Lajme nga vendi
Kallëzim penal kundër kryetarit të Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari
Departamenti për Punë të Brendshme Kërçovë ka ngritur kallëzim penal kundër F.D.(51) nga Kërçova për ekzistimin e dyshimit se ka kryer veprën penale “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar” në bazë të nenit 353 të Kodit Penal, transmeton TV21.
“Gjatë periudhës prej vitit 2017 deri në vitin 2024, ai në rolin e kryetarit të Komunës së Kërçovës, kundërligjshëm ka arritur disa marrëveshje për kryerjen e shërbimeve noteriale me avokatë nga Kërçova, edhe pse në kuadër të Komunës ekziston Sektori për punë juridike me gjithsej 37 të punësuar, të cilët kanë të drejtë ta përfaqësojnë Komunën para Gjykatave në shtet. Në këtë mënyrë, i denoncuari e ka shfrytëzuar autorizimin e tij zyrtar, ka vepruar kundërligjshëm me dispozitat e Ligjit për parandalim të korrupsionit dhe konfliktit të interesit, të Ligjit për vetëqeverisje lokale, të Ligjit për furnizime publike, i ka shkelur dispozitat nga Ligji për procedurë monetare, Rregulloren për sistematizim të vendeve të punës, me çka avokatëve iu ka mundësuar, në dëm të Buxhetit të Komunës së Kërçovës, të arrijnë pasuri të kundërligjshme prej 3.938.420 milionë denarë apo rreth 64.000 euro”, qëndron në njoftim.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

