Lajme nga vendi
Janevska në Tetovë: Ta ndryshojmë të gjithë së bashku imazhin e arsimit, do të ketë shumë investime në infrastrukturë
Po e përmbyllim me sukses vitin shkollor duke prezantuar një investim kapital të zbatuar me sukses për të përmirësuar kushtet në shkollën tuaj dhe duke e bërë të qartë se infrastruktura është përparësia jonë e përbashkët, sepse është faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm për cilësinë e arsimit.
Kështu theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, gjatë vizitës në ShF të rikonstruktuar „ Andreja Saveski – Qiqish“ në komunën e Tetovës, duke vënë në dukje se ky është rezultat i kujdesit të menaxhmentit dhe kursimeve tëmjeteve të marra nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, por edhe rezultat i shqetësimit të komunës për të siguruar proces të mirë edukativo-arsimor për banorët më të rinj të qytetit.
– Investime të këtilla ua kemi borxh qytetarëve të Maqedonisë. Kanë munguar për një kohë të gjatë, dhe prej këtu- mosbesimi dhe mosbesnikëria se dikush mund të punojë me ndershmëri, përgjegjësi, përkushtim dhe në vend që të krijojë shpenzime të panevojshme ose joproduktive, të jetë i kujdesshëm t’i përdorë ato mjete për të mirën e përbashkët. Por ja e shohim se është e mundur. Po e ndryshojmë imazhin e arsimit së bashku, shtoi Janevska.
Uroj, theksoi ministrja, që të vazhdojmë të punojmë në këtë mënyrë të përkushtuar dhe të bashkuar në të ardhmen, ndërsa të rinjtë të jenë gjithmonë në qendër të politikave dhe aktiviteteve tona. Vetëm kështu nuk do të turpërohemi të themi se çfarë vendi fituan nxënësit tanë në PISA, TIMSS ose testime të tjera ndërkombëtare.
Duke ju dëshiruar pushime të këndshme verore të gjithë nxënësve në vend, Janevska i këshilloi të përdorin kohën në mënyrë të ekuilibruar – për miqësi dhe krijimin e kujtimeve të bukura, për të akumuluar energji për të bëmat e reja, por edhe për të mësuar diçka të re ndërkohë, për të lexuar ndonjë libër ose literaturë të dobishme.
– Arsimi është proces i përjetshëm, ndërsa jo akt i cili përfundon në datë të caktuar. Për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, vera do të jetë periudhë pune. Do ta presim vitin e ri shkollor të përgatitur, deklaroi ministrja.
Lajme nga vendi
Mexhiti: Protesta e studentëve është thirrje për vetëdijesim për të gjithë aktorët politik
Kryetari i komunës së Çairit dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, lidhur me protestën që do të mbahet nesër nga ana e studentëve, ku kërkohet që provimi i Jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe, ka shkruar se kjo protestë, është thirrje për vetëdijesim për të gjithë aktorët politik e shoqëror të cilët duhet të kontribuojnë për zgjidhje më të mira ligjore dhe politika afatgjate institucionale në vend.
“Në shtetet multietnike siç është Maqedonia e Veriut, elitat shoqërore, në veçanti klasa politike ka për detyrë që në vazhdimësi të punojë në ndërtimin politikave të qëndrueshme ligjore e institucionale të cilat do ta reflektojnë karaktetin multietnik dhe frymën e diversitetit të shtetit në çdo sferë të shoqërisë. Politika gjuhësore në Maqedoninë e Veriut, për fat të keq, është rregulluar me një ligj gjysmak. Ligjet gjysmake japin zgjidhje gjysmake.
Prandaj protesta e nesërme është thirrje për vetëdijësim për të gjithë aktorët politikë e shoqërorë të cilët duhet të kontribuojnë për zgjidhje më të mira ligjore dhe politika afatgjate institucionale në vend.
Në vend të politizimit, bëj thirrje për ndërgjegjësim, sepse protestat studentore gjithmonë janë alarm për dukuritë shoqërore të cilat strukturat politike kanë për obligim t’ i trajtojnë në tërësi”, ka shkruar Mexhiti.
