanovskit, i akuzuar për dhunë në familje, kërcënim dhe nxitje për vetëvrasje pasi bashkëshortja e tij Ivana Jovanovska i dha fund jetës së saj së bashku me vajzën e tyre gjashtëvjeçare, duke u hedhur nga ballkoni në lagjen Karposh të Shkupit.
“Është hapur rishqyrtim të punës nga ana e Departamentit për Kontroll të Brendshëm, sipas asaj që e kam si informatë, është konstatuar mospërputhje, paligjshmëri në kuadër të veprimit nga ana e një pjese të zyrtarëve. Edhe në MPB? Ashtu është. Dhe do të ndërmerren masa procesuese përkatëse edhe në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme edhe nga ana e Prokurorisë Publike në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme”, deklaroi Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm. / Alsat.mk.
Lajme nga vendi
KODRA E DIELLIT: 74 CM BORË – ZGJATET SEZONI I SKIJIMIT!
Kodra e Diellit u zgjua këtë mëngjes me një shtresë bore prej 74 centimetrash, duke u bërë kështu zona me mbulimin më të madh të borës në vend.
Temperaturat në këtë qendër turistike kanë rënë në nivelin më të ulët në shtet, duke krijuar një atmosferë të vërtetë dimërore që pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Këto matje vijnë pas reshjeve të shumta që përfshinë rajonin, duke sjellë sasi të konsiderueshme bore të re në zonat malore.
Nga Ski-Qendra në Kodrën e Diellit thonë se nuk është ndërprerë sezoni i skijimit dhe se borë ka patur mjaftueshëm, por e mirëseardhur ka qenë shtresa e re e dëborës.
“Po si që e shihni ka borë të re edhe vazhdojmë me skijim domethënë deri sa të kemi borë ski qendra do të funksionojë. Nesër gjithashtu kemi paraparq edhe skijim nate. Gjithashtu këto dy uikende, këto dy javë kemi pasur zbritje të ski pasave deri më 30 %. Gjithashtu do të vazhdojë edhe këto javët tjera që vijnë zbritja e ski pasave‘’
Duke u bërë thirrje të gjithë skiatorëve që të vijnë ta shijojnë Kodrën e Diellit, Drejtori Aliji, thotë se ski-liftet janë gati për të pritur edhe fluks të madh vizitorësh.
‘’ Të gjithë ski ashensorët janë në full kapacitet, varësisht ndonjëherë edhe ajo varion prej sa turistë kemi, prej numrit të turistëve, normal do t`i lëshojmë të gjitha ski ashensorët. Mirëpo brenda javës është më dobët, tash presim uikendin si do jetë’’
Vazhdimi I sezonit të skijimit po mirëpritet edhe nga hotelierët në Kodrën e Diellit.
’’ Ne ende jemi në sezon , kemi vazhdimisht mysafirë edhe pse normal ka filluar të zvogëlohet numri. Kjo dëbora e re që ka ra natyrisht se na sjell mysafirë të ri. Ka kërkesa të reja të cilët duan të vijnë të skijojnë pasi që e dinë se ka borë të re. Ndërsa sa i përket mysafirëve ato si duket janë lodhë dhe presim pranverën’’
Takuam edhe disa turistë. Ky turist nga Bjellorusia shprehet I kënaqur dhe mahnitur nga bukuritë e Kodrës së Diellit.
‘’Super është fundi i sezonit ka mjaft bore, koha është shumë e mirë. Kam qenë në Bansko pothuajse tre muaj, por këtu është shkëlqyeshëm’’
Edhe të tjerët ndajnë mendimin e njëjtë.
‘’Sot kushte janë të shkëlqyeshme. Shumë të mira, që do thotë se nuk ka shumë vizitorë pasi është e premte. Ndoshta nesër do ketë më tepër. Mendoj se është shkëlqyeshëm’’
‘’Tani janë kushtet më të mira. Ka më tepër se 20 centimetra më tepër borë. Shkëlqyeshëm, momentalisht kënaqemi’’
Sezoni i skijimit në Kodrën e Diellit vazhdon me intensitet të plotë, bëjnë të ditur nga qendra e skijimit, duke theksuar se kushtet për skijim janë të shkëlqyera.