Lajme nga vendi
VLEN: Protesta e studentëve po e nxjerr në shesh mashtrimin 20-vjeçar
Nga VLEN në një kumtesë për media thonë se “kur studentët dalin në protestë, kjo flet më shumë për dështimin e atyre që për vite kishin pushtetin, sesa për ata që sot po punojnë për të gjetur zgjidhje”.
Nga VLEN gjithashtu thonë se BDI sot po e instrumentalizon pakënaqësinë e studentëve dhe po përpiqet të përfitojë politikisht nga një problem që vetë e ka lënë zvarrë.
“Kjo është skandaloze. Kishte ministra, institucione, mekanizma dhe gjithë pushtetin e nevojshëm për ta mbyllur këtë çështje njëherë e mirë. Nuk e bëri. Jo pse nuk mundi, por sepse ishte e zënë me hajni, me Soravi, me blerje pronash dhe me pazare për llogari të klikës së vet. VLEN e konsideron protestën e studentëve si shprehje legjitime ndaj një padrejtësie që nuk duhej të zgjaste kaq shumë. Zëri i tyre duhet dëgjuar, jo të përdoret si vegël propagandistike nga ata që vetë e krijuan problemin”.
“Ne nuk do të bëjmë atë që është bërë për vite me radhë. Të flitet shumë dhe të mos zgjidhet asgjë. Për çështjen e mundësisë që të diplomuarit në juridik ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, tashmë po punohet seriozisht për një zgjidhje të qëndrueshme, ligjore dhe institucionale. Jo arnim. Por zgjidhje. Politika gjuhësore në vend është ndërtuar mbi zgjidhje gjysmake. Dhe ligjet gjysmake japin padrejtësi të plota. Pikërisht për këtë, sot nevojitet vullnet për ta mbyllur këtë plagë, jo lot krokodili nga ata që e mbajtën hapur për dy dekada”, thonë nga VLEN.
“Dallimi është si toka me qiellin. BDI i përdori shqiptarët si mburojë për të vjedhur, për t’u pasuruar dhe për ta mbrojtur korrupsionin e vet, ndërsa ne i trajtojmë si amanet. Andaj, u bëjmë thirrje të gjithë faktorëve politikë të mos fshihen pas studentëve dhe të mos i përdorin për interesa ditore”, thonë nga VLEN.
Lajme nga vendi
Hodai: Sot në protestë të gjithë, politikanët e 20 viteve të fundit lini në fund të protestës
Aktivisti Blendi Hodai ka bërë thirrje publike për pjesëmarrje masive në protestën e studentëve, duke theksuar se mbështetja reale nuk matet me postime në rrjetet sociale, por me prani fizike në rrugë.
Sipas tij, protesta është “testi më i thjeshtë i qytetarisë aktive”, ndërsa studentët nuk kanë nevojë për statuse në Facebook, por për qytetarë që u bashkohen në terren për të mbrojtur kërkesat e tyre bazike.
Në reagimin e tij, Hodai ka kritikuar edhe ata që, siç i quan ai, “tregtarë të kauzave studentore”, duke theksuar se faktet i demaskojnë vetë. Ai ka cituar edhe Arbën Xhaferi, i cili ka thënë:
“Çdo shoqëri ka heronj dhe oportunistë, flijues dhe utilitaristë. Gjithmonë oportunistët përpiqen të konsumojnë atë që e kanë siguruar heronjtë.”
Në fund, aktivisti ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në protestë, duke theksuar se politikanët e dy dekadave të fundit duhet të mbeten “në radhën e fundit të protestuesve”.
Ai e ka përmbyllur mesazhin me thirrjen: “Shihem nesër në protestë.”
-
Lajme nga rajoni2 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Lajme nga bota2 weeks ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga vendi2 months ago20-vjecari nga fshati Novo Sellë е Tetovës drejtonte mjetin pa leje i sekuestohet përkohësisht “BMV”