Pistat janë të përgatitura mirë, ndërsa teleferikët funksionojnë rregullisht, duke u mundësuar vizitorëve një përvojë të sigurt dhe cilësore në sportet dimërore.
Qendra është e hapur çdo ditë dhe ofron kushte ideale si për rekreacion, ashtu edhe për skiatorë më me përvojë.
Nga drejtoria e qendrës u bëhet thirrje të gjithë dashamirëve të dimrit që ta vizitojnë Kodrën e Diellit dhe ta shijojnë atmosferën e mbuluar me borë dhe bukuritë natyrore që ofron kjo destinacion malor.
“Të gjithë vizitorët që duan të përjetojnë shpirtin e vërtetë të dimrit janë të mirëpritur”, është mesazhi që vjen nga Ski-Qendra “Kodra e Diellit”
Lajme nga vendi
Toshkovski i prerë: Mesazhet e “Safe City” vetëm në maqedonisht
Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski në intervistën për Alsat konfirmoi që sms-porositë e “Safe City” për shkelje në trafik do të vazhdojnë të vijnë vetëm në maqedonisht. Toshkovski tha se nuk është problem të dërgohen edhe në shqip njoftimet, megjithatë në një rrethanë të tillë do të duhej të dërgoheshin më shumë porosi.
“Porosia është me karakter informativ dhe e njëjta dorëzohet në shkrim latin. Pse? Sepse komunikimin që e kemi si Ministri nëpërmjet operatorëve Telekom është më efikase dhe më ekonomike të shkojë në kuadër të një porosie, për atë është në shkrim latin e jo cirilik. Nëse do të duhej të ishte në shkrim cirilik do të duhej të ketë së paku dy ose tre porosi. Kështu kemi një porosi. Nëse do të duhej të shkojë edhe në shqip, anglisht edhe në tërë gjuhët tjera do të duhej të kishte 50 porosi të cilat do të duhet të dërgohen nga ana e Ministrisë”, deklaroi Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.
Paraprakisht, zëvendësministri i Brendshëm Astrit Iseni në një intervistë për TVM2 javë më parë, kishte thënë se njoftimi për gjobat do të jetë edhe në shqip, ndërsa dygjuhësinë e kishte garantuar edhe zëvendëskryeministri Arben Fetai.
“Në takimin e fundit të liderëve është diskutuar edhe kjo që të gjitha ato gjoba të vinë edhe në gjuhën shqipe kështu që lideri i VLEN-it e ka ngritur edhe këtë si pikë shumë të rëndësishme. Por jo vetëm, janë dakorduar të gjitha pikat e mëparshme në lidhje me përfaqësimin e gjuhës shqipe siç është ajo te uniformat apo te veturat apo gjithkund tjetër, që këto të rregullohen në bazë të Kushtetutës. Kështu që qëndrojmë decid në atë”, theksoi Astrit Iseni, Zv.ministër i Brendshëm.
Çështja e gjuhës së njoftimeve të sms-porosive nga “Safe City” ishte temë debati në Gjykatën Kushtetuese, ky gjyqtarët shqiptarë u përplasën me kreun e Kushtetueses Darko Kostadinovski, i cili deklaroi që maqedonishtja është gjuhë e vetme zyrtare dhe se njohja e saj është obligative, ndërsa më e logjikshme do të ishte që sms-të të dërgoheshin edhe në anglisht.
“Nuk guxojmë të harrojmë se gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare e këtij shteti. Sipas ligjeve tona njohja e gjuhës maqedonase është edhe e drejtë edhe e detyrueshme për çdo qytetar. Pra jo rastësisht është vendosur si detyrim. Edhe në maqedonisht edhe në gjuhë angleze. Pse në gjuhë angleze? Sepse një i huaj mund të bëjë shkelje”, tha Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës.
Ndaj deklaratës së Kostadinovskit kishte reagime të ashpra nga faktori politik shqiptar. / Alsat.mk.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Lajme nga vendi2 months agoVLEN: Me Fetain në krye, nis goditja reale ndaj pasurisë së paligjshme
-
Lajme nga bota2 months agoGjermania në krizë për punëtorë të kualifikuar, spitalet dhe shkollat kanë mungesa të mëdha

